Nga Leonard
Veizi
Në fillim të
shekullit XX, kur qytetin e Nju Jorkut po ngrihej si kryeqyteti ekonomik dhe
kulturor i botës moderne, qyteti kërkonte jo vetëm qiellgërvishtëse dhe
fabrika, por edhe tempuj të dijes. Amerika industriale po pasurohej me
shpejtësi, por njëkohësisht ndiente nevojën të ndërtonte institucione që do ta
shndërronin fuqinë ekonomike në qytetërim. Pikërisht në këtë klimë lindi një
nga monumentet më të rëndësishme kulturore të shekullit: “New York Public
Library”...
...Më 23 maj 1911,
pas më shumë se një dekade punimesh, u përurua zyrtarisht biblioteka publike më
madhështore e ndërtuar ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan Uilliam Hauard Taft
preu shiritin ceremonial përpara një turme të madhe qytetarësh, intelektualësh
dhe gazetarësh. Ishte një moment simbolik: Amerika po shpallte se dija dhe
kultura mund të kishin po aq rëndësi sa industria dhe kapitali.
Ndërtesa, e
ngritur në “Fifth Avenue”, - apo siç vjen në shqip “Avenuja e Pestë” - në zemër
të Manhatan-it, ishte një kryevepër monumentale prej mermeri të bardhë. Punimet
kishin nisur që në vitin 1895 dhe projekti kishte kërkuar një investim kolosal
për kohën. Arkitektët Karrerë dhe Hejstings projektuan një ndërtesë në stilin “Beaux-Arts”,
të frymëzuar nga madhështia klasike europiane, duke i dhënë qytetit një tempull
laik të dijes. Përballë hyrjes u vendosën dy luanët monumentalë prej guri, që
më vonë do të merrnin emrat “Patience” dhe “Fortitude” — Durimi dhe Forca —
simbole të shpirtit të Nju Jorkut.
Brenda
bibliotekës, sallat e leximit shtriheshin si katedrale të heshtjes. Tavane të
larta, dritare gjigante dhe rafte të pafundme librash krijonin ndjesinë se
njeriu hynte në një univers ku koha ndalonte dhe ku mendimi njerëzor ruhej si
trashëgimi e shenjtë. Biblioteka nuk ishte menduar vetëm për elitën akademike.
Ajo u konceptua si një institucion publik, i hapur për këdo — emigrantë,
punëtorë, studentë, shkrimtarë apo qytetarë të zakonshëm që kërkonin dije
falas.
Në një qytet të
mbushur me miliona emigrantë që mbërrinin nga Europa, biblioteka u kthye në një
urë integrimi kulturor. Për shumë njerëz, ajo ishte vendi ku mësonin anglishten,
ku njihnin historinë amerikane dhe ku zbulonin botën përtej kufijve të
varfërisë së tyre. Në sallat e saj studiuan, lexuan dhe shkruan breza të tërë
intelektualësh, artistësh dhe studiuesish.
Me kalimin e
dekadave, New York Public Library u bë jo vetëm simbol i Nju Jorkut, por një
nga institucionet më të rëndësishme kulturore në planet. Sot ajo numëron afro
53 milionë artikuj — libra, dorëshkrime, harta, fotografi, dokumente historike
dhe materiale arkivore — duke u renditur si biblioteka e dytë më e madhe në
Shtetet e Bashkuara, pas “Library of Congress” në Uashington, dhe ndër më të
mëdhatë në botë, krahas British Library në Londër.
Por madhështia e
saj nuk matet vetëm me numrin e librave. Biblioteka Publike e Nju Jorkut mbetet
simbol i një epoke që besonte se qytetërimi ndërtohet përmes dijes së
përbashkët. Në një shekull të mbushur me luftëra, kriza dhe revolucione
teknologjike, ajo vazhdoi të qëndrojë si një katedrale moderne e kujtesës
njerëzore — një vend ku miliona histori ruhen në heshtje, duke pritur lexuesin
e radhës.

No comments:
Post a Comment