Wednesday, June 12, 2024

“Minuta e fundit”, futbolli i rrejshëm me gola të pastër



Nga Leonard Veizi
 
A jemi të bindur se po shohim ende një futboll të pastër e pa hile?
Me sa duket jo!
Dhe me shumë gjasa duket se kemi futboll të rrejshëm por me gola të pastër. Sepse goli është gol në fund të fundit, dhe kur është jo i pastër ka veterinë e vetë pastrimit.
Por si do ta justifikoj këtë që sapo thashë?
Futbolli i epokës së Peles, por dhe i Maradonës, ndryshon shumë me futbollin e epokës së Mesit e Ronaldos. Matematikisht, apo në konfigurimin gjeometrik, tanimë futbolli është një spektakël i vërtetë. Por 50 vite më parë futbolli ishte shumë më i vërtetë se sot...
 
...Jemi në ditët e Kampionatit Evropian të Futbollit 2024.
Jo më shumë se sa për të ndjekur një ndeshje, - po aq sa një shfaqje teatri apo filmi në kinema, - tifozët, por dhe ata që nuk e ndjekin fare futbollin, janë turrur të bëjnë kalkulime e të vënë baste. Kush fiton në grup, e kush ndeshet në gjysmëfinale. Sepse për shumëkënd, nuk ka më vlerë loja dhe spektakli në vetvete, por çfarë përfitimesh dalin prej saj. Tifozë “profesionistë” dhe ata që nuk lënë lojë pa i vënë diçka sipër, të sigurojnë se në botën e sotme, nuk ka më futboll të pastër dhe se të gjitha ndeshjet e kanë nga një hile brenda. Varet sa kjo ndeshje është e kuotuar në bursat ndërkombëtare. Sa më të forta skuadrat, aq më shumë rriten kuotat. Prandaj bastet në futboll nuk kanë të bëjnë me intuitën se kush mund të fitojë dhe me sa gola në epërsi. Sot, t’i biesh në kokë një rezultati, ka të bëjë me rastësinë. Ndaj një bixhoz të tillë e luajnë edhe ata që janë tifozë të pandreqshëm futbolli, por dhe ata që nuk kanë hyrë asnjëherë në stadium.
 
Shqipëria në Evropian
Në këtë Kampionat Shqipëria gjendet në një grup të vështirë, të njohur si “grupi i zjarrit”. Por thuhet se kombëtarja shqiptare gjithsesi ka potencialin për të bërë paraqitje të suksesshme në Kampionat. Nëpër deklarata specialistësh kam mundur të veçoj deklaratat që thuhen më së shumti se: për të pasur sukses në këtë grup dhe për të arritur rezultatet e dëshiruara, Shqipëria mund të ndjekë disa strategji dhe mundësi. Sipas mendimit të disa specialistëve Shqipëria duhet të ketë një organizim të fortë mbrojtës. Analiza e detajuar e lojës së kundërshtarëve mund të ndihmojë trajnerin dhe skuadrën. Por gjithsesi të luash në një grup të vështirë kërkon përgatitje të lartë fizike dhe mentale. E në këtë kuadër mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme për moralin e skuadrës.
Kompanitë që parashikojnë në varësi të koeficientëve, fatkeqësisht “dëshpërojnë” tifozët shqiptarë, sepse kuqezinjtë janë të parafundit në një renditje provizore të publikuar, ku vetëm Gjeorgjia që merr pjesë për herë të parë në një Kampionat Evropian ndodhet poshtë nesh.
Por kompanitë e parashikimeve sportive vazhdojnë të shtojnë opsionet e basteve ku së fundmi kanë dalë edhe kuotat për titullin si lojtari më i mirë i turneut. Nuk mungojnë emrat e futbollistëve të kombëtares shqiptare ku Bajrami vlerësohen me koeficientin 351 ndërsa Broja 501.
Dhe kaq për Shqipërinë. Pjesa tjetër ka të bëjë me perspektivën e saj, më shumë se me të tashmen, ku tek e fundit e ka bërë një hap cilësor drejt progresit.
 
Fabrika e parave
Kampionatet e futbollit, - në tërësinë e tyre, -  janë shpesh të përshkruara si "fabrika për prodhimin e parave" për shkak të potencialit të tyre të madh ekonomik dhe mënyrës se si ata gjenerojnë të ardhura nga burime të ndryshme. U drejtohem statistikave dhe lajmeve të sektorit sportiv:
Një nga burimet kryesore të të ardhurave për klubet e futbollit është shitja e biletave për ndeshjet. Stadiumet e mbushura me tifozë përbëjnë një burim të madh të ardhurash.
Të drejtat televizive për të transmetuar ndeshjet janë një tjetër burim i madh i të ardhurave.
Kampionatet dhe klubet e futbollit tërheqin sponsorë të mëdhenj që paguajnë për të reklamuar brenda stadiumeve, në uniformat e lojtarëve dhe për të qenë të lidhur me markën e klubit. Kontratat me sponsorë mund të arrijnë shuma të jashtëzakonshme. Shitja e produkteve të lidhura me klubin, si fanella, shalle, kapela dhe suvenire të ndryshme, është një tjetër burim i rëndësishëm të ardhurash.
Në përfundim, kampionatet e futbollit janë vërtetë si "fabrika për prodhimin e parave". Por asgjë nuk ndalet me kaq.
 
