Jemi popull me humor. Në ditë të mira e në ditë zie. Buron humori këtu te ne e s’ke ç’thua. Dhe me siguri, duhet ta kemi nga dielli me tepricë. Madje humorin më të madh e kemi kur fillojmë të reagojmë, ca me naivitet agresiv e ca me një hipokrizi që e kapërcen vetë hipokrizinë. E për çdo rast e kemi një emblemë ku kapemi me thonj e dhëmbë, Zoti. Të vdesësh gazit nga humori. As në Estradën e dikurshme të Shtetit nuk e gjeje këtë frymë, as në Parlamentin e sotëm. E gjen në një reagim mbarë popullor, gjë që si zor se ka bërë vaki më parë. Tanimë duket sikur rrimë në përgjim, të na ndodhi një gjë e keqe që të kemi mundësi të shfryjmë mllefin që na ka pushtuar. Por për djall kur nuk je mësuar të reagosh, dukesh aq qesharak sa është pak të të zënë me shqelma e të të përçmojnë.
Parantezë, në vazhdim të këtij argumenti:
Nuk ka gjë më qesharake të thuash se, njeriu e beson Zotin, e adhuron atë dhe i bindet. Asnjë nga këto të tria nuk vlen. Nuk ka vlejtur asnjëherë në fakt. Për më tepër që, një gjë e tillë ka të bëjë me ndërgjegjen. Pra me diçka krejt të padukshme e të paprekshme. Duket se njeriu te Zoti ka parë gjithmonë atë qenien e mbinatyrshme, shpirtmadh, që ia duron të gjitha marrëzitë deri në ekstrem, por që e fal në çastin e fundit vetëm se ai tregon një sekondë pendes. E meqenëse na qenka gjetur një rrugë shpëtimi - të përfitojmë nga rasti, të rrëmbejmë ç’të mundemi. Ka kohë për pendesë. Të gjithë do shkojmë në Parajsë, e sigurt. Nisur nga të gjitha këto ka një përfundim jo shumë të cekët, por të thjeshtësuar gjithsesi: Njeriu jo vetëm që nuk e beson Zotin, por përçudnon në emër të tij. Mashtron, vret e pret, dhe pastaj bën të pabërën, shkon në një objekt kulti llum i papastër dhe mendon se prej andej do të dalë siç e ka bërë nëna. Të gjitha do harrohen. Në fakt nuk është kështu. Asgjë nuk harrohet. Gjithçka mbetet në kujtesë. Por me sa duket, jemi mësuar ta përdorim një objekt kulti si të ishte një lavatriçe ku futemi të pisët e dalim të hekurosur. Ndërkohë, duhet të ndodhë e kundërta: duhet të futemi të pastër e të dalim qelibar.
Argumenti nis sërish nga fillimi:
Ndodh rëndom që sa herë në portalet online qarkullon ndonjë video - ku një burrë rreh gruan sa i ha dora, ku një grua shkarkon mbi trupin e burrit një karikator me fishekë e i duket pak, apo një idiote dhunon një fëmijë se aq i thotë truri, - nis fill dhe një fushatë e nxehtë statusesh. O “Zot...” njëri e “o Zot...” tjetri. Të gjithë Zotit i drejtohen. Jo se u vjen kaq keq, por se më së shumti e shohin veten po aq protagonist sa ai që rreh e vret. Pra, si të thuash, me këtë rast bëjnë dhe një si punë katarsisi. Por gjithsesi, çfarë nuk gjen në markatën e reagimeve online. Ka statuse njerëzish që dinë të thurin ca fjalë dhe të tjerë që kërkojnë ndihmë se s’kanë mësuar ende shqip. Shumë rendin të publikojnë statuse me katër fjali e tre mallkime. Ca të tjerë për përmirësimin e situatës se vanë 25 vite demokraci e kemi mbetur në vend numëro. Domethënë, vazhdojmë të jemi si në vitet ’90. E për t’u dukur si më elokuent e të lexuar, ca huazojnë shprehje nga Bibla e të tjerë nga Kur’ani. Ca përmendin engjëjt e ca të tjerë satanain. Ca mundohen ta rrisin piacën kur kërkojnë të zhgërryhen në labirintin e reformave, të dekriminalizimit apo të borxhit të jashtëm dhe prodhimit të përgjithshëm bruto. Ca të tjerë e kanë pazarin më të ulët, e anashkalojnë analizën globale që shkon deri te kandidimi i Trampit dhe kalkulojnë formacionin e De Biazit me kombëtaren. Por në shfrim e sipër vijnë dhe nja tetë a nëntë pikëpyetje me radhë: “Ku është shteti? Ku është Presidenti? Po Kryeministri? Po Policia, Ministria e Punës Çështjeve Sociale Shanseve të Barabarta, e Rinisë, Sporteve… ajo e Bujqësisë edhe e Ushqimit mor amani se desh harruam. O po ku janë fshehur këta se nuk po e marrim vesh?”
Vazhdon lumi i statuseve. Ca me fotografitë e tyre e të tjerë më profile false. Por tek e fundit, duhet ta themi fjalën tonë, ndryshe nuk quhet. Se ja, kanë folur këta “peco-grosot”. Le po janë hedhur në sulm edhe “plebejtë”. Si të mos e lëshojmë dhe ne ndonjë status. Katër fjali janë të shkretat. I futim një të sharë për qejf tonë, përmendim dhe Zotin që të jemi në rregull dhe shohim sa like do marrim.
Në vend të epilogut:
Nuk e kam me reagimin, se shyqyr që kemi mësuar të reagojmë së fundi. Por nuk di pse duken kaq false e mjerane shumica e tyre, se duan të thonë diçka e s’thonë asgjë. Por dhe në këtë rast e kanë një të mirë: i japin material sa të duash, Estradës së Shtetit apo show-t të kabareve.
Postuar në 23 qershor 2016
Postuar në 23 qershor 2016
No comments:
Post a Comment