Nga Leonard Veizi
Pakkush
e njeh ndjenjën e ankthit që të shkakton një person që të ndjek hap pas hapi, e
për më tepër kur ti kupton se si jo vetëm të ndjek, por kërkon dhe zhdukjen
tënde nga bota e të gjallëve. Pa asnjë armiqësi konkrete, por thjesht mbi një
xhelozi të çastit. Dhe në fakt ai që inicion përndjekjen është “askushi”. Sepse
nuk ka as trup, as fytyrë, as emër...por vetem një timon makine që e drejton me
arogancë psikopatike. Ndjenja rritet edhe më shumë kur ti je në një makinë të
vogël dhe pas teje me një shpejtësi skëterre të është vënë pas një kamion i
madh i cili nuk e ka problem të të nxjerrë nga rruga dhe të të gremisi në një
humnerë të thellë nga ku edhe nëse shpëton gjallë, nuk ka shanse të dalësh prej
saj ashtu i plagosur e i gjymtuar. Megjithatë nuk ndodh kështu. Sepse madhësia
dhe fuqia është njëra anë, por inteligjenca është në anën tjetër të medaljes.
Dhe fundi i humnerës pret gjithmonë atë që është më pak inteligjent...
...“Duel”
është një film televiziv amerikan aksion-triller i vitit 1971. Ai është
gjithashtu një nga filmat e hershëm të Stiven Spielberg, një film
magjepsës që ndryshoi karrierën e regjisorit përgjithmonë. Filmi, si një
thriller psikologjik i tensionuar, përqendrohet në betejën për mbijetesë të një
drejtuesi automjeti, i cili përballet me vdekjen e afërt pasi ndiqet nga një
kamion 40 tonësh në një rrugë të largët shkretëtire. Është një
përndjekje intensive në rrugë midis një kamioni të frikshëm dhe një makine të
vogël të kuqe. Kamioni ndjek makinën me këmbëngulje, por në fund, shoferi i
makinës së kuqe arrin të triumfojë duke përdorur zgjuarsi për të shpëtuar. Ky
film është shumë i njohur për atmosferën e tij tensionuese.
Skenari
Riçard
Matheson përshtati si skenar tregimin e tij i shkurtër me të njëjtin titull, i
cili fillimisht u botua në numrin e marsit 1971 të revistës
“Playboy”. Historia e Matheson bazohej në një incident gjatë udhëtimit në
shtëpi nga një ndeshje golfi me një mik, në të njëjtën ditë me vrasjen e Xhon
Kenedit: 22 nëntor 1963. Ai u përndoq nga një kamionist dhe e shkroi idenë
menjëherë pas kësaj ndodhie.
Që
në krye të herës skenaristi bëri të qartë se shoferi i kamionit do të ishte i
padukshëm përveç krahëve dhe çizmeve të tij që ishin të nevojshme.
Në
një film dokumentar, Spielberg vëren se frika nga e panjohura është ndoshta
frika më e madhe nga të gjitha, dhe “Duel” luan shumë me këtë frikë; efekti i
të mos parës së shoferit e bën antagonistin e vërtetë të filmit vetë kamionin.
Analiza
Filmi
“Duel” mund të shihet përmes një lente psikoanalitike si një përplasje midis
nënvetëdijes së individit dhe frikës së tij më të thella. Në nivel simbolik,
historia mund të interpretohet si një përballje mes ndjenjave të pafuqisë,
ankthit ekzistencial dhe dëshirës për mbijetesë në një botë që shpesh duket
armiqësore dhe jashtë kontrollit.
Kamioni,
i drejtuar nga një shofer që nuk shihet kurrë, mund të përfaqësojë
"hijen" – konceptin e Karl Jung-ut për pjesën e nënvetëdijes ku ruhen
dëshirat e errëta dhe aspektet që individi dëshiron të fshehë nga vetja dhe të
tjerët. Hijet e personazhit kryesor shfaqen përmes frikës dhe paranojës që e
përndjekin, ndërsa ai përpiqet të largohet nga një forcë anonime, por e
pandalshme. Kamioni është si një lloj përbindëshi që përfaqëson frikën
irracionale dhe të pandërgjegjshme.
Në
psikoanalizën frodiane, ndjekja e pamëshirshme dhe sulmi ndaj protagonistit
mund të përfaqësojnë ankthin e kastrimit – frikën për humbjen e kontrollit dhe
nënshtrimin ndaj një fuqie më të madhe. Shoferi i makinës së vogël, përballë
një kamioni masiv dhe të fuqishëm, përballet me ndjenjat e pafuqisë dhe ankthin
për t'u shtypur apo asgjësuar. Kjo përplasje midis individit dhe një
"makinerie" të madhe dhe të fuqishme mund të përfaqësojë gjithashtu
frikën nga dështimi dhe humbjen e integritetit të tij si individ.
