Monday, February 12, 2024

“Festa e Cjapit”, diktatori Rafael Trujillo u ekzekutua me 60 plumba


Nga Leonard Veizi
 
Ai shkonte i qetë dhe i lumtur në fermën e tij, sepse atje e priste një vajzë e re me të cilën do të kalonte natën. Ishte udhëheqësi i një vendi me tre milion banorë, mbante gradën sipërore të Gjeneralismit, por për gjëra të tilla nuk angazhonte “gardën pretoriane”, por vetëm shoferin e tij besnik. Ndërkohë ai nuk do të mbërrinte kurrë në fermën e tij, pasi rrugën ia prenë disa njerëz të armatosur e të zemëruar keq, që qëlluan mbi të. Dhe ai vdiq i masakruar nga plumbat. Kjo ndodhi natën e 30 majit të vitit 1961...
 
...Bëhet fjalë për Rafael Trujillo, ose më saktë Rafael Leónidas Trujillo Molina. Ai ishte në krye të Republikës Domenikane, dhe më shumë se sa për punët e tij të mira njihet për mizoritë e tij.
Të martën, më 30 maj të vitit 1961, në orën 9:45 të natës, në kilometrin 9 të autostradës nga Santo Domingo në San Cristóbal, makina në të cilën udhëtonte Trujillo u qëllua me mitraloz në një pritë të komplotuar nga Modesto Díaz, Salvador Estrella Sadhala, Antonio de la Maza, Amado García Guerrero, Manuel "Tunti" Katheres Miçel, Huan Tomas Díaz, Roberto Pastoriza, Luis Amiama Tió, Antonio Imbert Barrera, Pedro Livio Sedeno dhe Hueskar Tejedha. Automjeti me të cilin udhëtonte gjenerali mori më shumë se 60 plumba të kalibrave të ndryshëm, nga të cilët shtatë goditën trupin e diktatorit, duke i shkaktuar vdekjen. Shoferi i tij, Zakarías de la Kruz, mori disa goditje, por nuk humbi jetën, megjithëse u mendua i vdekur nga ekzekutorët. Rafael Trujillo më kohën e ekzekutimit ishte në moshën 69-vjeçare.
 
Romani
I bazuar në romanin me po të njëjtin titull, filmi “Festa e Cjapit”, përmban skena tronditëse. Tema e romanit përfshin natyrën e pushtetit dhe korrupsionit si dhe një marrëdhënie maskiliste pasuar nga perversion seksual brenda një shoqërie të ngurtë hierarkike.
“Festa e Cjapit”, e cila në origjinal njihet me titullin “La Fiesta del Chivo” është një roman i botuar në vitin 2000 dhe i shkruar nga laureati peruan i Çmimit Nobel në Letërsi, Mario Vargas Llosa. Libri i zhvillon ngjarjet në Republikën Domenikane dhe portretizon vrasjen e diktatorit domenikan Rafael Trujillo. Që në të gjallë të tij Trujillo mbante nofkën “El Chivo” ose “Cjapi”.
Në qendër të romanit është 49-vjeçarja Urania Kabral, e cila edhe pse me origjinë dominikane prej vitesh qëndronte si rezidente në Shtete e Bashkuara të Amerikës.
Flitet për vitet kur kryeqyteti i vendit quhej “Ciudad Trujillo” apo përndryshe “Qyteti Trujillo”.
Romani ndjek tre linja historish të ndërthurura. E para ka të bëjë me Urania Kabral, e cila është kthyer në Republikën Domenikane, pas një mungese të gjatë, për të vizituar babain e saj të sëmurë. Ajo përfundon duke kujtuar incidente nga rinia, përpara se t'i tregojë tezes dhe kushërinjve të saj një sekret të cilin e mbante prej kohësh në “kasafortë”. Historia e libri në tërësi përfundon kur ajo rrëfen ngjarjen e tmerrshme që çoi në largimin e saj nga vendi në moshën 14-vjeçare.
Linja e dytë e romanit përqendrohet në ditën e fundit të jetës së Trujillos, dhe na tregon rrethin e ngushtë të regjimit, pjesë e të cilit ishte edhe babai i Uranisë si këshilltari kryesor i udhëheqësit diktator.
Pjesa e tretë e romanit përshkruan vrasësit e Trujillos, shumë prej të cilëve më parë kishin qenë besnikë të tij. Pas atentatit, kjo linjë historie tregon dhe ekzekutimin e atentatorëve.
Mario Vargas Llosa në romanin e tij ndërthur ngjarjet historike me elementë fiktive: libri nuk është një dokumentar dhe familja Kabral është krejtësisht fiktive. Nga ana tjetër, personazhet e vrasësve të Trujilos dhe Trujilos janë nxjerrë nga të dhënat historike. Vargas Llosa gërsheton incidente të vërteta historike, brutaliteti dhe shtypjeje në historitë e këtyre njerëzve, për të ndriçuar më tej natyrën e regjimit të gjeneral Trujillo.
 
