Tuesday, September 24, 2019

I çmenduri i pavionit 3 - fragment romani/ botim i vitit 2012/ OMSCA-1




Nga Leonard Veizi



Një ndriçim i beftë më sulmoi egërsisht mbi kapakët e syve. Ngrita qepallat dhe anova kokën, pa mundur që ta përqendroja vështrimin në atë pikë. Nuk ishin rrezet e diellit, siç mendova në çastin e parë, por një llambë neoni që varej mbi kokën time. Isha në të njëjtën dhomë, mbi të njëjtin shtrat dhe po ashtu i lidhur. Asgjë s’kishte ndryshuar. Vetëm se… E pamundur…
- Ti…?! Si munde të futesh këtu…?
Isha i shokuar nga habia. Ose gjithçka ishte përmbysur, ose diçka nuk shkonte sërish në nënvetëdijen time. Megjithatë nuk ndihesha keq. Një valë entuziazmi më përfshiu menjëherë. Suzana ishte shfaqur te dera. E bukur, me flokë të lëshuar. Nuk kishte përparëse të bardhë. Nuk kishte vdekur…
- Se si kam hyrë, kjo është punë për mua, - tha ajo duke m’u afruar dhe u përkul me të shpejtë mbi shtrat, që të zgjidhte nyjen e fashës që më shtrëngonte krahun e djathtë.
Koka e saj ishte fare pranë fytyrës sime. Nuk dalloja asnjë gjurmë gërvishtjesh, as vija të mavijosura nën gushën e saj. E gjithë skena e përleshjes me të e me Romeon m’u shfaq edhe një herë përpara syve. Kujtesa më sillte të qartë përpara syve gjithçka që kishte ndodhur ndërmjet nesh: zhurmë, thirrje, xhami i dritares që thyhej me rropamë, dhe…
- Por…, por unë… të kam vrarë! - arrita t’i thosha me gjysmë zëri.
Suzana ndaloi. Më pa me ca sy që i picërroi me egërsi, dhe tha:
- Më ke vrarë? Si më ke vrarë? Me çfarë më ke vrarë? Pa më thuaj, kush t’i ka futur në kokë mendime të tilla?
Nuk e kuptoja çfarë po vazhdonte të ndodhte me mua. Isha zgjuar apo në ëndërr?
- Andrea, - i thashë me zë të pafuqishëm
Suzana shfryu dhe vazhdoi përpjekjen e saj për të zgjidhur nyjen e fashës.
- Sa fort e paskan lidhur! - tha nën zë me një mllef të dukshëm.
Unë ngrita kokën si për ta parë më mirë. Sytë tanë ishin vetëm pak centimetra larg njëri- tjetrit.
- Të kam vrarë apo jo? - e pyeta.
Ajo arriti më në fund ta zgjidhte nyjen.
- E si mund të më kesh vrarë kur unë jam këtu dhe po të liroj nga këto djall fashash që të mbajnë të lidhur?
Në zërin e saj kishte shumë nervozizëm. Po zgjidhte fashën, e cila ishte mbështjellë disa herë rreth kyçit tim.
- Po Andrea…?
- Lëre Andrean, - nuk më la ajo ta mbaroja fjalën. - Ai është vetë i çmendur. Nuk do ta besosh? Mos e beso. Por është ai që të ka sjellë këtu.
- Si…?
Suzana doli nga krahu tjetër. Nyjet e fashave ishin koklavitur keq.
- Andrea të donte me çdo kusht në pavionin e tij. Ne të gjithë e dinim që ti i ngjaje shumë djalit të tij të vdekur. As këtë nuk e beson…? E pra, ishte profesori ai që nuk të la. Edhe Semi ndërhyri që ti të mos shkoje tek ai. Por Andrea e kishte fiksim këtë punë dhe ja, e arriti, e bëri të mundur. Atë natë, nëse të kujtohet. Andrea erdhi në pavionin tonë. Askush nuk ka parë gjë tjetër përveç hijes së tij. Të ka neutralizuar me një goditje elektrike. Dhe të ka tërhequr deri në katin e tretë. Nuk ka dëshmitarë për këtë. Përveç njërit. Ai s’ka pasur gjumë atë natë. Ka ndier zhurmë dhe ka nxjerrë vetëm kokën në korridor. Kaq u desh dhe ia ka parë fytyrën.
Suzana arriti ta zgjidhte dhe nyjen e krahut tjetër.
- Cili ishte ky? - pyeta unë me ankth, i tronditur nga gjithçka që po dëgjoja.

