Në ngrehinën e budallallëkut masiv, në më të shumtën e rasteve turremi vrap
pas berihait, vetëm e vetëm të mos dukemi si idiotë jashtë turmës, por thjeshtë
si idiotë brenda saj. Kjo ka arsye, edhe hahet...
Unë nuk kam ndër mend të solidarizohem dhe seç ma ka qejfi të më quajnë:
grevëthyes. Nuk më pëlcet fare. Megjithëse për shansin tim të mirë, unë nuk jam
pjesëtar as i ndonjë forumi gazetarësh e as i ndonjë shoqate shkrimtarësh.
Shkurt, jam me veten time. Dhe si i tillë mbaj përgjegjësi vetëm për veten
time.
Të dalim aty ku e nisëm...
Edhe këtë herë në tregun mediatik është hedhur kocka e radhës. Merkatoja e
vjeshtës nisi në mesin e verës me diellin që të binte në çaçkën e kokës. Dhe
kur të bie dielli edhe në pazar nuk je fort i mirë, o të janë veshur sytë, o të
ka ikur petlla. Ndërkohë shqetësimi posesiv po rritej me progresion gjeometrik:
Ku do punojë Krasta pas largimit nga “News”-i? Po Rakipi?
Hall i madh, posi.
Ky shqetësim ka dy përbërës:
E para që ka të bëjë me fjalën e lirë. Domethënë fjala dhe mendimi i lirë do
kufizohen, sapo këta të dy të dalin nga skema. Që do të thotë se këta të dy janë heronj.
Dhe e dyta, problem themelor gjithashtu është se ku do hanë bukë e do mbajnë
familjen këta dy gazetarë, pjesë e armatës së madhe të gazetarëve.
Halle-halle kjo dynja...
Por, për dreq e djall bashkë, asnjëri prej argumenteve nuk ma mbushte mendjen aq sa të shkoja me vrap e të regjistroja emrin në fletoren e solidarizimit, ku veç
gjeneraliteteve më duhet të transmetoja saktë si numrin dhjetëshifror të celularit ashtu dhe numrin e shasisë që njihet përndryshe si
ID në kartën e identitetit.
Mirëpo gjatë ditëve të nxehta të verës, tek qëndroja nën hijen e një çadre
plazhi, i gatshëm të hidhesha në det për t’u freskuar ca, gjatë procedurës së
zakonshme për t’u njohur me të rejat në facebook,
më ranë në sy se ca emra të njohur dhe ca të tjerë që s'i kisha dëgjuar kurrë, ishin rreshtuar si
ushtarët me gavetë në dorë për t’u solidarizuar me idenë progresiste që fjala e
lirë të mos na cenohej, dhe në fund të fundit dy gazetarët e njohur ta merrnin
nga një copë rrogë për të përballuar nevojat bazë të jetës që po shtrenjtohet dita-ditës.
U shqetësova nga ky shqetësim mbarëpopullor. Edhe larjen në det e braktisa.
Rashë në të thella, pikërisht nën rrezet masakruese të diellit të mesditës, aq
sa lëkura m’u bë si daulle e djegur. I shoshita mendimet nga të gjitha anët dhe sërish
emëruesi i përbashkët më dilte me shenjë negative.
Më në fund vendosa:
E kisha të vështirë t’i bashkohesha turmës, e të vendosja firmën, numrin e
shasisë e atë të celularit, në fletoren e solidaritetit. Madje nuk u tuta nga
mendimi im edhe kur shqetësimi në rritje m’u duk sikur po ia kalonte edhe
shqetësimeve të përgjithshme globale mbi komplotet e mëdha botërore, ku në
skenë dalin herë ata të Illuminatit e
herë Fremasonët.
Mirëpo këtë herë nuk flitej për traktate partish pa uthull e pa yndyrë. Këtu
flitej për njerëz të medias, pjesë përbërëse e të cilës jam dhe vetë. Ja, këta
janë dhe zëdhënësit e fjalës së lirë, se të tjerët në fakt nuk bëjnë për këtë
punë. Dhe zëdhënësi, apo lajmëtari, me kanun, nuk preket. Ai duhet të ligjërojë, e
që ta lagi grykën nuk duhet të mbetet thatë. Të tjerët po, pak rëndësi kanë.
