Friday, November 15, 2024

17 nëntor 1944/ “Radiostacioni” dhe çlirimi i një kryeqyteti



Nga Leonard Veizi
 
“Tirana u çlirua”. Këto kanë qenë fjalët e para që Radiostacioni i vetëm shqiptar ka thënë më 17 nëntor të vitin 1944. Më pas është transmetuar Himni i Flamurit Kombëtar...
 
...Jo vetëm pika strategjike si Pallati i Brigadave, Banka e Shqipërisë, kompleksi i Ministrive, Komandatura, Centrali dhe burgjet, por dhe stacioni i vetëm radiofonik i Shqipërisë ishte një nga shënjestrat kryesore të njësive që do të sulmonin për çlirimin e Tiranës nga pushtuesi nazist. Në këtë mënyrë kompanisë së dytë të batalionit të dytë të Brigadës së Parë Sulmuese iu dha detyra e marrjes me çdo kusht të zërit propagandistik, që prej pesë vitesh drejtohej nga pushtuesit. Por edhe nazistët, të cilët vazhdonin të kishin nevojë për ngritjen e moralit të ushtrisë së tyre, e kishin përforcuar mirë godinën e Radio Tiranës që në ato vite ndodhej te Rruga e Kavajës, pranë rrugës “Kont Urani”. Në këtë mënyrë, sulmi për të marrë Radiostacionin e vetëm, bëhej edhe më i vështirë. Kështu Batalioni III, me komandant Xhelo Idrizin, Kompania I e Batalionit II, nën drejtimin e Hekuran Pobratit, kanë qenë mbështetëse në luftime. Por Kompania e II e Batalionit të II, nën drejtimin e Mane Sevranit, ka marrë pjesë direkt për marrjen e godinës. Ndërsa Kompania I e Batalionit të I, e drejtuar nga Dalan Memushi, ka shkuar për përforcime. Në atë kohë, komanda gjermane në tërheqje e sipër kishte dhënë urdhër për hedhjen në erë të Radiostacionit. Mëngjesin e 17 nëntorit nga aerodromi i Tiranës erdhën katër tanke të shoqëruara me rreth 150 trupa naziste, të cilët kishin vënë përpara të paktën 20 qytetarë të pafajshëm. Forcat gjermane tentuan të merrnin godinën e Radiostacionit, ata vranë robërit duke i shkelur me zinxhirët e tankeve dhe hynë në katin e parë të godinës. Nga përleshja mbetën të vrarë një kolonel, një kapiten dhe një toger. Nga forcat partizane mbeti i plagosur vetëm borizani Haki Kapaj. Nga hedhja në erë, shpëtoi gjithashtu edhe centrali i qytetit, i cili ishte minuar nga trupat gjermane në tërheqje.
 
 Filmi
“Tirana u çlirua”... u dëgjua përmes fonisë së radios, e cila kishte ndërprerë transmetimit prej ditësh. Dhe njerëzit kishin zgjatur veshët për t’u njohur me të rejat pas “blackout”-it total.
Por çfarë ka ndodhur pak para se të publikohej ky lajm?
Filmi emblemë i Kinostudios “Shqipëria e Re” me regji të Rikard Ljarjes dhe prodhuar në vitin 1979 “Radiostacioni”, u ekranizua mbi romanin e Ismail Kadaresë "Nëntori i një kryeqyteti". Romani në fjalë u botua në vitin 1974. Ngjarjet e romanit ishin të përqendruara rreth ndërtesës së Radiostacionit të kryeqytetit shqiptar në ditët e luftës për  çlirimin e tij, nëntor i vitit 1944.
“Ju flet Tirana. Po japim Lajmet. Armata e lavdishme 21 e Rajhut, pritet nga çasti në çast të arrijë në Tiranën e rrethuar. Rebelët e kuq po i pret në bulevardin Musolini...”. 
Këto ishin lajmet e fundit që Radio Tirana transmetonte nën dirigjimin e pushtuesve, derisa mitraljeri i skuadrës Sherifi do të qëllonte me mitraloz e do të këpuste sinjalin transmetues. Pas kësaj Radio Tirana heshti për ditë të tëra.
Por që në ditët e para të çlirimit të kryeqytetit u dha urdhri që Radio Tirana të fliste sërish. Ndaj një skuadër partizane në të cilën ishin anëtarë dhe Sherifi, Teuta e Mete Aliu mori urdhër të ringrinin Radiostacionin e ta bënin të fliste. Partizanët mblodhën punonjësit e mëparshëm të Radio Tiranës të cilët mundësuan nisjen e transmetimit.
Por cila është panorama që na jep filmi?
-Ju flet Tirana. Po japim lajmet.
Miriam Morina, folësja zyrtare e Radio Tiranës, edhe pse kishte dyshuar duke i thënë patrullës partizane që e kishte rekrutuar, se kishte “folur në një regjim tjetër”, sërish u bind të ulej para mikrofonit për të lexuar lajmet e para të Tiranës së sapoçliruar. Por kjo nuk i erdhi hiç për shtat Mete Aliut, - për të cilin thoshin se ishte trim i marrë dhe madje ishte plagosur nga ushtarët e Vermahtit teksa hapte portat prej hekuri të radiostacionit. Ndaj ai iu përvesh Miriamit, - me zërin e butë e pa nerv, - për t’i thënë se lajmet e reja në një rend të ri duheshin dhënë me aq zë të lartë sa ta merrnin vesh të gjithë nga Moska deri në Berlin.
-Nepërkë, borgjeze. Fol fol. Ju flet Tiranaaaaaaaaaaaaaa...
Janaq Kristo, që ishte nëpunësi i diskotekës në Radio, i alarmuar i ra i ra ballit me dorë. Miriami u ngrit e përhumbur nga poltroni dhe u largua nga radiostacioni. Kështu që Teuta, e vetmja femër në skuadër u bë folësja për Radio Tiranën, e cila që prej atij çasti do të udhëhiqej nga komunistët.
-Ju flet Tirana. Radiostacioni i Tiranës së lirë po fillon transmetimet e tij me valë të mesme 275 metra dhe valë të shkurtra 60 metra...
Gjithsesi ky është vetëm një film artistik mbështetur mbi një roman, dhe ana fiksionale nuk mund të mungonte. Ndërsa realiteti fliste dhe për shumë gjëra të tjera.
 
