Në një entuziazëm
frenetik që shkarkonte emocionet e grumbulluara prej një muaji, Maradona, si
kapiten i ekipit, ngriti lart kupën e fitores. Argjentina ishte shpallur
kampione bote, pasi në ndeshjen finale kishin mundur Gjermaninë Federale me
rezultatin 3-2.
Dhe teksa
pjesëtarët e tjerë të ekipit mbanin mbi supe sulmuesin Armando, anglezët nga
televizori shihnin se si sulmuesi që u shënoi një gol të turpshëm, ndihej
krenar. Ishte 2 korriku i vitit 1986…
…Në Shqipërinë e
viteve të komunizmit sporti i futbollit, i pacensuruar dhe i transmetuar nga
RTSH-ja, shihej si argëtimi perfekt i masave. Sidomos kur bëhej fjalë për
kampionatin botëror dhe atë evropian. Mund ta ndiqje një ndeshje mes shokësh,
edhe nëse ndonjë i çartur, me banim në katin e parë, afronte televizorin te
dritarja. Nuk piheshin birra me kanaçe, po ndonjë gotë raki edhe mund ta
ktheje, duke tymosur vazhdimisht duhan. Bastet, megjithëse të paligjshme, ishin
mbyllur disa orë më parë dhe ata që luanin me lekët e rrogës 15-ditore nuk
ishin të paktë.
Por më me emocion
se bastexhinjtë, ishin tifozët e papërmbajtshëm që në shumicë ishin me Italinë,
me Brazilin, por dhe me Gjermaninë Perëndimore. Më të paktë ishin tifozët e
Argjentinës dhe Anglisë. Dhe akoma më pak tifozë kishte kombëtarja franceze e
futbollit. Asokohe, Holanda e kishte humbur shkëlqimin e Johan Cruyff-it dhe
tifozët e shumtë të saj, në mungesë të “tulipanëve”, bënin tifo për ekipe të
dyta. Për kombëtaret e tjera, si fjala
vjen Rusia, Skocia, Irlanda, as që bëhej fjalë. Tifozët e tyre numëroheshin me
gishtat e dorës.
Fakti që në vitin
1886 kampionati botëror i futbollit do të zhvillohej në Meksikën e largët, ku
dhe oraret e transmetimit nuk korrespondonin mirë me ato të Evropës, nuk ua
ulte entuziazmin shqiptarëve që, edhe pse duhet të shkonin në punë në orën
07.00 të mëngjesit, i shihnin ndeshjet deri pasmesnate. Natyrisht, për ta fati
më i madh ishte, nëse ai zhvillohej në Italinë fqinje, pasi dukej sikur
zhvillohej në Tiranë. Për më tepër, që tifozët e kombëtares italiane ishin të
shumtë në numër dhe kërkonin që Italia të përsëriste suksesin e katër viteve më
parë, në Spanjën e vitit 1982, kur u shpall kampione pas një fitoreje me
Gjermaninë.
Këtë herë fati
dukej që ishte me Argjentinën që para fillimit të kampionatit. Vetë Argjentina
i kishte sytë tek Armando Diego Maradona, i cili ishte rritur dhe katër vjet më
shumë, dhe nuk ishte më ai 21-vjeçari i botërorit “Spain 82”, të cilit
mbrojtësi Claudio Gentile, i kombëtares italiane, i shkaktoi 23 faulle, duke
mos e lënë të bëjë asnjë sulm drejt portës, e ku në përfundim të ndeshjes tha
dhe një batutë që mbeti si shprehje lapidare: “futbolli nuk është për
balerinat”.
Diego hyri në
histori me dy golat e tij ndaj Anglisë. Avantazhi erdhi pas asaj që prej 22
qershorit 1986 njihet si “dora e Zotit”. Ishte një gol me dorë në minutën e
51-të, që mashtroi arbitrin tunizian, Ali Bin Nasser, dhe u dha avantazhin amerikanojugorëve.
Pjesa e parë kaloi
pa asnjë gol. Në minutën e 6-të të pjesës së dytë, kapiteni i Argjentinës
përfitoi nga pakujdesia e mbrojtjes angleze. Maradona me numrin 10 në shpinë,
kaloi para Glenn Hoddle dhe u fut brenda dy lojtarëve të tjerë të Anglisë,
përpara se të kalonte një pasim te Valdano. Topi u hodh mbi këmbën e Valdano-s
dhe Hodge e goditi lart brenda zonës, ku Maradona u ngrit dhe grushtoi topin
sipër Shilton-it, portierit legjendar të kombëtares angleze.
