Friday, August 30, 2024

“The Godfather”, miti i një kumbari italian në mes të Amerikës



Nga Leonard Veizi
 
Asgjësim kundërshtarësh me dorë të hekurt, vrasje të pamëshirshme në mes të rrugës dhe shkallët e pallateve si dhe punë të pista që duhen futur në shtratin e bizneseve të ligjshme. E gjitha tablo kjo ka qenë jeta në getot e Nju Jorkut pas Depresionit të madhe dhe pas Luftës së Dytë. E si gjithmonë historia na ka mësuar, ata që e nisin me dhunë e vrasje dhe i mbijetojnë plumbave të rivalëve, bëhen të parët e vendit...
 
...“The Godfather” njihet dhe si  "Il Padrino" apo në shqip “Kumbari”. Ai është një nga filmat më të njohur dhe më me ndikim në historinë e kinemasë, i drejtuar nga Francis Ford Kopola dhe i bazuar në romanin “The Godfather” shkruar nga Mario Puzo. Filmi është i pari në një trilogji që tregon historinë e familjes mafioze Korleone në Shtetet e Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore.
“Kumbari” ishte në grupin e dytë të filmave të përzgjedhur për Regjistrin Kombëtar të Filmit në vitin 1990 dhe u emërua në vitin 2002 si një nga 100 filmat thelbësorë të Shoqatës Kombëtare të Kritikëve të Filmit.
 
Mario Puzo
Mario Puzo lindi në një familje të varfër emigrantësh napolitantë që jetonin në lagjen Hell's Kitchen të Nju Jorkut. Shumë nga librat e tij mbështeten shumë në këtë trashëgimi. Pas diplomimit në City College të Nju Jorkut, ai iu bashkua Forcave Ajrore të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore. Në vitin 1950, tregimi i tij i parë i shkurtër, “The Last Christmas”, u botua në “American Vanguard”. Librin e tij të parë, “The Dark Arena”, u botua në 1955. Në periudhat në vitet 1950 dhe fillimin e viteve 1960, Puzo punoi si shkrimtar/redaktor për kompaninë e menaxhimit të revistës botuese “Martin Goodman”.
Vepra më e famshme e Puzos, “The Godfather”, u botua për herë të parë në vitin 1969 pasi ai kishte dëgjuar histori të ndryshme për organizatat mafioze gjatë kohës që punonte si gazetar.
 
Francis Ford Kopola
Francis Ford Kopola lindi në Detroit, Miçigan, nga babai Karmine Kopola një flautiste me Orkestrën Simfonike të Detroitit dhe nëna Italia Kopola, një familje e shkallës së dytë emigrantësh italianë. Karmine Kopola lindi në Spitalin “Henry Ford”, dhe kjo lidhje frymëzoi Kopolan që të zgjidhnin emrin e mesëm "Ford" për djalin e tyre.
Francis Ford Kopola është një regjisor, producent dhe skenarist i filmit. Ai konsiderohet si një nga figurat kryesore të lëvizjes së filmit të Hollivudit të Ri dhe konsiderohet gjerësisht si një nga regjisorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. dhe një çmim BAFTA.
Reputacioni i Kopolas si regjisor u çimentua me publikimin e “Kumbari”-t në vitin 1972, i cili fitoi tre çmime Oscar për filmin më të mirë, aktorin më të mirë dhe skenarin më të mirë.
 