Lufta për Tiranën
Në realitetin e mbështetur në dokumente dhe dëshmi, lufta për çlirimin e Tiranës ka pasur këto rrethana:
Plani i Komandës së Përgjithshme caktonte si detyrë kryesore çlirimin e Tiranës me çdo kusht, asgjësimin e forcave armike e mënjanimin e grabitjes e të shkatërrimit të qytetit nga gjermanët. Një grup artilerie gjendej në kodrat rreth Pallatit të Brigadave, një tjetër në Tiranën e Re, shumë mortaja të rënda e të lehta, një repart tankesh, ishin vendosur në kryqëzime të rrugëve. Në urdhrin e Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxha thuhej: “Duhet sulmuar Tirana dhe të merret me çdo kusht”. Mësymja në Tiranë do të bëhej nga dy forca kryesore. Në të parën, do të hynte në mësymje Divizioni I Sulmues, që në përbërje të tij ishin tri Brigada I, IV dhe XXIII, e cila kishte zëvendësuar Brigadën V, që kish shkuar në Kosovë, së bashku me Brigadën e III, për çlirimin e krahinës. Në fazën e dytë do futeshin në luftim dhe Brigadat VIII, X, XXIV.
Komandant i Divizionit ishte Mehmet Shehu, i cili organizoi shtabin operativ dhe drejtoi operacionin për çlirimin e kryeqytetit. Veprimet për çlirimin e Tiranës përbënin një operacion të kombinuar. Në kohën që Divizioni I dhe Brigadat VIII e X do të mësynin brenda në qytet e në periferi të tij, Brigadat II, XX, XV, XVII, XI e XII do t’i jepnin goditje forcave gjermane gjatë rrugëve që nga Qafa e Thanës-Elbasan-Tiranë, Tiranë-Shkodër, Elbasan-Durrës si dhe brenda në qytetet Elbasan, Peqin, Kavajë, Durrës.
Ndërkohë sulmet ajrore britanike mbështeten sulmin tokësore të forcave partizan, duke shkaktuar dëme të mëdha të pozicioneve gjermane në qytet.
 
Përballja e trupave
Mësymja për çlirimin e Tiranës filloi në orën 18.00 të 29 tetorit 1944. Trupat gjermane, që mbanin kryeqytetin shqiptar, i përkisnin Gruparmatës “E”, në të cilin bënte pjesë edhe Korpusi XXI, me qendër në Tiranë. Garnizoni gjerman i Tiranës, i përbërë prej 3000 vetash, kishte detyrë të mbronte qytetin për të siguruar tërheqjen e trupave naziste që vinin nga Greqia e Maqedonia, duke ndjekur rrugët Strugë-Elbasan-Tiranë dhe Durrës-Shkodër. Në Tiranë kishte mbetur edhe një forcë me rreth 500 xhandarë, ballistë e zogistë. Në mësymje hyri Divizioni i I Sulmues, që në përbërje të tij ishin tri Brigada e I, IV dhe XXIII, e cila kishte zëvendësuar Brigadën e V, që kish shkuar në Kosovë. Në kohën që Divizioni i I dhe Brigadat VIII e X sulmoi brenda në qytet e në periferi të tij, Brigadat II, XX, XV, XVII, XI e XII i dhanë goditje forcave të Vermahtit gjatë rrugëve që nga Qafa e Thanës-Elbasan-Tiranë, Tiranë-Shkodër, Elbasan-Durrës si dhe brenda në qytetet Elbasan, Peqin, Kavajë, Durrës. Deri në 10 nëntor u zhvilluan luftime të ashpra rrugë më rrugë e shtëpi më shtëpi, sulme e kundrasulme të shpeshta nga të dy anët. Trupat e partizanëve jo vetëm që mbajtën pozicionet e zëna, por i përmirësuan ato më tej, duke hyrë në brendësi të qytetit. Në mëngjesin e 11 nëntorit mori fund faza e parë e mësymjes. Në fazën e dytë, mësymja u mbështet dhe nga Brigadat VIII, X, XVII, XXIV, kjo e fundit vinte nga Kukësi. Mësymja vendimtare filloi në ora 16.00 të datës 11 nëntor. Më 14 e 15 nëntor forcat e Brigadës I u takuan me ato të Brigadës IV dhe VIII në Rrugën e Kavajës. Mëngjesin e 17 nëntorit përfundoi beteja për çlirimin e Tiranës. Pas 19 ditë luftimesh të pandërprera e të përgjakshme, - ku vetëm në qytet humbën jetën 127 luftëtarë, 94 prej të cilëve ishin të Brigadës I, - kryeqyteti shqiptar u çlirua.

No comments:

Post a Comment