Nga Leonard
Veizi
Edhe
pse për më shumë se 30 vjet me banim në Paris, Ylli Demneri nuk mund të harrohet
në Shqipëri, për më tepër në Tiranë. Si emër jo e jo, por as si pamje fizike,
falë ndryshimeve të vogla e thuajse të papërfillshme të pamjes së jashtme. Por këtu
nuk i vjen në ndihmë as “Air France” që e merr për fluturim sa herë e sheh të
nevojshme, duke e bërë të jetë më shpesh i pranishëm në rrugët e kryeqytetit ose
në baret e tij.
“Mos
është ajo quksja që ka dalë në dritare. Eeeeej, radha 2, karrigia 7, me ne e
keni?”...
Kjo
është njëra prej batutave të paharrueshme, e segmentuar nga filmi simbol i
viteve ‘80 “Në çdo stinë”,e që kap një prej majave të vetë prodhimit
kinematografik. Sepse ajo shkaktonte ndër spektatorët, padyshim, një ndjenjë të
lartë humori e ilariteti pozitiv. E pra, batuta është interpretuar nga Ylli
Demneri, që me siguri e ka fituar atë rol, nëpërmjet kinoprovave, dhe jo
thjesht se asokohe ndiqte studimet në Institutin e Lartë të Arteve për regji.
Nëse
filmin nuk e keni parë në kinema, patjetër e keni ndeshur nga transmetimet e
kanaleve televizive që japin filmat e ish-Kinostudios. Dhe gjithkush mund ta
mbajë mend vijimin e batutave të mëpasme: “Gdhiu dhe dita e premte. Kush pret
deri në orën pesë”. Sekuencave skematike të filmit që vazhdon me një qitje
absurde të studentëve zboristë ndaj një avioni armik me simbolet CCCP, u vjen
në ndihmë për t’u lehtësuar sadopak nga klisheja e politikës strikte, pjesa
tjetër e batutave: “Varja, dëgjomë mua, ajo nuk e meriton vëmendjen tënde. Një
copë volejbolliste, nuk e shef. Iu rrit mendja asaj, posi”.
Artist
në disa dimensione, Ylli Demneri do të përfundonte një shkollë për pikturë dhe
një tjetër për regji teatri, por do të angazhohej me role si aktor në disa filma,
dhe disa libra të botuara me emrin e tij qëndrojnë në vitrinat e librarive. E,
për më tepër, është dhe drejtor artistik i një reviste të quajtur: “Le Journal
des Acteurs Sociaux” . Pra, duam apo nuk duam ne, ai e ka plotësuar më së miri
kuadrin e tij artistik. Ndërsa për gazetën “Fjala”, ai vjen nëpërmjet kësaj
interviste, ku ndan shqetësimet e kohëve të fundit:
-Edhe pse është
në përfundim e sipër, gjithsesi, ishin muaj karantine. Si i kaluat këto ditë?
Duhet
të them se gjatë këtyre tre muajve kam punuar në shtëpi. Kështu që një pjesë të
mirë të kohës ma ka zënë puna. Madje, në disa aspekte puna në shtëpi krijon
disa vështirësi. Së pari, në vetë organizimin e kohës. Koha e punës dhe koha e
lirë ndërthuren me njëra-tjetrën, duke krijuar një turbullim jo dhe aq të
shëndetshëm. Kishte ditë që qëndroja në shtrat duke lexuar ose shkruar, me
mendimin që punën e punës mund ta bëj më vonë. Por vura re se me kalimin e
ditëve këto lloj “lirish” krijojnë një anarki që, po nuk u zotërua, bëhet
mbytëse. Njeriu ka nevojë për mosprishjen e disa rregullave të përditshme.
Madje, sipas Kantit, është respektimi i këtyre ritmeve të përditshme ai që na
fal lirinë. Sepse krijon siguri. Vetë Kanti respektonte të njëjtat orare dhe
shëtiste çdo ditë, duke bërë të njëjtin itinerar. Madje, thuhet se vetëm dy
herë në jetën e tij e ka prishur këtë rrugëtim: kur shkoi të blejë librin e
Rousseau-it “Du contrat social” dhe kur shpërtheu revolucioni francez.
