Leonard
Veizi
Dikur,
ushtria shqiptare kishte ushtarë me bollëk. Sot ushtria shqiptare ka gjeneralë,
por ka fare pak ushtarë. Në një intervistë dhënë kohë më parë kolonel Hajro
Limaj më bënte me dije se në 23 Janar të vitit 1995, ishte i pranishëm në
Pallatin e Kongreseve, ku, ishte zhvilluar ceremonia e gradimit të 18
ushtarakëve me gradën madhore të gjeneralit. Pa dyshim pa pikë kriteri. Sepse
Shefi i Shtabit të kohës nga gjeneral brigade me një yll, me dekret
presidencial u bë gjeneral armate, ku në spaleta u vendosën katër yje, duke
marrë brenda ditës tre yje. Në këtë mënyrë një ushtri që po shkonte drejt
rrënimit, - dhe që e tregoi degradimin e saj kur u shpërbë në marsin e vitit
1997, - kishte 25 gjeneralë. Por a mundej ushtria Shqiptare e rreckosur të
kishte 25 gjeneralë ku nga 21 divizionet e Ushtrisë Popullore ishte katandisur
në 7 divizione me një numër të kufizuar ushtarësh e kuadrosh të tjerë...?
...4
dhjetor mban një rëndësi të veçantë në historinë kombëtare, si dita e krijimit
të Ushtrisë Shqiptare më 1912, pak kohë pas shpalljes së Pavarësisë. Në këtë
ditë, shqiptarët kujtojnë jo vetëm sakrificat e brezave të mëparshëm, por edhe
rëndësinë e forcimit të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare në të tashmen dhe të
ardhmen.
Në
periudhën e krijimit, ushtria ishte një nevojë imediate për mbrojtjen e
territorit dhe ruajtjen e pavarësisë së brishtë të shtetit të ri shqiptar. Në
mungesë të burimeve të mjaftueshme financiare dhe logjistike, ushtria e viteve
të para ishte më shumë një simbol i vendosmërisë dhe i identitetit kombëtar
sesa një forcë e organizuar ushtarake.
Në
Luftën e Dytë Botërore, ushtria dhe formacionet partizane u shndërruan në
elementë kyç të rezistencës kundër pushtimit, duke e ndihmuar Shqipërinë të
dalë si një nga vendet e pakta në Evropë që u çliruan pa ndihmën e
drejtpërdrejtë të forcave të huaja.
Pas
vitit 1944, ushtria shqiptare u modernizua sipas modelit sovjetik dhe më vonë
kinez. Kjo periudhë shënoi një rritje të kapaciteteve të saj, megjithëse shpesh
në funksion të regjimit totalitar. Në këtë kohë, ushtria u bë një nga shtyllat
e mbrojtjes kombëtare, por edhe e kontrollit të brendshëm.
Ushtria
dje
Pyetja
“Ku është ushtria shqiptare sot?” ka të bëjë më së shumti me një reflektim mbi
transformimet dramatike që ka kaluar ajo gjatë dekadave. Krahasuar me periudhën
e socializmit, kur Shqipëria kishte një nga ushtritë më të mëdha në raport me
popullsinë, sot ushtria është reduktuar në përmasa shumë më të vogla.
Në
kulmin e saj në vitin 1980 Ushtria Shqiptare kishte një kapacitet prej 60 mijë
ushtarësh të gatshëm që ishin inkuadruar në 800 batalione të ndarë 127 brigada
dhe 34 regjimente dhe që formonin tre armata me nga 7 divizione. Shqipëria
kishte në organikë rreth 16.500 oficerë, rreth 9.000 nën/oficerë, rreth 8.000
civilë, rreth 450.000 rezervistë, rreth 230.000 Forca Vullnetare. Këmbësorisë i
bashkoheshin dhe rreth 1200 tanke dhe mjete të blinduara, rreth 240 avionë dhe
helikopterë, më shumë se 200 raketa tokë-ajër si dhe të paktën 100 anije të
formateve të ndryshme që ishin në përbërje të Flotës Detare.
Çështë
e vërteta ushtria shqiptare aso kohe funksiononte mbi një doktrinë mbrojtjeje
masive, të ndërtuar mbi idenë e vetë-mjaftueshmërisë. Ajo mbështetej në një
popull të armatosur, mijëra bunkerë dhe përgatitjen e përgjithshme të
qytetarëve për luftë. Por ky model nuk ishte i qëndrueshëm ekonomikisht dhe
ishte i ndikuar nga politika e izolimit total të regjimit.