Ngjarja
Kumbari, film epik gangster amerikan, i lëshuar në vitin 1972, i cili u përshtat nga romani më i shitur i vitit 1969 dhe i konsideruar si një kryevepër që nga publikimi i tij. Por interpretimet e paharrueshme në kinema nga aktorë të tillë si Marlon Brando dhe Al Paçino e bënë sagën një gur prove të qëndrueshme kulturore.
“The Godfather” është vendosur në vitet 1940 dhe zhvillohet tërësisht brenda botës së Korleones, një familje imagjinare mafioze e Nju Jorkut. Skena hapet brenda zyrës së errët të patriarkut të familjes, Don Vito Korleone, - i njohur gjithashtu si “Kumbari” dhe luajtur nga Brando, - në ditën e dasmës së vajzës së tij Koni, interpretuar nga Talia Shaje. Djali më i vogël i Vitos, Majkëlli - i interpretuar nga Al Paçino, - i cili është distancuar nga biznesi familjar, merr pjesë në festime me të dashurën e tij jo-italiane, Kei, e cila interpretohet nga Dajan Kejton.
Disa muaj më vonë, Don Vito qëllohet për vdekje nga persona të armatosur të dërguar nga një familje rivale dhe Majkëll e shpëton atë nga një përpjekje tjetër vrasjeje ndërsa po trajtohej në spital. Më pas Majkëll hakmerret, duke vrarë një kapiten policie të korruptuar si dhe njeriun që urdhëroi goditjen ndaj Vitos. Pas kësaj shpërthen një luftë bandash dhe Majkëll Korleone largohet për në Siçili. Djali i madh i Vitos, Soni – që interpretohet nga Xhejms Kan, - vritet dhe dhuna që shpërthen përfundimisht arrin tek Majkëlli kur gruaja e tij siciliane vritet me një eksplozion në makinë, që në fakt ishte një tentative për jetën e tij.
Majkëll kthehet në Nju Jork dhe martohet me Kein. Don Vito bën paqe me familjet rivale. Majkëll pason babanë e tij si “Don” dhe, pasi i ka sjellë prosperitet familjes, ai nis një fushatë për të zhdukur sistematikisht të gjithë ata që kishin sulmuar Korleonet.
 
Mesazhi
Në qendër të filmit është tema e familjes dhe besnikërisë. Edhe pse Korleone janë të përfshirë në krime, ata kanë një kod të rreptë nderi dhe një lidhje të fortë familjare. Kjo lidhje është ajo që i mban ata të bashkuar dhe të fuqishëm.
Një nga aspektet më të rëndësishme të filmit është transformimi i Majkëllit. Ai fillon si një njeri që nuk dëshiron të ketë të bëjë me krimin, por përfundimisht bëhet më i pamëshirshëm dhe më i rrezikshëm se vetë i ati. Ky transformim tregon fuqinë e korrupsionit dhe të ndjesisë së përgjegjësisë për të mbrojtur familjen me çdo kusht.
Don Vito përfaqëson një epokë më të vjetër të mafias, e cila përqendrohet në nder, respekt dhe mos-përfshirje në drogë. Ndërsa brezi i ri, përfshirë dhe Majkëll, janë të gatshëm të përfshihen në çdo gjë që do të sjellë pushtet dhe ndikim, duke treguar kështu ndryshimin mes traditës dhe modernitetit në botën kriminale.
Në shumë skena, fuqia dhe dhuna janë të lidhura ngushtë. Filmi tregon se pushteti në botën e mafias nuk mund të arrihet ose mbahet pa përdorimin e dhunës. Skena të tilla si "pagëzimi i përgjakur" ku Michael urdhëron vrasjen e të gjithë armiqve të tij ndërsa ai bëhet kumbari i fëmijës së tij, simbolizojnë dualitetin e pushtetit dhe dhunës.
"The Godfather" shtron pyetje të rëndësishme për natyrën e pushtetit, moralitetin, dhe rolin e familjes. Ai tregon se si fuqia korrupton dhe si njerëzit mund të ndryshojnë rrënjësisht nën presionin e përgjegjësive dhe dëshirave për pushtet. Po ashtu, filmi e portretizon botën e krimit jo thjesht si një akt brutal, por si një kompleks i strukturave të nderit dhe besnikërisë, i cili tërheq njerëzit në vorbullën e tij.
Në fund, filmi është një reflektim i errët mbi natyrën njerëzore dhe mbi atë se sa lehtë një individ mund të shndërrohet në diçka që nuk e kishte menduar kurrë.
 