Ndërsa
pozitive ishte mungesa e orëve të humbura nëpër metro apo autobusë. Nga kjo
kohë e fituar kam mundur të përfitoj, duke u marrë me gjërat që më pëlqejnë,
duke qenë i vëmendshëm ndaj natyrës, duke e dëgjuar dhe analizuar veten. Kjo
mbyllje të bën më të vëmendshëm rreth asaj që ndodh rrotull teje. Të mpreh
vështrimin dhe, shpeshherë, kjo mpreh edhe reflektimin. Duke zbuluar edhe
nuancat e karakterit dhe të natyrës tënde. Duke gjetur fjalën e duhur për të
gjitha këto nuanca. “Fjala reflekton shpirtin”, thoshte Seneka. Kjo mbyllje
gjithashtu të shtyn drejt arratisjeve. Dhe a ka arrati më të mirë se ajo me anë
të librave? Librat janë anija që të shpie më larg. Që nga historitë e fillimit
të botës e deri tek ato që mund të ndodhin në të ardhmen. Situata të tilla të
shtyjnë drejt asaj që është thelbësore, e vërtetë, e rëndësishme.
-A ka qenë
frymëzuese për ju një situatë e tillë?
Për
mua, frymëzim do të thotë përqendrim. Mundësia për t’u përqendruar. Në këtë
aspekt këto lloj situatash janë pozitive. Të përkëdhelin me privilegjin që kanë
ata shkrimtarë që nuk janë të detyruar të bëjnë punë të tjera për të jetuar. Aq
më tepër kur kjo shoqërohet me lexime librash,jo vetëm artistikë. Kur atë që ke
ndier e gjen te libri që po lexon. Shpeshherë ka ca rastësi të pashpjegueshme,
si çdo rastësi, por shumë të frytshme.
-Çfarë ka ofruar
Parisi në një situatë të tillë? (Besoj se karantina ju ka zënë aty.)
Parisi
gjatë karantinës ka qenë një qytet i vdekur. Por shumë i këndshëm për të
shëtitur, aq sa e lejonin rregullat. Cocteau thoshte se s'kishte gjë më të
këndshme sesa të shëtisje në Paris gjatë pushtimit nazist,si dhe gjatë muajt
gusht kur të gjithë parizienët shkojnë për pushime. Gjithsesi, një Paris të
boshatisur në pranverë, si asnjëherë në historinë e tij, besoj se Cocteau do ta
kishte shijuar akoma më shumë.
-A mund të
përbëjë ky precedent (pra ditët në karantinë), një motiv që në të ardhmen të
ketë prozë dhe vargje rreth saj?
Çdo
gjë është e mundur. Ditët në vazhdim do të krijojnë situata akoma më të
vështira. Zakonisht janë situatat dramatike ato që krijojnë letërsi të mirë.
Ilaçi i ta gjithë situatave është të shkruarit. Situatat dhe ngjarjet dramatike
përjetohen me të vërtetë vetëm kur rrëfehen ose kur i lexojmë të rrëfyera nga
të tjerë. Ajo që ndodhi me interesin që treguan njerëzit në shumë vende të
botës për librin e Camus-ë “Murtaja”.
-Cila ka qenë
primare në ditët e izolimit, leximi apo krijimtaria?
Leximi.
Dhe pak, krijimtaria, nëse do ta quaja të tillë hapjen e blloqeve dhe leximin e
disa shënimeve të shkuara.
Si aktor e
regjisor, si e përjetuat aktin e fundit, prishjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar?
Prishja
e Teatrit Kombëtar në mes të natës është një akt i pabesë dhe barbar. Kjo
pabesi nuk ka asgjë nga marrëdhënia e sinqertë me qytetin që duhet të ketë çdo
njeri që është zgjedhur për ta drejtuar atë. Kjo duket fare qartë në të gjitha
ato manipulime e dredhi administrative e ligjore të bëra gjatë këtyre viteve të
fundit në lidhje me teatrin. Përveç vlerave arkitektonike, teatri ishte kthyer
në një tempull, falë teksteve të Shekspirit, Molierit, Shilerit, Goldonit,
Brehtit, Gogolit, Çehovit etj., të interpretuara nga aktorë të talentuar. Ishte
shenjtëruar nga zërat e tyre dhe emocionet e shkaktuara në sallë. Kjo nuk ka të
bëjë fare me nostalgjinë. Por, atë teatër “e shqyen”, siç u shpreh me të drejtë
aktori Mehdi Malkaj, në lidhje me këtë akt barbar, edhe ata aktorë, regjisorë e
skenografë që heshtën, duke vënë partinë mbi të gjitha. Pa përmendur të
shiturit. Për fat të keq, ata mbetën aktorë e militantë, pa mundur të bëhen
qytetarë. Qytetari është bartës i disa të drejtave dhe përgjegjësive. Qytetari është
ai që merr pjesë në jetën e institucioneve politike dhe në krijimin e të mirë ssë
përbashkët. Heshtja e tyre është e turpshme.
Mbasdite, si jeni Unë jam brazilian dhe po kërkoj ndjekës të rinj për blogun tim. Miq të rinj janë gjithashtu të mirëpritur.
ReplyDeletehttps://viagenspelobrasilerio.blogspot.com/?m=1