Friday, July 19, 2024

Shqiptarët si “daci në kos”, pasi ngritën çmimet ankohen se s’ka turistë


Nga 

Leonard Veizi

 
Zakonisht ndodh që kur shkon në një vend dhe nuk e gjen atë për të cilën të është thënë se është pa kursim, nuk kthehesh vitin tjetër dhe sikur të ta shtrojnë rrugën me petale trëndafili, prej shkallëve të avionit deri te suita me krevat perandorak ku do shtrihesh të mbledhësh kockat.
Gjatë viteve të fundit Shqipëria ka përjetuar një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve. Jo ikën 10 milionë, jo po hynë 12 milionë, e po presim 14 milionë. Ç'është e vërteta me plazhet e saj të mrekullueshme, peizazhet mahnitëse malore dhe trashëgiminë kulturore të pasur, vendi ka tërhequr vizitorë nga e gjithë bota. Megjithatë, ndërsa fluksi i turistëve rritet, Shqipëria ende përballet me sfida të mëdha që kufizojnë potencialin e saj të plotë turistik. Një herë thuhet se nuk ka aq shtretër sa të strehojë potencialin e mundshëm të vizitorëve, ndaj ca e ca vijnë me krevat me vete. Pastaj thuhet që është shtuar numri i krevateve dyshe marinarësh, por nuk ka fuqi punëtore për larje, shpëlarje, gatim e servirje. Përveç kësaj, kapacitetet akomoduese shpesh janë nën standardet ndërkombëtare. Ndërsa ka disa hotele dhe resorte të standardeve të larta, shumë zona turistike kanë vetëm opsione bazike, të cilat nuk plotësojnë pritshmëritë e turistëve më kërkues.
Një nga sfidat e tjera është infrastruktura e pamjaftueshme, pasi shumë rrugë konsiderohen me dëmtime dhe të ngushta, duke e bërë të vështirë për turistët të lëvizin lirshëm dhe të eksplorojnë vendin. Ato rrugë që janë si më të mira, u kanë vënë nga një hu përpara, e s’të le kush të kalosh pa dorovitur.
-Jam jabanxhi t’u bëfsha.
-Lekët vëlla, ose ktheji majat nga ke thembrat!
Mirëpo sërish ne na gënjen mendja dhe presim të na vijnë miliona e miliona turistë. Dhe kur flitet për miliona turistë doemos të duket vetja si milioner.  Domethënë 10 milionë turistë nga 1 dollarë, 10 milionë dollarë. Po nga 100.... 100 milionë. Po nga 1000...
-Po prit a i vrarë se nuk bëhen kështu llogaritë!
Se këto llogari mund të bëheshin kur çaje i vetëm Otranton me skaf, por jo kur administron një hotel me personel dhe në fund të muajit duhet të shpërndash dhe rrogat, të mbulosh dhe siguracionet.
Mirëpo thonë se një herë bie daci në kos. Domethënë maçoku.
Dhe ca pronarë tamahqarë andej nga Jugu i Shqipërisë, - apo që i thonë vetes pronarë, - vendosën të bëjnë një eksperiment social: rritën çmimet e gjithçkaje, duke nisur nga petullat deri tek akomodimi në shtëpitë që u kishin lënë gjyshërit. Kur vapa e korrikut arriti kulmin, çmimi i një petulle të zakonshme në bregdet u ngrit aq shumë sa çmimi i një bilete ajrore për në Madrid. Pa le ai i vezëve... E nuk po flasim këtu për çadrat e shezllonët si ato të Sulltan Muratit që u ka vajtur çmimi në filifistun.
Turistët, që zakonisht mbërrinin me frymë të lirë dhe shpresë për pushime të këndshme, këtë herë nuk po shihen as në horizont. Sa erdhën e ikën me shpejtësinë e skifterit. Ca të tjerë po vazhdojnë të mendohen: a ia vlen të prishësh ditët e pushimeve në Shqipëri, apo t’ia mbathësh andej nga Korfuzi e San Torini i Greqisë.
Pastaj duhet ta dimë se turistët elitarët zgjedhin Majorkan dhe Ibizan që e kanë kaluar klasën me kohë dhe nuk zhgënjejnë kërkënd. Ndërsa Shqipëria po pret ende radhën për të dhënë provimet e shtetit.
Tek ne vijnë ata që as çadra nuk marrin, po rrinë me grupe në breg të detit, ulur dyst ose mbi pantofla. Nuk shpenzojnë as për restorante, po ushqehen me rrethanore, nga ambulantët me gomarë që shesin fiq, rrush e kumbulla majoshe.