Marrëveshja me Vatikanin
Në filmat "Il Padrino," marrëdhëniet mes familjes Korleone dhe Vatikanit, veçanërisht në pjesën e tretë të trilogjisë, janë kryesisht të trillimit dhe nuk bazohen në fakte historike të mirëdokumentuara. Megjithatë, ato janë ndikuar nga ngjarje dhe spekulime reale që lidhen me marrëdhëniet e krimit të organizuar me institucione të fuqishme financiare, përfshirë dhe Kishën Katolike.
Majkëll Korleone përpiqet të legalizojë biznesin e familjes duke investuar në Vatikan dhe duke blerë një kompani të quajtur Immobiliare. Kjo përfshin një marrëveshje komplekse me bankën e Vatikanit dhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë kishtarë. Ngjarjet në film përshkruajnë korrupsionin e thellë brenda Kishës dhe përpjekjet e Majkëllit për të blerë shpëtimin e shpirtit të tij duke financuar Vatikanin.
Ndërsa filmi është një trillim, ai bazohet në ngjarje dhe spekulime reale. Në vitet 1970-1980, Banka e Vatikanit (Instituti për Veprat e Fesë) u përfshi në një skandal financiar që lidhej me Bankën Ambrosiano, e cila kishte lidhje të supozuara me krimin e organizuar italian. Skandali përfshiu humbje të mëdha financiare dhe vdekjen misterioze të bankierit Roberto Calvi, i njohur si "bankieri i Zotit."
Filmi i përdor këto ngjarje reale për të ndërtuar një narrativë dramatike dhe komplekse. Ndërsa në film, Majkëll Korleone përpiqet të pastrojë imazhin e tij përmes marrëveshjeve me Vatikanin, në realitet, skandalet financiare të Vatikanit ishin më shumë të lidhura me korrupsionin dhe keqmenaxhimin, sesa me ndonjë marrëveshje të drejtpërdrejtë me mafia.
Marrëveshja mes Korleone dhe Vatikanit në film është kryesisht fiksion artistik, megjithatë, është e frymëzuar nga skandale reale që përfshinin Vatikanin dhe botën e financave. Filmi eksploron tema të fuqisë, korrupsionit, dhe përpjekjeve për shëlbim, duke përdorur këto elemente reale për të krijuar një narrativë dramatike dhe provokuese.

Apokalipsin nuk po na i sjell Zoti për mëkatet tona, po ia bëjmë vetes duke thelluar mëkatet


