Saturday, November 30, 2024

“Nëntori i Dytë”, filmi që u kujton shqiptarëve represionin e turqve, serbëve e grekëve



Nga Leonard Veizi
 
Vite më pas ai u kundërshtua si një film që nuk përkon me realitetin. Ndërsa në të vërtetë filmi “Nëntori i dytë” mbetet filmi më ikonik i prodhuar nga Kinostudio Shqipëria e Re...
 
..."Nëntori i Dytë" me regji të Viktor Gjikës është një nga veprat më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare, dhe për shqiptarët përfaqëson një simbol të fuqishëm të luftës për pavarësi, sakrificës dhe atdhedashurisë. Realizuar në vitin 1982, filmi trajton një çast historik kyç – shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 – dhe ofron një përfytyrim artistik të përpjekjeve të shqiptarëve për liri në një kohë të vështirë.
Filmi i sjell shikuesit në një atmosferë historike të tensionuar dhe emocionuese, duke pasqyruar përpjekjet e shqiptarëve për të ruajtur identitetin e tyre kombëtar dhe për të krijuar një shtet të pavarur. Përmes personazhit të Ismail Qemalit dhe ngjarjeve që çojnë në ngritjen e flamurit, filmi mishëron krenarinë dhe idealet kombëtare.
Si një vepër artistike, filmi shërben si një kujtesë vizuale për brezat e rinj mbi rëndësinë e ngjarjeve të vitit 1912 dhe rolin e figurave historike në krijimin e shtetit shqiptar.
Përmes rrëfimit të tij, filmi thekson sakrificat e shqiptarëve nga të gjitha trevat për t’i bërë ballë pushtuesve dhe për të arritur qëllimin e përbashkët. Kjo i jep filmit një vlerë të veçantë për publikun shqiptar, duke theksuar rëndësinë e bashkimit kombëtar.
Kritika është shprehur se filmi dallohet për qasjen e tij realiste dhe simbolike, duke përdorur mjetet e kinematografisë për të pasqyruar tensionin, heroizmin dhe shpirtin e epokës. Interpretimet e fuqishme të aktorëve dhe regjisura e Gjikës e kanë kthyer këtë film në një klasik.
 
