Wednesday, July 23, 2025

6 korrik 1943 – Masakra e Borovës: Kujtesa për 107 të vrarët e të djegurit pa faj

 

Nga Leonard Veizi

Në mesin e verës së një Europe që digjej nga flakët e Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria zinte vetëm një cep të vogël në hartën e barbarisë së organizuar. Dhe megjithatë, në atë cep që dukej si e harruar nga bota, ndodhi një nga aktet më të tmerrshme të terrorit nazist në Ballkan: masakra e Borovës. Atë ditë, fjalët u tërhoqën, britmat u dëgjuan më fort, dhe jeta njerëzore u trajtua si pluhur nën çizmen gjermane…

…Në agun e 6 korrikut 1943, kur era përkëdhelte grurin e pjekur të Kolonjës dhe borën e majave e pasqyronte dielli i mëngjesit, fshati i Borovës nisi një ditë si gjithë të tjerat. Gratë rregullonin oborret, barinjtë nxirrnin tufat, fëmijët përziheshin në lojë. Asgjë nuk paralajmëronte kasaphanën që do të binte mbi ta si rrufe nga qielli i kthjellët. Por diku më tej, në rrugët që lidhin Kolonjën me Janinën, jehona e një tjetër realiteti ishte në lëvizje.

Autokolona dhe sulmi partizan
Në atë kohë, Italia fashiste po përjetonte çastet e fundit, ndërsa Gjermania naziste përpiqej të merrte kontrollin e drejtpërdrejtë mbi territoret e pushtuara. Një nga rrugët më të rëndësishme për lëvizjen e trupave dhe furnizimeve gjermane kalonte përmes jugut të Shqipërisë – dhe pikërisht aty, në rrugën mes Borovës dhe Barmashit, ndodhi përplasja.
Pararoja gjermane – me disa motorçikleta dhe një autoblindë – kishte kaluar në kontroll të plotë rrugën drejt jugut, duke i hapur rrugën autokolonës kryesore të Divizionit të 104-t Jager të këmbësorisë, i cili vinte nga rruga Manastir-Follorinë për të kaluar në aksin Korçe-Ersekë-Leskovik, sepse kishte marrë urdhër të dislokohej në Janinës. Rreth orës 15:20, te kthesa e Sanjollasit, 40 automjete me ushtarë dhe pajisje të rënda u zunë në pritë nga forcat partizane. Në atë sulm morën pjesë rreth 316 vullnetarë nga fshatrat e Kolonjës, bashkë me 100 luftëtarë nga Panariti e Vithkuqi, 50 nga Skrapari dhe Batalioni “Tomorri”, me komandant Riza Kodhelin. Sulmi pati sukses të pjesshëm: thuhet se u vranë e plagosën dhjetëra gjermanë. Por fitorja e vogël e partizanëve do të paguhej shumë shtrenjtë.

Borova
Borova nuk ishte fushë beteje, as pikë strategjike ushtarake. Ishte një fshat i zakonshëm, me rreth 450-500 banorë, me oxhaqe që tymonin dhe shtëpi të gurta që rrëfenin historinë e një jete të qetë në malësi.
Por pozita pranë vendit të përleshjes i mjaftoi komandës gjermane për ta shpallur fajtor kolektivisht. Në logjikën naziste, fshatarët konsideroheshin bashkëpunëtorë të partizanëve vetëm sepse ishin aty, sepse ishin shqiptarë, sepse nuk i kishin njoftuar.
Vetëm pak orë pas pritës, një njësi ndëshkimore gjermane – e mirëorganizuar dhe e pajisur për operacione represive – u nis për në Borovë me urdhër të prerë: hakmarrje e menjëhershme dhe e plotë.
Ajo që ndodhi më pas nuk ishte thjesht një akt ushtarak, por një ritual i dhunës barbare. Shtëpi më shtëpi, forcat gjermane hynë, nxorën njerëzit jashtë dhe i pushkatuan. Disa familje u dogjën të gjalla në shtëpitë e tyre. Fëmijët nuk kursyen. Foshnjat nuk lanë gjallë. Burrat, gratë, të moshuarit – të gjithë u përballën me vdekjen pa asnjë dallim.

Shifrat
Zyrtarist, bilanci i asaj dite ishte i tmerrshëm: 107 civilë të vrarë, përfshirë 47 persona nën moshën 20 vjeç. Më i vogli, një foshnjë vetëm 4 muajshe. Por sipas një dokumenti të përpiluar nga nënprefektura e Kolonjës rezultojnë 115 viktima.
Në fshat nuk mbeti asgjë pa u prekur: rreth 100 ndërtesa – shtëpi, dyqane, objekte fetare – u dogjën ose u shkatërruan. Vetëm pak banorë arritën të fshiheshin në pyje ose shpella. Të tjerët u bënë viktimat e një hakmarrjeje që nuk njihte as arsye, as ndërgjegje.

Kujtesa
Pas luftës, Borova u rindërtua. U ngrit një lapidar, u shkruan emrat e viktimave në gurë, u vendosën lule. Por asnjë monument nuk e shlyen dhimbjen. Dhe asnjë ceremoni nuk e kompenson jetën që u pre në mes.
Por Borova nuk është thjesht një përvjetor, nuk është një ceremoni. Është një plagë e hapur që flet – ose duhet të flasë – për ne sot. Ajo nuk kërkon të nxisë urrejtje, por të ngjallë ndërgjegje. Sepse nuk janë vetëm 107 viktima. Është simboli i asaj që ndodh kur urrejtja institucionalizohet, kur liria shtypet me tanke dhe kur jeta njerëzore vlerësohet më pak se një urdhër.
Historia e Borovës është një mësim që nuk duhet të rishkruhet as me indiferencë, as me harresë. Është një pasqyrë ku shoqëria duhet të shohë veten sa herë që përballet me zgjedhjen mes të drejtës dhe forcës, mes kujtesës dhe mohimit.
Në fund të fundit, ajo që e mban një komb në këmbë nuk është vetëm heroizmi, por edhe mënyra se si i nderon plagët e tij.
 

No comments:

Post a Comment