Nga 
Leonard Veizi
 
A jemi në prag të Apokalipsit?
Pyetja duket qesharake por herë-herë merr kuptim kur ndjen se për muaj me radhë përvëlohesh nën një diell 40 gradësh. Se në Tiranë 50 vjet më parë bënte dimër. Tanimë është behar në çdo kohë.
Në mendësinë tradicionale, Apokalipsi perceptohet si ndëshkimi hyjnor për mëkatet e njerëzimit. Kjo ide është rrënjosur thellë në kulturën dhe historinë tonë, një përsëritje e pandërprerë në gojëdhënat dhe librat e shenjtë që përshkruajnë fundin e botës si një hakmarrje të Zotit për veprimet e padenja të njerëzve. Megjithatë, në kohën moderne, ky perceptim ka filluar të shbëhet, duke na shtyrë të rimendojmë përkufizimin për Apokalipsin.
A është vërtet një ndëshkim hyjnor apo thjesht pasojë e natyrshme e veprimeve tona?
Ngrohja globale nuk është më një ëndërr, që ndoshta edhe mund të mos dalë, se helbete ëndërr mbetet. Vera e vitit 2024 u përjetua si një nga më të nxehtat në historinë e njerëzimit, një çast vendimtar që tregon realitetin alarmant të ndryshimeve klimatike. Temperaturat po thyejnë rekorde, zjarret po shkatërrojnë sipërfaqe të mëdha toke dhe thatësira po rrit rrezikun e mungesës së ujit dhe ushqimit. Këto ngjarje ekstreme, dikur të rralla, po bëhen përditshmëri, duke lënë pas vetes një ndjenjë të përbashkët të brishtësisë dhe papërcaktueshmërisë për të ardhmen e planetit.
Ndoshta kjo është një shenjë që Apokalipsi na është afruar?
Në fakt, trajtimin e apokalipsit si temë, frika që njerëzit përjetojnë, është një pasqyrë e kompleksitetit të përjetimeve njerëzore në prag të fundit të gjithçkaje. Apokalipsi, si një koncept universal, ka ngulitur rrënjët thellë në imagjinatën kolektive që nga fillimet e njerëzimit. Ai nuk është thjesht një fund fizik i botës, por një pasqyrë e brishtë së qenies njerëzore përballë forcave të pakuptueshme, të pandalshme dhe të pamëshirshme.
Oh, sa thellë u futëm mor aman. Edhe kjo na duhej në temperaturat përvëluese ku truri nuk mbushte as me oksigjenin e nevojshëm. Nejse...
Në vitet ’80 të shekullit të kaluar njerëzit flisnin për vitin 2000 si për fundin e botës. Pritej Apokalipsi. Megjithëse duheshin edhe 20 vite nga ndëshkimi, data e supozuar e Apokalipsit në fakt dukej shumë e largët. Mirëpo kur viti 2000 trokiti, toka nuk u trondit edhe pse u hodhën fishekzjarrë në gjithë botën aq sa të kujtonin bombardimet e Luftës së Dytë Botërore.
Mirëpo Apokalipsi nuk erdhi.
Pastaj u tha ishte bërë një përllogaritje gabim, dhe sipas gjasave dita e gjykimin ishte andej nga fundi i vitit  2012, sepse deri aty shkonte dhe kalendari Maja. Kishim dhe 12 vite të tjera jetë beqari, ku mund t'ia shtrinim kabullin sa të na hante dora. Mirëpo iku dhe viti 2012 mes tingëllimit të gotave të shampanjës dhe numërimit mbrapsht 4, 3, 2, 1... Zero.
Apokalipsi nuk u pa.
Në këtë kohë në lojë u fut baba Vanga. Demek ai e kishte bërë parashikimin më të saktë dhe se vetë Nostradamusi... E treta e vërteta, apo,..
Njerëzit u lodhën duke pritur ditën e ndëshkimit. Apokalipsi u la i lirë, mund të vinte kur të donte. U thelluan vetëm koncpiracionistët që Apokalipsin e lidhën në afrimin e planetit Nibiru në orbitën e Tokës, ku fuqia e tij gravitacionale do ta shkundte Tokën Blu nga themelet e do t’i nxirrte ujët e Zi.
Por as Nibiru nuk po duket në horizont. Megjithëse për të thuhet se ka një orbitë të barabartë me 3600 vite tokësorë.
Ka kohë, ka.
Por Apokalipsi nuk po vjen akoma. Ose ndoshta është duke ardhur, por me gjithë mesazhet që na jep, ne nuk arrijmë t’i ç’kodojmë ose thjesht nuk duam ta kuptojmë.
Kohët e fundit, domethënë në ditët e gushtit 2024 lajmet tronditën me njoftimin se një krijesë e rrallë e quajtur “peshku i ditës së gjykimit” u zbulua në brigjet e Kalifornisë Jugore. Peshku i rrallë me 12 këmbë, i cili dukej si një gjarpër i madh, shokoi shkencëtarët detarë. Në disa zona të botës, kjo krijesë shihen si pararojë e lajmeve të këqija, ndaj dhe krijesa njihet si: peshku i ditës së gjykimit.