Udhëheqësi
31 vitet e pushtetit të tij njihen si Epoka e Trujillos, duke u konsideruar ndërkohë dhe periudha e një tiranie të përgjakshme.
Rafael Trujillo hyri në ushtrinë Domenikane në vitin 1918 dhe u trajnua nga marinsat gjatë pushtimit amerikan të vendit mes viteve 1916 - 1924. Ai u ngrit nga toger në kolonel komandues i policisë kombëtare në vitet 1919 - 1925, e duke marrë gradën e lartë të gjeneral në vitin 1927.
Më 26 maj të vitit 1933 Rafael Trujillo u emërua nga Kongresi Kombëtar “Gjeneralisim i Ushtrive Kombëtare”.
Trujillo mori pushtetin në revoltën ushtarake kundër Presidentit Horacio Vaskez në vitin 1930. Që nga ajo kohë deri në vrasjen e tij 31 vjet më vonë, Trujillo mbeti në kontroll absolut të Republikës Domenikane nëpërmjet komandës së tij të ushtrisë, duke vendosur anëtarët e familjes në detyrë dhe duke vrarë shumë nga kundërshtarët e tij politikë. Ai shërbeu zyrtarisht si president nga 1930 në 1938 dhe përsëri nga 1942 në 1952.
U njoh si i aftë në biznes dhe administrim, por i pamëshirshëm në politikë dhe me kundërshtarët e tij. Materialet që flasin për jetën e diktatorit Domenikan thonë se populli i vendit e pagoi për prosperitetin me humbjen e lirive të tyre civile dhe politike. Haitianët që jetonin në Republikën Domenikane vuajtën shumë. Trujillo inkurajoi paragjykimet anti-haitiane midis dominikanëve dhe në vitin 1937 ai urdhëroi masakrën e mijëra emigrantëve nga Haiti.
Kur Xhon Kenedi mori detyrën si president i Shteteve të Bashkuara, CIA kishte nisur planet për të rrëzuar Trujillon. Pavarësisht kësaj, Kenedi dërgoi diplomatin Robert Mërfi për t'u takuar me gjeneralin dhe për ta bindur atë të largohej nga pushteti. Mërfi mbërriti në Santo Domingo më 15 prill 1961, duke qenë i dërguari i katërt dhe i fundit i qeverisë amerikane. Por propozimi i tij u shpërfill nga udhëheqësi domenikan.
Me gjithë masat e ashpra që Trujillo mori për të mbrojtur pushtetin e tij, opozita vendase vazhdoi të rritej gjatë viteve të regjimit të tij. Trujillo gjithashtu u vu nën presionin e konsiderueshëm të ndërkombëtarëve për të liberalizuar sundimin e tij. Pas kësaj ai filloi të humbiste edhe mbështetjen në ushtri.
 
Filmi
Një version filmik i romanit, - që është një prodhim domenikano-spanjollo-britanik - u publikua në 2005. Në kastin e filmit u përzgjodhën aktorët: Isabella Rossellini, Pol Frimen, Tomas Milian, Huan Diego Boto dhe Stefani Leonidas.
Horge Alí Triana dhe vajza e tij, Veronika Triana, shkruan një përshtatje teatrale në 2003.
Një tjetër përshtatje mbi romanin është bërë në vitin 2020 nga Natalio Grueso dhe është vënë në skenën e teatri “Infanta Isabel” të Madridi nga regjisori Karlos Saura
Me regji të Luis Llosa, që është dhe një kushëriri i autorit Mario Vargas Llosa, filmi 135 minuta fillimisht u xhirua në Santo Domingo në javët e para të tetorit 2004. Pas disa javësh produksionet vazhduan në Spanjë. Filmi kishte një datë projeksioni në Madrid më 24 shkurt 2006, por fillimisht u shfaq në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin.
Duke shkruar për “Variety Magazine”, Xhonathan Holland u shpreh se filmit i mungonte nuanca dhe karakterizimi i fortë i romanit të Llosës.
Gjithsesi kritika në tërësi është shprehur se vlerat e prodhimit të këtij filmi janë mbresëlënëse.

No comments:

Post a Comment