Friday, November 22, 2024

22 Nëntori/ Dita e Alfabetit, germat latine që ndanë shqiptarët nga grekët dhe osmanët



Nga 
Leonard Veizi
 
Për shqiptarët, 22 Nëntori është një ditë jo vetëm feste, por edhe një ditë reflektimi për të nderuar ata që dhanë jetën dhe punën e tyre për Gjuhën Shqipe. E padyshim është një datë e shënuar pasi në një ditë si kjo përkujtohet miratimi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Kongresin e Manastirit, të vitit 1908. Ky akt i rëndësishëm ka shënuar një çast kyç në historinë e kombit shqiptar dhe ka luajtur një rol vendimtar në forcimin e identitetit dhe në ruajtjen e unitetit të gjuhës shqipe. Kjo datë përkujton dhe nderon gjithashtu të gjithë ata që luftuan dhe sakrifikuan për ta ruajtur këtë gjuhë dhe për ta bërë atë një nga simbolet më të forta të identitetit shqiptar.
-Or bir, a ke dëshirë të mësosh të shkruash gjuhën tënë?– pyeste Dhaskal Todri një çoban atje mes malesh. Dhe ai iu përgjigj: - Më pyet në do i verbri sy.
Në një shkrim të tillë, kushtuar Alfabetit dhe vetë Gjuhës Shqipe, më shumë se sa mendimet e thjeshta të një gazetari, do të doja të lançoja disa shprehje personazhesh të zbardhur prej filmave shqiptarë, - si "Udha e Shkronjave", "Kush vdes në këmbë", "Liri a Vdekje" apo "Mësonjëtorja", - gjë që do ta bënte më të gjallë vetë shkrimin.
-Kallaj paske sjellë zoti dhaskal?, - i thotë i zhgënjyer Tunxhi, mësuesit që ia kishte lënë në besë Mito Opingari ta shoqëronte me karvanin e tij të mushkave deri në shtëpi.
-Nuk është kallaj. Janë shkronja plumbi.
-Për këto u mundove zotrote deri në Allemanjë?
-Janë flori e shkuar floririt or Tunxh.
Dhe Tunxhi pavarësisht se ishte tunxh, e mori kthesën dhe e kuptoi se shkronjat ishin shumë të rëndësishme për mbijetesën e një kombi. Dhe ishin më flori se qosqekët e tregtarëve të pasur, sepse me ato shkronja do të shkruheshin edhe fjalët e këngës që ai mërmëriste atje buzë liqenit.
Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, shqiptarët kishin një gjuhë të pasur, por pa një sistem të unifikuar të shkrimit. Përdorimi i shkrimit shqip ishte shpërndarë në disa sisteme të ndryshme alfabetike, duke përfshirë alfabetin arab - për besimtarët myslimanë, -  alfabetin grek, - për shqiptarët ortodoksë - dhe disa sisteme të tjera të krijuara nga intelektualët shqiptarë, si për shembull alfabetet e Stambollit dhe të Bukureshtit.
-Ortodoksët janë grekë, myslimanët turq. Po shqiptarët ku janë? Shqiptarë s'ka. Dhe kur nuk arritët qëllimet tuaja me hanxharë përdorët kryeklerikët që u ngjirën duke lëshuar mallkime kundër gjuhës shqipe. Por nuk na poshtëruar, jo. Na lartësuat. Tani kemi diçka që na nderon më shumë si popull, dëshmorët e gjuhës. Dhe kemi të drejtë të krenohemi... – do t’i kthehej Petro Luarasi, jatroit Janulis që i kish shkuar në shtëpi më shumë se për ta mjekuar prej marrjes së një plumbi të porositur, për ta provokuar.
Dëshmorët e gjuhës shqipe, të cilët kontribuuan për këtë çastin historik të miratimit të alfabetit, janë figura që do të mbeten përjetësisht të paharruar në kujtesën kombëtare. Sepse janë ata që e shndërruan alfabetin shqip në një armë të fuqishme në luftën për liri dhe pavarësi, dhe që e bënë gjuhën shqipe një mjet të bashkimit dhe të zhvillimit të shoqërisë shqiptare.
Përmes përkujtimit të 22 Nëntorit dhe nderimit të kontributit të këtyre atdhetarëve dhe intelektualëve, shqiptarët ruajnë lidhjen e fortë me historinë e tyre dhe me pasurinë më të madhe që kanë – gjuhën e tyre, të cilën duhet ta mbrojnë dhe ta pasurojnë për brezat që do të vijnë.
