Nga Leonard
Veizi
Ai ishte Eldioni,
por mediat online e kthyen në “vëllain e Gjestit”. Sepse të jesh vëllai i
Gjestit nuk është pak, qoftë në të mirë, qoftë në të keq.
Eldionin e njihnin
shumë më pak njerëz, edhe pse një herë kishte dalë në televizor si “vëllai i
Gjestit”. E njihnin vetëm shokët e shkollës aty në Pavlan të Pejës, fqinjët dhe
ndonjë tjetër më tej se kaq.
Por Gjesti,
këngëtar dhe qëndrestar i pashembullt — për 184 ditë ngujimi në dy spektakle të
ndryshme televizive me të njëjtin emër, - u bë fort i njohur në të gjithë botën
shqiptare. Që do të thotë: e njihnin shqiptarët e Kosovës, ata të Shqipërisë,
të Maqedonisë, të Malit të Zi, shqiptarët e Greqisë dhe ata të diasporës. Të
paktën dhjetë milion vetë. Dhe kjo do të thotë se je i famshëm.
Ndaj Eldioni nuk
mund të ishte më vetvetja, pikërisht në ditën më të keqe të jetës së tij: atë
të aksidentit fatal që ia mori jetën. Prej atij çasti, ai pushoi së ekzistuari
si Eldion Kelmendi dhe u ngrit në pjedestal si “vëllai i Gjestit”.
Kjo kishte të
bënte me famën. Sepse nuk u tha kurrë në mediat sociale se ndërroi jetë Eldion
Kelmendi, 15 vjeç. Kjo ndodhi vetëm në shpalljen zyrtare. Ndërsa mediat sociale
konsideruan se “vdiq vëllai i Gjestit”. Dhe bashkë me lajmin e dhimbshëm,
individualiteti të thjeshtë të njërit iu bashkangjit emri i famshëm i tjetrit.
Ja kështu media
luan rolin e vet. Sidomos kur ajo del nga kontrolli. Siç paralajmërohet se një
ditë inteligjenca artificiale do të dalë nga kontrolli i njeriut dhe do të
bëhet varrmihësi i tij, po kështu edhe mediat kanë dalë prej kohësh nga
kontrolli dhe varrosin përditë: të vdekurit që e lënë këtë botë dhe të gjallët
që janë në shënjestë. Pa mëshirë. Sepse në lojë është një fakt i vetëm, i
ftohtë dhe i pamëshirshëm: klikimet. Dhe klikimet gjenerojnë para. Dhe për
para, njeriu vret njeriun, po aq sa edhe vëllai vret vëllain dhe po aq i biri
vret babanë.
Mediat kapën
klikimet që mungonin; ngritën imazhin në zenith. Transmetuan Gjestin duke qarë,
duke u përshëndetur me Eglin, duke pritur ngushëllimet e Luisit.
Një celular sot
vlen më shumë se një kalë: “Një kalë! Jap gjysmën e mbretërisë për një kalë!” bërtiste
Rikard III, në fushën e betejës së Bosuorthit. Dhe sot kali i betejës është një
celular.
Po Eldioni…?
Ai ishte aty, por
vetëm për shkak të vetes. Ai prodhoi miliona klikime, jo se iku nga kjo botë në
lulëzim të rinisë — vetëm 15 vjeç — por sepse ishte vëllai i Gjestit. Kjo
kishte rëndësi. Dhe shqiptarët shkuan në varrim, jo për të përqafuar Gjestin
dhe familjarët e tronditur të të ndjerit, por për të fotografuar ngjarjen.
Sepse sot gjithçka është në fokusin e lentes së aparatit fotografik.
Ky dokumentim
kaloi përtej kufirit të njerëzores. U kthye në çnjerëzor.
Por ndoshta dhe
kjo nuk ka rëndësi. Më e rëndësishmja është fatura e xhiros totale. Në fund të
fundit, të vdekurit janë me njëri-tjetrin në botën e tyre, ashtu si të gjallët
janë mes njëri-tjetrit në botën e pangopësisë.
Dhe thënia e
vjetër e Heraklitit,/ më erdhi sot ndër mend për dreq:
“Te fjeturit janë
bashkë në botë,/ kurse të zgjuarit janë veç.”
Kështu do të
shkruante në vargjet e tij edhe Ismail Kadare, dikur.
No comments:
Post a Comment