Monday, September 29, 2025

Xhimi Hendriks, vdekja e kitaristit universal



Nga Leonard Veizi
 
Në skenë ai dukej sikur vinte nga një botë tjetër. Gishta që vallëzonin mbi tela si flakë të gjalla, kitarë që klithte, qante dhe fluturonte bashkë me shpirtin e tij. Xhimi Hendriks nuk ishte thjesht një muzikant – ai ishte vetë zëri i një brezi që kërkonte liri, revoltë dhe dashuri. Tingujt e tij shponin qiellin e tronditur të viteve ’60, duke e kthyer elektricitetin në poezi dhe dhimbjen në himn. Dhe megjithëse jeta e tij u shua në kulmin e shkëlqimit, zjarri që ndezi nuk u fik kurrë...
 
...Më 18 shtator 1970, në Londër, u shua një nga yjet më të shndritshëm të historisë së muzikës: Xhimi Hendriks. Ai ishte vetëm 27 vjeç kur vdekja e befasishme i ndërpreu rrugën, duke e futur përgjithmonë në klubin e artistëve të mallkuar që nuk jetuan gjatë, por ndezën epoka.
 
“Rolling Stone”
Revista “Rolling Stone” e ka shpallur “kitaristin më të madh të të gjitha kohërave”. Në listën e saj të famshme, ai qëndron mbi gjigantë si Erik Klepton, Xhimi Peixh, Kit Riçards, Xhef Bek, Bi.Bi. King apo Çak Beri. “Hendriks bëri që ideja jonë mbi muzikën rok të shpërthente. Ai nuk e luajti vetëm kitarën – ai e shpiku sërish atë”, do të thoshte kitaristi Tom Morello, duke përmendur interpretimet tronditëse të “Mjegullë e purpurt” (Purple Haze) apo versionin elektrik të “Himnit Amerikan” (The Star-Spangled Banner) në Udstok.
 
Nga Sietëll në Londër
Xhejms Marshall Hendriks lindi më 27 nëntor 1942 në Sietëll. Në moshën 13-vjeçare mori në dorë kitarën e parë akustike, duke zbuluar se ajo do të ishte gjuha e tij e vërtetë. Shkollën e la herët dhe hyri në ushtri, por nuk u përshtat kurrë me jetën ushtarake. Shumë shpejt u zhyt në botën e muzikës, duke shoqëruar grupe bluzi si kitarist anonim.
Nju Jorku ishte stacioni i parë i madh, por Londra do ta shndërronte në legjendë. Atje u bë “Xhimi” dhe formoi grupin Eksperienca e Xhimi Hendriksit, me Noel Redding në bas dhe Miç Mitçell në bateri. Shpejt, publiku britanik e kuptoi se kishte përpara një muzikant që po ndryshonte vetë ligjërimin e rokut.
 
Shpërthimi i talentit
Albumet “A je me përvojë?” (Are You Experienced?, 1967) dhe “Boshti: Trim si dashuria” (Axis: Bold as Love, 1967) e ngritën në piedestalin e artit modern, duke e shndërruar në ikonë të një gjenerate që kërkonte liri dhe revolucion. Performancat e tij ishin rituale të zjarrit: kitarë të përplasura, tinguj që imitonin shpërthime, britma të elektrizuara. Hendriks nuk thjesht këndonte, ai i fliste botës përmes kitarës.
 
Errësira e fundit
Megjithatë, pas lavdisë fshihej një shpirt i brishtë. Droga, tensionet me menaxherët dhe marrëdhëniet e trazuara e shoqëronin gjithnjë. Natën e 17 shtatorit 1970, në apartamentin e tij në Noting Hil, mori pilula gjumi që i përkisnin të dashurës së tij, Monika Daneman. Në mëngjes u gjet pa ndjenja, i mbuluar nga të vjellat. Në spital nuk mundën ta ringjallnin. Ishte 27 vjeç.
 
Trashëgimia
Xhimi Hendriks mbeti një meteor që dogji qiellin vetëm për pak vite, por shënjoi përgjithmonë mënyrën se si e mendojmë kitarën, rok-un dhe lirinë artistike. Vdekja e tij nuk e shuajti dot, përkundrazi, e ngriti në pavdekësi. Sot, çdo akord i tij është kujtesë e gjallë se arti i madh nuk njeh kufij kohe.

No comments:

Post a Comment