Friday, June 14, 2024

Kur dashuria dhe vdekja vijnë nga stomaku


Nga 
Leonard Veizi
 
E keqja vjen nga stomaku.
Sentenca mund të mos jetë aq popullore, tani për tani, por do të bëhet e tillë. Sepse deri më tash jemi mësuar të themi e të dëgjojmë se: “Dashuria vjen nga stomaku”.
Kur ke ndonjë problem shëndetësor jo madhor, e vete tek mjeku, ai të rekomandon të marrësh ca suplemente për të rregulluar bilancin e mangësive në trup. Pra jo domosdoshmërish ilaçe me kimikate të përqendruara, por suplemente me kimikate. Kështu ne kërkojmë ndihmën e kimikateve.
Dhe kjo na ka ndihmuar në jetëgjatësi.
Ndërkohë, dimë gjithashtu, - sepse ka vite që bien daullet e alarmit, -  se të gjitha asortimentet e tavolinës, janë të dendura me kimikate.
Dikur fruta-perimet spërkateshin me pesticide, dhe në punë ishte dhe superfosfati, - uzina e Laçit që prodhonte plehra të fosfatuara e të përpunuara, - por tani të gjitha janë të dendura me kimikate.
Por a mban trupi njerëzor edhe ushqime me kimikate dhe suplemente me kimikate? Edhe ujë me kimikate. Se për ata që s'e dinë, ne ujin e pimë me klor. Nuk është se na vjen drejt e nga burimi pasi ka kaluar 40 gurët dhe është bërë qelibar...
Pra kimikate në tërësi.
Trupi njerëzor, - që konsiderohet si një makineri e mrekullueshme biologjike, - është një sistem i ndërlikuar dhe delikat që ka evoluar vazhdimisht për të funksionuar në harmoni të plotë me natyrën. Ushqimi, si burim kryesor i energjisë, ka qenë gjithmonë në qendër të këtij ekuilibri.
Por në një botë gjithnjë e më të industrializuar dhe të urbanizuar, mënyra se si ushqehemi ka ndryshuar në mënyrë dramatike.
Hapim literaturën dhe informohemi: Ushqimet me kimikate janë shpesh produkt i bujqësisë intensive dhe përpunimit të ushqimeve, ku pesticidet, herbicidet dhe konservuesit përdoren për të rritur prodhimin dhe për të zgjatur jetëgjatësinë e produkteve. Edhe pse këto kimikate kanë për qëllim të rrisin sasinë dhe cilësinë e prodhimeve ushqimore, ato mund të sjellin rreziqe për shëndetin e njeriut.
Domethënë nga shiu ramë në breshër...
Vazhdojmë me informacionet e hapura: Kimikatet që akumulohen në trupin tonë përmes ushqimit të përditshëm mund të ndikojnë negativisht në sistemet tona biologjike, duke shkaktuar probleme të tilla si çrregullime hormonale, rritje të riskut për kancer dhe probleme të tjera kronike.
Pse nuk thoni ju që kaq e patëm?! Demek, po ia fusim vetes, ose siç thotë populli, në vend të rregullojmë vetullat po nxjerrim sytë.
Po çfarë ndodh nëse ushqimet që marrim janë me kimikate dhe pastaj mungesat i plotësojmë më suplemente që janë po aq kimikate?
Nuk do mend e kalem që në raste të tilla ose do t’i drejtohesh literaturës, ose të paktën do t’i zësh derën mjekut të familjes për shpjegim. Kjo e dyta është më e lehtë. Se ndonjëherë mjekët t'i shpjegojnë me fjalë më të thjeshta gjërat e ndërlikuara. Dhe ai të sqaron:  Nëse ushqimet që konsumojmë përmbajnë kimikate dhe për të plotësuar mungesat ushqimore përdorim suplemente, që gjithashtu janë kimikate, kjo mund të ketë disa ndikime në shëndetin tonë. Kombinimi i kimikateve nga burime të ndryshme mund të rrisë rrezikun e toksicitetit, veçanërisht nëse nuk monitorohet sasia e marrjes së tyre. Ato mund të kenë ndikime të dëmshme afatgjata në shëndet.
-Mos fol më shumë se m'u përzje!
Por ai vazhdon: Suplementet ushqimore, të cilat kanë për qëllim të plotësojnë dietën tonë me vitamina, minerale dhe lëndë të tjera ushqyese, janë një tjetër burim i kimikateve në trupin tonë. Disa suplemente mund të jenë të dobishme e të nevojshme për individë me mungesa specifike, por mbidoza mund të çojë në efekte anësore të padëshiruara dhe të dëmshme. Trupi njerëzor nuk është projektuar për të metabolizuar sasi të mëdha të këtyre substancave artificiale, dhe në shumë raste, ato përfundojnë duke u grumbulluar në indet tona, duke krijuar toksicitet dhe stres oksidativ.
 -Po mjaft o burrë se e morëm vesh!
Çfarë masash duhen marrë? Kjo është thembra e Akilit.
Mjeku të thotë se i rëndësishëm është ekuilibri ushqimor. Ushqimet natyrale shpesh përmbajnë lëndë ushqyese dhe fitokimikate që punojnë së bashku në mënyra që suplementet sintetike nuk mund t'i riprodhojnë. Është e rëndësishme të konsumohet një dietë e ekuilibruar dhe e larmishme, e pasur me ushqime të freskëta...
-Po mirë mo, përsëri nga fillimi do ia fillojmë? Sapo thamë që ushqimet bio janë me kimikate.
Trupi njerëzor është një sistem kompleks që funksionon më së miri kur i japim atë që i nevojitet në formën më të pastër dhe natyrale të mundshme. Duke reduktuar ekspozimin ndaj kimikateve dhe duke zgjedhur ushqime të freskëta dhe të shëndetshme, mund të mbajmë trupin tonë të shëndetshëm dhe në harmoni me natyrën.
Por të gjitha çka thamë më sipër janë në teori. Praktikisht shumë pak prej nesh, kanë mundësinë të ndjekin rregulla të tilla të protokolleve mjekësore. Ndaj ne i futemi me kokë ushqimeve me hormone... drejt e nga frigoriferi.
Përfundimi: Do përfundojmë në një nga pavijonet e spitalit me një nga diagnozat e mundshme. Dhe ec e ta detoksifikosh trupin e njeriut në një vend ku kryefjalë është: kimikati.
Prandaj, ashtu si dashuria vjen nga stomaku, edhe vdekja nga stomaku vjen. Dhe kjo është taksative.

No comments:

Post a Comment