Në historinë njerëzore të 100 viteve të fundit, një nga kureshtitë më të
mëdha ka të bëjë dhe me markat e makinave me të cilat kanë udhëtuar krerët e
shteteve. Sidomos e atyre drejtuesve të lartë, jeta e të cilëve ka qenë e
mbuluar me më shumë mister se sa e yjeve të muzikës apo të kinemasë të cilët
kanë qenë shumë më të hapur për median dhe publikun…
…Një Mercedes 600 tip limuzine ka qenë diamanti mbi kurorën e makinave me
të cilat ka udhëtuar drejtuesi i lartë i shtetit komunist Shqiptar, Enver
Hoxha.
Dëshmitë
Në ditët e sotme gjetja e një Pullman 600 që nuk është në pronësi të dikujt
cilësohet si një gjë mjaft e vështirë. Duhet pasur parasysh nga ky tip i
shtrenjtë e plot shkëlqim, i projektuar dhe montuar mes viteve 1963 dhe 1981,
janë vetëm 2.677 ekzemplarë.
Megjithatë Enver Hoxha ka parapëlqyer që nëpër rrugët e kryeqytetit apo
udhëtime të shkurtra të përdorte një Mercedes 300 SEL. Për të shkuar në zyrën
në Komitetin Qendror, Enver Hoxha nuk përdorte makinë, por shkonte në këmbë.
Ndërsa limuzina gjashtë dyershe lëvizte rrallë.
Ky dossier është mbështetur mbi tre dëshmi që cilat më janë dhënë gjatë
kohëve: e Sulo Gradecit, ish-shefi i grupit të shoqërimit të Enver Hoxhës, Arif
Bizhgës, një prej shoqëruesve të tij pas Luftës dhe Hamdi Sinës, ish-shofer i
familjes Hoxha.
Rregulli
Nëse Enver Hoxha ulej në sedijen e pasme të makinës, nuk kishte me trimëri,
por as frikën s’mund ta njihje, ndërsa pakujdesia më e vogël shënohej me “bojë
të kuqe”. Drejtuesi i automjetit duhet të kryente detyrën me përpikëri, ndërsa
oficeri shoqërues ndiqte të gjithë procesin me një vëmendje dyshuese deri në
çastin e fundit. Në bulevardet e kryeqytetit, por dhe në rrugët inter-urbane,
Benzi 300 SEL me benzinë, një prodhim super i perëndimorëve gjermanë, nuk duhet
t’i kalonte 60 kilometrat në orë. Vetëm kështu jeta e drejtuesit të shtetit
ishte e siguruar në çdo rast. Gjithçka e përcaktuar nga ekspertët ishte
firmosur nga vetë kryeministrit Mehmet Shehu.
Pas Luftës
Menjëherë pas Luftës, Enver Hoxha ka përdorur një Fiat “Millecento” e pas
saj ka marrë një “Alfa Romeo”, të dyja prodhim italian. Por pas kësaj periudhë
filloi futja e makinave të prodhimit lindor. Për delegacione të nivelit të
lartë, si në rastet kur në Shqipëri erdhi Hrushovi, Sianuku e Çu En Lai nxirrej
ZIM-i sovjetik, i zbuluar. Enveri kishte pasur një ZIM që në vitin 1950 dhuratë
nga Stalini me targën 0331. Në 1954 e ndërroi po me një ZIM pasi rusët në atë
kohë sollën makina të këtij lloji për
gjithë udhëheqjen. Në vitet ’60 për të erdhi dhe një makinë kineze “Flamuri i
Kuq”. Ndërkohë Enver Hoxha përdorte dhe një “Gaz 69” për rrugë malore, 4×4 që
ishte një prodhim sovjetik shumë e mirë.
Prodhimet perëndimore
Pas viteve ’70 në “Bllok” u rikthyen sërish makinat perëndimore. Në atë
kohë u porositën dhe 8 Benza në Gjermani. 7 prej tyre ishin “280 SEL” që i morën
anëtarët e Byrosë Politike. Makina e 8-të ishte “Benz 600” tip limuzinë me 6
dyer për Enver Hoxhën. Sipas njerëzve që i shërbyen nga afër udhëheqësit
komunist “Benz 600” tip limuzinë me 6
dyer ishte elektronik, me sofieta që ngrihej kur kishte rrugë të këqija, me
xham që pengonte komunikimin me shoferin e me sediljet e pasme që mblidheshin
për të krijuar një hapësirë të madhe. Shpenzonte gjithsej 15-16 litra benzinë
për 100 km.
Nga arkivat
Bossat që mbanin Mercedes 600
Po të kërkosh në revistat e kohës, do të gjesh materiale që flasin për
prodhimin e shtrenjtë Mercedes 600 dhe njerëzit që kishin mundësi të kishin në
përdorim të tyre një prej ekzemplarëve të rrallë. Projektuar dhe ndërtuar
bukur, modeli i limuzinës Mercedes 600 ishte shumë ekskluziv dhe astronomikisht
i shtrenjtë (makina më e shtrenjtë në botë, në vitin 1965 shkonte në më shumë se
22,000 dollarë). Ajo pati klientë të shquar, ku përfshiheshin diplomatë,
industrialistë dhe yje të skenës dhe kinemasë. Personazhe të famshëm kanë pasur
në pronësi Mercedes 600, përfshirë: Coco Chanel, Elvis Presley, Elizabeth
Taylor, John Lennon, Aristotel Onassis, Jack Nicholson dhe Bob Jane. Trendi i
këtyre makinave u shndërrua në trendin e makinave të diplomatëve dhe
personazheve politikë, shumë prej të cilëve, krerë komunistë. Kanë pasur në
pronësi Mercedes 600 në vite: Hirohito, Idi Amin, Jomo Kenyatta, Nicolae
Ceauşescu, Leonid Brezhnev, Enver Hoxha, Pol Pot, Fidel Castro, Josip Broz
Tito, Saddam Hussein dhe Kim Il Sung.
Fundi i makinave të rralla
Për shumë vite, disa nga makinat e Enver Hoxhës kanë qenë në fondin e
Kinostudios e cila i përdorte për të luajtur filmat e kohës.
Mercedes 600 i rrallë i Enver Hoxhës tanimë nuk është më në listën e Parkut
të Delegacioneve ku ai pati shërbyer për vite më radhë, në të cilin kanë hipur
shumë nga personalitetet e huaja që zbritën në tokën shqiptarë pas vitit 1990.
Mercedes 600 prodhim i viteve ’70 është ndërruar me një tjetër Mercedes 600
serie, shumë më modern por me shumë më pak vlera.
Makinat të cilat ka përdorur Enver Hoxha
Fiat Millecento
“Alfa Romeo”
ZIM
Flamuri i Kuq
Gaz 67
Gaz 69
Kadillak
Mercedez Benz 300 SEL
Mercedez Benz 600 Limuzinë
botuar në:
botuar në:
No comments:
Post a Comment