Epo fjala e lirë duhet mbrojtur, pavarësisht kush e thotë.
Ç’është e vërteta, kur nuk solidarizohemi, për ne shqiptarët thuhet se jemi
një popull pa shtyllë kurrizore. Prandaj duhen matur fjalët. Dhe na duhet të solidarizohemi, domethënë që e keqja
të mos na hipi në qafë. Në fakt, e keqja ne na ka marrë në qafë, por kjo është
temë tjetër diskutimi.
Gjithsesi tabutë duhen thyer. Ndaj sot po i shoh me zili ata që solidarizohen
me Krastën e Rakipin. Për vendin e tyre të punës dhe për rrogat e tyre. Se sa për
fjalën e lirë... kush nuk e di ta mësojë se nuk është gjë tjetër veç një
konvencion.
Mirëpo, marrë anapulla, mendja më shkon dhe gjetiu. Të gjithë ne që punojmë
në frontin e “fjalës së lirë” kemi mbetur të paktën një herë pa punë. Po or po, të gjithë kemi
mbetur si peshku në zall dhe s'e ka rruajtur njeri fare për ne. O s’ka pasur
brisqe, ose nuk ka funksionuar letra me dyllë, jarebi.
Atëherë pse gjithë ky solidarizim? Për fjalën e lirë. Kush na paska thënë
që Krasta e Rakipi na qenkan flamurtarë të fjalë së lirë?
Në këtë botë mediatike ku në internetin pa kufi gëlojnë derri e dosa bashkë,
po na u kufizuaka liria. Dhe këtë na i bëka kryeministri ynë dy metra i gjatë.
Se është i gjatë, nuk do të thotë që është dhe i fortë. Jo ore jo, mos i merrni
jangëllësh thirrjet për solidarizim. Se natyrisht Edi a Edvini, thirrini si të
doni, jo vetëm që nuk ka aq këllqe, por nuk ka as bythë të ndalojë fjalën e lirë.
Dhe pakkush e kupton se duke i thënë “diktator” Edit, vetëm se i shton vlerën.
Cilët na qenkan ata që Edvinin, na e shohin si një supermen. Përveç
militantëve pa patentë e kam fjalën. Se ai nuk është führer Adolfi, as tovarish
Stalini madje-madje as shoku Enver
nuk është, sa të ketë fuqinë për të na e prerë llafin në mes e të na dërgojë
kolkozeve për riedukim.
Ja, kështu vajti kjo punë.
Dhe çfarë na mbetet? Sigurisht na mbetet të solidarizohemi për rrogën e
Krastës dhe Rakipit. Sepse këta të dy dhe ca të tjerë që vërtiten bujshëm në tregun mediatik marrin rroga aq
stratosferike sa nuk justifikohen për prodhimin e brendshëm bruto që ka
Shqipëria.
Epo nuk duhet të bëhemi dhe kaq shumë merak. Ditët e fundit zërat janë zbutur. Kanë filluar ofertat e merkatos së vjeshtës. Zëre se u rregulluan të dy,
në dy ekrane të tjera, në mos me rrogat që kishin, me ca më të mira se aq.
U rrit pazari vëllezër..., ja kaq e lehtë ishte.
Ndërsa fjala e lirë... Fjala e lirë është një konvencion, mos e merrni aq
seriozisht. Rëndësi kanë paratë.
Epo kur vjen puna tek lekët dhe beneficet e tjera që e bëjnë mutin kala, në vend ta bëjnë fjalën e
lirë të tillë, më vjen ta mbush fort gojën: Krasta, Rakipi e ju të tjerët: FUCK
YOU.
botuar në:
https://americaneye.al/ne-markaten-vjeshtore-te-shit-blerjes-mediatike/
botuar në:
https://americaneye.al/ne-markaten-vjeshtore-te-shit-blerjes-mediatike/
No comments:
Post a Comment