18 dhjetor 1981
Leonard Veizi
Në
18 dhjetorin e vitit 1981 shteti shqiptar u shkund nga themelet. Për më tepër
që ishte një shtet me vendimmarrje vertikale e ku kupola e udhëheqjes ishte
kthyer në një mit. Pikërisht në atë kohë, si një rrufe në qiell të pastër –
edhe pse moti ishte fort i keq, - u njoftua vdekja e kryeministrit Mehmet
Shehu.
Njerëzit
mbetën të shokuar, por askush dhe askujt nuk iu tha që për një çast të vetëm të
hiqte dorë nga jeta e tij private, e të solidarizohej me mish e shpirt për t'iu
përkushtuar përballimit të fatkeqësisë.
Vdekja
e një udhëheqësi shteti, në vitet e diktaturës komuniste çuditërisht
konsiderohej si një gjëmë. Dhe gjëma përfaqësohej me shkulje flokësh, çjerrje
faqesh e me klithma: ah i mjeri unë, ç'më gjeti. Shpalleshin disa ditë zije
kombëtare, flamuri ulej në gjysmë shtize dhe në mënyrë vajtuese e tmerrësisht
bezdisëse i vetmi ekran shqiptar ai që konsiderohej thjesht “Tirana” transmetonte
muzikë funebër. Gjithçka kthehej në të zezë sterrë. Nuk kishte asgjë argëtuese.
Në bar-bufe e restorante nuk mund të bëjë dot shaka pasi shiheshe shtrembër si
një njeri që po prishte zinë. Dhe nuk ishte çudi që po ta teproje zullumin se
kishe pirë ndonjë gotë më shumë natën ta kaloje në birucat e rajonit të
policisë, ku nuk mungonin “formalitetet”. Dhe në këto kushte, për t’iu larguar
idiotësisë së përgjithshme ose duhej të pikturoje, - për atë që kishte talent,
- ose në vetminë tënde të lexoje letërsi artistike. Ndryshe ditët nuk
shtyheshin.
Isha
në shkollë 8 vjeçare, në klasën e 6-të, - pra vetëm 11 vjeç - kur shtatorin e
vitit 1979 u dha lajmi se Hysni Kapo, udhëheqësi i lartë i Partisë dhe krahu i
djathtë i Enver Hoxhës, kishte vdekur në një spital të Francës ku kishte shkuar
për kurim. Mësimi u pezullua. Mësuesit qanin. Ne nuk është se kuptonim ndonjë
gjë të madhe por gjithsesi na duhet të qëndronim të mërzitur, për më tepër kur
në klasë na u vendos një radio me qëllim që të ndiqnim drejtpërdrejt ceremoninë
mortore.
Isha
13 vjeç, kur dhjetorin e vitit 1981 u transmetua lajmi që ishte edhe më i
kobshëm. Kishte vdekur Mehmet Shehu. Për më tepër ai kishte vrarë veten në
kushte depresive, apo siç u tha në njoftimin zyrtar: “pas një krizë nervore”
.... Dhe akoma më tepër, që në fillim u dyshua për një ftohtësi në marrëdhëniet
e partisë-shtet me njeriun e dytë më të rëndësishëm në vend, i cili vetëm një
muaj më parë kishte marrë votëbesimin dhe kishte ngritur kabinetin e ri
qeveritar me ministra krejt të vjetër.
Pak
më vonë do të zbardhej edhe ftohtësia e qëndrimit të Byrosë Politike. Mehmet
Shehu u shpall armik.
Nuk
ishte ndonjë gjë e re. Armiq të shtetit e partisë ishin shpallur plot. Ishte
shpallur edhe zëvendëskryeministri Beqir Balluku, edhe Ministri i Brendshëm
Koçi Xoxe, pa folur këtu për grupet antiparti në kulturë ushtri, ekonomi...
etj.
Por
për ne që konsideroheshim ende të vegjël këto nuk është se kishin ndonjë kuptim
të madh. As kuja kolektive që të fuste në depresion po aq sa Mehmet Shehun natën
e vetvrasjes. E rëndësishme ishte që për ne që ishim në kufirin e fillimit të
adoleshencës ishte të mos na cenoheshin aktivitetet tona. Pjesa tjetër nuk
merrte kurrfarë rëndësie. Sepse do të isha 17 vjeç, kur pas një largimi të
papritur të mësuesit të Vizatimit teknik, kthimi i tij në klasë do të
shoqërohet me një lajm edhe më të kobshëm. Kishte vdekur vetë Enver Hoxha. Na u
dhanë udhëzimet përkatëse se si duhet të vepronim, ku më së shumti mbaj mend:
mos qeshni në rrugë.
Por
le të kthehemi tek vdekja e Mehmet Shehut.
Ai
njihej si njeriu i ashpër që qeveriste me dorë të hekurt ekonominë e vendit.
Ndaj që nga nata kur u bë i njohur lajmi se ai kishte vrarë vete, nisën dhe
thashethemet. Njerëzit që nuk besonin se ai ishte vetëvrare nuk ishin të paktë.
Dhe në se nuk kishte vrarë veten, do të thosjte se e kishin vrarë. Sepse lami
zyrtar njoftonte për pistoletë, plumb e gjak. Në të kundërt do të ishte thënë
se Mehmet Shehu vdiq nga një sulm kardiak.
