Monday, July 22, 2024

Enigma e madhe: A kanë shkelur në Hënë 12 kozmonaut amerikanë?

 20 korrik 1969 – 55 vjet 


Nga 
Leonard Veizi
 
Nëse ka qenë e vërtetë, me siguri ka qenë një realitet i frikshëm. Edhe pse tokësorët kanë qenë të testuar deri në lartësinë e duhur psikologjikisht, në Hënë, realiteti do të ishte përtej pritshmërive. Fillimisht i vetëm një prej kozmonautëve zbriti shkallët e hekurta të modulit dhe vendosi këmbën mbi sipërfaqe. Në platformën tokësore ku dhjetëra monitorë shkëmbenin pamjet, dëgjoheshin të thirrura entuziazmi pa fund, por në 386.160 kilometra largësi qetësia ishte e kobshme. Më pas zbriti dhe kozmonauti i dytë, me veshje speciale e skafandër në kokë, që e trembte disi ankthin. Aty nisën të kuptonin tërësisht se përballeshin me një terren krejt të shkretë dhe krejt të errët gjithashtu. Nuk kishte oksigjen, as ujë dhe as gjelbërim, por vetëm shkëmbinj magmatik të ftohur. Megjithatë ata nisën të ecnin nëpër errësirën e Hënës. Sepse këtë jemi mësuar të shohin nga ekrani i televizorit, në shtëpitë tona të mbushur me dritë e oksigjen...
 
...Një dyzinë misionesh nga agjenci të ndryshme ndërkombëtare kanë dështuar të ulen në Hënë. E pra, prej 20 korrikut të vitit 1969, kanë kaluar 55 vjet. Dhe pretendohet se teknologjia ka ecur me hapa galopantë. Por njeriu që dikur shkeli në sipërfaqen e satelitit të Tokës, - duke lënë një gjurmë që tanimë është kthyer në simbol, - vitet e fundit e ka pasur të pamundur praktikisht të realizojë të njëjtën gjë. Në librin e NASA-s dokumentohet se janë 6 misione Apollo me gjithsej 12 kozmonautë të cilat kanë zbritur në sipërfaqen e Hënës. Por gjithsej kanë qenë 24 astronautët e NASA-s që udhëtuan në Hënë në misionet Apollo ndërmjet viteve 1969 dhe 1972.
 
Pretendimet
Tema e 20 korrikut 1969, kur Neil Armstrong bëri hapin historik mbi sipërfaqen e Hënës, ka qenë objekt i teorive të konspiracionit për dekada me radhë. Njëra prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e njerëzimit, ky çast triumfi teknologjik dhe shkencor për NASA-n u kthye shpejt në një burim skepticizmi dhe dyshimi për shumë njerëz.
A shkeli vërtet njeriu në Hënë?
Në thelb të këtyre teorive qëndron dyshimi mbi vërtetësinë e vetë uljes. Ndër më të përhapurat është ideja se ulja në Hënë ishte një trillim i realizuar nga qeveria amerikane, në një përpjekje për të fituar garën e hapësirës kundër Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Sipas këtyre teorive, NASA kishte falsifikuar gjithçka, duke përdorur teknologjinë e kohës dhe efektet speciale për të krijuar një iluzion të bindshëm për publikun amerikan dhe për pjesën tjetër të botës.
Një tjetër element që shpesh përdoret nga teoricienët e konspiracionit është analiza e fotografive dhe videove të bëra nga misioni Apollo 11. Ata vërejnë detaje që i konsiderojnë të çuditshme, si mungesa e yjeve në sfondin e fotografive, mënyra si valëvitet flamuri amerikan, apo këndet e hijeve që nuk përputhen me burimet e mundshme të dritës. Këto elemente kanë qenë subjekt i analizave dhe debatimeve të pafundme në forume online dhe dokumentarë të ndryshëm.
Pavarësisht këtyre teorive, bota shkencore na vë përballë faktet dhe dëshmitë teknike që mbeten të palëkundshme. Uljet e mëvonshme të “Apollo”-s, raportet e astronautëve, provat e mbledhura nga Hëna dhe teknologjia e avancuar e asaj kohe dëshmojnë për autenticitetin e misionit “Apollo”. NASA pretendon se ka dërguar në Hënë 6 misione ku kanë zbritur 12 astronautë. Neil Amstrong ishte i pari që shkeli sipërfaqen hënore më 20 korrik të vitit 1961 kurse në 14 dhjetor të vitit 1972 i fundit tokësor që ka shkelur në Hënë ishte Herrison Shmit. Të 12 astronautët ishin amerikanë. Për më tepër, vendet e uljeve të “Apollo 11” dokumentohen se janë fotografuar nga sonda të ndryshme ndërkombëtare, duke përfshirë “Lunar Reconnaissance Orbiter” të NASA-s, që ka kapur imazhe të qarta të vendeve të uljes dhe pajisjeve të lëna atje.
Të paktën kështu thuhet zyrtarisht. Dhe dokumentet zyrtare gjithmonë janë të vështira për t’u kundërshtuar.
Megjithatë ndodh edhe e kundërta.