Me pak fjalë tek ne, vijnë turistë pa salltanete, që nuk e çajnë kokën për luks. Prandaj duhet të tregohemi të kujdesshëm në të bërit biznes. Po ç'të bësh, nuk bëhet dot bujku CEO resorti, se është mësuar me opinga të lërojë arën. I biri ndoshta, po të bëjë ca shkollë e të mësojë si të administrojë.
Në mes të kësaj utopie ekonomike, pronarët e restoranteve dhe hoteleve u kujtuan t'ia japin berihait: "Ku janë turistët?". Pyetja me ton ekstravagant merr një ndjenjë të thellë moskuptimi. "Mos kanë humbur rrugën?". Kjo ishte për të qeshur në fakt. Ka nga ata që kur nisin nga analiza e ndërlikojnë situatën, duke menduar se ndoshta atmosfera jorentabël ka ardhur për shkak të ndryshimeve klimatike, dhe kështu i japin një nuancë globale këtij problemi lokal.
Kështu rrjeti i internetit vazhdon të jetë i mbushur me ankesa: se s'po kapim dot për qafe ndonjë turist. Dhe janë hedhur qindra reels-a me pamje çadrash e shezlonësh pa frymë njeriu në to.
Dhe turistët kanë lënë bregdetin e ia kanë therur nga malet. Si luftë partizane duket.
-O rrotë thirri mendjes! Ku vete o shqiptar gomar? Se gomar je përderisa po të të fërkosh pak ia jep pallmës. Ku të çon mushka o gomar që një vezë 20-lekëshe e shet “sa frëngu pulën” ose më shumë se pula vetë. Dhe kërkon të të vijë turizmi.
Dhe rrjeti është mbuluar nga faturat me çmime që nuk ka nevojë t’i shqyesh sytë për t’i deshifruar, sepse më e mira është t’i mbyllësh fare.
Ndaj populli ka nxjerrë thënien: një herë bie daci në kos. Tek ne ra vjet. Këtë vit: bela çao.
Që ne shqiptarët marrim kot kjo është një gjë që dihet. Jemi një bythë vend e duam të bëhemi brenda ditës milionerë. Ndaj kur gjejmë rastin rrisim çmimet që t'i barazojmë sa më shpejt me ato të botës perëndimore.
Në fakt, pronarët tanë kishin harruar një detaj të vogël por të rëndësishëm: turistët që vijnë në Shqipëri nuk janë nga ata më elitarët, dhe përveçse të etur për det dhe diell, kanë dhe një llogari të kufizuar bankare. Duke parë çmimet që sfidonin logjikën, turistët e mbyllën portofolin dhe u nisën drejt vendeve të tjera më mikpritëse dhe më pak të egra ekonomikisht.
Madje, po na rrëfejnë raste se plot turistë të cilët kishin ardhur për të shijuar kulinari të veçantë, vendosën që t'i kalonin pushimet duke ngrënë sanduiçe në shtëpi. Madje blenë dhe nga një pako biskota në vend të ëmbëlsirës. Se edhe atyre nuk u “rronin sheqerkat”.
Dhe kështu mbase, pas dacëve të huaj edhe maçokët tanë marrin ndonjë mësim të rëndësishëm: se ekonomia është një lojë balancash dhe jo një sport ekstrem. Ata duhet të kuptojnë se mikpritja dhe arsyeshmëria janë përbërësit kryesorë të suksesit turistik, dhe se turisti, kërkon një trajtim të kujdesshëm për të mos të të braktisur në ditën e dytë. Sepse kjo është një traditë që ne si shqiptarë na ka ndjekur këmba-këmbës. Te ne vetëm një herë bie daci në kos. Herën e dytë nuk bie as pleshti.
Megjithatë, pavarësisht këtyre sfidave, Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik.
Turizmi përbën një element kyç në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, duke sjellë përfitime të mëdha ekonomike dhe sociale. Për të maksimizuar këto përfitime, është thelbësore që të ketë një planifikim dhe menaxhim të mirë, që garanton zhvillimin e qëndrueshëm dhe respektimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të vendit.
Bukuria natyrore, trashëgimia kulturore dhe mikpritja e popullit shqiptar janë asete të çmuara që mund të kthehen në avantazhe konkurruese në tregun global të turizmit. Me investime të duhura dhe planifikim strategjik, Shqipëria mund të pozicionohet si një nga destinacionet më të kërkuara në rajon.

No comments:

Post a Comment