Leonard Veizi
Nëse
dikur Shqipëria ka qenë një vend trimash, tani është kthyer në një vend
sherresh. Dhe zakonisht sherret nuk i bëjnë trimat por meshkujt. Dhe nëse i
bëjnë trimat, për ta ekziston termi i vjetër: Trimat nuk jetojnë gjatë. Është
ky një realitet i hidhur që historia na ka mësuar.
Precedentët
e sherreve me thika mes të rinjve, po kthehen në trend. Në Tiranë po e po, por
dhuna është evidente në çdo rreth, qoftë dhe ato të vogla ku njerëzit e njohin
njëri-tjetrin e përshëndeten çdo mëngjes. Në Fier sherr, në Peshkopi sherr, në
Durrës sherr, në Sarandë sherr...
Nuk
ka ditë që të mos ndodhi sherr.
Mediat
raportojnë se vetëm në tre muajt e verës janë 19 viktima, ku vetëm një
cilësohet si atentat, ndërsa 18 rastet e tjera janë për xhelozi dhe sherre
banale. Kohët e fundit mbi sipërfaqe kanë dalë bujshëm dhe konfliktet mes të
rinjve, nxënës të shkollave të mesme, por çuditërisht më shumë të shkollave
9-vjeçare.
“Prapë
sherr me thika mes të rinjve!”... lexon rëndom nëpër titujt e gazetave dhe
mediave online, që do të thotë se mes dy sherreve distanca ditore është fare e
vogël. Ka sherre që përfundojnë pa lëndime, ndërkohë që ka sherre me plagosje,
por ka nga ato që kalojnë në fatalitet.
Kohët
e fundit kjo është bërë tepër e dukshme.
Si
i bëhet???
Të
jetë faji i vaksinave pas pandemisë???
Sepse
edhe kjo puna e sherreve na është ngritur si një pandemi tanimë.
Por
a e kemi antidotën për ta shmangur këtë rrezik? Qoftë dhe për ta minimizuar
atë?
Në
çdo kohë dhe në çdo vend, ata që guxojnë të sfidojnë rregullat, të dalin mbi
mesataren dhe të përballen me të pamundurën, janë ata që rrezikojnë më shumë.
Arsyeja është e thjeshtë: bota është e vështirë për ata që jetojnë jashtë
kornizës së saj.
Por
përse jetojnë pak trimat?
Sepse
gjithmonë del dikush tjetër: një trim më i guximshëm ose një budalla i
paarsyeshëm. I referohemi psikologjisë dhe sociologjisë: I pari përfaqëson
ambicien njerëzore për t’u përmirësuar, për të zgjatur kufijtë e së mundshmes.
I dyti përfaqëson kaosin, të paparashikueshmen që nuk ka as strategji dhe as
arsye. Në një duel midis këtyre dy forcave, shpeshherë trimi i mençur është ai
që bie, jo sepse ishte i dobët, por sepse nuk e llogariti çmendurinë si një
armë të kundërshtarit.
Megjithatë,
trimëria e vërtetë nuk matet me jetëgjatësinë.
Ndërkohë
brezat po rriten me të njëjtën frymë. Nuk mbarojnë. Por ata nuk janë trima
lufte. Nuk janë Adem Jasharë që flijohen me gjithë fis për një kauzë të madhe.
Nuk janë as si Azem Galica e as si Çerçiz Topulli.
Ata
janë thjesht meshkuj që trimërohen në zënie të çastit, por që në fakt është më
shumë një gjaknxehtësi e pamenaxhuar: Pse më pe??? Pse më zure vendin???
Ku
po shkojmë kështu?
Kjo
shoqëri që firon përditë nga territori shtetëror, po i nënshtrohet dhunës dhe
armëve të ftohta. Nuk ka nevojë të mobilizohemi në luftë për të dhënë heronjtë
tanë. Memorialë “trimash” janë ngritur gjithandej edhe në kohë paqeje.
Por
çfarë ndikon në psikikën e shqiptarit që zemërimin e kanalizon me urgjencë te
përdorimi i një mjeti asgjesues?
Shkrimtari
ynë i madh Ismail Kadare, na jep këtë version të tij duke e përshkruar tek
romani apo filmi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” çështjen e psikikës së
popullit shqiptar në lidhje me armët dhe vrasjet, pikërisht në një
bashkëbisedim mes gjeneralit që vinte në Shqipëri në krye të misionit për të
mbledhur eshtrat e ushatarëve të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe
ndihmësit të tij prift.
-Ushtarët
e mi të mjerë, më dhemb shpirti! Ç'mund të bëj unë për ta? Si mund tua marr
hakun. Këta dreqër paskan qenë të fortë për luftë, - shprehet me dhimbje
gjenerali.
