Monday, June 10, 2024

“Rroftë Zapata”: Revolucionari meksikan mundësoi në ekranet shqiptare divat e Hollivudit


Nga Leonard Veizi
 
Nuk ishte e lehtë që spektatori shqiptar të shihte në ekranin e kinemasë dy prej gjigandëve të Hollivudit siç ishin Antonio Kuin dhe Marlon Brando. Për më tepër kur filmi me dy aktorët protagonistë u popullarizua më tej nga valët e TV Tiranës. Sepse tek e fundit ishin dy aktorë amerikanë. Dhe me Amerikën imperialiste, Shqipëria komuniste nuk kishte as marrëdhënie diplomatike dhe as tregtare. Ndaj dalja në ekran e dy prej yjeve të Hollivudit duhej parë me dyshim.
Por gjithsesi, “Rroftë Zapata” ishte një film me tematikë revolucionare, ku burrat e fshatit, vrisnin pronarët e tokave dhe borgjezët. Në film bëhej fjalë për kryengritje fshatarësh në Amerikën e Jugut Dhe për këtë ishte marrë si model jeta e një revolucionari të vërtetë meksikan i cili quhej Emiliano Zapata. E meqë kishte vrasje dhe shpronësime latifondistësh, filmi të krijonte idenë e një mesazhi që vinte nga bota amerikane për të majtën ekstremë që e kishte bërë fakt të kryer atë që Emiliano Zapata e bëri si një kryengritës meksikan, gjysmë revolucionar e gjysmë kusar. Sepse dhe Zapata, po ashtu si Zoro u grabiste pasurinë të pasurve dhe ua shpërndante të varfërve.
Në këtë film legjendë, interpretojnë dy aktorët diva të Hollivudit. Dukej, Hollivudi nuk ishte as i keq sa interpretohej në faqet e gazetave. Sepse herë pas herë, përveç filmave policesk, wester dhe atyre me skena të forta erotike, prodhonte dhe filma që mund të transmetoheshin lirshëm në vendet e Bllokut Komunist. Kjo e bënte krejt e lejueshme transmetimin e filmit në dhe vendin e vogël ballkanik që aplikonte një komunizëm ekstremist, dhe ku të dy aktorët veç e veç shiheshin me sy të shtrembër.
Në këtë kuadër “Rroftë Zapata” arriti të shfaqej në ekranet e kinemave fillimisht e më pas në ekranin e vetëm shqiptar.
Por cili ishte Emiliano Zapata, i cili u interpretua me aq finesë nga një aktor kalibri si Marlon Brando?
 
Revolucionari
Emiliano Zapata, ishte një udhëheqës i fshatarëve dhe njerëzve indigjenë gjatë Revolucionit Meksikan, i cili zihet në pritë dhe qëllohet për vdekje në Morelos nga forcat qeveritare.
Zapata u detyrua të përplasej me ushtrinë meksikane në vitin 1908 pas përpjekjes së tij për të rimarrë tokat e fshatit të marra nga një fermer i madh. Pas fillimit të revolucionit në 1910, ai ngriti një ushtri fshatarësh në shtetin jugor të Morelos nën sloganin “Toka dhe Liria”. Duke kërkuar reforma të thjeshta agrare, Zapata dhe fermerët e tij guerilë kundërshtuan qeverinë qendrore meksikane nën Françisko Madero, më vonë nën Viktoriano Huerta dhe më në fund nën Venustiano Karranza. Zapata dhe pasuesit e tij nuk fituan kurrë kontrollin e qeverisë qendrore meksikane, por ata rishpërndanë tokën dhe ndihmuan fermerët e varfër brenda territorit nën kontrollin e tyre.
Ndikimi i Zapata ka zgjatur shumë kohë pas vdekjes së tij dhe lëvizja e tij e reformës agrare, e njohur si “zapatismo”, mbetet e rëndësishme për shumë meksikanë edeh në vitet e mëpasme. Në vitin 1994, një grup gueril që e quan veten “Ushtria Nacional Çlirimtare Zapata” nisi një kryengritje fshatare në shtetin jugor të Çiapas.
Zapata mbetet një figurë ikonë në Meksikë, e përdorur si një simbol nacionalist ashtu edhe si një simbol i lëvizjes “neo-zapatista”. Neni 27 i Kushtetutës së Meksikës të vitit 1917 u hartua në përgjigje të kërkesave agrare të Zapata-s.
 