Gjithashtu,
“Duel” mund të shihet si një përballje midis instinktit të mbijetesës dhe
përballjes me vdekjen. Ndërsa kamioni ndjek makinën pa mëshirë, protagonisti
përballet me ndjenjat e tij të ankthit dhe dëshirën për të mbijetuar. Përballja
finale përfaqëson triumfin e jetës mbi frikën e vdekjes, ndërsa protagonisti
përballet me rreziqet dhe frikën e tij dhe e shkatërron kamionin në fund, duke
çliruar veten.
Shoferi,
i cili përfaqëson individin modern, përballet me një situatë që i del jashtë
kontrollit, duke përjetuar një lloj ankthi ekzistencial. Kamioni anonim e vë
atë në një rol të pafuqishëm, duke nxjerrë në pah sfidën për të ruajtur
kontrollin në një botë ku fuqitë e mëdha, shpesh të panjohura dhe anonime, e
rrethojnë individin dhe e vendosin përballë një presioni të vazhdueshëm.
Në
përfundim, “Duel” mund të shihet si një alegori e njeriut modern që lufton për
të ruajtur identitetin dhe ndjenjën e kontrollit përballë fuqive të jashtme dhe
të nënvetëdijes. Me triumfin final mbi kamionin, personazhi arrin një fitore të
përkohshme, duke na kujtuar përpjekjet e përditshme për të përballuar forcat e
brendshme dhe të jashtme që mund të kërcënojnë stabilitetin dhe kontrollin
tonë.
Ngjarja
Filmi
“Duel” përqendrohet tek një burrë i quajtur Deivid Man - i cili interpretohet
nga Denis Uiver - një shitës i moshës së mesme nga Los Anxhelosi, i
cili drejton makinën e tij - një sedan “Plymouth Valiant” - nëpër Kaliforni
rurale në shkretëtirën Mojave, për të takuar një klient. Ndërsa udhëtonte
Deivid Man kalon përpara një kamioni cisternë të ngadaltë dhe të vjetër
të
ndryshkur të rrënuar tip “Peterbilt 281”. Shoferi psikotik i kamionit ndihet i
ofenduar dhe ndjek Deividin përgjatë autostradës së zbrazët duke u përpjekur ta
vrasë.
Shoferi
i kamionit padyshim shihet si dikush me vetëvlerësim të ulët, duke gjykuar nga
gjendja e kamionit të tij.
Deivid
Man jeton një jetë relativisht të zakonshme, ai është i ngujuar në jetën e
zakonshme të punëtorit të klasës së mesme. Ai shfaqet si dikush që pëlqen të
qëndrojë në zonën e tij të rehatisë, por ai ende nuk është plotësisht
jokonfrontues.
Deivid
Man ndihet i dobët në jetën e tij, veçanërisht pas një sherri me gruan. Ndërsa
udhëtonte për në një takim biznesi përgjatë një autostrade relativisht të
izoluar me dy korsi në shkretëtirën e Kalifornisë, Deivid, kalon një kamion
çisternë me karburant me tetëmbëdhjetë rrota. Më vonë, kamioni e has përsëri,
duke i zënë rrugën sa majtas djathtas për të mos e lënë të parakalonte. Deivid
fillimisht mendoi se shoferi i kamionit ishte thjesht një shofer i keq. Pastaj,
ai besoi se shoferi i kamionit ishte një idiot. Më në fund, Deivid kupton se
shoferi i kamionit kërkonte ta terrorizonte dhe ta vriste në rrugë. Shoferi
keqdashës nuk shihet kurrë, duke krijuar përshtypjen se është vetë kamioni ai
që është agresori.
Në
të gjithë filmin Deivid Man paraqitet kryesisht si thjesht që dëshiron të dalë
nga situata, por nga reagimi i tij në fund duhet të ketë pasur një dëshirë
thellë për të mposhtur kamionin, për të fituar duelin.
Epilogu
Prodhuar
nga “Universal Televizion”, “Duel” u transmetua fillimisht si pjesë e serisë
“ABC Movie of the Week” më 13 nëntor 1971. Më vonë mori një publikim
ndërkombëtar nga “Universal Pictures” në një version të zgjeruar me skena të
xhiruara pas transmetimit origjinal televiziv të filmit. Filmi mori vlerësime
përgjithësisht pozitive nga kritikët.
Filmi
i plotë u shfaq në Evropë dhe Australi dhe pati një dalje të kufizuar në
Shtetet e Bashkuara. Suksesi i “Duel”-it i mundësoi Spielbergut të njihej si
regjisor filmi.
Që
atëherë “Duel” është njohur si një klasik kulti me ndikim dhe një nga filmat më
të mëdhenj të realizuar ndonjëherë për televizion.
No comments:
Post a Comment