-Nuk
është punë trimërie të ndërgjegjshme. Është çështja e psikikës së tyre, - flet
gjakftohtë prifti.
-S’ju
kuptova?
-Shumë
e thjeshtë. Në luftë disa i udhëheq arsyeja e fortë ose e dobët, kurse disa të
tjerë instinkti. Shqiptarët janë një popull i ashpër, i prapambetur. Atyre që
kur janë foshnje u vënë në djep pushkën, kështu që pushka bëhet një pjesë e
pandarë e jetës së tyre. Duke u bërë që në vogëli një pjesë e qenies së tyre,
pushka ndikon direkt në krijimin e psikikës së shqiptarit...
A
e vazhdojmë argumentin po aty në vazhdim të dialogut të gjeneralit dhe
ndihmësit të tij prift, sepse Kadare na jep argumente interesante rreth
krijimit të psikikës së shqiptarit në luftë e në paqe, atëherë kur në djep u
vihej pushka e ndoshta sot thika. Ndaj prifti vazhdon ta shtjellojë edhe më tej
argumentimin e tij:
-...Por
një gjë që njeriu e do dhe e adhuron me gjithë shpirt natyrisht që ka qejf edhe
ta përdori. Por përse mund të përdoret më tepër se çdo gjë pushka?
-Për
të vrarë njerëz, – ia kthen gjenerali.
-Shumë
e drejtë. Për të vrarë njerëz... Shqiptarët gjithmonë kanë pasur qejf të vrasin
ose të vriten. Ata janë vrarë me njëri-tjetrin, kur nuk kanë pasur me këtë ë
luftojnë. Keni dëgjuar gjë për gjakmarrjen e tyre? Ata në luftë i shtyn
instinkti i vjetër. Ndërsa në paqe ata trullosen, përgjumen, ashtu si gjarpri
në stinën e dimrit. Vetëm në luftë e tregojnë plotësisht vitalitetin e tyre.
Prandaj dhe në luftë ata janë të ashpër, të rrezikshëm dhe bëjnë dëm më tepër
se ç’duhet.
Ja
pra që Kadare si shkrimtar gjenial, na e ka bërë të ditur që 60 vite më parë se
si ndikon arma në formimin e psikikës së një kombi. Dhe me sa duket si para 100
viteve kur ishim në mbiekzistencë si komb e shtet edhe tani në epokën e
teknologjisë së lartë shqiptarët mbajnë të njëjtin avaz: kur s'ka luftë vrasin
njëri-tjetrin.
Po
pse ore kaq pa vlerë qenka jeta sa mund ta t’ia marrësh tjetrit apo dikush
tjetër të ta dorëzojë i pamundur, vetëm për një fjalë goje, që ti të shprehësh egon tënde smirëzezë me
thikë në dorë?! Ku qenka gjithë kjo ego e madhe sa nuk e duron dot fyerjen se
një bashkëmoshatar të paska parë shtrembër? Pse nuk është e shprehur kjo ego
dhe në mësime, detyrat e shtëpisë, ndihmë në familje, por na qenka e shprehur
në nxjerrjen e thikës nga mënga e xhupit?
Trimi
që mbetet në histori nuk është ai që vret për pesë lekë, as ai që përdor fuqinë
për qëllime të vogla. Ai është një figurë që ngrihet mbi banalitetin e përditshëm
dhe krijon një trashëgimi që jeton përtej tij.
Skënderbeu
nuk mbeti në histori sepse vrau shumë armiq, por sepse frymëzoi një popull të
tërë në betejën për liri. Burra të tjerë të mençur e të matur nuk mbahen mend
për ndonjë fitore të shpejtë e të ashpër, por për vizionin dhe guximin e tyre
duke dashur të ndikojnë r një botë më të drejtë.
Në
shoqërinë tonë moderne, shpesh ngatërrojmë trimërinë me dhunën, forcën fizike
apo hakmarrjen. Por këto janë veprime të çastit, të përkohshme, që asnjëherë
nuk lënë gjurmë të thella. Trimi i vërtetë është ai që përdor mendjen, zemrën
dhe shpirtin për të ndryshuar diçka thelbësore. Dhe, ndonëse mund të jetojë
pak, kujtimi i tij është i përjetshëm.
Pra,
le të mos mashtrohemi nga shkëlqimi i trimërisë së rreme. Trimi që vlen është
ai që mbetet në histori, jo për shkak të jetës së tij të shkurtër, por për
shkak të gjurmës së tij të gjatë. Sepse jeta matet jo me vitet, por me ndikimin
që kemi mbi botën.
No comments:
Post a Comment