Leonard Veizi
Dikur
në Shqipëri, fizkultura e mëngjesit përçmohej, se 30 minuta para se të fillonte
orari zyrtar i punës apo mësimit duhet të ishe i rreshtuar para godinës së
administratës, dhe nga një qendër zëri e sofistikuar apo ndonjë portavoç i
sajuar do të merrje komandat.
-Krahët
para, lart, anash...
Fizkultura
e mëngjesit ka një histori të veçantë në Shqipëri. Gjatë periudhës së regjimit
komunist, fizkultura e mëngjesit u imponua si një praktikë e përditshme,
sidomos në institucionet arsimore dhe punëtoritë, për të ruajtur shëndetin dhe
disiplinën e trupit. Kjo ide u importua kryesisht nga modeli i Kinës dhe
Bashkimit Sovjetik, të cilat promovonin përfitimet e aktivitetit fizik për
masat si një mjet për të rritur produktivitetin dhe për të ndihmuar shëndetin
kolektiv.
Megjithatë,
për shumë njerëz, ky ritual u perceptua me skepticizëm dhe shpesh u cilësua si
një praktikë e detyruar, pa marrë parasysh dëshirën personale. Për më tepër,
lidhja e ngushtë me regjimet komuniste bëri që fizkultura e mëngjesit të shihej
si një mbetje ideologjike nga periudha e kaluar.
Le
të tjerat, por që në orën 6.00 të mëngjesit Radio Tirana i fillonte programet
me 15 minuta fizkulturë. Kulmi.
Mësimi
gjende mirë se fillonte në orën 08.00, por puna në ara, fabrika, kantiere
fillonte një orë më parë, në 07.00. Pra duhet të ishe me këmbët lart e krahët
poshtë që në 06.30 minuta. Kjo do të thoshte se do ngriheshe pa lindur dielli,
e do merrje me vrap autobusin fizarmonikë të kombinatit, e do paraqiteshe në
ekip që të filloje me ushtrimet bazë. Dhe jo
vetëm të dilte gjumi, po bëheshe gjeth për të bërë një normë e gjysmë,
në të mirë të ndërtimit socialist të vendit.
Megjithatë,
të gjithë kërkonin t'ia hidhnin fizkulturës e gjenin gjithfarë justifikimesh.
Edhe raporte mjekësore, kush kishte ndonjë mik të fortë. Jo reumatizma, jo
nervi shiatik, derisa kjo punë degjeneroi e përfundimisht iu faturua vetëm
shkollarëve.
-Një,
dy, tre katër...
-Bo
bo, mami, Petriti dërgoi Sajmirin të më marrë, - i thosh Iliri të ëmës, tek
filmi “Guximtarët”, se nuk ishte nga ata që e kishte fort qejf fizkulturën e
mëngjesit edhe pse i dhimbsej vetja kur mbeste hipur mbi kaluç si mbi samarin e
gomarit.
-Aha,
edhe sot i sëmurë qenka, - i thotë Sajmiri kur shikon Ilirin me një pecetë të
shtrënguar mbi kokë. - Të dhemb koka Ilir? Shumë? S’ka gjë. Sa të mbarojmë ne
gjimnastikën do të pushojë.
Dhe
Iliri i binte kokës me grushte kur në notat e dëftesës së fundvitit, lënda e
fizkulturës i prishte mesataren që në lëndët e tjera i kishte 10 si rruazë.
Kohët
kaluan, regjimi na e mori të keqen bashkë me mallin kinez.
Mirëpo
thuhet se kur pështyn lart prite së do të të bjerë në surrat. Kinezët u shfaqën
përsëri në rrugët e Tiranës më shumë se sa në vitet ‘70 kur sheshi
"Skënderbej" mbushej me kinezë të veshur me uniforma doku, që ishin
specialistë, të cilët na ndihmonim të montonim uzinat e hidrocentralet.
Si
kaluan dhe ca kohë e nisi dembelosja në zyrat e shtetit, u pa si domosdoshmëri
fizkultura e mëngjesit.