Asnjë nga
gjyqtarët nuk e vuri re atë, përveç lojtarëve të Anglisë, të cilët nisën të
reagonin të dëshpëruar ndaj gjyqtarit Ali Bin Nasser.
Trajneri Bobby
Robson i kombëtares angleze nuk u impresionua nga pretendimi i Maradonës, i
cili pas ndeshjes u shpreh për ndërhyrje hyjnore, apo “dora e Zotit”, siç tha
ai. “Nuk ishte dora e Zotit. Zoti nuk kishte asnjë lidhje me të… Atë ditë
Maradona u zvogëlua në sytë e mi përgjithmonë”, u shpreh Robson.
Kryesori Bin
Nasser dhe anësori bullgar, Bogdan Dotchev, fajësuan njëri-tjetrin. “Po prisja
që Dotchev të më jepte një kuptim të asaj që ndodhi saktësisht, por ai nuk bëri
sinjal për një prekje me dorë,” u shpreh Bin Nasser, kohë më vonë.
Vetëm pesë minuta
më vonë ishte Maradona ai që dyfishoi avantazhin, me një gol që mbeti në
histori si “goli i shekullit”. Diego bëri një sprint prej 70-80 metrash, me
topin ndër këmbë, duke dribluar këdo që i doli përpara, madje edhe portierin,
duke entuziazmuar në kulm 114600 tifozët në stadiumin “Azteca”. Në këtë mënyrë
Maradona vuri nderin në vend, por askush nuk mund të thotë se si do të ishte
ecuria e asaj ndeshjeje, nëse goli i tij me dorë do të ishte anuluar.
Robson këtë herë
nuk kishte pretendime. “Ishte i shkëlqyeshëm. Nuk më pëlqeu, por duhej ta
admiroja”, u shpreh ai.
Kapiteni i
anglezëve, Gary Lineker, ngushtoi shifrat në fund të ndeshjes, me një gol që i
mjaftoi për t’u kurorëzuar si kryegolashënuesi i turneut.
Kampionati Botëror
i vitit 1986 do të kurorëzonte Argjentinën dhe “mbretin” e ri të futbollit,
Diego Armando Maradonën, si kampionë, në një turne spektakolar, i cili nisi jo
pa vështirësi, madje me shumë hije dyshimi mbi organizimin e tij.
Kohë më vonë
legjenda e futbollit botëror, Armando Diego Maradona, rrëfeu se goli me dorë
ndaj Anglisë ishte një lloj hakmarrjeje për luftën e humbur në 1982.
Anglia dhe
Argjentina kishin luftuar për ishujt Malvine në 1982. Argjentinasit fillimisht
pushtuan ishujt që i kishin anglezët, duke e quajtur çlirim, por më pas
britanikët reaguan dhe e fituan luftën për ta. Katër vjet më vonë, Anglia dhe
Argjentina u ndeshën në çerekfinalet e Kupës së Botës në Meksikë, dhe
amerikanojugorët fituan 2-1. “Unë e dija që në atë kohë se shënova me dorë, –
është shprehur Maradona, në një dokumentar, – nuk e mendova që më parë, por
aksioni ndodhi kaq shpejt, saqë e bëra instinktivisht dhe vijërojtësi nuk më
vuri re. Gjyqtari më hodhi një vështrim, pastaj tha “gol”. Ishte një ndjenjë e
bukur, një lloj hakmarrjeje simbolike ndaj anglezëve”.
Për shumë vite me
radhë në Angli kampioni i botës u konsiderua si “armiku publik numër një”.
Diego Armando
Maradona, i cili, sipas sondazheve të zhvilluara nga gazeta prestigjioze, ndër
të cilat edhe “The Times”, tanimë është një legjendë e futbollit botëror, i
cili lë pas vetes edhe lojtarë të kalibrit, si braziliani Pele.
Asokohe tifozëria
ziente edhe në Tiranë, ku ca e anatemonin golbërësin Diego, duke e sharë nga
ç’i mbante pragu i shtëpisë, e ca të tjerë e merrnin në mbrojtje, duke thënë se
ua kishte bërë mirë anglezëve mendjemëdhenj. Por më shumë se tifozëria, e shanin
dhe mallkonin ata të cilët për shkak të dy golave të tij, kishin humbur në bast
edhe rrogën e 15-ditëshit.
No comments:
Post a Comment