Thursday, August 15, 2024

Sulmi italian me nëndetëse gjatë festës së Shën Marisë, si u shkatërrua kryqëzori grek

15 gusht 1940

 


Nga Leonard Veizi
 
I beftë, pjesërisht i saktë dhe krejt provokues... për më tepër që ishte dita e një feste fetare e cila adhurohet si nga ortodiksët greke po aq dhe nga katolikët italian. Kështu mund të cilësohet sulmi i një nëndetëseje të flotës italiane, e cila arriti deri në ujërat territoriale të Greqisë për të qëlluar brenda një porti ishullor me disa silurë anijet greke të flotës luftarake. Prej gati një vit në Evropë kishte nisur Lufta e Dytë Botërore. Greqia dukej sikur mbante një qëndrim neutral, ndërkohë që kryeministri Metaksa dhe Pallati Mbretëror ishin qartësisht në anën e Britanisë së Madhe. Por ishte koha kur vetë Londra ndodhej në vështirësi pasi “shiu” i vazhdueshëm i bombave të aviacionit gjerman e kishte kthyer qytetin simbol në një gërmadhë...
 
...Shtypi vendas shkruante se ishte 15 gushti i vitit 1940 dhe mijëra besimtarë ortodoksë grekë ishin mbledhur në Kishën e Panagisë në ishullin Tinos për të nderuar si çdo vit “Fjetjen e Virgjëreshës Mari”. Megjithatë, në atë datë, një mision i fshehtë i nëndetëses italiane “Delfino” siluroi dhe fundosi në portin e Tinos, kryqëzorin e lehtë grek “Elli”, ndërsa anija e luftës kishte ulur spirancën. Në orën 08:25, pak para procesionit të ikonës së Virgjëreshës Mari në port, mijëra njerëz po prisnin me devotshmëri të niste rituali. Në atë çast ‘Delfino’ ka qëlluar tre silurë në drejtim të anijes luftarake greke. Vetëm njëra prej tyre e ka goditur “Elli”-n në motorr dhe në rezervuarët e naftës. Një orë më vonë, kryqëzori u fundos, pavarësisht përpjekjeve të ekuipazhit për ta mbajtur mbi ujë.
 
Provokimi dhe dështimi
Ky ishte provokimin më serioz italian përpara shpërthimit të asaj që njihet si Lufta Italo – Greke, e cila nisi nga kufiri shqiptar. Pikërisht mëngjesin e 28 tetorit të vitit 1940, trupat italianë në Shqipëri, nën komandën e gjeneralit Sebastiano Visconti Prasca, do të nisnin marshimin e sulmit kundër Greqisë.
Në kohën e sulmit ushtria italiane ndodhej e rreshtuar në të gjithë gjatësinë e kufirit shqiptaro-grek, rreth 250 km. Pa llogaritur armatimet, burimet italiane flasin për 87 mijë forca të rreshtuara në frontin grek. Në kufirin me Jugosllavinë ishin lënë 12 mijë forca. Por burimet greke japin një numër shumë më të madh forcash.
Lufta italo-greke u zhvillua thuajse në territorin shqiptar për rreth gjashtë muaj.
Pas disa sukseseve të para, ushtria italiane u thye dhe u detyrua të tërhiqet nga tokat e pushtuara greke.
 