Konspiracionet
Gjithçka nisi kur Bill Keizing, shtroi teorinë e vet me hollësi në librin “Kurrë nuk kemi shkelur në Hënë; mashtrimi i tridhjetë miliardë dollarëve të Amerikës”, i cili u botua në 1976. Bill Keizing ishte kreu i njësisë së prezantimeve teknike në Laboratorin e Fushës së Propulsionit Rocketdyne nga viti 1956 deri në 1963. Kjo periudhë përfshinte planifikimin kryesor për motorin dhe komponentët e projektit “Apollo”. “Mashtrimi për të cilin Amerika pagoi 30 miliardë dollarë”, – vë në dukje ai, – vazhdoi edhe me pesë zbritje të tjera të falsifikuara në Hënë dhe përfshin “fotografi të falsifikuara mirë”, shkëmbinj të falsifikuar hënorë dhe “astronautë të programuar”.
Më pas në librin “Konspiracionet dhe mashtrimet më të famshme të të gjitha kohëve”, i shkruar nga Xhonatan Vanckit dhe Xhon Ueilen, ku trajtohen një sërë ngjarjesh historike dhe teorish konspiracioni, përfshihet edhe ulja e Neil Armstrong në Hënë më 20 korrik 1969. Autorët eksplorojnë idenë se ky çast historik mund të ketë qenë një inskenim i sofistikuar. Sipas autorëve, Amstrongu e kreu kërcimin e vet gjigant për lavdinë e njerëzimit jo 386.160 kilometra larg Tokës, në detin e pajetë të qetësisë, por vetëm 150 kilometra në veri të qytetit të Las Vegasit që gjallonte nga jeta, në një kinostudio super sekrete. Sipas Vanckin dhe Ueilen, disa teori konspiracioni argumentojnë se qeveria amerikane kishte një motiv të fuqishëm për të falsifikuar uljen në Hënë: të fitonte garën e hapësirës kundër Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Nëse SHBA-ja nuk do të arrinte të ulte njerëz në Hënë, mund të kishte humbur këtë garë, duke dobësuar pozicionin e saj global.
Fakti që pas vitit 1972 asnjë njeri nuk ka bërë një tjetër ulje në Hënë për më shumë se 50 vjet, ka nxitur spekulime dhe teori konspiracioni.
Po çfarë thuhet në dokumentacionin zyrtar?
Thuhet se ka edhe arsye të tjera më pragmatike për këtë mungesë të vazhdueshme të misioneve të uljes në Hënë. Pas misioneve të Apollo-s në vitet '60 dhe '70, prioritetet e NASA-s dhe financimet për programet hapësinore ndryshuan. Programi Apollo ishte jashtëzakonisht i shtrenjtë dhe, pas suksesit fillestar, publiku dhe politika amerikane filluan të humbnin interesin për misionet në Hënë. Fokusimi u zhvendos drejt stacioneve hapësinore, eksplorimit të planetëve të tjerë, dhe më vonë, drejt misioneve robotike dhe sondave në Mars dhe përtej.
 
Epilogu
Megjithatë, në vitet e fundit, ka pasur një rilindje të interesit për Hënën. Programi "Artemis" i NASA-s synon të dërgojë astronautë përsëri në Hënë deri në mesin e kësaj dekade, me synimin për të krijuar një bazë të qëndrueshme atje si një hap drejt misioneve të ardhshme në Mars. Këto plane përfshijnë edhe partneritete me agjenci hapësinore ndërkombëtare dhe sektorin privat, duke përfshirë kompani si SpaceX dhe Blue Origin.
Në fund të fundit, pavarësisht gjithë konspiracioneve dhe dyshimeve, ulja në Hënë mbetet një testament i shpirtit njerëzor për të kërkuar dhe eksploruar të panjohurën. Shumica e ekspertëve dhe shkencëtarëve mbështesin provat e qarta të misionit Apollo 11. Ngjarja e 20 korrikut 1969 është më shumë se një çast historik; është një simbol i përpjekjes së përbashkët të njerëzimit për të tejkaluar kufijtë e së mundshmes dhe për të shtrirë duart drejt yjeve. Kjo simbolizon dhe suksesin e avancimin teknologjik të njerëzimit.
 
 

No comments:

Post a Comment