Friday, August 30, 2024

Apokalipsin nuk po na i sjell Zoti për mëkatet tona, po ia bëjmë vetes duke thelluar mëkatet


Nga 
Leonard Veizi
 
A jemi në prag të Apokalipsit?
Pyetja duket qesharake por herë-herë merr kuptim kur ndjen se për muaj me radhë përvëlohesh nën një diell 40 gradësh. Se në Tiranë 50 vjet më parë bënte dimër. Tanimë është behar në çdo kohë.
Në mendësinë tradicionale, Apokalipsi perceptohet si ndëshkimi hyjnor për mëkatet e njerëzimit. Kjo ide është rrënjosur thellë në kulturën dhe historinë tonë, një përsëritje e pandërprerë në gojëdhënat dhe librat e shenjtë që përshkruajnë fundin e botës si një hakmarrje të Zotit për veprimet e padenja të njerëzve. Megjithatë, në kohën moderne, ky perceptim ka filluar të shbëhet, duke na shtyrë të rimendojmë përkufizimin për Apokalipsin.
A është vërtet një ndëshkim hyjnor apo thjesht pasojë e natyrshme e veprimeve tona?
Ngrohja globale nuk është më një ëndërr, që ndoshta edhe mund të mos dalë, se helbete ëndërr mbetet. Vera e vitit 2024 u përjetua si një nga më të nxehtat në historinë e njerëzimit, një çast vendimtar që tregon realitetin alarmant të ndryshimeve klimatike. Temperaturat po thyejnë rekorde, zjarret po shkatërrojnë sipërfaqe të mëdha toke dhe thatësira po rrit rrezikun e mungesës së ujit dhe ushqimit. Këto ngjarje ekstreme, dikur të rralla, po bëhen përditshmëri, duke lënë pas vetes një ndjenjë të përbashkët të brishtësisë dhe papërcaktueshmërisë për të ardhmen e planetit.
Ndoshta kjo është një shenjë që Apokalipsi na është afruar?
Në fakt, trajtimin e apokalipsit si temë, frika që njerëzit përjetojnë, është një pasqyrë e kompleksitetit të përjetimeve njerëzore në prag të fundit të gjithçkaje. Apokalipsi, si një koncept universal, ka ngulitur rrënjët thellë në imagjinatën kolektive që nga fillimet e njerëzimit. Ai nuk është thjesht një fund fizik i botës, por një pasqyrë e brishtë së qenies njerëzore përballë forcave të pakuptueshme, të pandalshme dhe të pamëshirshme.
Oh, sa thellë u futëm mor aman. Edhe kjo na duhej në temperaturat përvëluese ku truri nuk mbushte as me oksigjenin e nevojshëm. Nejse...
Në vitet ’80 të shekullit të kaluar njerëzit flisnin për vitin 2000 si për fundin e botës. Pritej Apokalipsi. Megjithëse duheshin edhe 20 vite nga ndëshkimi, data e supozuar e Apokalipsit në fakt dukej shumë e largët. Mirëpo kur viti 2000 trokiti, toka nuk u trondit edhe pse u hodhën fishekzjarrë në gjithë botën aq sa të kujtonin bombardimet e Luftës së Dytë Botërore.
Mirëpo Apokalipsi nuk erdhi.
Pastaj u tha ishte bërë një përllogaritje gabim, dhe sipas gjasave dita e gjykimin ishte andej nga fundi i vitit  2012, sepse deri aty shkonte dhe kalendari Maja. Kishim dhe 12 vite të tjera jetë beqari, ku mund t'ia shtrinim kabullin sa të na hante dora. Mirëpo iku dhe viti 2012 mes tingëllimit të gotave të shampanjës dhe numërimit mbrapsht 4, 3, 2, 1... Zero.
Apokalipsi nuk u pa.
Në këtë kohë në lojë u fut baba Vanga. Demek ai e kishte bërë parashikimin më të saktë dhe se vetë Nostradamusi... E treta e vërteta, apo,..
Njerëzit u lodhën duke pritur ditën e ndëshkimit. Apokalipsi u la i lirë, mund të vinte kur të donte. U thelluan vetëm koncpiracionistët që Apokalipsin e lidhën në afrimin e planetit Nibiru në orbitën e Tokës, ku fuqia e tij gravitacionale do ta shkundte Tokën Blu nga themelet e do t’i nxirrte ujët e Zi.
Por as Nibiru nuk po duket në horizont. Megjithëse për të thuhet se ka një orbitë të barabartë me 3600 vite tokësorë.
Ka kohë, ka.
Por Apokalipsi nuk po vjen akoma. Ose ndoshta është duke ardhur, por me gjithë mesazhet që na jep, ne nuk arrijmë t’i ç’kodojmë ose thjesht nuk duam ta kuptojmë.
Kohët e fundit, domethënë në ditët e gushtit 2024 lajmet tronditën me njoftimin se një krijesë e rrallë e quajtur “peshku i ditës së gjykimit” u zbulua në brigjet e Kalifornisë Jugore. Peshku i rrallë me 12 këmbë, i cili dukej si një gjarpër i madh, shokoi shkencëtarët detarë. Në disa zona të botës, kjo krijesë shihen si pararojë e lajmeve të këqija, ndaj dhe krijesa njihet si: peshku i ditës së gjykimit.
