Wednesday, February 14, 2024

“Shën Valentini”, hipokrizia e një dite magjike

Nga Leonard Veizi
 
Çfarë përfaqëson 14 shkurti?
Varet në çfarë këndvështrimi e sheh në fakt. Sepse si gjithçka në këtë botë, ke mundësi ta shohësh nga pika të ndryshme vrojtimi. Për shumëkënd kjo datë ka lidhje me të dashuruarit. Dhe në njëfarë mënyre ka të bëjë me ahengun.
Sepse është një motiv më shumë për të bërë xhiro rrugëve me ndonjë tullumbace të kuqe në dorë e për të ngrënë ndonjë ëmbëlsirë me sherbet, me bindjen ekstreme se do t’i shpenzosh kaloritë e tepërta që depozitohen në trup. Për tregtarët e shitësit ambulantë është një ditë ku mund të shesin sapunin për djathë, të heqin ndonjë stok nga vitrina, ku përveç luleve e çokollatave që ecin me shumicë marrin vlerë dhe të brendshmet e kuqe që shiten me tepri.
Ec aty t’u bëfsha!
14 shkurti, - prej shumë vitesh tanimë, - përkujtohet si Dita e Dashuruarve. Si një ditë e dashurisë dhe romantizmit, ku njerëzit shprehin dashurinë dhe ndjenjat ndaj njëri-tjetrit, shpesh përshkruar me dhurata dhe kartolina të posaçme.
Sipas historisë, kjo traditë ka të ngjarë të ketë origjinë nga legjenda e Shën Valentinit, një prift që ka jetuar në periudhën mes lashtësisë e mesjetës, i cili thuhet se lidhte martesë midis çifteve, por që u masakrua e vdiq në 14 shkurt.
Mirëpo legjenda thotë se ishin dy Valentinë dhe të dy kanë vdekur në kohë të ndryshme, por në të njëjtën datë 14 shkurt. Dhe janë Valentini i Romës dhe Valentini i Ternit. Valentini apo Valentinët u kthyen në martirë, ndërsa data "14 shkurt" mbeti për të gjallët.
Për ca të tjerë një ditë dashurie në tërësinë e kuptimit të saj. Dashuria është një ndjenjë e thellë dhe komplekse që lidhet me lidhje emocionale, respekt reciprok dhe përkushtim ndaj njëri-tjetrit. Ajo mund të sjellë lumturi dhe përparim personal, ndërkohë që kërkon kujdes dhe komunikim të vazhdueshëm. Në libra thuhet se: Dashuria është ndjenja e ngrohtë dhe e thellë ndaj një personi, e shoqëruar me ndihmë dhe kujdes. Përshkruhet shpesh si lidhja më e fuqishme dhe e ndjeshme mes individëve. Ajo përfshin respektin, besimin, dhe përkushtimin reciprok.
Kjo merr kuptim më filozofik në fakt. Ndërsa njerëzit në përgjithësi duan gjëra më të thjeshta e praktike. Pra 14 shkurti është një festë për çiftet. Ndaj hani e pini..., kusur mos lini.
Por për një pjesë njerëzish nuk ka vlerë fare. Kështu që këta të fundit janë të lirë të bëjnë jetën e tyre si të duan. Mund ta përdhosin ditën edhe pse një tjetër e feston. Në fund të fundit halli yt nuk është halli im. Për më tepër qejfi yt as që bëhet fjalë që është dhe qejfi im.
Tani fjalën e kam për ata që besojnë tek magjia e një dite të tillë.
Sepse po ndodh rëndom që një çift, ku burri, i dashuri a partneri, quajeni si të doni, e rreh gruan sa herë që i teket. Dhe e rreh më shumë se sa bën seks me të. Mirëpo në 14 shkurt, çifti i shembur nga druri, shkëmbejnë puthje që në pikë të mëngjesit, pastaj i bëjnë dhurata simbolike njëri-tjetrit dhe darkën e mbyllin me një ëmbëlsirë nën dritën e qirinjve.
Oh sa romantike...
...dhe sa hipokrite njëherazi.
Çfarë fshihet pas zambakëve të bardhë apo pas çokollatave të ëmbla?
Sepse dita e festës është vetëm një si e tillë. Të nesërmen dita lind sërish e zymtë edhe pse jashtë mund të të verbojë dielli. Sherret vazhdojnë atje ku u lanë, dhuna hipën në qafë, dhe xhelozitë e dyshimet për tradhti mbeten të hapura. Ndaj këto sjellin dhe probleme pa fund. Sidomos në atë që futet tek kategoria: dhuna në familje.
Jo më kot edicionet e lajmeve janë të mbushura me kronika bullizmi e kërcënimesh, vrasjesh e vetëvrasjesh... ca me patologji psikike të shprehura e ca të tjerë me patologji të pashfaqura. Dhe shumica e këtyre krimeve etiketohen nën logon: krim nga pasioni.
 

No comments:

Post a Comment