E
si vajti kjo punë, u kthyen gjërat prapç në vend që të ecin parç.
Sot
fizkultura e mëngjesit jo vetëm po kërkohet, por shqiptarët e dhjamosur nga të
ngrënët, sa s’po marrin dot frymë, po paguajnë para për palestra. Se duan të
bëhen fila, si top-modela. Edhe kryeministri na bën të njohura video me “qendra
pune” që bëjnë fizkulturë mëngjesi në brigjet e detit.
Ironikisht,
në ditët e sotme, ndërgjegjësimi për shëndetin fizik dhe mental është rritur
ndjeshëm në mbarë botën. Tani, kur shumica e njerëzve përballen me një jetë
sedentare nëpër zyra dhe kërkojnë mënyra për të mbajtur trupin dhe mendjen e
freskët, fizkultura e mëngjesit shihet si një praktikë me shumë vlerë. Pra, një
zakon që dikur mund të jetë parë si imponim, sot shihet si domosdoshmëri për
mirëqenien e individit. Ky rikthim i vëmendjes ndaj fizkulturës së mëngjesit na
kujton se disa zakone, pavarësisht prejardhjes, mund të sjellin përfitime të
qëndrueshme nëse i qasemi me një mendje të hapur dhe dëshirën për përmirësim të
cilësisë së jetës.
Në
jetën e përditshme moderne, shumica e profesionistëve përballen me sfidën e
punës në mjedise zyre, ku kalojnë pjesën më të madhe të kohës ulur para
kompjuterit. Kjo mënyrë jetese, ndonëse praktike për qëllimet profesionale,
sjell një sërë sfidash për shëndetin fizik dhe mendor. Por, një mënyrë e
thjeshtë dhe efektive për të parandaluar pasojat negative është fizkultura e
mëngjesit, një praktikë që ofron përfitime të shumta për ata që kalojnë gjithë
ditën ulur.
Po
pse fizkultura e mëngjesit është e nevojshme?
Si
të ta them: edhe kur del me diabet gjëja e parë që mjeku të thotë është të bësh
nja 15 minuta ushtrime në ditë. Të tresësh sheqerin demek.
Ekspertët
e fushës thonë se ajo ndikon në përmirësimin e qarkullimit të gjakut. Ushtrimet
e lehta të mëngjesit ndihmojnë në stimulimin e qarkullimit të gjakut në të
gjithë trupin. Kur jemi ulur për periudha të gjata, qarkullimi i gjakut
ngadalësohet dhe krijohen kushte për problemet me venat dhe varikozitetin.
Aktiviteti fizik në mëngjes është i rëndësishëm për të përgatitur trupin për
një ditë të gjatë të kaluar ulur.
Nuk
është e nevojshme që fizkultura e mëngjesit të zgjasë shumë ose të jetë shumë
intensive. Ajo mund të jetë një nga praktikat më të thjeshta, por njëkohësisht më
të dobishmet për të përmirësuar cilësinë e jetës së atyre që kalojnë gjithë
ditën në zyrë. Një fillim i ditës me aktivitet fizik jo vetëm që ndihmon në
shëndetin fizik dhe mendor, por gjithashtu rrit produktivitetin dhe
përqendrimin për një ditë më të suksesshme pune.
Problemi
është se asnjëri prej nesh nuk e do fizkulturën e mëngjesit për të mbajtur
trupin në formë. Por çuditërisht jemi të gatshëm të paguajmë palestrat. Veshim
tuta dhe streçe, e mender jush, shkojmë të palestrohemi. Por përsëri ata që janë
si Iliri, nuk e kalojnë dot kaluçin, por mbeten në majë të tij si mbi majën e
samarit të gomarit. Dhe si gjithmonë dikush e ka fajin edhe për këtë. Ndaj
kthehen nga e kundërta dhe ia plasin: -Të dhjefsha fizkulturën e mëngjesit!
No comments:
Post a Comment