Në
komisariatin e policisë në T iranë
Drin Kelmendi thirri menjëherë në pyetje Teuta Velçanin.
Në duar mbante dosjen e plotë me të gjitha raportet dhe faktet që ishin bërë të
mundura deri në atë çast. Policit shoqërues ia bëri me shenjë që të dilte
jashtë. U ul përballë saj, e hoqi kapelën dhe e vuri mbi tryezë.
- Duhet të flasim, - iu drejtua pasi e la dosjen përpara
tij dhe shtypi aparatin e regjistrimit, - kam shumë pyetje për t’ju bërë.
Teuta u mundua të tregohej sa më mënjanëse.
- S’u bë i gjallë avokati im?
- Do të vijë. Ndërkohë unë do t’ju bëj vetëm ca pyetje të
thjeshta. Një formalitet më shumë. Gjithçka po regjistrohet.
- Urdhëro, - u tregua e gatshme Teuta.
Drini i zgjati një fotografi, që ta shihte.
- Njihesh me njëfarë Rron Grabova?
Ajo i hodhi një sy të shpejtë fotografisë.
- Po, e kam shok të vjetër.
- Kur e keni takuar për herë të fundit?
- Para disa ditësh. S’më kujtohet mirë.
- Ku u takuat?
- Erdhi në apartamentin ku banoj. Herë pas here vjen tek
unë. Pimë ndonjë gotë verë bashkë. Flasim.
- Për çfarë folët këtë herë?
- Gjëra të zakonshme. Kush e mban mend?
- Ju tha se kishte ndër mend të largohej për në Amerikë?
- Po.
- Ishte në dijeni ai për një thikë të tipit luftarak që
ju e mbanit poshtë shtratit?
Teuta nuk u vonua të përgjigjej.
- Ia pata treguar dikur. Ishte thikë e veçantë. I thashë
se e mbaja për vetëmbrojtje. Mbaj mend që nuk tregoi ndonjë interes të veçantë.
- E mori në dorë?
- Natyrisht. Një thikë e tillë...
- Gjatë kohës së qëndrimit në apartament - për takimin e
fundit e kam fjalën - a doli jashtë vëmendjes suaj?
Teuta u mendua pak.
- Për disa sekonda, ndoshta për një minutë e lashë vetëm.
M’u desh të shkoja në tualet.
- Kur u kthyet, a vutë re ndonjë gjë të dyshimtë?
Teuta mblodhi buzët.
- Asgjë. Ai po shihte një album fotografish, me sa mbaj
mend.
- A dyshoni se mund ta ketë marrë ai armën tuaj?
- Pse, armë quhet ajo?
- Ajo është armë e ftohtë. Ju lutem, përgjigjjuni
pyetjes.
- Se di, ndoshta. Kështu si po ma paraqitni ju, dyshoj
edhe te vetja e jo më tek ai.
- Do të vijmë dhe te kjo pikë, - tha Drin Kelmendi duke i
hedhur një vështrim të mprehtë. - Njiheshe ti me Lora Emersonin?
- Jo. Kush është kjo?
- Po Lora Voroni të sjell gjë ndër mend?
- S’më kujtohet, - tha Teuta duke bërë mënjanësen. - Nuk
të kuptoj, ku do që të dalësh?
- Tea, - iu drejtua Drin Kelmendi. Teuta u drodh nga
shqiptimi i shkurtuar i emrit të saj. Vetëm dy persona e thërrisnin në atë
mënyrë: Rroni dhe Enki. - Je futur në një telash ku do të të duhet një alibi e
padiskutueshme, që të dalësh e larë.
Teuta kërkoi të ndizte një cigare. Drini e lejoi. Pas
kësaj ai i vuri mbi tryezë fotografinë e Lorës. Teuta i largoi sytë menjëherë
prej saj.
- Më kujtohet, - i tha.
- Në një qendër rehabilitimit në Mynih, emrat Teuta
Velçani dhe Lora Voroni janë pranë njëri-tjetrit.
Teuta nxori një shtëllungë tymi dhe e thithi cigaren për
të dytën herë.
- Unë isha atje për t’u trajtuar nga droga. Kjo për të
cilën po flet ti, nuk e di për se kishte ardhur, por për një gjë isha e sigurt,
nuk ishte narkomane.
- Megjithatë ju të dyja keni qëndruar për shumë kohë
bashkë. Keni flirtuar?
Teuta shau nëpër dhëmbë dhe e thithi sërish cigaren fort.
- Thjesht bisedonim, - tha ajo.
- Megjithatë ajo nuk pranoi të flinte me ty, edhe pse iu
vardise keq.
Teuta lëvizi e nervozuar.
- Ajo një kurvë rrugësh ishte, vetëm se e bukur si
kukull. Atje në atë qendër rehabilitimi nuk kishe se çfarë të bëje tjetër. Doje
të ngushëlloheshe diku.
- Po këtë e njeh?
