Monday, July 22, 2024

Rebelimi i ekuipazhit të destrojerit, Italia u jep azil 31 ushtarakëve grek

 
27 maj 1973

Nga Leonard Veizi
 
Ai mund të quhej një skandal i vërtetë për marinën greke, ushtrinë në përgjithësi dhe vetë qeverinë. Ushtarakë që braktisën frontin dhe u dorëzuan tek aleatët. Nuk ishte një veprim i pamatur. Për më tepër kur flitej që anija e flotës detare të Greqisë, ishte pjesë e manovrave të një NATO-s. Por ushtarakët e kishin një qëllim sigurisht. Veprimi i tyre nuk ishte thjeshtë se donin të largoheshin nga shteti grek për të jetuar në shtetin italian, por sepse në këtë mënyrë ata donin ti jepnin një goditje asaj që quhej “junta ushtarake e kolonelëve”.
 
…Komandanti i destrojerit dhe ushtarakët e tjetër të ekuipazhit, u bashkuan në një kryengritje si pjesë e një komploti të supozuar kundër regjimit ushtarak në Athinë. Mediat italiane raportuan se ata zbarkuan në një port peshkimi pranë Romës pasditen e 26 majit 1973.
Destrojeri “Velos D-16”, i cili ishte në spirancë tre milje larg Fiumicinos më pas lundroi në një kurs drejt jugut. Luftanija të nesërmen hyri në një bazë të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut pranë Napolit përpara se të lundronte për në Greqi.
Ata që u cilësuan rebelët ishin shtatë oficerë dhe 24 nënoficerë. U larguan nga anija të shoqëruar nga rojet bregdetare italiane dhe mjetet e policisë ushtarake.
 
Negociatat
Gazetari Paul Hofmann në një shkrim të rubrikën “speciale” për New York Times, informonte më pas se azili për komandantin rebel, kapiten Nicholas Pappas, dhe ushtarakët e tjerë erdhi pas më shumë se 12 orësh negociatash të tensionuara mes zyrtarëve italianë të NATO-s dhe diplomatë e ushtarakë grekë.
Më herët, destrojeri, që ishte një anija e prodhimit amerikan që kishte pasur emërtimin dikur “USS Charette”, kishte braktisur stërvitjet detare të aleatëve në Mesdhe, në të cilat merrnin pjesë luftanije të Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Italisë, Turqisë dhe Greqisë.
Sipas një deklarate të lëshuar nga Athina, “Velos” lundroi nga baza detare e Heraklion, Kretë, të dhe ishte pranë Sardenjës kur “doli nga manovrat”.
Në një seri mesazhesh radio drejtuar autoriteteve italiane dhe shtypit në Romë, ushtarakët grekë deklaruan besnikërinë e tyre ndaj aleancës perëndimore dhe u zotuan të “luftojnë për të rivendosur demokracinë në Greqi”.
New York Times informoi gjithashtu se kur destrojeri mbërriti në Fiumicino, dy oficerë dolën në breg me një varkë. Ata me sa duket u përpoqën t’i telefononin mbretit Konstandin të Greqisë, i cili jeton në mërgim në periferi juglindore të Romës. Përpjekja dështoi dhe policia italiane u kërkoi dy oficerëve të ktheheshin menjëherë në anijen e tyre; ata u pajtuan me këtë gjest.
Më vonë, një luftanije e marinës italiane dhe pesë anije të rojës bregdetare rrethuan destrojerin dhe ndaluan të gjitha mjetet e transportit civil, – duke përfshirë disa të marra me qira nga fotografët e lajmeve, – që t’i afroheshin.
Përfaqësuesi i marinës greke në selinë e NATO-s në Napoli, Gjeneral George Antonopoulos dhe oficerë të tjerë grekë të NATO-s mbërritën më pas dhe u bashkuan me ambasadorin grek në Romë, Stephanos Rocamas si dhe personelin tjetër të Ambasadës Greke.
Pasi u dërguan disa mesazhe midis destrojerit dhe zyrtarëve, ambasadori grek hipi në një anije italiane për të inspektuar “Velos”.
Media italiane raportuan se një grup majtistësh italianë dhe grekë, të cilët ishin mbledhur në një nga kalatat e portit, nisën të  thërrisnin “Liri për Greqinë!”
Zyrtarët italianë thanë se në bordin e anijes nuk kishte ndodhur asnjë lloj dhune dhe se shumica e oficerëve dhe ushtarakëve të tjerë dukej se simpatizonin komandantin e anijes, por se një pjesë e tyre donin të ktheheshin në Greqi.
Agjencia e lajmeve Reuters e cilësoi si: një kryengritje detare në bordin e destrojerit grek Velos, që solli një incident të çuditshëm ndërkombëtar. Sipas Reuters, veprimi i ushtarakëve të marinës greke pasoi një përpjekjeje të atyre që mbështesnin mbretin e mërguar Konstandin, kundër grushtit të shtetit.
 
Azili
Burimet italiane thanë se qeveria kishte dhënë azil, megjithëse rebelimi është një vepër e ekstradueshme, sepse ishte marrë në konsideratë motivimi politik i kapitenit Pappas dhe 30 ndjekësve të tij. Kërkesa e Qeverisë së Athinës për ekstradimin e rebelëve u refuzua, edhe pse Italia dhe Greqia ishin anëtarë të NATO-s.
Në Athinë, Qeveria e mbështetur nga ushtria greke pranoi se kapiteni i destrojerit “Velos” dhe 30 ushtarakët e tjerë që u bashkuan me të, u larguan nga një stërvitje e NATO-s dhe iu dha azil në Itali. Media greke bëri të ditur se anija u kthye në Greqi pas një muaji me ekuipazh zëvendësues.
 
Anija muze
“Velos” u kthye në Greqi nën një tjetër komandant. E dekomisionuar më 26 shkurt 1991 ajo u ankorua në Parkun e Traditës Detare në bregdetin e Falironit dhe u shndërrua në një muze detar. Destrojeri Velos D-16, është një nga dy muzetë lundrues në pronësi të marinës greke. Është gjithashtu, i vetmi muze lundrues që fokusohet në periudhën e diktaturës në Greqi. Kjo ishte periudha e diktaturës në Greqi nga viti 1967-1974, më së shumti e i njohur si Junta Ushtarake Greke, ose Regjimi i Kolonelëve.

No comments:

Post a Comment