Kësaj radhë më duket se e hëngrëm vërtet. Po mblidhet laku.
Dielli po na pjek. Në sfond kemi dhe luftërat lokale që nuk është çudi të na shndërrohen në mbarë botërore. Atëherë po, do ta kemi vetë në dorë Apokalipsin. Një shtypje butoni dhe... BUM. Na marrtë të keqen Bing Bengu.
Nëse e vëzhgojmë botën sot, duket qartë se shumë nga krizat me të cilat përballemi, qofshin ato ekologjike, sociale apo ekonomike, janë krijime të vetë duarve tona. Ndryshimet klimatike, ndotja, varfëria e skajshme, pabarazia, luftërat dhe konfliktet që na shqetësojnë çdo ditë nuk janë rezultat i ndonjë vendimi hyjnor. Përkundrazi, ato janë pasojë e vetëdijes sonë të kufizuar, e etjes për pushtet, pasuri dhe dominim mbi të tjerët. Në një farë mënyre, njerëzimi është duke i nxjerrë vetë rrënjët e vet, duke e shkatërruar botën dhe veten njëkohësisht.
E ndërsa në Tiranë mund të zejeje rrobat në qiell të hapur, në shumë rajone të tjera evropiane u shkaktuan reshje të rrëmbyeshme dhe përmbytje. Tirana gjithashtu u godit nga një rrebesh i paparë por i shkurtër në kohë që kaloi vetëm me shkundjen e gjetheve të pemëve dhe theu xhamat e makinave
A është kjo një shenjë tjetër se apokalipsin e kemi afër?
Ku ta dish, edhe mundet.
Ne kemi kohë që flasim dhe presim Apokalipsin. Ndoshta dhe kjo është bërë një përditshmëri e s’na bën fort përshtypje. Frika ndaj Apokalipsit përshkon çdo aspekt të jetës, duke u shfaqur si një pasqyrë e ankthit për të panjohurën. Është frika e të humburit të gjithçkaje që kemi ndërtuar.
Megjithatë Apokalipsi duket se është ende larg.
Prej vitesh kemi nisur të mësohemi me termat: efekti serë, ngrohje globale, dhe marrjen e tokës nga deti. Përmbytja e qyteteve bregdetare dhe futja e tyre nën ujë, gjithashtu mund të jetë një proces që do të konsiderohet në një të ardhme jo fort të largët.
A është dhe kjo një shenjë apokaliptike?
Shqipëria është nën kërcënimin e erozionit të shkaktuar nga rritja e nivelit të detit. Vendi ynë, me një vijë të gjatë bregdetare është veçanërisht i rrezikuar nga ngritja e nivelit dhe përmbytjet.
A keni dëgjuar për një studim të Bankës Botërore...? Një studim që flet mbi ngrohjen globale dhe ndikimet e saj, përfshirë përmbytjet e vijave bregdetare. Ky studim ka tërhequr vëmendje për potencialin e humbjeve të mëdha territoriale dhe urbane në shumë vende, përfshirë Shqipërinë. Në nivel botëror, në vitin 2100, nga ndryshimet klimatike, Banka Botërore parashikon, se do të rritet niveli i detit me 50-60 centimetra. E pra projeksioni i këtij studimi tregon se 75 vite më vonë Shqipërisë do t’i mungojë gati 1/3 e territorit. Për fatin tonë, - të mirë a të keq nuk e di, - këto toka nuk na i pushtojnë armiqtë shekullorë. Na i merr uji. Dhe ujin nuk e lufton dot as me shpata e shigjeta, as me topa e mitraloza. Parashikimi për Shqipërinë është i frikshëm kur mendon se Durrësi, Fieri, Velipoja, Shëngjini do të jenë nën ujë.
Kjo do të jetë vërtet një situatë apokaliptike. Për më tepër që një Durrës e kemi nën ujë. Dhe presim që edhe këtë të cilin e kemi në gjendje, me hipotekë e certifikatë pronësia të na zhytet nën Adriatik bashkë me Portin e Jahteve dhe godinat luksoze përreth tij.
Ndaj duket sikur në horizont është shfaqur Apokalipsi.
Por frika ndaj apokalipsit nuk është thjesht frikë ndaj shkatërrimit fizik. Është frika ndaj humbjes së kuptimit, e asaj çfarë na ndan nga e përditshmja.
Ndërsa teknologjia dhe globalizimi na kanë dhënë fuqinë për të ndikuar në çdo cep të planetit, ato gjithashtu kanë nxjerrë në pah lakminë, egoizmin dhe indiferencën tonë ndaj njëri-tjetrit dhe natyrës. Përballë kësaj, Apokalipsi duket më shumë si një përmbysje që ne vetë e kemi shkaktuar, sesa një ndëshkim i Zotit. Është vetëdija jonë e munguar dhe veprimet tona që po na çojnë drejt një Apokalipsi të pashmangshëm. Në fund të fundit, Apokalipsi nuk nuk do të jetë një ndëshkim për mëkatet e kaluara, por një pasojë e drejtë për mëkatet që vazhdojmë të kryejmë.