Drin Kelmendi i kishte vënë sërish përpara një fotografi.
- Ç’është ky?
- Grigor Aleksej. Një rus, nga Moska. Sillet vërdallë sa
në Gjermani, në Francë, në Zvicër... Ku nuk e gjen.
- Unë jetoj në Tiranë.
- Ka ardhur edhe në Tiranë. I ka siguruar ca ngarkesa të
mira. Dhe ia ka mbathur sërish pa i hyrë gjemb në këmbë.
- E pse duhet ta njoh?
- Ndoshta vetëm për shkakun e thjeshtë se Lorën e mori
ai.
Teuta përplasi duart mbi tryezë.
- Po kujt i plasi për Lorën?! Je apo s’je në vete ti?! Sa
kishte si ajo! Kurvat e Lindjes kishin mbushur rrugët e Perëndimit. Kush pyeste
andej nëse ekzistonte njëfarë Lora Voroni, ose Lora Emersoni, siç thua ti. Atje
të gjitha quheshin Lora, vetëm mbiemri u ndryshonte. Ato ishin veç fasada,
femra që kërcenin mbi kub, rrotulloheshin në tub dhe hiqnin brekët për njëzet
euro. Ja, t’i thashë të gjitha ç’kisha për të thënë.
- Nuk më ke thënë diçka tjetër.
- Çfarë mutin do më shumë se kaq?
Drin Kelmendi po e zhbironte me vështrimin e tij të
mprehtë.
- Me çfarë misioni jeni ngarkuar nga shefi juaj?
Teuta Velçani i hapi tej mase sytë, e alarmuar.
- Unë nuk i përgjigjem më asnjë pyetjeje tuaj pa praninë
e avokatit.
Drin Kelmendi kishte kërkuar hyrje-daljet në çdo pikë të
kalimit të kufirit. Donte të verifikonte të gjithë ata që kishin pasaportë
ruse, ukrainase ose moldave. Nga Rinasi i kishin dërguar edhe listën e hyrjeve
të fundit, ku njëri prej emrave e bëri të dyshonte edhe më shumë.
- Kjo është pyetja e fundit.
- Në fillim më the se kishe pyetje për procedurë. Pastaj
e trashe. Kurse tani... Në çfarë kurthi kërkon të më futësh?
Drini e fiku aparatin e regjistrimit. Shkoi pranë Teutës,
u ul buzë tryezës dhe e kapi nga mjekra. Ajo nuk kundërshtoi. Pastaj Drini
filloi t’ia shikonte sytë me vëmendje.
- Pa prit pak... - tha. - Bebet e syve i ke të zmadhuara.
Mos je gjë nën efektin e drogës?
Teuta e largoi kokën e forcë.
- Unë nuk marr më drogë. Jam e pastër.
Drin Kelmendi e humbi qetësinë në atë çast dhe e kapi nga
flokët duke ia tërhequr pas.
- Dëgjo këtu ti, lesbike e ndyrë, - iu drejtua duke
skërmitur dhëmbët. - Do të flasësh apo të ta përplas kokën pas murit? Kujton ti
se nuk e di unë se cila kategori rekrutohet nga shërbimet sekrete, nga zbulimi,
nga kundërterrori. Dije pra, se një pjesë të studimeve i kam bërë në Gjermani,
në Akademinë Bavareze, aty në Mynihun tënd, atje ku ti drogoheshe e palloheshe
sa të dilnin sytë. Tani më thuaj nga erdhi urdhri për eliminimin e Lora
Voronit.
- Unë nuk marr urdhra nga askush, - foli Teuta duke
shtrënguar dhëmbët për të mos e nxjerrë klithmën që i shkaktonte dhembja.
- Të paskan instruktuar mirë! Por ti s’e ke marrë vesh që
ne këtu dimë ca metoda të tjera. E, po filloi trajtimi me to, do t’i thuash
lamtumirë instruktorit tënd.
Drin Kelmendi ishte afruar te hunda e saj dhe nuk ia
ndante atë vështrimin që të priste si teh thike.
- Unë do të të padit për kërcënim e dhunë psikologjike, -
tha duke u dridhur Teuta. - Nuk do ta kalosh pa u lagur për këtë që po më bën.
Drini ia shtrëngoi edhe më shumë flokët.
- Dhe unë të jap fjalën që, po nuk bashkëpunove, do të të
rrjep të gjallë me të njëjtën thikë që ti ke futur midis shalëve të mikes sate.
Teuta Velçani merrte frymë me vështirësi. Koka i dhembte
nga tërheqja e flokëve, por ajo nuk po ankohej. Vetëm tha me zë të shuar:
- Unë nuk kam vrarë njeri.
Celulari i Drin Kelmendit u drodh. Ai i hodhi një sy dhe
pas kësaj u drejtua nga ajo që kishte përballë.
- Avokati yt po vjen. Ki kujdes për çfarë do t’i thuash.
Ndryshe do ta këput gjuhën.
No comments:
Post a Comment