Bastet në futboll
Tanimë dihet, sportet ku ka shumë tifozeri, si futbolli në rastin konkret, - kanë dhe baste pa fund. Të ligjëruara, ku paguhen tatimet në shtet, por funksionojnë dhe baste ilegale. Ose më saktë është një industri e tërë që punon për bastet.
Bastet mund të ndikojnë në performancën e lojtarëve dhe integritetin e klubeve, përfshirë rastet e skandaleve të njohura të manipulimit të ndeshjeve dhe blerjes së rezultateve. Në analizimin e disa rasteve konkrete bastet kanë pasur ndikim të madh në rezultatin e ndeshjeve ose në reputacionin e sportistëve dhe klubeve. Ndaj dhe në gjithfarë emisionesh televizive post ndeshjeve theksohet rëndësia e ruajtjes së pastërtisë së sportit dhe roli i të gjithë aktorëve të përfshirë – nga lojtarët dhe trajnerët deri tek tifozët dhe rregullatorët – për të siguruar që futbolli të mbetet një lojë e ndershme dhe e besueshme për të gjithë.
Por a është e mundur kjo?
Edhe mundet... Por historia, dhe vetë letërsia dhe artet e tjera të mbështetura mbi fakte historike, na tregojnë se trukime dhe blerje të rezultateve në favor të basteve, nuk janë një risi e vonuar në kohë, por e nisur shumë vite më parë, të paktën një një shekull.
 
Një libër për trukimet në boks
Romani "The abysmal brute" apo i ardhur në shqip si  "Bisha e tërbuar" i shkrimtarit amerikan Xhek London, i botuar në vitin 1913, - por i ardhur në shqip në vitin 1973, - ofron një pasqyrë të vlefshme mbi botën e boksit. "Bisha e Tërbuar" trajton temën e korrupsionit dhe manipulimit brenda industrisë së boksit. Libri në fjalë të ndihmon për të kuptuar sfidat morale dhe etike që përballen boksierët dhe njerëzit që menaxhojnë karrierën e tyre. Romani përqendrohet te protagonist, Pat Glendon, apo i quajtur ndryshe dhe Pati i Ri, një boksier thuajse naiv dhe i pafajshëm, që ndeshet me realitetin e ashpër të sportit profesionist. Historia rrëfen luftën e brendshme të sportistit midis idealizmit të tij dhe realitetit të industrisë së boksit. Protagonisti i romanit përpiqet të mbetet i ndershëm dhe me integritet në një botë të mbushur me mashtrime. Ndërkohë që romani humanizon boksierët, duke treguar jetën dhe sfidat personale të protagonistit përtej ringut. Në njëfarë mënyre, "Bisha e Tërbuar" i Xhek Londonit kontribuoi në një kuptim më të thellë dhe më kritik të botës së boksit, duke nxitur reflektimin mbi çështjet etike dhe morale që lidhen me këtë sport.
 
Një film për trukimet në futboll
"L'Ultimo minuto" apo ardhur në shqip si "Minuta e fundit" është një film italian që trajton temën e trukimit të ndeshjeve në futboll. Filmi me regji nga Pupi Avati është prodhuar në vitin 1987, dhe në të interpretojnë dy nga aktorët më të njohur italian: Ugo Tonjaci si dhe Masimo Boneti. Ky film, si shumë të tjerë që trajtojnë tema të ngjashme, ka ndikim të madh në perceptimin e publikut mbi korrupsionin në sport. Filmi ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit publik për ekzistencën dhe seriozitetin e trukimit të ndeshjeve, duke e bërë audiencën më të vetëdijshme për prapaskenat e errëta të futbollit. Duke shfaqur korrupsionin dhe manipulimin në sport, "Minuta e Fundit" nxiti debate dhe diskutime publike mbi masat që duhen marrë për të luftuar këtë fenomen dhe për të ruajtur integritetin e sportit.
Në periudhën e parë të trasmetimit të këtij filmi u tha se ai arriti të ndryshojë perceptimin e publikut mbi sportistët dhe klubet, duke i bërë tifozët më skeptikë dhe më të kujdesshëm ndaj përfshirjes së mundshme në trukimin e ndeshjeve.
Pra "Minuta e Fundit" përdori artin kinematografik për të eksploruar dhe ekspozuar problemet e trukimit të ndeshjeve në futboll, duke ofruar një platformë për ndërgjegjësim, edukim dhe diskutim mbi këtë çështje kritike.
 
Epilogu
Sportet, qoftë ai i futbollit, i boksit, por dhe i basketbollit, jetojnë ditë sa të bukura aq dhe të vështira. Spektakolarë në formë, por me probleme të mëdha në përmbajtje. Dhe spektatori i thjeshtë asnjëherë nuk ka për ta kuptuar se kush ishte më i forti dhe më i përgatituri për të fituar një ndeshje. Sepse ndeshja do t’i jepet “llokum”, duke e zhgënjyer deri në palcë.

No comments:

Post a Comment