Kongresi i Manastirit, i zhvilluar në qytetin e Manastirit - sot në Maqedoninë e Veriut - më 14-22 Nëntor 1908, ishte një ngjarje historike që konsolidoi përpjekjet e shqiptarëve për të ruajtur gjuhën e tyre. Gjatë këtij kongresi, u miratua alfabeti i unifikuar i gjuhës shqipe, që përdor alfabetin latin me 36 shkronja. Ky alfabet u pranua pas një diskutimi të gjatë dhe pas disa provash të mëparshme me sisteme të ndryshme shkrimi. Marrja e këtij vendimi ishte një hap i rëndësishëm për zhvillimin e kulturës dhe arsimit shqiptar, por gjithashtu një hap i madh në luftën për mbijetesë dhe identitet kombëtar.
-Si mësues më intereson çdo libër në çdo gjuhë që të më vijë, aq më tepër që qe në gjuhën tonë. Aq më gëzoi kur ma dhanë një libër shqip sikur më falën një çiflig. Çfarë çifligu, botën tërë. Doja t'u tregoja njerëzve more, gjithë shqiptarëve, se shkruhet edhe gjuha jonë, – do të shprehej Petro Nini Luarasi në gjyqin që do t'i bëhej nga autoritetet osmane të cilët e cilësonin veprimtari subversive mësimin dhe shpërndarjen e librave në gjuhën shqipe.
Në Kongres morën pjesë rreth 40 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare: nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, dhe nga diasporat shqiptare, si në Turqi, Itali e kudo tjetër. Këta delegatë përfaqësonin shtresa të ndryshme të shoqërisë shqiptare, intelektualë, mësues, atdhetarë dhe figura të tjera të rëndësishme të kohës.
-Këto janë ato shkronja që duan t'i shuajnë dhe nuk i shuajnë dot armiqtë e vatanit tonë. Për këtë na ndjekin e na shkretojnë, - do t'i thoshte Stefan Bardhi “koskës” që klerikët e kishës ortodokse me ndikimin grek e kishin infiltruar me qëllim që ai të vriste një nga idhtarët e gjuhës shqipe.
Një nga qëllimet kryesore të Kongresit të Manastirit ishte zgjidhja e problemit: të krijohej një alfabet i përbashkët që do të mundësonte shkrimin dhe leximin e gjuhës shqipe nga të gjithë shqiptarët, pa marrë parasysh fenë apo vendndodhjen e tyre.
-Neve nuk trembemi të duam ABC-në tonë. Një komb rron edhe zhvillohet në sajë të gjuhës së vet. Ndryshe në gjuhë të botës ai tretet, - u thosh nxënësve të tij të paktë xha Hyseni, që u mësonte shkrim e këndim në fshehtësi, sepse kur u kap nga patrulla turke me libra shqip, Latif efendiu si komandant ushtarak do ta kërcënonte: - Hysen efendi, Hyqymeti të ka zënë në faj. Do piqemi.
Në ditët e Kongresit të Manastirit, pas një debati të gjatë dhe të ndarë, u vendos që të përdorej alfabeti latin për gjuhën shqipe. Dhe kishte disa arsye pse u ra dakord të përdorej ai: Alfabeti latin ishte shumë më i thjeshtë dhe më i përshtatshëm për shqiptimin dhe shkrimin e gjuhës shqipe. Alfabeti latin ishte ai që përdorej në shumicën e vendeve të Evropës, dhe për këtë arsye, do të mund të ndihmonte në lidhjen e kulturës shqiptare me atë perëndimore. Përdorimi i alfabetit latin kishte gjithashtu një rëndësi simbolike. Ai do të ishte një hap i rëndësishëm në forcimin e identitetit kombëtar shqiptar dhe do të ishte një mjet që do të bashkonte shqiptarët e shpërndarë në treva të ndryshme, duke i bërë ata të ndiheshin më të lidhur dhe më të fuqishëm si një komb i vetëm.
Dhe do ta mbyll këtë shkrim me fjalët e Stefan Bardhit para një grumbulli njerëzish që po e përpinin me sy se çfarë do të thoshte në përballje me Dhespotin e kishës:
-E ngrata Shqipëri, na thirri dhe ne iu përgjigjëm, sepse luftojmë për këtë truall. Kurse hasmi nuk na le të mësojmë as gjuhën tënë. Por ne gjuha e mëmës na ka mbajtur gjallë deri tani. Prandaj vëllezër po hapim shkollat tona. Më të shenjtëruarin dhe më të lartë kemi qëllim Shqipërinë. Asnjë mallkim nuk e zë atë që punon për mëmëdhëun.

No comments:

Post a Comment