Wednesday, August 28, 2024

Humanizmi në mes të terrorit: "Lista e Shindlerit", një mësim mbi Holokaustin



Nga Leonard Veizi
 
Ai nuk ishte shenjt. Dhe nuk mund të ishte përderisa ishte anëtar i një parti terrosiste me emrin Nacionalsocialiste, apo më shkurt Naziste. Por jeta tregoi se edhe një përfaqësues i një organizmi terrorist mund të kthehej, në mos në një shenjt të paktën në një hero...
 
...Historia e njerëzimit përveç periudhave të ndritshëm është e mbushur me kapituj të errët. Një nga kapitujt më të errët është Holokausti, një kohë kur miliona njerëz u shfarosën në mënyrë sistematike nga regjimi nazist. Megjithatë, në këtë terr të pafund, u shfaqën disa drita shprese. Një nga këto drita ishte Oskar Shindler, një biznesmen gjerman që shpëtoi më shumë se një mijë hebrenj nga kampet e përqendrimit. Historia e tij, - e përjetësuar në romanin “Arka e Shindlerit" i cili më pas u adaptua si filmi "Lista e Shindlerit", - na mëson vlefshmërisht mbi humanitetin, guximin dhe rëndësinë e veprave të mira. Si romani ashtu edhe filmi janë kryevepra që sjellin në pah fuqinë e një individi për të bërë një ndryshim të madh edhe në kohët më të errëta. Përmes transformimit të personazhit kryesor, "Arka e Shindlerit" dhe "Lista e Shindlerit" nxisin lexuesit dhe shikuesit të reflektojnë mbi natyrën njerëzore, moralitetin dhe aftësinë për të ngritur të mirën përballë të keqes absolute.
 
Çudia e nazistit që shpëtoi hebrejtë
Oskar Shindler ishte një biznesmen i cili kërkonte përfitim financiar nga puna e lirë e hebrenjve. Por ndërsa dëshmonte brutalitetin e nazistëve, gjithçka në kokën e tij nisi të ndryshonte. Veprimet e mëpasme treguan se njerëzit mund të gjenin humanizëm edhe në rrethana të pashpresa. Empatia e Shindlerit për vuajtjet e hebrenjve e ktheu atë nga oportunist në shpëtimtar. Ai shpëtoi jetët e mbi 1,100 hebrenjve duke i punësuar ata në fabrikat e tij.
Historia e Shindlerit tregon fuqinë e një individi për të bërë një ndryshim të madh. Në një kohë kur indiferenca dhe frika mbizotëronin, Shindler tregoi se veprat e një njeriu të vetëm mund të shpëtojnë mijëra jetë. Ai rrezikoi gjithçka - pasurinë, reputacionin dhe jetën e tij - për të shpëtuar të tjerët. Kjo na kujton se secili prej nesh ka fuqinë për të bërë mirë, pavarësisht nga rrethanat.
"Lista e Shindlerit" nuk është thjesht një libër apo një film; është një mësim i rëndësishëm për historinë dhe nevojën për të kujtuar. Përmes tregimit të historive, mbeten të gjalla kujtimet e viktimave të Holokaustit dhe nderoen veprat heroike të atyre që guxuan të bëjnë një ndryshim. Kjo kujtesë kolektive na ndihmon të ndërgjegjësohemi dhe të luftojmë kundër çdo forme të padrejtësisë dhe urrejtjes në të ardhmen.
Steven Spielberg në "Lista e Shindlerit" përdor një kombinim të fuqishëm të imazheve të bardhë e zi, përveç një elementi kyç të ngjyrosur – fustanin e kuq të një vajze të vogël – për të theksuar humbjen e pafajësisë dhe brutalitetin e kohës. Fustani i kuq bëhet një simbol i fuqishëm i viktimave të panumërta të Holokaustit dhe një moment që e trondit Shindlerin deri në vendosjen përfundimtare për të shpëtuar sa më shumë jetë që të jetë e mundur.
"Lista e Shindlerit" është një testament i fuqisë së humanitetit në mes të errësirës më të madhe. Historia e Oskar Shindlerit na tregon se edhe në çastet më të vështira, mund të ketë shpresë dhe mirësi. Kjo histori na kujton rëndësinë e guximit, empatisë dhe veprimeve të mira. Duke reflektuar mbi këto mësime, mund të inspirohemi për të bërë ndryshime pozitive në botën tonë dhe të mos harrojmë kurrë të kaluarën për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.
  
