Leonard Veizi
Marr shkas nga një
deklaratë e Ministrit të Brendshëm që po e citoj: “Në përgjithësi gjatë kohës
së festave ka një rritje të veprimtarisë kriminale që lidhet me grabitjet apo
me vjedhjet”.
Nuk është ndonjë
gjë që nuk dihet. Por gjithsesi merr më tepër besueshmëri kur del nga goja e një
zyrtari të lartë që përgjigjet për mbarëvajtjen e rendit e të qetësisë dhe që
ka informacion më të detajuar se ne të tjerët.
Po a ka shef
policie e ministër rendi që i mban në udut shqiptarët? Sidomos kur ka festa e
aheng, ku luajnë sazet e ku kërcet vallja?
Populli thoshte
dikur: “Ujët fle, hasmi nuk fle”. Kjo mund të abdejtohet edhe si një sentencë
me përmbajtje disi më kontemporane, pra afër kohës: “Kur populli gëzon,
krimineli feston”.
Dhe nuk është se e
them unë këtë. E tha ministri i rendit. Unë kalemin kam në dorë.
Pra, shkurt e
qartë. Në ditë festash, hani, pini e këndoni, por dhe kini mendjen mos vajtoni!
Epo me rimë vajti dhe
kjo punë. Poezi tallagjareje.
Po sa festa kemi
ne si shqiptarë?
Sa të duash mor
jahu. Zoti mos na lëntë pa festa. Në janar jo dhe aq, po nga shkurti e marsi
plas ahengu. Vlon gërneta dhe çingijet që këndojnë: Ti më morsh të keqen/ e ti
m’u bofsh kurban,
Se me burrin isha/
me jaranin jam. Apo nuk fillon dhe ndërrimi i gjakut. Kështu që dhe për
hajdutët, grabitësit e vrasësit ka punë sa të duash.
Se ne e kemi
zakon: Dasmë pa mish nuk ka, - thotë populli. Edhe mort pa një çikë humor.
Demek qari dhe qederi janë motër e vëlla, një vizë i ndan.
Megjithatë, festat
janë festa e duhen festuar, pavarësisht incidenteve rrugës. Por ka festa
pagane, festa fetare e festa kombëtare. Populli do të festojë doemos. Po të
lodhesh duke punuar ke të drejtën legjitime të çlodhesh e të dëfresh.
Po nuk të lë njeri
rehat or jo. Hajduti fap... gjen rastin. Ke parë hajdut që në valën e punës
t'ia marrë me gjumë? Edhe kur ti si popull dremit në autobus se të ka rënë
bretku në punë, kur zgjohesh duhet menjëherë të kontrollosh xhepat se me shumë
gjasa do të të ketë fluturuar portofoli... me gjithë xhep e çakmak. Ikën dhe
rroga mujore bashkë me kartën e identitetit dhe atë të shëndetit. E mbetesh
kothere në tepsinë bosh.
Dokumentet
zëvendësohen tek e fundit se online janë, u gjendet dermani. Po paret kush t’i
zëvendëson? Se jo të gjithë kanë dashamirësinë e djalit të madh të Kapedanit që
ishte oficer i Ushtrisë Popullore, që bashkë me nusen balerinë i zëvendësuan
paratë e djegura me llullë plakut zevzek.
-Para ke?
-Hë, mirë që më
kujtove. Merri, merri. O po merri se unë të mijat i dogja mbrëmë me çibuk. As
ju nuk i keni gjetur në rrugë. Por megjithatë unë po të marr një qinçe.
Këtu e kisha
fjalën. Duhet t’i bësh derman vetes, se jo të gjitha festat dalin për mbarë.
Kësaj i thonë të
jetosh me frikë në zemër. Hajduti të ka bërë me hije. Duhet të qëndrosh natë-ditë
me sy hapur. Si dikur kur prisnim armiqtë të na desantonin nga ajri, nga deti
dhe nga kufiri tokësor. 360 gradë rrotullim sysh.
Po tani kanë
ndryshuar kohët: armiku i jashtëm na është bërë armik i brendshëm. Nga të
ruhesh më parë.
Në fakt nuk guxon
të hapësh televizorin e të shohësh edicionin informativ se do shokohesh
gjithmonë nga lajmet e “kronikës së zezë”. Vjedhje e grabitje po e po, por dhe
plot vrasje.
-E paskan vrarë të
shkretin. Duhet njoftuar xhandarmëria që ta kapin fajtorin.
-Mirë thua Selo.
Bëj zamet e shko deri në komunë të dërgojnë një xhandar.
-Kot e mundon
qehajanë deri në kasaba o Bej. Nuk kanë për ta gjetur.
-Ehu, qeveria e
kap lepurin me qerre. Mos e thuaj atë fjalë! Është qeveri e fortë kjo.
-Lepurin e kap por
jo ujkun. Ai kush e di se ku bredh me kalë.
Ja kjo është
esenca e vlefshme në çdo kohë: Atë të pardjeshmen, të djeshmen, të sotmen e me
siguri edhe në të ardhmen.
Domethënë
shqiptarët ose ruajnë ditët gjatë festave se ulet vigjilenca e njerëzve, ose
gjatë këtyre ditëve për shkak të entuziazmit të përgjithshëm, vepron dhe një
forcë e madhe negative e agresive për të qëlluar me plumba prej vërteti ndaj
tjetrit a për t’i grabitur gjënë më të çmuar që ka.
Për ditë festash
policia ka gjithmonë një plan masash. Ajo shton vigjilencën.
Por dhe keqbërësit
nuk mbeten prapa. Edhe ata me plane operacionale punojnë.
Në ditë të tilla,
për shkak të qejfeve festive, kalon dhe ndonjë kuintal “miell” kontrabandë. Se
tani shqiptarët nuk janë më ata shpërndarësit e vegjël që prisnin ndonjë gramë
nga bosat e mëdhenj. Tani ata të thajnë piten. Dhe tek trau i doganës kalon
gamori me gjithë ngarkesë.
Festat po na
marrin në qafë. Nuk di nga t’ia mbajë i ziu njeri. Hall të mos festojë se jeta
i bëhet më monotone dhe më stresante, hall të festojë se me gjasa mbetet
lakuriq në mes katër rrugëve.
Si i bëhet?
E gjeta....
“Eureka”, - thërriste Arkimedi atje në
Sirakuzë...
Duhen anuluar
festat.
-O ty t’u thaftë
goja! Na e dashke të mirën.
Po pra, po për të
mirë po përpiqem dhe unë. Kjo është një ide brilante që duhet shoshitur nëpër
tavolinat e jetës politike dhe shoqërore.
Pak vullnet i mirë
nga Parlamenti dhe me një votim i anulon të gjitha ditët e festave. Kështu mund
të ulim një përqindje të mirë të kriminalitetit.
Medalja ka dy
faqe.
Në fund të fundit,
në qoftë se festat na vijnë për keq, ku qëndron fakti se duhet të jemi të
gëzuar, të hamë e të pimë e të mendojmë vetëm për gjërat e mira të kësaj bote?!
No comments:
Post a Comment