Nata
e 18 dhjetorit, në kalendar shënonte e premte. Pas edicionit shokues të
lajmeve, të cilin nuk është se e perceptova thellësisht, isha i ngazëllyer që
më në fund TVSH nuk ndërpreu transmetimet për të dhënë në mënyrë të mërzitshme
muzikë funebre. Përkundrazi, meqenëse ishte nata e shfaqes së rubrikës “Teatri
në ekran” televiozioni nuk e ndryshoi programin, po trasmetoi për herë të parë dhe të fundit
komedinë e shkruar nga Gjik Kurtiqi “Miq të paftuar”, punuar si një version mbi
romanin e famshëm të Jaroslav Hashekut “Ushtari i mirë Shvejk” ku flitej për
pushtimin e Çekosllovakisë nga ushtritë e Traktatit të Varshavës kryesuar nga
Bashkimi Sovjetik, e ku në rolin e Shvejkut e interpretonte aktori i mirënjohur
Fadil Kujovska.
Vite
më vonë, rastësish – si shumë rastësi të tjera në këtë botë – u gjenda në mes
të një vorbulle: u vetvra apo e vranë Mehmet Shehut. Kjo nisi pas një
interviste që aso kohe realizova me mjeshtrin e fotografisë në ish Kinostudio
Ilia Terpinin i cili duke folur për punën e tij si operator tregoi dhe disa
detaje nga regjistrimi i Kongresit të 8 të PPSH së si dhe disa grimca nga
qëndrimi dyshues i Mehmet Sheht në skenën e Teatrit të Operas ku zhvilloheshin
ditët e Kongresit të Partisë së Punës. Nga ai çast, - meqenëse u pa si
interesante, - m'u ngarkua si detyrë nga redaksia, për ta vazhduar hulumtimin e
të tërheqja fillin e sapo zgjidhur, duke rendur për të gjetur një version të
saktë apo të përafërt mbi fundin e kryeministrit komunist. Në disa dhjetëra a
qindra intervista, të bëra për një periudhë gati 10 vjeçare. ku gjithkush nga
të intervistuarit tregonte episodin e tij në marrëdhënie me Mehmet Shehun, nuk
është se arrita në një konkluzion të qartë, pasi ata që mbronin faktin që
Mehmet Shehun e kishin vrarë, dhe atë që i besonin versionin zyrtar, ishin të
ndarë përgjysmë në bindjet e tyre. Them bindjet pas fakte konkrete i afroheshin
fundit, por nuk shkonin dot deri në fund. Sepse të gjithë personat që realisht
mund të njihnin realitetin apo mund të ishin dëshmitarë realë, nuk jetonin më.
Misteri
mbetej.
Në
tërësinë e tyre, të gjithë do ta mbronin ish kryeministrit sipas stilit të
tyre: ata që besonin se ishte vetëvrare që ai të mos binte në dorë të hetuesisë
së kohës, ku do të kishte të njëjtin fund me paraardhësit e tij, dhe versioni i
vrasjes për të eliminuar një pengesë të madhe në prespektivën e venduar nga
Enver Hoxha.
Çfarë
vlere ka kjo tanimë?
Asnjë.
Përveç faktit që si gjithmonë njerëzit kanë kureshti të njohin diçka më shumë
nga analet e errëta të historisë. Sepse nuk ka një version shterues as si vdiq
Ahmet Zogu si ish kryeministër. Vdiq sepse i erdhi radha, apo radhën ia
përshpejtuan.
Nuk
ka një version shterues se as si vdiq Ismail Qemali, kryeministri i parë i
shtetit shqiptar, e helmuan në hotelin e Peruxhias italiane ku do të jepte
konferencën për shtyp, apo aq e kishte të shkruar ymrin.
Madje
po të shtyhemi në kohë ka një hije misteri edhe mbi vdekjen e Gjergj
Kastriotit. Vdiq sepse vërtet i erdhi koha, e helmuan turqit përmes
venedikasve, apo vetë venedikasit që pavarësisht marrëveshjeve dhe aleancave
nuk është se e kishin fort qejf kryetrimin shqiptar?
E
për më tepër njerëzit besojnë se teoritë e konspiracionit kanë nisur që me
vdekjen e Aleksandrit të Madh, për të vazhduar më Cezarin dhe për të vazhduar
në pafundësi me vdekje udhëheqësish politik e drejtues fushatash ushtarake.
Dhe
së fundi: u vetvra apo e vranë Mehmet Shehun si kryeministër në detyrë?
Kjo
besoj do të mbetet ende mister. Dhe nuk besoj se mund të ketë dokumente
arkivorë që mund ta zbardhin ngjarjen, edhe për arsyen e thjeshtë se regjimi në
kulmin e represionet, nuk e kishte fare të vështirë të rregullonte letrat,
ashtu siç do ta bënte më të besueshme. Mehmet Shehun u vetëvra, dhe ky ishte
një veprim i dënueshëm nga Partia. Për të fashitur zërat Enver Hoxha bëri
publike dhe “Tablonë sinoptike” ku e denoncoi veprimtarinë e kryeministrit 27
vite në detyrë, si anti-parti dhe vetë Mehmetin si një poliagjent.
No comments:
Post a Comment