Simbolika e titullit të romanit
I botuar fillimisht me titullin “Arka e Shindlerit” ai është një roman historik i botuar në vitin 1982 nga Tomas Kënilij. Botimi i librit në Shtetet e Bashkuara u titullua Lista e Shindlerit; më vonë u ribotua edhe në vendet e Komonuelthit me atë emër.
Në shqip “Lista e Shindlerit” me numër faqesh 632, ka ardhur nga Shtëpia Botuese: Ombra GVG me përkthimin e Anisa Trifonit.
Arka e Shindlerit në vetvete është një simbol i shpëtimit dhe shpresës në një botë të shkatërruar nga dhuna dhe urrejtja. Në Bibël, Arka e Noes është një mjet shpëtimi gjatë përmbytjes së madhe, dhe ashtu si Noeja, Shindler krijon një "arkë" për të mbrojtur të pafajshmit nga një katastrofë njerëzore. Lista e njerëzve të shpëtuar, e cila i jep titullin filmit, është një përkujtim i përpjekjeve të tij dhe një testament i fuqisë së një individi për të bërë ndryshimin.
Po çfarë thotë kritika në tërësinë e saj? Kritika thotë se: Romani i Kënilij-t nuk është thjesht një akt i zbardhjes së dëshmive tronditëse apo i kronologjisë së ngjarjeve në geton naziste në Krakov... por një vepër monumentale, që dëshmon me sinqeritet mbi personalitetin e industrialistit nazist Oskar Shindler, që i ktheu fabrikat e tij të emalimit në Poloni, në uzina për prodhimin e municioneve për makinerinë e luftës të ushtrisë naziste. Edhe pse ai ishte njeri shumë i afërt me komandën naziste, arriti të shpëtojë nga dhomat e gazit, shumë më tepër hebrenj, se sa askush tjetër gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ky roman, që nga njëra anë rrëfen kalvarin e vuajtjeve dhe dhimbjeve të hebrenjve në geton e vdekjes në Krakov dhe në kampin misterioz të punës jashtë qytetit, në Plaszow... nga ana tjetër, zbulon dimensionin human të jashtëzakonshëm të një individi, që shpëtoi jetë të shumta njerëzore, kur qytetërimi i ishte përkushtuar shkatërrimit.
 
Dëshmitarja
Gruaja që përpiloi listat e njerëzve për industrialistin gjerman, Oskar Shindler, i cili ndihmoi në shpëtimin e qindra hebrenjëve gjatë holokaustit, ka vdekur në moshën 107 vjeçare. Mimi Rainhart, e cila ishte e punësuar si sekretare e Shindlerit, ishte përgjegjëse për hartimin e listave të punëtorëve hebrenj nga getoja e qytetit polak të Krakovës, të cilët ishin rekrutuar për të punuar në fabrikën e tij, duke i shpëtuar ata nga dëbimi në kampet naziste të vdekjes.
Rainhart me origjinë austriake, e cila ishte gjithashtu hebre, u rekrutua nga vetë Shindler dhe punoi për të deri në vitin 1945. Pas Luftës së Dytë Botërore, ajo u transferua në Nju Jork përpara se të vendoste të transferohej në Izrael në 2007 për t’u bashkuar me djalin e saj të vetëm, Sasha Uajtmen, i cili atëherë ishte profesor i sociologjisë në Universitetin e Tel Avivit.
Rainhart, e cila i kaloi vitet e saj të fundit në një shtëpi pleqsh në veri të Tel Avivit, kishte thënë se dikur ishte takuar me Spielberg, por e kishte të vështirë ta shikonte filmin.
Fotografi izraelit Gideon Markoviç, i cili u takua me Rainhart si pjesë e një projekti kushtuar të mbijetuarve të Holokaustit, e përshkroi atë si një grua aktive.
Shindler, i cili vdiq në 1974, u emërua nga muzeu i Holokaustit “Yad Vashem’ i Izraelit si anëtar i “Të drejtët midis kombeve”, një nder për johebrenjtë që u përpoqën të shpëtonin hebrenjtë nga shfarosja naziste.
 
