Monday, August 12, 2024

Nga hekurudhat me punë vullnetare tek ato me tender, por a kemi trenistë?


Nga 
Leonard Veizi
 
Po të dëgjosh lajmet aty-këtu dhe të ndjekësh zërat mediatikë që herë-herë kanë dëshirë të bëjnë portavoçin e qeverisë, do të ndeshësh në shprehje të tipit: Në dekadat e fundit, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës së saj hekurudhore”.
Tobekstrakfurullah.
Në fakt dihet mirë që në dekadat e fundit shqiptarët, që janë pjesë përbërëse e Shqipërisë, i vunë kazmën hekurudhave që regjimi i vjetër i ngriti me punë vullnetare duke marrë rininë studentore nga një muaj në aksion, pas mësimit. Dhe kështu u ndërtuan 677 kilometër rrjet hekurudhor.
Birinxhi.
Megjithatë nëpër axhanse gjithfarësh do të ndeshësh vazhdimësinë e fjalive që të informojnë se: “Investimet e mëdha në modernizimin e linjave ekzistuese dhe ndërtimin e linjave të reja premtojnë një sistem hekurudhor më efikas dhe të qëndrueshëm”.
Ku kështu mor aman.
Se ne për vite më radhë u mësuam që lokomotiva çeke tip “T669” tërhiqet vetëm dy vagonë kinez të klasit II tip “Beijing”. Edhe këtyre dy vagonëve meqë i kishte zënë ndryshku i lyem sipër me ngjyrat e ylberit.
Marrshallah!
Kjo puna e hekurudhave në fakt më kujton dhe një personazh interesant, Kujtimin, djalin e Ali Morinës, që tek filmi “Binarët” - prodhim i Kinostudios Shqipëria e Re në vitin 1987, - që ishte trenist i mbaruar dhe arriti ta ndali një tren me lokomotivë “T669” i cili kishte marrë tatëpjetën, me anë të frenimit mekanik të vagonëve tek e tek. Por me sa duket trenistët si puna e Kujtimit, - që interpretohet nga një aktor brilant si Bujar Lako, - do kenë dalë në pension, kështu që do ta kemi ca të vështirë me hekurudhën e re, se trenistat e rinj nuk prodhohen në autoshkolla me një muaj kurs, ku instruktori të mëson si të shohësh me pasqyrën e mesit.
Hajde ç’vete, hajde.
Përmirësimi i infrastrukturës hekurudhore është vetëm njëra anë e medaljes. Në fakt operacioni i suksesshëm i një sistemi të modernizuar hekurudhor kërkon jo vetëm teknologji të avancuar, por edhe burime njerëzore të kualifikuara. Trenistët, si operatorët kryesorë të trenave, luajnë një rol kyç në garantimin e sigurisë dhe efikasitetit të shërbimeve hekurudhore. Pa një numër të mjaftueshëm trenistësh të trajnuar mirë, investimet në infrastrukturë mund të mos japin rezultatet e pritura.
E ç'na ndeshi sharra në gozhdë!
Megjithatë, ndonëse fokusi kohët e fundit ka qenë tek modernizimi i hekurudhave, si ai i segmentit Durrës – Tiranë, një pyetje kritike mbetet pezull: a kemi trenistë të mjaftueshëm dhe të kualifikuar për t'i operuar këto hekurudha të reja?
E ja këtu situata komplikohet.
Kjo më kujton një tjetër film, por këtë herë hollivudian të vitin 2010 të “Century Fox” me titull “Unstoppable” apo i ardhur në shqip si “I pandalshëm” ku luan një rol emblematik aktori i famshëm Denzel Uashington, i cili kishte veshur kostumin e trenistit Frank Barns që drejtonte lokomotiva “AWVR 777”. Edhe lokomotivën e Barnsit e vunë përpara vagonët, por ai pas shumë peripecish arriti ta fuste në stacion.
Por si Kujtim Morina edhe Frank Barns, nuk është se morën ndonjë fletë lavdërimi dhe as medalje. Sepse në fund të fundit për këtë punë paguheshin, për të futur trenin në stacion e jo për t’ia futur gjumit në lokomotivë.
Ore, mos ndoshta këta të Hollivudit kanë marrë ndonjë indicie nga Studioja Filmike e Shqipërisë. Se dy filmat duket sikur kanë ca pika të përbashkëta. Jo se nuk është çudi. Hollivudi ka në historikun e tij plot rixhirime filmash.
Nejse, tjetërkund e kishim fjalën.
Një nga sfidat kryesore me të cilat përballet sektori hekurudhor në Shqipëri është mungesa e programeve të specializuara të trajnimit për trenistët. Institucionet arsimore teknike dhe profesionale kanë nevojë për të zhvilluar dhe përmirësuar kurrikulat e tyre për të përmbushur kërkesat e reja të industrisë hekurudhore. Përveç kësaj, duhet të krijohen mundësi për trajnime praktike dhe certifikime ndërkombëtare që do t'u mundësojnë trenistëve tanë të punojnë sipas standardeve më të larta.
Nëse Shqipëria dëshiron të përfitojë plotësisht nga investimet e saj në infrastrukturën hekurudhore, duhet të përshtatet një qasje holistike që përfshin edhe zhvillimin e burimeve njerëzore. Kjo nënkupton krijimin e partneriteteve midis qeverisë, sektorit privat dhe institucioneve arsimore për të siguruar që trenistët tanë janë të përgatitur për sfidat e reja.
Thelbësore është  që të ofrohen incentiva për të rinjtë që të zgjedhin këtë profesion. Kjo mund të përfshijë bursa studimi, programe trajnimi të subvencionuara dhe mundësi punësimi të garantuara pas përfundimit të trajnimit.
Aferim! Kështu edhe mund të rregullojmë diçka.
Në Shqipëri, rrjeti hekurudhor është, - apo ka qenë ndoshta, -  i barabartë me 677 kilometër trase, nga këto 447 kilometra janë linja kryesore. Sepse pjesa tjetër ishte në shërbim të industrisë. Që do të thotë linja brenda Portit të Durrësit, Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit dhe lidhja me miniera të ndryshme.
Për histori më duhet të them se Hekurudha Shqiptare ka pasur në përdorim rreth 100 lokomotiva të tipave të ndryshme ku kryesonte lokomotiva çeke tip T669, të cilat lëviznin pothuajse 184 vagonë pasagjerësh dhe rreth 2250 vagonë mallrash.
Sot duhet bërë një tender i ri ku të blihen lokomotiva dhe vagonë akull të rinj. Dhe kjo është punë që bëhet. Vetëm trenistë nuk blejmë dot. Dhe ndërsa ndërtojmë hekurudha të reja dhe modernizojmë ato ekzistuese, është e domosdoshme të sigurohemi që kemi trenistët e nevojshëm për t'i operuar ato me sukses. Ndaj duhet të jenë të përgatitur ashtu siç duhet, që të mos na vënë përpara vagonët me krom e bitum.
InshAllah!
Investimi në zhvillimin e burimeve njerëzore është po aq i rëndësishëm sa edhe investimi në infrastrukturë. Pa trenistë të kualifikuar, çdo përpjekje për të përmirësuar sistemin hekurudhor do të mbetet e paplotë. Pra, pyetja "Po ndërtojmë hekurudha, por a kemi trenistë?" mbetet një thirrje për veprim dhe përqendrim të përbashkët në zhvillimin e të gjitha aspekteve të këtij sektori jetik për të ardhmen e transportit në Shqipëri.

No comments:

Post a Comment