Monday, June 17, 2024

Çështja “Horman”, kur ushtarakët amerikanë u denoncuan se organizuan grushtin e shtetit në Kili

“I zhdukur” 


 
Nga Leonard Veizi
 
Në kanalin e vetëm shtetëror shqiptar rreth vitit 1985 u transmetua një film i dubluar në gjuhën italiane, nën titullin: “U zhduk një njeri”. Asokohe filmat zakonisht piratoheshin nga RAI me gjithë siglën e kanalit. Por kjo ishte një çështje e vogël për palën italiane, të cilët e mbyllnin një sy për vendin e vogël që ndodhej përballë Barit. Praktika ishte e njohur se në Shqipëri mund të transmetoheshin edhe filma amerikanë, por vetëm atëherë kur bëhej fjalë për “çjerrjen e maskës” së vendit imperialist, dhe kur flitej për atë që cilësohej si degjenerimi dhe degradimi i shoqërisë. Për tema të tilla edhe regjimi e mbyllte njërin sy, ndërsa telespektatori shqiptar mund të shihte ndonjë film që nuk kishte mundësinë ta shihte nga RAI.
Filmi “U zhduk një njeri” u transmetua me idenë propagandistike të një dëshmie mbi praktikat e dhunshme që Shtetet e Bashkuara favorizonin për më tepër kur bëhej fjalë për interesat e veta. Dhe kjo kishte të bënte me ndërhyrjet në punët e brendshme në një shtet tjerët, qoftë dhe duke stimuluar një grusht shteti...
 
...“Missing” apo “I zhdukur”, është një film dramatik biografik amerikan i vitit 1982 me regji nga Kosta Gavras mbështetur mbi një skenar të shkruar nga vetë Gavras dhe Donald E. Stjuart. Fabula ishte përshtatur nga libri “The Execution of Charles Horman: An American Sacrifice” ose i ardhur në shqip si “Ekzekutimi i Çarls Horman: Një sakrificë amerikane” i botuar në vitin 1978. Autori Thomas Hauzer e ribotoi përsëri librin e tij në vitin 1982 por këtë herë nën titullin “I zhdukur”.
 
Libri
Libri bën fjalë për zhdukjen e gazetarit 31 vjeçar amerikan Çarls Horman, si pasojë e grushtit të shtetit kilian të vitit 1973, i cili rrëzoi Presidentin socialist Salvador Allende të zgjedhur në mënyrë demokratike. Stili autorial i Hauzer është dokumentar dhe publicistik, i karakterizuar nga një rrëfim i detajuar dhe i mirë-dokumentuar i ngjarjeve. Në libër dhe në film thuhet se grushti i shtetit në Kili u mbështet nga Shtetet e Bashkuara, por qeveria amerikane nuk e pranoi asnjëherë një gjë të tillë.
Tomas Hauzer, - i lindur më 27 shkurt 1946 në Nju Jork Siti, SHBA, - bëri debutimin e tij si shkrimtar në 1978 me “Ekzekutimin e Çarls Horman”. Libri bazohet në fakte dhe kërkime të mundimshme, ku Hauzer përdori intervista, dokumente dhe dëshmi për të bashkuar historinë e zhdukjes dhe vrasjes së Çarls Horman gjatë grushtit të shtetit kilian të vitit 1973. Kritika thotë se stili i tij karakterizohet nga qartësia dhe objektiviteti, autori i shmanget përfundimeve të shpejta apo shprehjes së drejtpërdrejtë të mendimeve personale. Në vend të kësaj, ai i lë faktet të flasin vetë, duke u dhënë lexuesve një pamje sa më të plotë dhe të pafiltruar të rrethanave tragjike dhe kontekstit të trazuar politik në Kili në atë kohë. Hauzer e strukturon punën e tij në një mënyrë që e udhëheq lexuesin përmes ngjarjeve komplekse, duke ofruar si kontekst historik ashtu edhe detaje specifike rreth përfshirjes së individëve dhe institucioneve të ndryshme në çështjen Horman. Stili i tij i saktë dhe analitik i lejon lexuesit të kuptojnë jo vetëm atë që ndodhi, por edhe pse ndodhi, duke vënë në pah bashkëfajësinë dhe neglizhencën e aktorëve ndërkombëtarë, përfshirë qeverinë amerikane.
Gruaja e Horman, Xhois dhe babai, Ed Horman bashkëpunuan me Hauzer në librin që përshkruan fatin e Çarls dhe kërkimin e familjes së tij për të zbuluar të vërtetën në Kili. Ai u nominua për një çmim Pulitzer dhe u përshtat si filmi i Kosta Gavras “Missing”. Libri argumenton se Horman, mund të ketë zbuluar aksidentalisht prova të përfshirjes së SHBA-së dhe mund të jetë ekzekutuar me dijeninë e SHBA-së. Horman u rrëmbye dhe u vra sepse pa dashje zbuloi se forcat amerikane si CIA dhe Komanda Jugore, ishin të përfshira në përmbysjen e presidentit të majtë, Allende.
 