Tranzicioni
Pas
rënies së komunizmit, Shqipëria nisi një tranzicion të vështirë. Nga një ushtri
masive drejt një force më të vogël, por më të specializuar. Prioritetet
strategjike ndryshuan: Nga mbrojtja e izoluar e territorit, fokusi kaloi te
bashkëpunimi ndërkombëtar dhe mbrojtja kolektive përmes NATO-s.
Por
kriza e viteve 1997 shfaqi dobësitë strukturore dhe morale të ushtrisë, duke
nxjerrë në pah nevojën për reforma të thella.
Hyrja
e Shqipërisë në NATO në vitin 2009 ishte një pikë kthese historike për ushtrinë
shqiptare. Kjo anëtarësi i dha jo vetëm një rol të ri në sigurinë rajonale dhe
ndërkombëtare, por edhe mundësinë për të modernizuar pajisjet, strukturat dhe
praktikat ushtarake.
Sot,
ushtria shqiptare është një forcë profesionale dhe moderne, e orientuar drejt
përmbushjes së detyrimeve ndaj NATO-s dhe përballimit të sfidave të sigurisë
bashkëkohore. Përveç detyrave tradicionale të mbrojtjes së sovranitetit, ajo
luan një rol të rëndësishëm në operacionet paqeruajtëse ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e ushtarëve shqiptarë në misione si në Kosovë, Afganistan dhe Mali
ka forcuar reputacionin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë,
modernizimi mbetet sfida kryesore. Investimet në teknologji, trajnim dhe
infrastrukturë janë jetike për të mbajtur ritmin me aleatët. Sfidat e reja, si kërcënimet
kibernetike dhe krizat klimatike, kërkojnë gjithashtu një qasje të re dhe
gjithëpërfshirëse.
Ushtria
shqiptare ka evoluar nga një forcë tradicionale në një organizëm më moderne e
profesionale, por ky proces mbetet i papërfunduar.
Ushtria Sot
I
referohem të dhënave zyrtare:
Sot,
Forcat e Armatosura Shqiptare janë të strukturuara në disa njësi më të vogla
dhe më fleksibël: Komanda e Forcës Tokësore. Komanda e Forcës Detare. Komanda e
Forcës Ajrore.
Batalionet
e Reagimit të Shpejtë, që përfaqësojnë pjesën më aktive të ushtrisë, të
përgatitura për ndërhyrje të shpejta në raste emergjencash apo krize.
Ky
transformim është në përputhje me doktrinën moderne ushtarake, e cila vë
theksin te cilësia, jo te sasia. Ushtria shqiptare ka kaluar nga divizionet e
mëdha me dhjetëra mijëra ushtarë në batalione të vogla, profesionale dhe të
lëvizshme.
Ndërkohë
që është bërë progres në profesionalizimin dhe modernizimin e ushtrisë, ka ende
hapësirë për përmirësim: Modernizimi i teknologjisë, Përgatitja për emergjenca
civile dhe Rritja e investimeve pasi shpenzimet ushtarake kapin nivelin 2% të
Prodhimit të Përgjithshëm Bruto.
Epilogu
Ushtria
Shqiptare sot ka plot probleme. Ka prona pa fund dhe janë bërë abuzime të mëdha
me to. Dhe teknikisht në Shtabin e Përgjithshëm është futur mendimi se se lufta
sot nuk bëhet me ushtarë por me teknologji të lartë. Por për djall Shqipëria
nuk ka as ushtarë dhe as teknologji të lartë përveç nja dy duzina mjetesh të
blinduara me nga një mitraloz sipër dhe një 15-20 helikopterësh në tërësi, një
pjesë e të cilëve nuk tundohen të ngrihen sepse edhe mund të bien.
Megjithatë
në këtë 4 dhjetor, le të reflektojmë mbi rolin e ushtrisë si një simbol i
qëndrueshmërisë kombëtare dhe një garanci për sigurinë e brezave që vijnë. Të
përkujtojmë traditat dhe sakrificat e së kaluarës është thelbësore për të
ndërtuar një të ardhme ku ushtria të vazhdojë të mbrojë jo vetëm kufijtë, por
edhe vlerat e demokracisë dhe paqes.
No comments:
Post a Comment