Ata
nuk kanë “luftuar” me qëllimin e vetëm për të bërë emër aq sa të pranoheshin në
një Enciklopedi. Kjo me siguri do të ishte fatale për ta. Sepse nuk do të
kishin arritur të bënin atë që kanë bërë. Ose më saktë: Ata nuk kanë pasur
asnjëherë nevojën të jenë pjesë e ndonjë enciklopedie. Por vetë Enciklopedia
kishte nevojë për emrat dhe punën e tyre. Dhe ky është një bashkëpunim i
ndërsjellë, por i pa sigluar me numra protokollesh apo nene kontratash e vulë
noterie.
Çfarë
do të thotë e gjitha kjo? Kjo do të thotë se në letrat shqipe është shtuar një
vëllim voluminoz me titullin: Enciklopedia: Personalitete shqiptare të Francës.
Në
historinë e gjatë të marrëdhënieve shqiptaro-franceze mund të kujtosh plot bëma
dypalëshe. Sepse nëse në Konferencën e Londrës, – andej nga viti 1913, – pala
franceze nuk mbajti ndonjë qëndrim admirues ndaj shqiptarëve, shqiptarë si
kundërpeshë, nja 7 vite më pas, dërguan një ekzekutor për të vrarë një tjetër
shqiptar, por e rëndësishme ishte që atentati të bëhej në zemër të Parisit. Dhe
shqiptarët dhe Shqipëria bashkë me ta, me hallet dhe problemet e saj të shumta,
zuri aperturat e mediave franceze. Kështu që francezët kthyen kokat sërish nga
vendi i vogël ballkanik, buzë Adriatikut e përballë Italisë, ku ushtritë e të
dy vendeve si pjesë e Antantës e kishin konsideruar Principatën që krijuan në
Londër, si një një arenë luftimesh përballë Frontit Qendror, nominalisht me
Austro-Hungarinë.
E
si vinë kohët. Rrotullohet globi.
Pikërisht
në vitet e Luftës së Madhe, francezët kishin një tjetër qasje ndaj Shqipërisë,
sepse motivuan Republikën e Korçës dhe hapën të ashtuquajturin Lice Francez. Që
prej asokohe qytetit të Korçës, – ku u rehatuan trupat e Divizionit 76 të
Këmbësorisë franceze të kolonelit Dekoen, i cili ishte në varësi të gjeneralit
Sarrail, – i mbeti emërtimi që do ta ndiqte pas gjithmonë: “Parisi i Vogël”.
Por
Franca ka qenë një vend pritës për shumë shqiptarë të njohur që kanë kontribuar
në fusha të ndryshme qoftë në art e në shkencë, po aq dhe në politikë e biznes
Shqipëria gjithashtu i ka pritur me dashamirësi francezët. Dhe kjo ka ndodhur
edhe në Janinë, kur detashmentët e Napoleon Bonapartit atashoheshin pranë
oborrit të Ali Pashë Tepelenës. Kjo ka ndodhur edhe më parë se kaq, kur
pinjolli i derës së madhe të Topiajve, për shkak të gjakut nga nëna e tij
franceze Helena, vajzë e Robertit të Anzhuinëve, kishte marrë emrin e gjyshit
të tij, Karl. Dhe historia do të vazhdonte edhe më pas se kaq, me dashuri,
mblesëria të tjera e përzierje gjaku.
Por
nuk mbaron me kaq.
Çudi
e madhe me Francën. Nuk ka udhëheqës e politikanë të rëndësishëm shqiptar, që
të mos e ketë bërë një kalim nga Franca, e më konkretisht nga Paris. Ka nga ata
që kanë bërë nga një fakultet e nga një master, ka të tjerë që janë
specializuar në pak muaj, por ka raste kur nuk kanë kaluar dot as vitin e parë
e janë kthyer pas. Por hajër kanë bërë në Shqipëri, sepse në fund të fundit
kanë qenë frankofonë e frëngjishtfolës.
Edhe
kjo është një status, sigurisht.
Për
të ndërtuar urën madhështore që do të lidhte Tiranën me Parisin, kanë punuar me
thonj e dhëmbë, apo me mish e shpirt, disa qindra personalitete shqiptare, por
dhe franceze gjithashtu. Edhe ura është e ngritur tashmë. E fortë që në
themele. E fortë dhe në lartësi.
Kontributet
e shqiptarëve të njohur në Francë janë të shumta dhe të ndryshme. Ata kanë
sjellë një pasuri kulturore dhe intelektuale në shoqërinë franceze, duke
forcuar lidhjet midis dy vendeve tona. Historitë e tyre janë një dëshmi e
forcës, talentit dhe përkushtimit të shqiptarëve kudo që ndodhen në botë.
Por
deri dje, i gjithë ky kontribut dukej si i shpërndarë e krejt pa kontroll.
Sot,
ne kemi në duar një Enciklopedi, ku të gjithë zërat shqiptarë që kanë dhënë
kontribut në Francë, janë të mobilizuar në të njëjtin formacion tek:
Enciklopedia “Personalitete shqiptare të Francës”.
Mentor
Hoxha, koleg i hershëm dhe po aq mik i vjetër, me këmbëngulje e skrupulozitet,
ka arritur të bëjë bashkë disa qindra emra, që deri dje kanë qenë të shpërndarë
gjithkund, në Gjendje Civile, në numra amzash, në raporte ndërkombëtare
gjithfarësh, por dhe në sistemin TIMS.
Sot
sipas një rendi alfabetik, i gjen të gatshëm, me “kurrikulumin” e tyre jetësor
dhe atë akademik. Dhe kjo nuk është pak, por të kemi parasysh se për
Enciklopedi punohet me grupe pune. Ndërsa Mentor Hoxha ia ka dalë krejt i vetëm
duke punuar ditë e natë mbi këtë projekt për të paktën 7-të vite me radhë.
Dhe
siç shprehet vetë autori: Franca ka pasur një rol kryesor në disa nga ngjarjet
më madhore të historisë shqiptare dhe në formimin e elitës politike,
diplomatike, akademike, shkencore, letrare, artistike, kulturore dhe sportive
të Shqipërisë dhe Kosovës.
Por
autori Hoxha, është treguar fort i kujdesshëm, për të vendosur në fundin e çdo
faqeje të enciklopedisë referencat të cilat i kanë mundësuar atij punën e
ekipit.
Në
520 faqet e enciklopedisë voluminoze janë dy kapituj. Ndërsa në pjesën e parë
të librit autori ka bërë një përmbledhje nga 100 dosierë që i ka botuar në
shtypin shqiptar të ditës, në kapitullin e dytë autori është përqendruar në
listimin e 489 emrave, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar herë për
Shqipërinë, herë për Francën dhe herëherë fama e tyre i ka kaluar kufijtë e dy
shteteve për t’u bërë të përbotshëm.
No comments:
Post a Comment