Monday, September 9, 2024

Nga tryezat e Kuvendit te bangat e shkollës: Nis viti i ri akademiko-politik


Nga 
Leonard Veizi
 
Pushimet e zgjatura mbaruan, sezoni i larjeve në det gjithashtu. Dhe nisi sezoni i ri. Nga tryezat e Kuvendit te bangat e shkollës, një tjetër vit akademiko-politik ngre siparin si çdo Shtator. Dhe një sezon i mbarë përkon që të zhvillojë punimet dhe një Asamble Kombëtare që medoemos do vazhdojë zgjatimin me Pleniume e Kongrese. Ndërsa sezoni i ri i televizioneve na gajasi me moderatorët që i zënë vendin njëri-tjetrit, duke shitur si të reja emisionet e vjetra të lyer me gëlqere.Po kjo nuk është se i prish punë njeriu.
-Sa i vini re këto gjërat e vogla?!
Viti i ri akademik trokiti me zhurmën e zakonshme të librave të rinj, por këtë vit, zërat e tij përzihen me thirrjet e tryezave të Kuvendit. Uniformat janë hekurosur, çantat janë mbushur me libra të rinj, kapakët lustrafinë të të cilave kanë reflektuar dritën e ftohtë të zyrave arsimore. Dhe nxënësit, ashtu si edhe politikanët, janë gati për një sezon të ri garash. Sepse, le ta themi troç, nëse ka ndonjë gjë më të ngjashme me teatrin komik, ai është vetëm Kuvendi.
Politikanët, siç dihet, janë ekspertë në artin e fjalëve, - me fjalimet e tyre pompoze dhe premtimet e stisura, - dhe në çdo fillim viti akademik, duket se kanë gjetur një mënyrë magjike për t'i shndërruar bangat e shkollës në podiume të debatit.
Jemi dhe në prag të shpalljes së listave zgjedhore. Se po na afrohen zgjedhjet.
Prej kohësh jemi mësuar që në një klasë shkollore, gjithçka fillon me fjalët: "Të nderuar nxënës, kemi një program të ri arsimor që do ta revolucionarizojë mësimin!" Politikanët, gjithashtu, fillojnë me fjalët magjike: "Ky vit do të sjellë reforma të mëdha!" Në të dyja rastet, gjithçka përfundon o me entuziazëm të shfrenuar o me murmurima dhe pakënaqësi të heshtura.
Mësuesit, të përgatitur për të përballuar sfidat e tyre të përvitshme, shohin të njëjtën lodhje në fytyrat e nxënësve, ndërsa në parlament, ligjvënësit rrotullojnë sytë kur kolegët e tyre nisin të përsërisin fjalimet e vjetra. Nxënësit presin pushimin me të njëjtin pasion që politikanët presin fundin e sesionit parlamentar – një pushim i vogël për të shmangur monotoninë.
Sa të lodhur jemi.
Ndërkohë, ashtu si në Kuvend, edhe në bangat e shkollës, bëhen marrëveshje sekrete, krijohen aleanca dhe ndahen grupet e interesit. Ata që zënë bangat e para, ashtu si ministrat, janë të zellshëm për t'u dukur, të përkushtuar. Në fund të fundit, sa më afër të jesh te "burimi i dijes" apo "burimi i pushtetit", aq më shumë e kontrollon situatën. Ndërsa ata që qëndrojnë prapa, qofshin ata nxënës apo deputetë, mezi presin të shmangen dhe të mos tërheqin shumë vëmendje.
Në një anë, nxënësit janë të zënë me lëndët e reja dhe detyrat që duket sikur nuk mbarojnë asnjëherë, në anën tjetër, politikanët janë të angazhuar në një betejë të përhershme për vendin e parë në listat e premtimeve. “Bëni detyrat e shtëpisë,” u thonë mësuesit nxënësve, ndërsa në kuvend, politikanët diskutojnë mbi detyrat që nuk i kanë bërë kurrë.
E mo varja.
Cilido që të jetë plani i ri, sigurisht që do të ketë më shumë ‘punë në grup’ dhe ‘pjesëmarrje aktive’. E vërteta është se shumica e nxënësve do të jenë akoma të zënë me mësimet që vijnë duke u vështirësuar, dhe politikanët do të vazhdojnë të presin rezultate nga metoda që ndonjëherë as vetë nuk i kuptojnë.
Dhe ndërsa nxënësit përpiqen të gjejnë vendin e tyre në këtë fabul të ndërlikuar, bankat e shkollës bëhen gjithnjë e më shumë si tryezat e kuvendit: plot me ide, por të zbrazëta në praktikë. Këtu, mund të dëgjosh diskutime të zjarrta mbi të ardhmen, të drejtat e njeriut dhe, natyrisht, “çfarë do të ndodhë me arsimin?”
Në fakt asgjë.
Në këtë skenë, ironia është se ndërsa nxënësit përpiqen të përfitojnë nga çdo mundësi, politikanët duket se përfitojnë nga çdo mundësi për t'i zhgënjyer ata. Ndërsa bangat e shkollave mbushen me ëndrrat e rinisë, tryezat e kuvendit mbushen me retorikë boshe.
Arsimi nuk është në ditët e mira të tij. Ka kohë kështu. 
Përkundrazi, Kuvendi është në ditët e shkëlqyera të tij,... përderisa shqiptarët me pult në dorë shohin gjithë epsh punimet në seancën plenare. Dhe më pas sherret e seancës i vazhdojnë në kafene.
Viti i ri akademiko-politik filloi, dhe me të, një cikël i ri i diskutimeve dhe debatit. Dhe gjithçka e paradites zhvendoset në panelet e studiove televizive.
-Ohu, është radha e madhe, është një kompani e cila e tëra duhet ushqyer nga pak, o Vait vëllai.
Por ashtu si në klasë, edhe në Kuvend, zgjidhja më e mirë është të dëgjosh me vëmendje por të mos flasësh, se bën “gabim politik”. Si zakonisht, ndoshta do të na duhen disa ‘detyra shtëpie’ për të zbuluar se cila është e vërteta në këtë labirint të dyfishtë.
Me kalimin e muajve, nxënësit dhe politikanët fillojnë të përjetojnë të njëjtat dilema ekzistenciale: "Pse jam këtu?" Ata kërkojnë përgjigje në tabelat me shkrime të lodhshme apo në draftet e projektligjeve, por me gjasa e vetmja përgjigje që do marrin është heshtja e pafundme që vjen nga zyrat e institucioneve.
-Më mirë ta lëmë dilemën ekzistenciale. Le të vijmë me këmbë në tokë.
Në fund të fundit, një vit i ri është vetëm një mundësi për të filluar përsëri, për të parë nëse do të ketë ndonjë ndryshim të vërtetë ndërmjet bangave të shkollës dhe tryezave të kuvendit. Por, siç e dimë të gjithë, ndryshimi është më i lehtë të premtosh sesa të realizosh.
Në fund të vitit, gjithçka do të mbyllet me një provim të përbashkët: për nxënësit, është testi final, ndërsa për politikanët, zgjedhjet e ardhshme. Të dyja palët do të përgatiten në të njëjtën mënyrë – me një përzierje shprese të vakët dhe frike të fshehur.
E kështu, nga tryezat e Kuvendit te bangat e shkollës, një vit i ri akademiko-politik fillon, dhe një tjetër teatër absurd luhet para syve tanë.

No comments:

Post a Comment