Nga Leonard Veizi
Në Shqipëri, prej
kohësh, qarkullon si shprehje e gjallë, si shprehje teatrale a batutë filmi,
një togfjalësh që përmendet sa herë një fëmijë prek telat e violinës me talent
të rrallë: “Paganini shqiptar”. Ky pagëzim del vetvetiu nga goja e njerëzve, si
një përulje e thellë ndaj emrit që ka mbetur simbol i gjenialitetit muzikor.
Sepse kur themi Paganini, mendojmë për atë që e bëri violinën të marrë frymë,
të digjej, të ulërinte dhe të fliste si njeri.
Lindja e mitit:
27 Tetor 1782
Më 27 tetor 1782,
në Gjenovën e Italisë, lindi Nikola Paganini, një djalosh që do të ndryshonte
përgjithmonë mënyrën se si dëgjohej dhe kuptohej muzika. Ai nuk ishte thjesht
një virtuoz, por një magjistar që nxori nga katër tela gjithë thelbin e
emocioneve njerëzore: dashurinë, dhimbjen, delirimin dhe, më në fund, heshtjen
paqësore. Paganini u bë vetë miti i violinës, shembulli i një talenti të
pakapshëm. Ky magnetizëm është aq i fortë, sa edhe sot, në çdo qoshe të botës,
një djalosh apo vajzë që i jep shpirt harkut të parë, dëgjon pranë vetes një
përshpëritje krenare: “Ky është Paganini ynë.”
Fuqia e
përbindshme e harkut
Paganini është një
emër që ende sot tingëllon si vetëtimë në historinë e muzikës. Që në fëmijëri,
duart e tij flisnin një gjuhë tjetër: atë të harkut dhe telave. Ai nuk luante
thjesht në violinë – ai e pushtonte. E bënte të qante me pasion, të qeshte me
shkëlqim dhe të fluturonte me një frymë të mbinatyrshme.
Ai ishte virtuozi
i pakrahasueshëm, njeriu që shndërroi instrumentin në trupin e shpirtit të vet.
Shpesh e quanin “il mostro del violino” apo siç vjen në shqip “i përbindshmi i
violinës”, sepse teknika e tij ishte përtej asaj që njerëzit e kohës mund ta
konceptonin. Shkathtësia marramendëse e gishtave, shpejtësia rrufe e
ekzekutimit, harmonitë e pazakonta dhe pasioni i flakët krijuan rreth tij një
aureolë misterioze. Disa madje besonin se kishte shitur shpirtin te djalli për
të fituar atë fuqi hyjnore mbi tingullin.
Revolucionari i
artit muzikor
Por përtej
legjendës dhe miteve që e rrethonin, Paganini në thelb ishte një revolucionar i
artit muzikor. Ai ndryshoi rrënjësisht mënyrën se si kompozohej për violinë dhe
interpretohej me të, duke hapur një epokë të re virtuoziteti që do të
frymëzonte gjithë brezat e ardhshëm.
Veprat e tij
ikonike “24 Kapriçot”, mbeten edhe sot prova supreme për çdo violinist që
kërkon të matet me kufijtë e artit, teknikës dhe durimit njerëzor. Ato nuk janë
thjesht muzikë; ato janë një manifest i asaj çka mund të arrijë shpirti kur i
nënshtrohet një vizioni gjenial.
Suksesi dhe
dështimi në jetë
Në 1828 Paganini
përjetoi sukses të madh në Vjenë, dhe paraqitjet e tij në Paris dhe Londër në
1831 ishin po aq sensacionale. Turneu i tij në Angli dhe Skoci në vitin 1832 e
bëri atë një njeri të pasur.
Paganini e
përfundoi karrierën e tij koncertale në vitin 1834 për shkak të shëndetit në
përkeqësim, dhe falimentimi i kazinosë së tij në Paris e la në rrënim
financiar. Ai u tërhoq në Francën jugore dhe vdiq në Nisë në vitin 1840 në
moshën 57 vjeç.
Në fund
Nikola Paganini
nuk ishte thjesht një njeri i epokës së tij. Ai ishte uragani i frymëzimit, një
shpirt që digjej në flakën e artit, duke na kujtuar se gjenialiteti shpesh lind
aty ku takohen dhimbja dhe pasioni i pafund. Ai vdiq, por i la violinës jo vetëm
tinguj, por vetë shpirtin e tij.

No comments:
Post a Comment