Kësaj radhë më duket se e hëngrëm vërtet. Po mblidhet laku.
Dielli po na pjek. Në sfond kemi dhe luftërat lokale që nuk është çudi të na shndërrohen në mbarë botërore. Atëherë po, do ta kemi vetë në dorë Apokalipsin. Një shtypje butoni dhe... BUM. Na marrtë të keqen Bing Bengu.
Nëse e vëzhgojmë botën sot, duket qartë se shumë nga krizat me të cilat përballemi, qofshin ato ekologjike, sociale apo ekonomike, janë krijime të vetë duarve tona. Ndryshimet klimatike, ndotja, varfëria e skajshme, pabarazia, luftërat dhe konfliktet që na shqetësojnë çdo ditë nuk janë rezultat i ndonjë vendimi hyjnor. Përkundrazi, ato janë pasojë e vetëdijes sonë të kufizuar, e etjes për pushtet, pasuri dhe dominim mbi të tjerët. Në një farë mënyre, njerëzimi është duke i nxjerrë vetë rrënjët e vet, duke e shkatërruar botën dhe veten njëkohësisht.
E ndërsa në Tiranë mund të zejeje rrobat në qiell të hapur, në shumë rajone të tjera evropiane u shkaktuan reshje të rrëmbyeshme dhe përmbytje. Tirana gjithashtu u godit nga një rrebesh i paparë por i shkurtër në kohë që kaloi vetëm me shkundjen e gjetheve të pemëve dhe theu xhamat e makinave
A është kjo një shenjë tjetër se apokalipsin e kemi afër?
Ku ta dish, edhe mundet.
Ne kemi kohë që flasim dhe presim Apokalipsin. Ndoshta dhe kjo është bërë një përditshmëri e s’na bën fort përshtypje. Frika ndaj Apokalipsit përshkon çdo aspekt të jetës, duke u shfaqur si një pasqyrë e ankthit për të panjohurën. Është frika e të humburit të gjithçkaje që kemi ndërtuar.
Megjithatë Apokalipsi duket se është ende larg.
Prej vitesh kemi nisur të mësohemi me termat: efekti serë, ngrohje globale, dhe marrjen e tokës nga deti. Përmbytja e qyteteve bregdetare dhe futja e tyre nën ujë, gjithashtu mund të jetë një proces që do të konsiderohet në një të ardhme jo fort të largët.
A është dhe kjo një shenjë apokaliptike?
Shqipëria është nën kërcënimin e erozionit të shkaktuar nga rritja e nivelit të detit. Vendi ynë, me një vijë të gjatë bregdetare është veçanërisht i rrezikuar nga ngritja e nivelit dhe përmbytjet.
A keni dëgjuar për një studim të Bankës Botërore...? Një studim që flet mbi ngrohjen globale dhe ndikimet e saj, përfshirë përmbytjet e vijave bregdetare. Ky studim ka tërhequr vëmendje për potencialin e humbjeve të mëdha territoriale dhe urbane në shumë vende, përfshirë Shqipërinë. Në nivel botëror, në vitin 2100, nga ndryshimet klimatike, Banka Botërore parashikon, se do të rritet niveli i detit me 50-60 centimetra. E pra projeksioni i këtij studimi tregon se 75 vite më vonë Shqipërisë do t’i mungojë gati 1/3 e territorit. Për fatin tonë, - të mirë a të keq nuk e di, - këto toka nuk na i pushtojnë armiqtë shekullorë. Na i merr uji. Dhe ujin nuk e lufton dot as me shpata e shigjeta, as me topa e mitraloza. Parashikimi për Shqipërinë është i frikshëm kur mendon se Durrësi, Fieri, Velipoja, Shëngjini do të jenë nën ujë.
Kjo do të jetë vërtet një situatë apokaliptike. Për më tepër që një Durrës e kemi nën ujë. Dhe presim që edhe këtë të cilin e kemi në gjendje, me hipotekë e certifikatë pronësia të na zhytet nën Adriatik bashkë me Portin e Jahteve dhe godinat luksoze përreth tij.
Ndaj duket sikur në horizont është shfaqur Apokalipsi.
Por frika ndaj apokalipsit nuk është thjesht frikë ndaj shkatërrimit fizik. Është frika ndaj humbjes së kuptimit, e asaj çfarë na ndan nga e përditshmja.
Ndërsa teknologjia dhe globalizimi na kanë dhënë fuqinë për të ndikuar në çdo cep të planetit, ato gjithashtu kanë nxjerrë në pah lakminë, egoizmin dhe indiferencën tonë ndaj njëri-tjetrit dhe natyrës. Përballë kësaj, Apokalipsi duket më shumë si një përmbysje që ne vetë e kemi shkaktuar, sesa një ndëshkim i Zotit. Është vetëdija jonë e munguar dhe veprimet tona që po na çojnë drejt një Apokalipsi të pashmangshëm. Në fund të fundit, Apokalipsi nuk nuk do të jetë një ndëshkim për mëkatet e kaluara, por një pasojë e drejtë për mëkatet që vazhdojmë të kryejmë.

No comments:

Post a Comment