Tuesday, November 19, 2024

O Zot na mbro fëmijët, se ne nuk dimë t’i edukojmë!


Nga 
Leonard Veizi
 
Ti ngrihesh në mëngjes me idenë e një dite të bukur e me diell dhe mendon se fati është me ty. E nis fëmijën tënd në shkollë. I ke përgatitur dhe pak ushqim për në pushimin e madh dhe i ke mbushur një bidon me ujë. Dhe si ka futur në çantë librat dhe fletoret e ditës, Ti ndahesh me të duke i dhënë porositë e zakonshme e për t’i thënë së fundi: Mirë ardhsh! Ai ikën me përqafimin e njërit prej prindërve por jo të tjetrit, i cili është larguar më herët për në punë. Dhe ti nuk e di nëse ai do të kthehet përsëri apo jo. Ndaj rri duke e përshëndetur me dorë aty tek pragu i derës.
Pse jo? Ç'është ky dyshim idiot? Në fund të fundit ai është një fëmijë. Nuk është pjesë e forcave komando dhe as e marinës që rrezikojnë jetën në frontet e luftës. Nuk ka shkuar as në emigracion dhe nuk dihet se çfarë e pret... Ai thjesht ka shkuar në shkollë, mes shokësh e mësuesish. Të mësojë ca e ca më shumë të bëjë gallatë. Sepse është vetë mosha e tillë.
Por ai nuk kthehet vërtet. Dhe ti e ndjen se diçka nuk shkon. Sepse për së largu e në mënyrë krejt telepatike, ke marrë në vijë ajrore thirrjen e tij për ndihmë: O nëna ime...
Vetëm pak më vonë merr një lajm të errët, të kobshëm, që të ther tej e tej po aq sa bajoneta e cila shpoi zemrën e djalit. Bota përmbyset para syve... Bota nuk ka më ngjyra... Nuk ka më kuptim. Ajo është krejt armiqësore.
Një 14 vjeçar u vra mizorisht nga një bashkëmoshatar i tij. Në mes të Tiranës. Njëqind metra nga Prokuroria e Përgjithshme. Por ky lokacion nuk ka kurrfarë vlere. Edhe rajoni i policisë po të ishte aty krimi do të ndodhte.
Nuk dua të bëj me faj askënd, sepse çdo nxënës mund të futet me armë të ftohtë në shkollë. Madje dhe me armë zjarri. Veç nëse në hyrjen e shkollës vendosen detektorë dhe bëhet një kontroll i imët po aq sa në aeroporte. Pastaj të fillojë mësimi. Ndaj kanë ndodhur masakra të herë pas hershme në Shtetet e Bashkuara, ku idiotër të lindur apo të bërë rrugës marrin një shotgan dhe qëllojnë kë t'u dalë përpara.
Edhe në Shqipëri kanë ndodhur raste të sherreve mes adoleshentëve që kanë përfunduar me plagosje por dhe me vdekje.
Këtë nuk e shmang dot policia.
Këtë e minimizon vetëm edukimi në familje dhe në shkollë. Hallka që duhet të jenë fort të lidhura me njëra-tjetrën.
Ndaj mbi të gjitha dua të bëj me faj familjen, institucionin e saj, edukimin e munguar ndaj fëmijët që si cuba armatosen me thika e vrasin shokët e tyre për një fjalë goje. Fryma në familje për t'i thënë si: Çfarë je ti, leckë të të përdorin? Dhe sedra që në këtë botë të sundimit mashkullor, duhet të jesh maço e luan, se ndryshe të veshin fustan. Prandaj fëmijët po na mbajnë dhe nga një thikë me vete. Për të treguar se janë burra e se frymën e familjes, edukimin e saj e përcjellin drejt e në terren. Se për çfarë mund të zihen dy 14 vjeçarë? Nuk besoj se beson njeri që sherri nisi për ndarje territoresh e influencash. Por thjesht për teka fëmijësh.
Familja është institucion i parë ku fëmijët marrin modelet e tyre të sjelljes. Nëse një fëmijë rritet në një mjedis ku dhuna tolerohet, ku nuk ka dialog, ku ndjenjat e zemërimit nuk kanalizohen si duhet, është e pashmangshme që ai të pasqyrojë këto modele në botën e jashtme. Për fat të keq, disa prindër fokusohen më shumë në sigurimin e mirëqenies materiale dhe më pak në edukimin emocional e moral të fëmijës. Por a mund të konsiderohet një shtëpi "e pasur" nëse është e varfër në dashuri, komunikim dhe vlera?
