Leonard Veizi
Në
1 maj ka zhurmë e potere. Jo..., jo për të drejta, as për ndonjë marshim
sindikal me pankarta të shkruara me dorë, por për diçka shumë më të shenjtë:
tavolinat.
-Ja shyqyr që u mblodhëm në një trapezë se po na
shkonte goja lëng. Dollibash, urdhër.
Qytetet
shqiptare e sidomos kryeqytet në 1 Maj karakterizohet nga një zhurmë makinash
që shtyhen në rrugë të ngushta, në drejtim të tavernave periferike që kanë bërë
marketingun me "mish nga ferma vendase", por që e kanë të freskët nga
frigoriferi i portit.
– Hape rrugën mor debil, se na u zunë të gjitha
tavolinat!
Boria
të çan veshët.
– Kot nuk e prenotove online! Do na mbarojë dhe mishi! Nuk shtyhet rakia vetëm me xaxiq.
Mos
u bëni merak djema, mish për mishngrënësit ka sa të duash. U shkarkua vapori i
radhës nga Brazili, mish për të gjithë: edhe për ata që mbajnë dietë me
proteinë të pastër, edhe për vegjetarianët që bëjnë përjashtim një herë në vit
"se është festë", madje edhe për veganët që pinë ujë nga bajamet por
nuk i rezistojnë një kokë qengji të pjekur.
Yxhym.
Dikur,
në komunizëm, 1 Maji ishte festë e shenjtë. Jo thjesht për të pushuar – pushimi
ishte luks borgjez dhe produkt i dekadencës perëndimore. Ishte ditë parade. Me
fëmijë që mbanin tullumbace të kuqe në një dorë dhe pankarta në tjetrën, me
flamuj të Partisë së Punës që valëviteshin krahas kokave të katër krerëve të
bolshevizmit. Pankartat ishin prej letre që i dilte boja nga shiu, por ishin
plot ngjyra ideologjike.
Në
krye të kolonës vinin ndërmarrjet e ushqimit social dhe ato të industrisë së
lehtë përpunuese. Pas tyre vinte tabori i rëndë – punëtorët e metalurgjisë, me
çizmet që rëndonin sa vetë prodhimi vjetor i qymyrit.
– Mirupafshim, industri e rëndë.
Për
1 Maj nuk punohej... sepse të gjithë ishin shumë të zënë duke nderuar punën.
Mbi supe mbanin portretet e udhëheqësve, që herë për herë, në ndonjë kthesë
rruge, përfundonin në tokë dhe shkeleshin nga këpucët kineze të
kooperativistëve. Trupi bëhej mavi nga pesha.
– Më mirë të punonim turni i tretë në fonderi, mor
jahu.
Kjo psherëtimë mund të dëgjohej andej nga rreshti i tretë. Se ata të rreshtit të parë ishin
të dënuar të buzëqeshnin, dhe sikur t’u kishte ndodhur gjëma. Nuk kish vend për
buzë të varura. Festonin punëtorët, baza e sistemit socialist. Sa për fshatarët,
ata mund të bënin sehir në një ditë të tillë. Të mblidheshin te televizori i Vartës
së Kulturës dhe të ndiqnin marshimin me bandën e ushtrisë por dhe duke bërë
tifo pa detyrim, por me orientim.
Ironike,
apo jo?
Ndërkohë,
në botën kapitaliste, 1 Maji ishte dhe mbetet ditë kërkesash sociale. Greva,
demonstrata, pankarta që thërrasin “Stop shfrytëzimit!”, sindikalistë që nuk i
shtrijnë këmbët në kolltukët e pushtetit, por në sheshe. Një ditë proteste – jo
pikniku.
Por
le të vijmë në Shqipërinë moderne – vendin që nuk është më as komunizëm, as
kapitalizëm, por një fushë grilash e vetëkënaqësisë kolektive.
E
kemi arritur kulmin e evolucionit të 1 Majit: heshtje kolektive dhe një status
në Facebook, - pas orës 11.00 të paradites kur të ka dalë gjumi, - ku dikush, me gjithë frymën e një revolucionari të lodhur nga
trafiku, shkruan:
"Shyqyr
që është pushim, do hamë ndonjë kofshë pule apo kokë qingji andej nga lokalet e
Lundrës apo të Bërzhitës. Edhe deri në Prezë na e mban xhepi"
Nuk
ka më parulla, s’ka më flamuj, s’ka më “Rroftë klasa punëtore!” – vetëm “Happy
1 Maj” me emoji grilash, kriklla birre ku shkuma është gati në të
derdhur, dhe selfie me hashtage patriotike: #shqiptarëmeqejf #jetaduhetjetuar #1majpushim #porcionidytëfalas.
-Pse
paska dhe falas?
Po
pive dy birra të tretën e ke nga lokali, edhe pse mbizotëron shkumua.
1
Maji është ditë pushimi. Çka nënkupton se është ditë feste. Se ku ke parë ti që
qeveria të të japi një ditë pushimi që ti pastaj të dalësh me mexhlis e të shash
qeverinë
-Jazëk të qoftë. Bukëshkalë.
Askush
nuk flet për punëtorin – përveç kamerierëve dhe atyre që punojnë pas banakut, të
cilët as që mund të pushojnë dot, sepse gjithë “punëtorët” kanë zbarkuar në
lokal për të festuar që s’po punojnë. Dhe as ai s’guxon të protestojë – se
tipikisht është vetëpunësuar ose në rastin më të keq i punësuar në të zezë.
-Dashke dhe siguracione ti... kopuk.
E
ta lumsha moj demokraci.
1
Maji në Shqipëri është një simbiozë brilante: dita ku njeriu për njeriun është
ujk – si në kapitalizëm – por festa mbetet e komunizmit. Një ngërç ekzistencial
që e zgjidhim si gjithmonë: me mish në hell dhe heshtje në shpirt.
Dhe
me këtë gërshetim grotesk, vazhdojmë të marshojmë përpara... drejt lokalit të
radhës dhe me ftesën punare në majë të gjuhës.
-Hajd ta pish i gastare rakie se kina festë sot. Ofro
io.
S’të
mora vesh asnjë llaf mor djalë. E paske nisur me të mëdha që në mëngjes sot. Le
që e ke me hak. Ditë feste është. Dita e klasës sonë punëtore.
Të
na rrojë 1 Maji more shokë.
No comments:
Post a Comment