Filmi
“Missing” u transmentua për publikun amerikan më 12 shkurt 1982. Ky film pati mjaft vlerësime nga kritikët. Në film luajnë Xhek Lemon, Sisi Speisek, Melani Meiron, Xhon Shei, Xhanis Rul dhe Çarls Siofi.
Filmi u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Kanë të vitit 1982, ku u nderua bashkërisht me Palmën e Artë, ndërsa Lemon fitoi çmimin për aktorin më të mirë.
Sisi Speisek u zgjodh për të portretizuar Xhois Horman. Xhois deklaroi se ndihej e shqetësuar se cili do të ishte rezultati i filmit dhe i kërkoi regjisorit Kosta Gavras të ndryshonte emrin e saj në film nga Joyce në "Beth Horman" për t'u distancuar.
Filmi mori katër nominime në çmimet e 55-të të Academy Awards; Filmi më i mirë, aktori më i mirë, për Lemon, aktorja më e mirë, për Speisek dhe fitoi për skenarin më të mirë të adaptuar.
I vendosur kryesisht gjatë ditëve dhe javëve pas zhdukjes së Hormanit, filmi shqyrton marrëdhënien midis gruas së Hormanit, Bethit dhe babait të tij Edmundit dhe kërkimin e tyre të mëvonshëm për të gjetur Çarlin.
Filmi krijoi polemika të rëndësishme në Kili dhe u ndalua gjatë diktaturës së Augusto Pinoçet; as Kili dhe as Pinoçet nuk përmenden me emër, edhe pse qytetet kiliane Viña del Mar dhe Santiago janë në film.
 
Ngjarja
Ed Horman, një biznesmen konservator nga Nju Jorku, mbërrin në Kili për të kërkuar djalin e tij Çarli, një gazetar që u zhduk gjatë ditëve të grushtit ushtarak të shtetit. Ed takon nusen e tij, Beth, me të cilën ka një marrëdhënie të tensionuar dhe ata debatojnë për politikën. Ed fajëson pikëpamjet radikale politike të djalit dhe nuses së tij për zhdukjen e Çarlit, ndërsa Beth fajëson qeverinë amerikane. Ed përdor lidhjet e tij për t'u takuar me zyrtarë të ndryshëm qeveritarë për të zbuluar të vërtetën rreth zhdukjes së djalit të tij.
Në kohën e grushtit të shtetit, Çarl Horman kishte qenë në qytetin turistik të Viña del Mar pranë portit të Valparaíso, një bazë kyçe për puçistët amerikanë dhe kilianë. Zyrtarët amerikanë spekuluan në atë kohë se Horman kishte qenë viktimë e "paranojës kiliane".
Gati një muaj pas vdekjes së Hormanit, vendndodhja e trupit të tij supozohet se ishte e panjohur për zyrtarët amerikanë. Megjithatë, më vonë u konstatua se ai ishte ekzekutuar më 19 shtator dhe eshtrat e tij ishin varrosur brenda një muri në stadiumin kombëtar, pas së cilës trupi u transferua në një morg në kryeqytetin kilian. Një gazetar i dytë amerikan, Frenk Teruxhi, pati një fat të ngjashëm.
Ndërsa heton, Ed zbulon se ambasada amerikane nuk është aq e dobishme sa ai priste dhe dyshon se ata fshehin informacione për Çarlin. Së bashku, ai dhe Beth mësojnë se SHBA-të kishin shumë interesa në vend që u rritën nga grushti i shtetit dhe pasojat e tij, dhe se shumë zyrtarë ushtarakë ndihmuan Pinoçet. Ndërsa Ed zhgënjehet me qeverinë amerikane, ai fillon të respektojë punën që Beth dhe Çarli po bënin, dhe ai dhe Beth pajtohen. Kur ata marrin prova që Çarli u vra nga junta dhe se SHBA-të e lejuan të ndodhte, ai u thotë zyrtarëve të ambasadës: "Unë falenderoj Zotin që jetojmë në një vend ku mund të futim ende në burg njerëz si ju!"
Filmi përfundon me një postscript që thotë se, pas kthimit të Edit në Shtetet e Bashkuara, ai mori trupin e Çarlit shtatë muaj më vonë, duke e bërë të pamundur një autopsi dhe se një padi e mëvonshme kundër qeverisë së SHBA u hodh poshtë. Ai shton gjithashtu se Departamenti i Shtetit mohon përfshirjen e tij në grushtin e shtetit të Pinoçet.
 
Padia
Në vitin 1983, një vit pas daljes të filmit, filmi dhe libri i Thomas Hauser “The Execution of Charles Horman” u hoqën nga tregu i Shteteve të Bashkuara pas një padie të ngritur kundër Kosta Gavras dhe Universal Pictures. Nathenial Devis, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kili nga viti 1971 deri në 1973, ngriti një padi prej 150 milionë dollarësh për shpifje kundër regjisorit dhe studios, pavarësisht se nuk ishte përmendur drejtpërdrejt në film. Një gjykatë përfundimisht hodhi poshtë padinë e Davis. Pas kësaj filmi u ripublikua nga Universal në 2006.
 
Epilogu
Libri dhe filmi pretendojnë se zbulimi që bëri Çarl Horman mbi bashkëpunimin e SHBA-ve në grushtin e shtetit kilian, çoi në arrestimin, zhdukjen dhe ekzekutimin e tij të fshehtë. Bashkëfajësia amerikane në grushtin e shtetit u konfirmua më vonë në dokumentet e deklasifikuara gjatë administratës së Klintonit.
Në qershor 2014, një gjykatë kiliane vendosi se autoritetet amerikane kishin luajtur një rol "themelor" në vrasjen e Horman. Në janar 2015, dy ish-zyrtarë të inteligjencës kiliane u dënuan në Kili për vrasjen e Çarls Horman dhe Frenk Teruxhi.

No comments:

Post a Comment