Leonard
Veizi
“E
duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, ishte thirrja e 34 viteve më parë që do të
mbahej mend si slogani që frymëzoi shumicën e shqiptarëve për të hedhur një hap
të madh drejt një ndryshimi epokal.
“E
duam Shqipërinë si gjithë Evropa” është një slogan që edhe pse duket si i
harruar duhet kujtuar. Sepse edhe pas 34 viteve serish Shqipëria nuk është si
gjithë Evropa. Thjesht është në fundit e saj. Ose më saktë midis Evropës dhe
Azisë. Sepse nyuk kanë rëndësi pozicionet gjeografike. Rrëndësi kanë
mentalitetet
E
di që do më kundërshtojnë e do thonë se Shqipëria ka ecur me hapa gjigande.
Edhe në kohën e socializmit në fakt ashtu eci, me hapa gjigande. Atëherë u
ndërtuar uzina e u hapën kantiere, sot po ndërtohen kulla që po e afrojnë
Tiranën me Manhatenin. Por mentaliteti ynë, si në kohën e mbretërimit, në
regjimin komunist e tanimë në demokracinë tonë të brishtë, vazhdon më mbetet
oriental, e për më tepër turkoshak.
Në
këtë mënyrë duket se emancipimi i Shqipërisë dashka më shumë kohë se sa kishim
menduar ne të gjithë, studentë e jo të tillë, në ditët e vrullshme të
ndryshimit të sistemeve politik.
Gjithsesi
8 Dhjetori është një ditë e veçantë në kalendarin e historisë së Shqipërisë.
Kjo ditë, që gjithashtu shënon Dita e Rinisë, përkujton një ngjarje të
rëndësishme që ka ndikuar në zhvillimin politik dhe shoqëror të vendit. E
njohur si një çast kryesor në historinë e luftës për liri dhe demokraci, 8
Dhjetori ka marrë një domethënie të thellë, jo vetëm për ata që e kanë jetuar
ngjarjen, por edhe për brezat që kanë ardhur më pas.
Ishte
fillim dhjetori i vitit 1990. Muri sovjetik i Berlinit që Hrushovi e ndërtoi me
aq devocion, kishte rënë në Gjermani, dhe Bukureshti ishte përfshirë prej
kohësh nga revolucioni i përgjakshëm antikomunist, por në Shqipëri ende nuk
ishte ndjerë si duhet fryma e ndryshimeve radikale që kishte përfshirë Evropën
Lindore të KNER-it, ku dikur futeshin vendet e “Kampit Socialist”.
Gjithçka
po lëvizte zhurmshëm, por timpanet e alarmit ende nuk kishin mbërritur në
veshin e izoluar të shqiptarëve.
Vendi
i vogël, lagur nga valët e Jonit dhe Adriatikut që nuk arrinin të sillnin
mesazhe, ishte fort e izoluar për të kuptuar në kohë reale se çfarë po ndodhte ne
pjesën tjetër të botës, e për më tepër në Evropën Lindore ku regjimet komuniste
të instaluara më së shumti pas Luftës së Dytë Botërore po shpërbëheshin në
mënyrë të përshpejtuar e të pakthyeshme. Sllogani “Lindja është e kuqe” kishte
pushuar së funksionuari, të paktën në Evropë, e për më tepër, në Azi po
ndërmerreshin reforma të përshpejtuara. E megjithëse me vonesë në ngritjen e
revoltës qytetare, sërish shqiptarët ishin në kohën e duhur për t’ju
bashkangjitur vagonit të fundit të trenit që kishte marrë superxhiron për nga
kahu i kundër, andej nga jeta nuk kishte mungesa, dhunë e privime të
pakuptimta.
Ndërsa,
ata të cilët e kuptuan se gjithçka dogmatike kishte marrë fund, ishin dhe të
parë që iniciuan lëvizjet për demokraci.
Studentët
e gjetën pretekstin për t’u ngritur në një revoltë të zhurmshme. Ca kushte
ekonomike më të mira në ambientet e rinuara të Qytetit Studenti, ku socializmi
përgatiste kuadrot e rinj për “frontin e madh të punës”. Nuk u desh më shumë se
një natë e tillë që gjysma e Tiranës të mbushte sheshet e qendrës studentore në
një manifestim solidarizues mbushur me parulla e kundërparulla “reaksionare”
Studentët
e shpërthyen zemërimin e mbledhur prej kohësh. Rreth 300 prej tyre nga
Fakulteti i Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, duke u ndihmuar nga
disa grupe të tjera, u mblodhën për të kërkuar liri, demokraci, dhe të drejta
më të mëdha për individin.