Historia e kryqëzorit
Elli ishte një kryqëzor 2600 ton i emëruar për nder të një beteje detare të Luftës së Parë Ballkanike në të cilën Greqia doli fitimtare. Anija u përfundua në vitin 1913 dhe u komisionua një vit më pas. “Elli” veproi gjatë Luftës së Parë Botërore dhe në ekspeditën katastrofike të Azisë së Vogël.
Ajo fillimisht ishte një nga tre kryqëzorët e klasës “Chao Ho” porositur nga Kina. Ndaj qeveria kineze e kishte pagëzuar atë si 'Mjellma fluturuese'. Megjithatë, revolucioni nacionalist i viteve 1912-13 rezultoi në anulimin e blerjes së anijeve nga qeveria kineze. Ndërtimi i kryqëzorëve në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara e përfundoi në vitin 1914 dhe “Elli” iu shit Greqisë, e cila e bleu atë si pjesë e programit të saj të zgjerimit detar pas Luftërave Ballkanike.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, fillimisht, Greqia ndoqi një kurs neutraliteti, me kryeministrin Eleftherios Venizelos që favorizonte Antantën dhe mbreti progjerman Konstandini I që mbronte neutralitetin. Në nëntor 1916, për të ushtruar presion mbi qeverinë mbretërore në Athinë, francezët konfiskuan anijet greke. Ato vazhduan të vepronin me ekuipazhe franceze, kryesisht si shoqëruese dhe me detyrat e patrullimit në Egje, derisa Greqia  në qershor 1917 hyri në luftë në anën e aleatëve. Më pas, Marina Greke mori pjesë në operacionet aleate në Egje.
Në vitin 1920 "Elli" iu nënshtrua një rikonstruksioni në Francë, së bashku me kryqëzorin e blinduar “Georgios Averof”, gjatë të cilit u pajis me armatim modern kundërajror dhe pajisje për të mbajtur 100 mina detare.
 
Italianët provokojnë grekët
Italia fashiste e Benito Musolinit, që ishte në aleancë me Gjermaninë naziste të Adolf Hitlerit, me flotën e saj të fuqishme, pretendonte të largonte ndikimin Britanik nga Detin Mesdhe. Kështu që urdhri për silurimin e ‘Elli’-t u dha nga një prej njerëzve më me ndikim të Italinë fashiste Dodekanezit Cesare Maria de Vecchi.
Nëndetësja italiane 'Delfino' e komanduar nga gjeneral-lejtnant Giuseppe Aicardi, u nis nga baza detare në Partheni të Leros, natën e 14 gushtit, me mision të godiste anijet armike në Tinos, dhe më pas të bllokonte kanalin e Korinthit.
“Delfino” e fundosi “Elli”-n gjatë kohës së paqes. Një oficer me gradë të ulët dhe 8 marinarë u vranë, ndërsa 24 të tjerë u plagosën. Por lajmet e kohës flasin edhe për një grua, e cila ndërroi jetë nga një atak në zemër, pasi siluri i dytë shpërtheu në muret e kalatës.
E njëjta nëndetëse tentoi të qëllonte dhe anijet e pasagjerëve “MV Elsi” dhe “MV Esperos” të ankoruara në port. Kjo përpjekje dështoi dhe silurët dëmtuan vetëm një pjesë të skelës së portit.
Fragmente të silurëve u gjetën dhe u identifikuan se sishin me origjinë italiane. Megjithatë, qeveria greke, duke u përpjekur të shmangte një konfrontim me Italinë në atë kohë, njoftoi se identiteti i nëndetëses sulmuese ishte e panjohur, një akt që nuk parandaloi shpërthimin e Luftës Greko-Italiane dy muaj më vonë.
Ndërkohë, në kujtimet e tij, ministri i Jashtëm italian Galeato Ciano lau duart duke shkruar se fundosja e anijes greke i atribuohej megalomanisë së vetë urdhërdhënësit: de Vecchi-t.
 
Reparacionet e luftës
Pas luftës, si kompensim për fundosjen e “Elli”-t, Italia i dha Greqisë kryqëzorin “Eugenio di Savoia” i cili u porosit në qershor 1950 për Marinën Mbretërore Helenike me emrin “Elli”. Ajo shërbeu deri në vitin 1973. Që nga viti 1982, emrin “Elli” e mban një fregatë e klasit standard, që është dhe anija kryesore e marinës luftarake greke.
Duke iu referuar sërish shtypit grek, në epilog të këtij historie mund të themi se në vitin 1985, zhytësit vendas zbuluan në fund të portit Tinos mbetjet e silurit italian që fundosi ‘Elli’. Kjo mbetje është ekspozuar në Muzeun Detar të Pireut.
 

No comments:

Post a Comment