Suzana dihaste me vështirësi.
- Princi, - tha.
- Princi! - thirra. - Si ka mundësi? Po unë atë e kam vrarë.
Me një veprim të shpejtë Suzana më vuri dorën e saj mbi gojë.
- Mbylle dhe mos bërtit! - m’u hakërrye. - Duhet ta dish se ti nuk ke vrarë askënd. Unë nuk e di se ç’të ka thënë Andrea, por duket se të ka broçkullitur ca si shumë. Të ka manipuluar. Pastaj të ka shqepur me qetësues. Edhe elektroshok duhet të të ketë bërë se s’bën. Ndryshe, nuk do të ishe në këtë gjendje. Tani ti nuk je më vetvetja. Por do ta kalosh. Jam e bindur për këtë. E marr unë përsipër. Tani më thuaj, e pse duhet ta vrisje Romeon?
Gjithçka në mendjen time ishte zhbërë. Më dukej sikur po lundroja në një hapësirë imagjinare.
- Si pse…?! Sepse e kapa duke bërë dashuri me ty. E tmerrshme, apo jo? Ishit krejt lakuriq. Ti sipër tij. Por rënkoje…
Suzana shtrëngoi nofullat dhe picërroi sytë, si të dëgjonte gjënë më absurde në botë.
- Unë me Romeon?! Je në vete ti…? Ha-ha…! Më bëre të qesh.
E qeshura e saj e sforcuar zhurmoi në dhomë si të godiste mbi metal.
- Ja… e mbaj mend… më kujtohet gjithçka, të kapa për flokësh, të tërhoqa zvarrë…
Nga nënvetëdija e thellë ulërima e Suzanës doli si nga një humbellë. E ndieva atë fare pranë.
- Mjaft! - thirri Suzana, - Këto që thua ti, ekzistojnë vetëm në kokën tënde. Asgjë të vërtetë nuk ka. Andrea të ka bërë të besosh se na ke vrarë të dy. Dhe ti e hëngre… Ç’idiotësi!
Ajo po mundohej shumë për të zgjidhur nyjen e fashës që ma mbante të shtrënguar këmbën e majtë.
- Ç’punë ka Andrea në këtë mes? - iu kundërvura. - Unë kam përpara syve gjithçka ka ndodhur. Veç nuk po e kuptoj: si ka mundësi që ti të jesh këtu?!
Suzana e la përpjekjen e saj për të zgjidhur nyjen dhe mbështeti duart mbi shtrat, duke më vështruar drejt e në sy. Nga sytë e saj dukej sikur dilte zjarr.
- Ja pra, që ka! - tha ajo gjithë mllef. - Por më mirë pse nuk më ndihmon të lirojmë këmbën tjetër? Na duhet t’ia mbathim që këtu.
“T’ia mbathim!”. E ku do të shkonim? Dritaret ishin me hekura. Dera e jashtme ishte e blinduar.
- Ku do të shkojmë? - e pyeta.
- Në polici, - tha. - Andrea duhet denoncuar. Ai të ka masakruar. Shikoje si të ka katandisur. Do të marrim dhe Romeon me vete.
Tërhoqa këmbën, si të doja që ajo të mos e zgjidhte nyjen e fashës.
- Jo, atë jo! - i thashë i trembur.
Suzana ngriti supet.
- Është i vetmi që e ka parë ngjarjen, - tha duke e ulur tonin e zërit. - Është i vetmi që mund të dëshmojë.
“Princi, - fola me vete, - sërish dëshmitar kyç.”
- Si mund të dëshmojë një fantazmë? - i thashë. - Ai ka vdekur. Edhe ti fantazmë je.
Suzana hodhi sytë nga dera e pambyllur e dhomës, pastaj m’u drejtua:
- Duhet të më besosh. Nuk jam unë hija qe endet nëpër spital… Legjenda urbane, besoj se të kujtohet?
Unë tunda kokën si për të mohuar gjithçka, ndërkohë që mendova: Nga t’i dijë Suzana gjithë këto gjëra? E pra unë s’kisha biseduar me askënd tjetër. Veç në ia kishte thënë vetë Andrea. Në kokë kisha një rrëmujë të pazgjidhshme.
- Nuk je ti i çmenduri i pavionit 3, - vazhdoi ajo. - Është ai, Andrea. Ai duhet lidhur këtu, me fasha e me rripa meshini. Duhet izoluar.
Isha i lirë, asgjë s’më pengonte të turresha me vrap nëpër korridor, të zbrisja shkallët me furi, të kaloja çdo pengesë që do të më dilte përpara dhe të nisesha për në shtëpinë time. Por nuk mundesha. Kyçet e duarve dhe të këmbëve i kisha pa fasha, por vazhdoja t’i ndieja të lidhura. S’mund të lëvizja dot.
- Ik! - iu drejtova Suzanës. - Unë nuk dua të shkoj askund. Do të qëndroj këtu.
Isha i kapitur.
Muskujt më ishin shtendosur. Kapakët e syve më rëndonin.
Suzana më tërhoqi nga krahu, por unë nuk lëviza nga vendi. Ajo donte të ulërinte atë çast, por nuk mundi. Më vështroi për disa sekonda me sy lutës dhe… një çast më vonë pa thënë asnjë fjalë e pa bërë as më të voglën grimasë në fytyrën e saj engjëllore, u largua si hije, pa bërë zhurmë. Dera e rëndë metalike e dhomës kërciti dhe ndriçimi në dhomë u shua. Errësira mbretëroi në çast dhe unë e ndieva veten krejt bosh. U shtriva në shtrat. Isha vërtet i lodhur. I sfilitur. Nuk mund të mendoja asgjë. Veç mbylla sytë dhe… fjeta.



No comments:

Post a Comment