Kordoni
i policisë blu pa grada dhe për më tepër e ushtarëve të veshur me uniforma
jeshile e mburoja plastike, nuk mund ti bënin më ballë uraganit të saponisur.
Qëndresa për ta mbajtur Shqipërinë, “as me Lindjen dhe as me Perëndimi” kishte
marrë fund.
Në
ditët e fundit të vitit 1990, çka i përkiste periudhës së fundit kur Shqipëria
ishte nën sundimin e një regjimi komunist të izoluara dhe represive, 8 Dhjetori
shënon datën e fillimit të lëvizjes studentore që do të ndryshonte
përfundimisht sistemin e vjetër.
Guximi
i rinisë shqiptare ishte shenjë e një ndryshimi të pashmangshëm. Ata kërkuan
një shoqëri më të hapur, me më shumë mundësi për arsim, punësim dhe, mbi të
gjitha, mundësinë për të jetuar në një shtet ku liritë dhe të drejtat e njeriut
nuk ishin më të shtypura nga regjimi i kaluar. Kjo ishte gjithashtu një
protestë ndaj dhunës, pasigurisë dhe varfërisë që kishte përfshirë vendin.
Dita
e Rinisë, siç njihet 8 Dhjetori, ka marrë një kuptim të veçantë si simbol i
shpresës dhe i transformimit të një brezi që kërkonte ndryshim. Pas protestës
studentore, Shqipëria do të hyjë në një periudhë të pasigurisë, por gjithashtu
edhe të mundësive të reja. Lëvizja studentore nuk ishte vetëm një shprehje e
pakënaqësisë ndaj regjimit, por edhe një manifestim i fuqisë rinore për të
ndryshuar të ardhmen e vendit.
Rinia
e asaj kohe, që mori pjesë në protestat e 8 Dhjetorit, shpejt u bë simbol i
angazhimit dhe idealizmit, por gjithashtu një model për ata që do të pasonin.
Ata ishin ata që besonin se një Shqipëri e lirë dhe demokratike ishte e mundur,
dhe se rinia mund të ishte katalizatori i ndryshimeve të mëdha. Ideali i lirisë
dhe demokracisë që ata mbartnin u shndërrua në një shpresë për të gjithë
popullin shqiptar.
Për
brezat që pasuan ngjarjen e 8 Dhjetorit, kjo ditë mbetet një kujtesë e
rëndësishme e asaj që mund të arrihet kur rinia angazhohet për kauza të drejta
dhe të larta. Pavarësisht ndryshimeve të mëdha që ka kaluar Shqipëria pas asaj
periudhe, 8 Dhjetori vazhdon të jetë një simbol i energjisë dhe idealizmit
rinor, i besimit në fuqinë e ndryshimit dhe mundësive që ofron një shoqëri e
hapur dhe demokratike.
Dita
e Rinisë është një mundësi për të reflektuar mbi progresin e bërë, por edhe për
të kuptuar se ende ka shumë për të arritur, sidomos kur bëhet fjalë për
arsimimin, punësimin dhe angazhimin e rinisë në zhvillimin e shoqërisë.
Shqipëria ka parë përmirësime të dukshme që nga viti 1990, por gjithashtu ka
sfida të reja për t'u përballur. Rinia shqiptare vazhdon të mbetet një forcë e
fuqishme për ndryshim dhe zhvillim, duke ruajtur aspiratat për një të ardhme më
të mirë.
8
Dhjetori është një datë historike, jo vetëm për ngjarjet që solli atë ditë, por
edhe për frymën e rinisë dhe përpjekjeve të vazhdueshme për liri dhe demokraci.
Pavarësisht sfidave që ka kaluar Shqipëria, kjo ditë mbetet një kujtim i
paqenë, i guximit, dhe i besimit të rinisë për një të ardhme më të ndritur. Ajo
është gjithashtu një thirrje për brezat e rinj të angazhohen për një shoqëri më
të drejtë dhe të barabartë, duke e kujtuar gjithmonë atë ditë të shënuar që
bëri ndryshimin.
No comments:
Post a Comment