Sunday, December 8, 2024

Adoleshentët shqiptarë, me thika në çantat e shkollës dhe drogë pas murit të shkollës


Nga 
Leonard Veizi
 
Situata është shqetësuese e më tej se kaq. Mjafton të marrësh pjesë në një takim me prindërit tek shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme e do njihesh me gjithfarë shqetësimesh prindërore dhe nga ato të stafit pedagogjik.
Rasti i incidentit tejet të rëndë pas mureve të shkollës “Fan Noli” në Tiranë zbuloi tërësisht problematikën e adoleshentëve. Jo se nuk kishte ndodhur më parë. Por thjesht sepse ngjarja këtë herë nuk ishte më në periferi, dhe as në zona larg vëmendjes. Këtë herë gjithçka ndodh para syve tanë, në zemër të kryeqytetit, në një nga shkollat më në zë të saj. Dhe kjo i dha kulminacionin e duhur problemit.
Sepse problemet duhen zgjidhur, nuk mund të akumulohen.
Në vitet e fundit, shoqëria shqiptare është përballur me një problem alarmant që prek grup moshën më të brishtë dhe të rëndësishme për të ardhmen e saj: adoleshentët. Fenomene të tilla si mbajtja e thikave në çantat e shkollës dhe përfshirja në përdorimin apo shpërndarjen e drogës pas shkolle janë kthyer në shqetësime madhore, duke ngritur pyetje mbi rolin e familjes, shkollës dhe institucioneve.
Një nga aspektet më shqetësuese është rritja e rasteve të dhunës mes nxënësve, ku thikat po shfaqen gjithnjë e më shpesh si "mjete vetëmbrojtjeje".
Por çfarë i shtyn adoleshentët të mbajnë armë të ftohta në çantat e shkollës?
Ajo që i vihet si shkak më së shumti ka të bëjë me moshën dhe zhvillimin anatomik. Pra fëmijët që po rriten janë shumë energjik e më të pakontrolluar në emocionet e tyre.
Shumë prindër ankohen se fëmijët e tyre ndihen të kërcënuar në ambientet shkollore dhe sociale. Dhuna verbale dhe fizike mes bashkëmoshatarëve shpesh i shtyn ata të marrin masa ekstreme për t’u mbrojtur. Mediat sociale dhe kultura e rrugës promovojnë një imazh të gabuar të "forcës" dhe "respektit" që lidhet me armëmbajtjen. Institucionet arsimore shpesh nuk arrijnë të ndërhyjnë në kohë, duke mos krijuar një mjedis të sigurt për nxënësit.
Në ditët e sotme, konsumimi i drogës ndër të rinjtë është kthyer në një fenomen shqetësues, veçanërisht përdorimi i hashashit apo i kanabisit, i cili shpesh ndodh në hapësira publike si hyrjet e pallateve. Pas përfundimit të orëve të mësimit, shumë adoleshentë përballen me sfidën e mjediseve sociale që shpesh promovojnë përdorimin e substancave narkotike. Për adoleshentët, dëshira për t'u dukur "cool" apo për t'u përshtatur me grupin shpesh i çon drejt eksperimentimit me drogë. Ky fenomen po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm, duke ngritur shqetësime të mëdha për prindërit, komunitetin dhe shoqërinë në tërësi.
Një nga arsyet kryesore që adoleshentët zgjedhin të konsumojnë bar në ambiente publike është mungesa e alternativave të shëndetshme dhe të sigurta për kalimin e kohës. Në shumë raste, hapësirat për argëtim të shëndetshëm mungojnë, dhe kështu, hyrjet e pallateve ose vendet e fshehura pranë lagjeve bëhen pika takimi për eksperimentime të rrezikshme.
Shitja e drogës pranë shkollave dhe në zona të frekuentuara nga të rinjtë është bërë një realitet i trishtë, duke treguar dështimin tërësor të edukimit në familje e shkollë dhe mungesën e politikave parandaluese.
Nga ana psikologjike, presioni i grupit luan një rol kyç në këtë sjellje. Shpesh, adoleshentët nisin të përdorin drogë për të përfituar një ndjenjë përkatësie dhe pranimi nga bashkëmoshatarët. Ky presion mund të shoqërohet me ndjesinë e rebelimit kundër normave shoqërore apo prindërve.
Nga ana tjetër, konsumimi i drogës në hapësira publike, si hyrjet e pallateve, ndikon negativisht edhe në komunitet. Këto vende janë të frekuentuara nga familje, të moshuar dhe fëmijë të vegjël, dhe prania e drogës krijon një ambient të pasigurt dhe të papërshtatshëm për të gjithë.
Varësia dhe problemet psikologjike që vijnë nga përdorimi i drogës shpesh kalojnë pa u vënë re derisa bëhet shumë vonë.
Familja, si themeli i edukimit të një adoleshenti, shpesh nuk arrin të përmbushë detyrat e saj për shkak të dinamikave të ndërlikuara sociale dhe ekonomike. Një prind që punon gjithë ditën ose që është i zhytur në problemet e veta personale mund të mos i kushtojë kohën dhe vëmendjen e duhur fëmijës.
Ndërkohë si problem i shtuar sot janë futur në thellësitë e çdonjërit prej nesh rrjetet sociale. Aty lindin edhe njohjet, edhe dashuritë, edhe zënkat, por edhe sherret me thika.
Nga ana tjetër, shkolla shpesh i trajton këto probleme në mënyrë sipërfaqësore. Mungesa e psikologëve të trajnuar, mosfunksionimi i programeve edukative dhe indiferenca e disa mësuesve e rëndojnë situatën.
Ndërhyrja është thelbësore për të adresuar këtë problem. Në radhë të parë, është e nevojshme një edukim i mirëfilltë mbi pasojat negative të konsumimit të drogës, që të nisë që në shkolla dhe të përfshijë jo vetëm nxënësit, por edhe prindërit. Gjithashtu, duhet të krijohen hapësira të sigurta dhe të strukturuara ku të rinjtë mund të kalojnë kohën e tyre duke u angazhuar në aktivitete të dobishme, si sporti apo aktivitetet artistike.
Çfarë duhet bërë?
E lehtë të bësh moral e të japësh mend nga kolltuku i shtëpisë apo nga poltroni i zyrës me ajër të kondicionuar, por njëkohësisht po aq e vështirë është
Si zgjidhjet të mundshme ndoshta duhen programe të mirëstrukturuara që trajtojnë dhunën, varësinë dhe vetëdijen për pasojat. Ndoshta duhet kontroll më i mirë nga institucionet, forcimi i sigurisë në shkolla dhe krijimi i mekanizmave për zbulimin dhe parandalimin e trafikimit të drogës. Ndoshta duhet organizimi i aktiviteteve që i ndihmojnë të rinjtë të kanalizojnë energjinë në mënyrë produktive. Ose ndoshta organizata dhe grupe rinore mund të ndihmojnë në krijimin e një rrjeti mbështetës për adoleshentët që përballen me këto sfida.
Shoqëria nuk mund të injorojë më këto çështje, pasi ndikimi i drogës dhe rrjeteve sociale tek të rinjtë është shumëdimensional dhe përfshin aspekte shëndetësore, psikologjike dhe sociale. Vetëm përmes një angazhimi të përbashkët mund të krijohet një mjedis i shëndetshëm dhe i sigurt për adoleshentët dhe komunitetin ku jetojmë.

 

 

x

No comments:

Post a Comment