Shkolla mund të bëjë shumë për të ndihmuar, por nuk mund të zëvendësojë rolin e familjes. Mësuesit nuk janë të pajisur për të qenë edhe edukatorë emocionalë, psikologë dhe autoritete disiplinore në të njëjtën kohë. Kur fëmijët vijnë nga shtëpia me mungesë vëmendjeje dhe dashurie, është sfiduese për shkollën të ndërhyjë në mënyrë efektive.
Por duket se në këtë rast kemi dështuar me të dyja. Ndaj dhe përditë dëgjojmë për vrasje. Vrasje mes bandash, larje hesapesh, krim në familje...
Një faktor tjetër që kontribuon në rritjen e dhunës mes të rinjve është ndikimi i teknologjisë dhe rrjeteve sociale. Kur fëmijët janë lënë "të edukohen" nga videot agresive, filmat e dhunshëm dhe sfidat virale, ata e shohin dhunën si mjet për të fituar respekt apo për të zgjidhur konfliktet. Në mungesë të një udhëzimi nga prindërit, këto modele kthehen në mënyrë jetese.
Ngjarje të dhimbshme si përplasja mes dy 14-vjeçarëve, që përfundojnë në dhunë ekstreme, janë një thirrje alarmante për shoqërinë dhe, mbi të gjitha, për familjen. Në këtë moshë, kur fëmijët duhet të ëndërrojnë për të ardhmen, për të zbuluar pasionet dhe aftësitë e tyre, ata përfshihen në akte dhune që i japin fund jo vetëm jetës, por edhe ëndrrave dhe shpresave.
Një sherr banal, qoftë dhe për një vajzë që u buzëqesh të dyve njëkohësisht, kthehet në tragjedi. Mund të ishte mjaftuar vetëm më ca grushte e ndonjë nxirrje syri. Dhe kaq. Por jo, tjetri vjen i përgatitur për hakmarrje të thellë. Për marrjen e jetës së rivalit. Sepse për djall mendon se pas kësaj do të jetojë i lumtur në jetë të jetëve. Dhe nuk e di se pikërkisht ai çast i pamenduar, apo i menduar keq, do t’i mbeten si një shkëmb i rëndë mbi shpinë përgjatë pjesës tjetër të jetës. Dhe ai duhet të jetojë me këtë peshë çdo ditë. Sepse natyrisht është 14 vjeç, dhe sipas parimit normal e pa devijanca rrugës, ka ende shumë për të jetuar.
Kjo tragjedi duhet të na bëjë të reflektojmë për nevojën urgjente të një rishikimi të vlerave që transmetojmë te fëmijët tanë. Prindërit duhet të kuptojnë se nuk është vetëm detyrë e shtetit apo e shkollës të edukojë fëmijën. Edukimi nis në shtëpi, në mënyrën se si e trajtojnë ata njëri-tjetrin, në mënyrën si i zgjidhin konfliktet dhe si e modelojnë respektin për jetën.
Në vend që të hedhim fajin nga njëri tek tjetri, le të pyesim veten: Çfarë po bëjmë për të ndërtuar një brez më të mirë? Edukimi nuk është vetëm mësim për notat e larta në shkollë; është mbi të gjitha mësim për vlerën e jetës, respektin ndaj tjetrit dhe aftësinë për të menaxhuar emocionet.
Nëse duam të shmangim tragjedi të tilla në të ardhmen, është koha të ngremë familje që prodhojnë njerëz të përgjegjshëm, jo "monstra". Dhe kjo është një betejë që fillon me secilin prej nesh.
Në institucionin arsimor ku 14 vjeçarët frekuentonin mësimin, ka veç heshtje. Fotografitë e një fëmije dhe dhjetëra qirinj të ndezur në kujtim të tij. Dhe njollat e gjakut aty-këtu nëpër rrugë. Njolla të cilat do t'i lajë veç shiu, se nuk do të ketë guximin t'i fshijë dikush. Ato janë gjurma shokuese që na ndërgjegjësojnë të gjithëve: Pse kështu?
Por duket se njerëzit në përgjithësi dhe për më tepër fëmijë e adoleshentë të pandërgjegjësuar, nuk e njohin mirë konceptin e vdekjes. Duket sikur ai që vdes e ka një mundësi për t'u ngjallur përsëri. Ndaj dhe vrasësi gjakftohtë, me moshë vetëm 14 vjeç, poston në rrjetet sociale trimërisht foton e tij pas aksionit ku duket sikur thotë: E pe si të vrava, mbylle gojën pra!
Por tjetri nuk ngrihet më. Sepse e ka mbyllur llogarinë me botën e të gjallëve. Dhe pas ka lënë tmerrin e gjakut qe i derdhej nga trupi.

No comments:

Post a Comment