Sekuenca
“Nëntori i Dytë” veç regjisë së Viktor Gjikës është mbështetur mbi skenarin e Dhimitër Shuteriqit dhe Kiço Blushit. Ndërsa kasti i aktorëve do të udhëhiqej nga Sandër Prosi që interpreton rolin e Ismail Qemalit:
-Fatet e kombeve të vegjël dalin nga dyert e tragjedive të mëdha
Bujar Lako do të interpretonte rolin e Luigj Gurakuqit:
-Më habit qëndrimi i Francës, Si mund të sillet kaq indiferent ndaj lirisë së një populli. Vendi që ka hartuar kartën e të drejtave të njeriut
Demir Hyskja do të interpretonte Mytesarifin e Durrësit.
-Nuk më takon mua t’i kujtoj një diplomati si shkëlqesia juaj që e keqja Shqipërisë nuk i vjen nga Turqia. Pastaj 500 vjet vllazërim nuk bëhen dot hasha me një ditë. Fati i Shqipërisë është i lidhur përjetësisht me atë të Turqisë. Ne jemi si vëllezërit siamezë, kur sëmuret njëri teshtin tjetri. Nejse çu bë nuk zhbëhet dot. Flamuri në Durrës nuk do të ngrihet kjo është e prerë dhe ne nuk do të bëjmë asnjë lëshim.
Gjenerali turk do të interpretohej nga Sulejman Dibra.
-Ne nuk mund të prishnim perandorinë për të rregulluar Shqipërinë.
Vangjel Heba do të futej nën rasën e Dhespot Jakovit.
-Qëndroni disa ditë në Durrës shkëlqesi, do tu vijë më mbarë. Konsulli grek më tha se në Athinë nuk e kanë harruar vizitën tuaj, as bisedimet me mbretin Jorgo.
Viktor Zhusti, si Pandeli Tole
-të krishterët e Shqipërisë janë për Shqipërinë qirje Fotaqis. Në qoftë se ju kujtohet ishin të krishterët korçarë që vranë dhespot Fotin se desh të na përçante.
Mario Ashiku që do të interpretonte Shpend Dragobinë,
-Fol, gjëmat janë për burrat, piskamat për gratë.
Luan Qerimi do të interpretonte Sali Drenicën.
-Po e len Kosovën në Dorë të hasmit o Is... Çka i duhen resmet Idriz Seferit. Turqit e njohin dhe pa to. Po e kan pa mirë në mejdan të luftës.
Reshat Arbana do të interpretonte Isa Boletinin
-Ne po shkkojmë në Vlonë të sigurojmë tan Shqipnin Sali Drenivva
Gyljem Radoja do të luante Lym Kepin ndërsa Harjie Rondo do të ishte gruaja e Lym Kepit.
-A s’po më njihni oj gra, jam Lym Kepi.
-Djali të është bërë burrë. Te burimi nuk të njoha fare, ishte veshur allafrënga.
Ilia Shyti do të ishte Mullai i Beratit.
-Vatani beu i madh që u bëfsh Pasha. Mëmëdheu si i thonë sot. Erdha të piqem me ty e të llafosem për sëkëlldinë e madhe që ka zënë vatanë. E kam fjalën për serbët që kanë zënë mbrëmë Elbasanin e për malazezët që rrëzuan Shkodrën. Ktheu te në në Berat e Siguro kokën. Pastam ndaç merr Evropën ndaç ktheu në Stamboll se sulltan hazërtleri nuk do të të bëjë harram
Pandi Raidhi do luante Demir Arbanën.
-Në këtë arkë kemi mbledhur ndihmat që ka dhënë populli i Durrësit, i Tiranës si Kavajës dhe i Krujës për qeverinë e re. Këtu brenda keni dhe një listë me emrat e njerëzve. Pak janë po sa pa gjë...
Piro Malaveci si Hasan Prishtina
-Ora e Shqipnis po bie. Në Komitetin e Shppëtimit Kombëtar ishim marrë vesh që së bashku të zgjidhnin qytetin më të përshtatshëm për ngritjen e flamurit. Tash që veriu i Shqipnin rrezikohet nga ushtritë serbe dhe malazeze duhet që ky qytet të jetë sa më larg. Ismail Qemali na porosit që të nisim delegatët për në Durrës. Mendojmë të çojmë nga tanë krahinat e Kosovës Isa Boletinin me trimat e vet. Ata do të jenë në mbrojtje të shtetit shqiptar.
Vasjan Lami do të mbante uniformën e një oficeri serb.
-Ka kaq kohë që fjala Shqipëri po na shurdhon veshët. Duhet të marrë fund ky nocion që i ka rrënjët në djepet e tyre
Spiro Urumi do të interpretonte Xhaferr Bej Kadenën që i kish zënë rrugën Ismail Beut
-Më thonë Xhaferr Bej Kadenën, i kërkojë ndjesë Ismail Beut por nuk dua të ndez sherr me turqit. Përmes çifligut tim nuk do të kaloni. Shqipërinë nën Turqinë e kemi. Ne këtej njohim sulltanin. Ai akoma është qeveri.
Robert Ndrenika do të interpretonte karrocierin qiraxhi Hakiun.
-Or zotni e sheh që jemi gjithë këta burra këtu dhe hesapi mund të dali shtrenjtë.... Ti po pate më jep një kobure se gjithë këta dreqën të verdh e të zinj që vijën këtu në mes të natës e i prishin gjumin Ismail Qemalit nuk sillen për të mirë.
Rozalinda Bendo do të ishte Marigoja
-Buka e Shqipërisë dhe kripa jonë Zoti ynë. Tu bëftë dita njëmijë, Peshqeshi i vajzave të Vlorës sonë.
Petrit Malaj do të luante Adem Boletinin, Ali Bega si përfaqësuesi i dhespot Jakovit, Sulejman Kokomani si Nuri Efendiu, Agim Shuka si Jani Vruho, Vangjel Grabocka si Gjyshi, Fatos Sela si bimbashi, Kristaq Skrami si Et'hem Efendiu,  Amarildo Pregapuca si Kosta, Taulant Godaj si djali i Lymit.
Pikërisht kjo trupë e jashtëzakonshme aktorësh i dhanë jetë këtij prodhimi të jashtëzakonshëm kinematografik që formatoi në kujtesën e shqiptarëve një pjesë të rëndësishme të historisë së tyre, atë të fillimit të shtetformimit. 
Kolona muzikore e filmit është shkruar mbi pentagram nga i mirënjohuri Kujtim Laro.
 
Epilogu
"Nëntori i Dytë" vazhdon të jetë një pikë referimi për shqiptarët në kujtesën historike dhe kulturore. Ai është më shumë sesa një film – është një mënyrë për të ruajtur dhe përjetuar historinë kombëtare, duke e përcjellë mesazhin e pavarësisë dhe lirisë në çdo kohë.
Çdo 28 nëntor “Nëntori i dytë” është simboli që çdo shqiptar do donte ta rishihte si pjesë e krenarisë së tij.

No comments:

Post a Comment