Nga Leonard Veizi
Truri, – kjo qenie
misterioze që rri në majë të shtyllës kurrizore si mbret pa kurorë, por me
pushtet absolut mbi çdo mendim, ndjesi apo marrëzi tonën, – më në fund ka një
ditë që i përket veç atij.
22 Korriku: Dita
Botërore e Trurit. Njihet si një nga ato datat ndërkombëtare që zakonisht
kalojnë pa bujë, përveçse në ndonjë simpozium të përgjumur ku fjalimet lexohen
me ton monoton, ndërsa truri i dëgjuesve mundohet të gjejë arsyen se pse nuk
është në plazh për pak relaks.
–Dajo, për
ç’sëmundje tjetër e rekomandojnë plazhin? – pyeste Alberi me gradë shkencore në
fizikë, dajë Zenon, tek komediat “Shi në plazh” e Teodor Laços. Dhe përgjigja
ishte:
-Për vidat. Kur të
lirohen dhe pastaj del nga binarët e harbon pa fre, si mëz, ahija… ku rrafsha
mos u vrafsha.
Në thelb, kjo ditë
është një ngjarje globale që synon ndërgjegjësimin për sëmundjet neurologjike,
kujdesin ndaj trurit dhe promovimin e kërkimit shkencor për të gjitha moshat.
–Jo për nder nuk
është në terezi ky. E pashë që në drekë, fliste me vete, – u thoshte Beso
shoferi shokëve të tij më të afërt tek “Rrethimi i vogël”, për doktorin e dhive
Agron Beshorin që ishte emëruar Kryetar i Komitetit Ekzekutiv,
Mirëpo, le të jemi
të ndershëm: kjo është një ditë që kremtohet vetëm nga ata që kanë tru. Për të
tjerët që ecin mes nesh, kjo është thjesht një ditë e nxehtë korriku, ku mund
të fajësosh vapën për çdo budallallëk që të del nga goja. Siç ndodh rëndom kur
dikush në mes të ditës nxjerr nga goja ndonjë sentencë si: “Po lëre mor burrë i
dheut, këtu s’të duhet truri, por vetëm pak guxim budallai!”.
-Lojti nga fiqiri.
-Se kam parrë kurë
kështu.
-S’ka faj i
shkreti, u bë gazi i botës, – diskutonin qehajatë e Nuri beut tek filmi
“Koncert në vitin 1936”, që ishtë bërë keq e si delte inati nga që vajza e
Pandeli Prokopit po i këndonte Këngën e Kongresit, më mes të mëxhlisit.
Ka plot që e kanë
zëvendësuar trurin-n me stomakun apo më keq, me këmbët. Mjafton t’u shohësh
mënyrën si e drejtojnë makinën, si flasin për politikën, si komentojnë lajmet
në facebook.
Por mos u ndjeni
keq nëse nuk festoni. Kjo ditë nuk është si Pashkët apo Bajrami që kërkon
kurban a vezë të lyera. Është një ditë për reflektim – nëse keni me çfarë të
reflektoni. Në mos tru, të paktën një pasqyrë.
Nëse do ta
trajtonim si festë, atëherë do kishim ndarë sofrën me pilaf e përshesh me lëng
nga mishi i qengjit, speca të mbushura, tarator të ftohtë, të brendshme në
zgatime, por jo tru të fërguar. Se ky i fundit është kthyer në relike mjekësore
— s’gjen më as në thertore. Dhe si ëmbëlsirë do shpërndanim revani dhe hasude.
Për pije? Një gotë verë që e bën trurin të harrojë, një raki që e shkatërron, e
një birrë që të kujton pse s’duhej të kishe pirë që në mëngjes. Po për efekt
shëndeti mendor? Këto pije i bie të jenë si nafta për motorin e benzinës.
-Na falni se kemi
tetën pak si pa qejf… Po edhe Sandri s’para mbush. Domethënë si punojnë tëra
kandelet njëlloj. Atij sikur i punon gjysma e trurit për shifrat e planet. Këtë
gjysmën tjetër këtej, plloçë ma ka, asfalt e ka, – përpiqej Jovan Bregu i “Pallatit
176” që të largonte Irenën e zyrës nga nipi i tij Alekandër që ishte dhe
kryeinxhinieri i ndërmarrjes.
Këtë vit, Dita
Botërore e Trurit shënoi përvjetorin e 12-të të saj. Fushata është përqendruar
tek një ideal fisnik: “Shëndeti i trurit për të gjitha moshat”. Nga vogëlushi
që luan me tablet si të kishte lindur me gishtat në tastierë, deri tek plaku që
pyet “ku jam?”, e më pas “pse jam këtu?”, truri meriton kujdes.
Dhe jo vetëm kur
nuk punon siç duhet, por edhe përpara se të japë sinjale të zbehta alarmi si
“më duket se harrova ku lashë çelësat” apo “ç’ishte fjala që kisha në majë të
gjuhës?”
Në manualin e
shëndetit mendor shkruhet me germa të bardha mbi letër të zakonshme:
“Shëndeti i trurit
duhet të ketë prioritet gjatë gjithë jetës, nga fëmijëria deri në pleqëri.”
Por në praktikë,
prioritet mbetet dieta për “six pack”, flokët me xhel, rrobat firmato dhe
ndjekësit në TikTok.
Dhe këtu vjen edhe
paradoksi ynë kombëtar: kemi fëmijë që dinë të bëjnë “duet” në TikTok por nuk
dinë të thonë një fjali të saktë në shqip. Kemi të rritur që flasin për
universitetin si për ushtrinë që duhet mbaruar me çdo kusht, dhe pensionistë që
kujtojnë gjithçka… përveç emrit të djalit të tyre.
Pra, nëse sot keni
menduar për diçka të thellë, keni vënë në dyshim diçka që duket te sigurt për
të gjithë, ose keni ndalur të pyetur “pse?”, atëherë urime: e keni një tru
funksional. Dhe duhet ruajtur si pasaportë biometrike në xhep, sepse këto kohë,
truri është mall i rrallë.
Në të kundërt –
ç’të themi – 22 korriku për ju është thjesht një datë tjetër në kalendar. E
nxehtë për shkak të stinës së verës dhe të ngrohjes globale. Po më shumë se
kaq… një ditë tjetër ku truri shkon me leje pa pagesë.
No comments:
Post a Comment