Libri
Literatura që i referohet librit mbi jetën aktive të Emiliano Zapatës shprehet se Revolucioni në Meksikë prodhoi dy figura të destinuara për t'u bërë heronj legjendarë - udhëheqësit e mëdhenj të popullsisë indigjene Panços Vilja, në veri dhe Emiliano Zapata në jug; Eçkam Pinçën zgjodhi të ishte biografi i të dyve.
Kështu në vitin 1941 “Zapata the Unconquerable” apo “Zapata i Pamposhtur” pati një botim të bukur prej 332 faqesh. Ai mbetet një titulli nga të pakët kushtuar një revolucionari të rëndësishëm të shekullit të XX.
 
Filmi
“Viva Zapata!” është një film amerikan “western” i vitit 1952 me regji nga Elia Kazan dhe me Marlon Brando. Skenari u shkrua nga Xhon Stainbek, duke përdorur si udhërrëfyes librin e Eçkam Pinçën të vitit 1941 “Zapata the Unconquerable”. Kasti përfshin Xhin Pitërs, dhe në një performancë të vlerësuar me Oscar, Antoni Kuin.
Filmi është një rrëfim i jetës së revolucionarit meksikan Emiliano Zapata nga edukimi i tij fshatar deri në ardhjen e tij në pushtet në fillim të viteve 1900 dhe vdekjen e tij në 1919.
Për ta bërë filmin sa më autentik, Kazan dhe producenti Darëll F. Zanek studiuan fotografitë e shumta që u bënë gjatë viteve revolucionare, periudhës midis 1909 dhe 1919, kur Zapata udhëhoqi luftën për të rivendosur pronësinë nga njerëzit e thjeshtë mbi tokën e marrë gjatë diktaturës së Porfirio Díaz.
Kazan ishte veçanërisht i impresionuar me koleksionin e fotografive Agustín Kasasola dhe ai u përpoq të dyfishonte stilin e tyre vizual në film. Kazan e pranoi gjithashtu ndikimin e Paisan të Roberto Roselinit.
 
Ngjarja
Emiliano Zapata është pjesë e një delegacioni të dërguar për t'u ankuar për padrejtësitë e bëra nga presidenti shumëvjeçar i korruptuar Porfirio Díaz. Por Díaz i hedh poshtë shqetësimet e tyre, duke e shtyrë Zapatën në rebelim të hapur, së bashku me vëllain e tij Eufemio – i cili në film interpretohet nga Antonio Kuin. Emiliano Zapata bashkohet me Panço Viljan nën udhëheqjen e reformatorit naiv Françisko Madero.
Díaz më në fund rrëzohet dhe Madero zë vendin e tij, por Zapata është i tronditur kur zbulon se asgjë nuk po ndryshon. Madero i ofron Zapatës tokën e tij, ndërkohë që dështoi të ndërmarrë veprime për të shpërndarë tokën për fshatarët që luftuan për t'i dhënë fund diktaturës dhe për të shkatërruar pronat e elitave. Zapata e refuzon ofertën dhe nuk kërkon përfitime personale. Ndërkohë, Madero i paefektshëm, por me qëllim të mirë, i beson gjeneralit tradhtar Viktoriano Huerta. Huerta fillimisht e merr Madero-n rob dhe më pas e vret.
Ndërsa bëhet e qartë se çdo regjim i ri nuk është më pak i korruptuar dhe egoist se ai që zëvendësoi, Zapata mbetet i udhëhequr nga dëshira e tij për t'u kthyer fshatarëve tokat e grabitura së fundmi duke braktisur interesat e tij personale. Vëllai i tij e vendos veten si një diktator të vogël, duke marrë atë që do pa marrë parasysh ligjin, por Zapata mbetet një udhëheqës rebel me integritet të lartë. Edhe pse ai është në gjendje të mposht Huertën pas vrasjes së Madero, si rezultat i integritetit të tij, Zapata humbet vëllain dhe pozicionin e tij.
Edhe pse në fund vetë Zapata joshet në një pritë dhe vritet, filmi sugjeron që rezistenca e fshatarëve nuk mbaron. Fillojnë thashethemet se Zapata nuk vdiq kurrë, por përkundrazi vazhdon të luftojë nga kodrat, duke i ushqyer fshatarëve një ndjenjë shprese. Siç sugjerojnë disa skena, me kalimin e viteve, fshatarët kanë mësuar të drejtojnë veten e tyre në vend që të kërkojnë nga të tjerët për t'i udhëhequr.

No comments:

Post a Comment