nga Leonard Veizi
Kjo që shohim në foto, njihet nga të gjithë si “Komuna e
Parisit”. Ishte thjesht një rrugë. Tani jo më e tillë. Statistikat thonë se e
gjithë zona mban 80 mijë banorë. E nëse statistikat nuk gabojnë kjo do të thotë
që janë edhe nja 10 mijë makina në qarkullim. Kam shkruar edhe herë tjetër për
këtë rrugë, a lagjje, merreni si të doni, e cila për nga kapaciteti është sa
një qytet i madh i Shqipërisë, Shkodra apo Vlora. Megjithatë rruga nuk është më
tepër se 6 metra e gjerë, ku herë hapet e herë ngushtohet. Përfundimi: nuk
është as më pak e as më shumë se sa një rrugë fshati e asfaltuar. Realisht kjo
është fytyra e vërtetë e kapitalizmit urban shqiptar, një idiotësi totale dhe e
papërshkruar. Sidomos tani pas prishjes së shtesave të lokaleve. Asnjëherë nuk
ka pasur një plan të rregullimit të saj, dhe prishja e ndërtimeve pa leje nuk e
zbukuron fare lagjen, përkundrazi e tregon edhe më demode nga sa është. Por do
të mundohem t’i kap me radhë…
…Kur drita jeshile e semaforit ta jep mundësinë, ti mund të
kalosh si këmbësor i thjeshtë, edhe pse në krahun tënd një “Mercedes-Benz
M-Class” a “X-6”, që niset si furtunë, është gati të të vërë përfund. Nga ky
çast bindesh se ke ndërmarrë një ekspeditë fort të lodhshme pa filluar ende, e
që përshkon itinerarit e çuditshëm nga rruga “Muhamed Gjollesha” pranë
stadiumit “Dinamo”, për të mbërritur në vendin e quajtur “Selitë”, e cila vetëm
pak vite më parë mbante termin e një fshati pranë kryeqytetit. Zona kishte veç
sera për prodhime bujqësore dhe një pikë karburanti diku në majë. Më tej
fillonin brezaret e pemëve frutore. Tanimë, ajo që quhej majë është në mes. Nuk
mund të jemi kundër, ç’kuptim ka, zhvillim do ketë. Po si…?
Anash rrugës së ngushtë janë ndërtuar vetëm pallate 10-14
katesh. Duhet pasur parasysh se në këtë zonë dikur kalonte një përrua, dheu
është i hedhur, e po ra tërmet… “ruana Zot”.
Nuk quhet më “Komuna e Parisit” edhe pse në regjistrat e
minibashkisë “5” apo në ambulancën e lagjes, gjithçka që shënohet rreth adresës
së një personi, mban të njëjtën “vulë”. Mban një emër krejt të ri. Madje për
këtë, me një ceremoni pa bujë nga zyrtarët e Bashkisë, disa vite më parë u
zbulua edhe pllaka, ku sipërfaqja ishte gdhendur me një daltë çeliku, për të
dhënë rezultanten pasive të emër-mbiemrit: “Medar Shtylla”.
Gjithkush ka të drejtën e pakontestueshme për ta quajtur si
“lagja e re e VIP-ave të kryeqytetit”. Unë për vete kam 12 vjet banor i saj,
nuk hyj te VIP-at, është e sigurtë. Por ndoshta mund të jetë pikërisht ashtu,
lagje VIP-ash. Varet kush e kalon testin. Në bllokun masiv me rreth 80 mijë
banorë kanë preferuar të jetojnë ministra e ish të tillë, deputetë e ata që nuk
kanë më mandat, e deri para pak kohësh po aty jetonte dhe presidenti aktual i
Republikës, Bujar Nishani.

Por udhëtimi drejt finishit është i lodhshëm, i zhurmshëm,
ku për më tepër, sytë, flegrat e hundëve dhe qiellza të ngacmohen vazhdimisht
nga pluhuri dhe gazrat që dalin prej jashtë skrapamentove të makinave të cilat
brenda janë “full option” pajisur me kondicioner e airbag.
E meqenëse e kemi marrë rrugën për të shkuar në Selitën e
vjetër, lagja e re e VIP-ave, që ne rëndom jemi mësuar ta njohim me një emër
fort të qarkulluar prej të paktën 140 vjetësh: “Komuna e Parisit”, vjen e
shformohet, nga një bulevard i supozuar, në një labirint mjeran e të shëmtuar.
Kjo rrugicë, meqenëse mban një emër që vjen nga Franca, nuk ka shans të ngjajë
me Shans Elizenë. Asgjë që vazhdon në zgjatimin e rrugës së vjetër që të çonte
tek “Kopshti Botanik”, nuk të jep përshtypjen e një lagje me arkitekturë e
urbanistikë bashkëkohore dhe për më tepër e vendosur aty ku duhet.
Do themi vetëm të këqijat në këtë shkrim të shkurtër.
Reklamë as që mendohet në një rast të tillë. “Komuna e Parisit” është një vend
ku fëmijët nuk kanë asnjë mundësi për të luajtur e argëtuar, nuk ka terrene.
Është vendi ku makinat mund të parkohen mbi njëra-tjetrën, minimumi mbi
trotuare. Është vendi ku telat e telefonisë fikse dhe kabllot e sistemit të
ndriçimit gjithashtu varen ngado, rrezik vdekje për këdo. Para pak ditësh dy
shtylla druri ranë pas një stuhie. Ishte mesnatë dhe nuk ndodhi gjëma. Ca
pallate të një kompleksi qëndruan pa drita për disa orë. Por me kaq u mbyll. U
ndezën qirinj për ndriçim e për t’u falur. Në mëngjes dy shtylla metalike u
vendosën nga KESH a ÇEZ, ç’rëndësi ka. Gjithashtu “Komuna e Parisit” është
rruga e stresit të nënave me fëmijë të cilat marrin guximin të shtyjnë karrocat
e bebeve në rrugë pasi trotuare nuk ka.
Thënë troç, tek Komuna e Parisit do të gjesh gjithfarë
komunitet “mix”, që pasi kanë blerë apartamentet e reja duke shpenzuar disa
mijëra euro, fillojnë ta bëjnë sherrin sherr, jo vetëm për 500 lekët e
ashensorit, por dhe për 200 lekët e pastrueses së shkallës. Janë gati të
notojnë në plehra, dhe një gjë të tillë e kanë treguar tashmë.
Së fundi: Do të isha optimist nëse bashkë me prishjet e
shtesave të lokaleve e ndërtimeve pa leje, Qeveria e Bashkia në bashkëpunim, do
të nxirrnin “A”-sin nën mëngë për të filluar zbatimin e një projekti konkret që
do ta sistemonte përfundimisht qytetit në periferi të kryeqytetit. Në të
kundërt, ndërtimet që u prishën nuk japin asnjë vlerë.
Postuar në Respublica 11 Dhjetor 2014
No comments:
Post a Comment