Nga Leonard
Veizi
Ajo e shndërroi
letërsinë në një akt rezistence të papërkulur. Sepse nuk ishte thjesht një
shkrimtare. Nadine Gordimer ishte ndërgjegjja e një kombi të plagosur. Ndaj ajo
derdhte shpirtin e një kombi të ndarë mbi letër. Në çdo faqe të saj, arti nuk
ishte luks, por domosdoshmëri; fjala nuk ishte stoli, por thirrje. Me letërsinë
e saj ajo u dha zë atyre që apartheid-i përpiqej t’i bënte të padukshëm...
...Çmimi Nobel në
Letërsi i vitit 1991, – pikërisht më 3 tetor - nuk ishte thjesht shpërblim për
mjeshtërinë e saj prozatore, por njohje e guximit moral. Gordimer nuk mbylli
sytë para padrejtësisë. Me penë të mprehtë dhe një ndjeshmëri të thellë
njerëzore, ajo zbërtheu kontradiktat e Afrikës së Jugut, duke i shndërruar
dilemat private në kauza universale lirie. Romane si “My Son’s Story”, e vitit
1990 apo e ardhur në shqip si “Historia e birit tim” dhe “Crimes of
Conscience”, e vitit 1991 që vjen në shqip si “Krime ndërgjegjeje”, tregojnë me
forcë se si racizmi nuk vret vetëm trupin, por plagos shpirtin e një kombi.
Gordimer i bëri lexuesit të shohin se pas çdo ligji çnjerëzor, fshihet një
dramë intime; se pas çdo shtypjeje politike, qëndron një zemër e thyer.
Rrugëtimi
Ajo lindi më 20
nëntor 1923 në Springs, një qytet minatorësh afër Johanesburgut, në një familje
me rrënjë të përziera: i ati, emigrant hebre nga Letonia, dhe e ëma, me
origjinë angleze. Që fëmijë, ajo ndjeu kontrastet e mëdha të vendit të saj –
privilegjet e të bardhëve dhe margjinalizimin e shumicës me ngjyrë. Këto
përvoja të hershme e ushqyen ndjeshmërinë e saj letrare.
Ajo botoi tregimin
e parë në moshën 15-vjeçare, dhe që atëherë fjala u bë arma e saj. Shumë prej
librave të saj u ndaluan nga censura e regjimit të apartheid-it, por kjo nuk e
ndali. Përkundrazi, e forcoi. Gordimer besonte se shkrimtari nuk duhet të rrijë
i mënjanuar, por të përballet me kohën dhe vendin ku jeton.
Ajo ishte
gjithashtu e angazhuar politikisht: një mbështetëse e hapur e Kongresit
Kombëtar Afrikan dhe një mike e ngushtë e Nelson Mandelës, të cilit i qëndroi
pranë edhe gjatë burgosjes së tij të gjatë. Në kohë kur ishte e rrezikshme të
flisje kundër regjimit, Gordimer e bëri këtë pa kompromis.
Vlerësimi
Në më shumë se
gjysmë shekulli krijimtarie, Gordimer fitoi 31 çmime ndërkombëtare dhe u njoh
si një nga zërat më të fuqishëm të prozës moderne. Por mbi të gjitha, ajo mbeti
një ndërgjegje morale, e bindur se shkrimtari duhet t’i thotë shoqërisë së tij
të vërtetën, pa frikë dhe pa u përkulur.
Akademia Suedeze e
përshkroi atë si “një autore që, përmes shkrimeve epike me përmasa të mëdha, ka
qenë një përfituese dhe përçues i realitetit të Afrikës së Jugut”. Dhe vërtet,
Nadine Gordimer mbetet një kujtesë e gjallë se arti i vërtetë nuk është thjesht
estetikë, por në thelb një ndërgjegje morale.
Ajo u shua më 13
korrik 2014, në moshën 90-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi letrare që
vazhdon të frymëzojë breza të tërë. Zëri i saj ende kumbon, si dëshmi se
letërsia mund të ndryshojë historinë.
No comments:
Post a Comment