Nga Leonard Veizi
Portrete
njerëzish të paparë prej vitesh që vijnë në trurin tënd krejt real apo qoftë
dhe si fantazma të paprekshme. Fytyra që shprehnin trishtim dhe ruanin ende inatin
e hakmarrjes. Temperamente të brishtë që as koha dhe dallgët e jetës nuk kishin
mundur t’i ashpërsonin dot. Ndaj kishin mbetur po aq famijë. Dhe në fund
hakmarrja vetë: dalja në dritë e gjërave të mbuluara preh kohësh dhe një ndërgjegje
që nuk arrin të të lejë të qetë sepse ndihet e rënduar dhe e lënduar njëkohësisht...
...”Flatliners”,
që në shqip mund të ketë kuptimin jo vetëm të një arresti kardiak, por dhe të
një koma apo vdekje të përkohshme, është një film horror psikologjik i
fantashkencës amerikane i vitit 1990. Regjia e filmit mban firmën e Xhoel Shumaker,
prodhuar nga Majkëll Dagllas dhe Rik Bieber dhe shkruar nga Piter Filard. Në të
luajnë Kifer Saterlend, Xhulia Roberts, Uilliam Balduin, Oliver Plat dhe Kevin
Bakon. Filmi u xhirua në kampusin e Universitetit Loyola të Çikagos midis
tetorit 1989 dhe janarit 1990, dhe u
nominua për një çmim Oscar për Editimin më të Mirë të Tingullit në 1990. “Columbia
Pictures” publikoi “Flatliners” më 10 gusht 1990. Filmi fitoi 61.5 milionë
dollarë në total në Shtetet e Bashkuara.
Flatliners 1990
"Flatliners" përqendrohet te një grup studentësh të
mjekësisë që kryejnë eksperimente ekstreme për të zbuluar se çfarë ndodh pas
vdekjes. Ata ndalojnë përkohësisht zemrat e tyre për disa sekonda dhe
përjetojnë vdekje klinike, pastaj rikthehen në jetë. Ky eksperiment prek
psikologjikisht secilin prej tyre në mënyra të ndryshme, duke nxjerrë në pah
ndjenjat e tyre të fajit, frikërat dhe çështjet e pazgjidhura nga e kaluara.
Zbërthimi psikologjik
Studentët
janë tërhequr nga ideja e kapërcimit të kufirit të jetës dhe vdekjes, të cilën
e shohin si një mundësi për të kuptuar diçka të thellë dhe të fshehtë. Ky
impuls reflekton një lloj kurioziteti ekzistencial dhe dëshirë për të kuptuar
diçka që është përtej përvojës njerëzore normale.
Eksperimentet
i bëjnë ata të ndihen sikur po sfidojnë vetë natyrën e jetës, duke i dhënë një
ndjenjë të rreme të kontrollit mbi vdekjen. Por kjo, në fakt, i çon drejt
humbjes së kontrollit, pasi ata fillojnë të përballen me ndikimet psikologjike
të eksperimenteve.
Pasi
përjetojnë këto eksperimente, ata fillojnë të përballen me përvoja traumatike
të së kaluarës, që dalin në sipërfaqe. Secili nga personazhet ballafaqohet me
përvojat e veta të fshehura, ndjenja faji dhe veprime të këqija, duke treguar
që eksperimenti nxjerr në dritë ndërgjegjen e tyre dhe ato çështje emocionale
që kanë lënë të pazgjidhura.
Ndërsa
fillimisht përvoja me vdekjen shihet si diçka intriguese, ajo shpejt bëhet një
burim ankthi. Pas eksperimentit, përvojat e tyre përforcojnë frikën e
nënvetëdijshme nga vdekja dhe pasoja e papritur që vdekja mund të sjellë në
jetë. Përvojat e përballjes me fajin dhe traumat e tyre të mëparshme shihen si
një mënyrë me të cilën mendja e tyre përpiqet të përballet me vdekjen.
Personazhet
kërkojnë mënyra për të përballuar atë që ka dalë në dritë gjatë eksperimenteve,
duke provuar të shpaguajnë veprimet e së kaluarës. Ky proces shpreh idenë se
përballja me vdekjen nxjerr në pah nevojën për pajtim me veten dhe të tjerët,
si një lloj katarsisi.
Eksperimenti
në film është një sprovë ekstreme psikologjike, që u nxjerr studentëve në pah
frikërat e thella dhe ndjenjat e fajit që ata nuk i kishin përballur më parë.
Ngjarja
Një
studenti i mjekësisë i bind shokët e klasës për ta ndihmuar atë të zbulojë se
çfarë qëndron përtej vdekjes. Ai u kërkon të eksperimentojnë me vdekjen, duke
ndërprerë përkohësisht zemrat e tyre për të përjetuar vdekje klinike dhe më pas
rikthehen në jetë.
Në
krye të grupit është Nelson Rajt, i interpretuar nga Kifer Saterlend, i cili
është i vendosur të zbulojë se çfarë ndodh pas vdekjes. Ai bind shokët e tij – Rejçëll
Manus, - interpretuar nga Xhulia Roberts, David Labraçcio nga Kevin Bakon, Xho
Hërli nga Uilliam Balduin, dhe Rendi Stakëll nga Oliver Plat – të marrin pjesë
në këtë eksperiment të rrezikshëm.
Pasi
Nelson përjeton i pari vdekjen klinike, ai rikthehet në jetë me kujtime të
thella nga e kaluara e tij. Sidoqoftë, ajo që fillimisht duket si një përvojë e
mahnitshme shpejt bëhet e errët, pasi secili nga personazhet që merr pjesë në
eksperiment fillon të përjetojë halucinacione të frikshme të lidhura me faje
dhe trauma të së kaluarës. Këto përvoja bëhen gjithnjë e më të rënda dhe më të
vërteta, duke i ndjekur dhe terrorizuar studentët edhe pas rikthimit në jetë.
Çdo
anëtar i grupit përballet me versionet e tyre të frikërave, gabimeve dhe
mëkateve që kanë bërë në të kaluarën, dhe ndërsa përvojat bëhen më të forta dhe
të dhunshme, ata kuptojnë se nuk kanë të bëjnë vetëm me eksperimentin shkencor,
por me pasojat shpirtërore dhe emocionale të veprimeve të tyre.
Në
fund, secili prej tyre është i detyruar të përballet me fajet e së kaluarës për
të gjetur një lloj pajtimi dhe çlirimi nga makthet që kanë provokuar gjatë
eksperimenteve.
Flatliners 2017
Një
film vijues i drejtuar nga regjisori danez Niels Arden Oplev u publikua në
shtator 2017. Ai është një vazhdim i pavarur dhe ribërje e filmit të vitit 1990
me të njëjtin emër. Në film interpretojnë Eliot Peixh, Diego Luna, Nina Dobrev,
Xhejms Norton dhe Kiersi Klamens. Në kastin e aktorëve është shfaqur gjithashtu
Kiefer Sutherland në një rol kryesor. “Flatliners” i drejtuar nga Niels Arden
Oplev këtë herë mban pë skenarist Ben Ripli.
“Sony
Pictures” e publikoi filmin në Shtetet e Bashkuara më 29 shtator 2017 dhe u
pasqyrua nga kritikët, të cilët në përgjithësi vunë re se ai përsëriste
problemet e origjinalit.
No comments:
Post a Comment