Mbi autorin
Tomas Kënilij, romancier dhe dramaturg, lindi në Sidnei të Australisë, në vitin 1935. U bë i famshëm në botë mbas botimit të romanit “Arka e Shindlerit”, që u shpall edhe fitues i “Booker Prize”, në vitin 1982. Për këtë roman, ai, u bazua në rrëfimet tronditëse të një të mbijetuari të Holokaustit. Dhjetë vite më vonë, regjisori i famshëm Stiven Spielberg me subjekt të këtij romani, realizoi filmin “Lista e Shindlerit” dhe fitoi çmimin e Akademisë për filmin më të mirë. Thomas Kënilij është autor i shumë romaneve dhe është nderuar me çmimet: Miles Franklin, Booker, Los Angeles Times, Mondello International Prize.
 
Prodhimi kinematografik
“Lista e Shindlerit” është një film dramatik historik epik amerikan i vitit 1993 me regji dhe prodhuar nga Stiven Spielberg dhe shkruar nga Stiven Zeilian. Ai bazohet në romanin e vitit 1982 Arka e Shindlerit nga romancieri australian Tomas Kënilij. Filmi ndjek Oskar Shindler, një industrialist gjerman që shpëtoi më shumë se një mijë refugjatë kryesisht polako-hebrenj nga Holokausti duke i punësuar në fabrikat e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aty interpreton Liam Neson si Shindler, Rei Fans si oficeri SS Ejmën Goth dhe Ben Kingsli si llogaritari hebre i Shindlerit, Itzak Stern.
Idetë për një film për “hebrenjtë Shindlerit” u propozuan që në vitin 1963. Spielberg u interesua kur ekzekutivi Sidnei Shainberg i dërgoi atij një përmbledhje libri të “Arkës së Shindlerit”. “Universal Pictures” bleu të drejtat e romanit, por Spielberg, i pasigurt nëse ishte gati të bënte një film për Holokaustin, u përpoq t'ua kalonte projektin disa regjisorëve të tjerë.
Në vitin 1993 sheshi kryesor i xhirimit u vendos në Krakov, Poloni, mbi 72 ditë. Spielberg regjistroi në bardh e zi dhe iu afrua filmit si një dokumentar. Kinematografi Janush Kaminski donte të krijonte një ndjenjë të përjetësisë. Xhon Uilliams kompozoi partiturën dhe violinisti Itzak Perlman interpretoi temën kryesore.
 
Vlerësimi
"Schindler's List" u shfaq premierë më 30 nëntor 1993, në Uashington, D.C. dhe u publikua më 15 dhjetor 1993, në Shtetet e Bashkuara. Shpesh i renditur ndër filmat më të mëdhenj të realizuar ndonjëherë, filmi mori vlerësim universal për tonin e tij, aktrimin, veçanërisht Neson, Fans dhe Kingsli, atmosferën, partiturën, kinematografinë dhe drejtimin e Spielberg; ishte gjithashtu një sukses duke arkëtuar 322.2 milionë dollarë në mbarë botën me një buxhet prej 22 milionë dollarësh. Ai u nominua për 12 çmime në çmimet e 66-ta të “Academy Awards”, dhe fitoi shtatë, duke përfshirë filmin më të mirë, regjisorin më të mirë (për Spielberg), skenarin më të mirë të adaptuar dhe këngën më të mirë origjinale. Filmi fitoi shumë çmime të tjera, duke përfshirë shtatë çmime BAFTA dhe tre çmime Golden Globe. Në vitin 2007, Instituti Amerikan i Filmit e renditi Listën e Shindlerit në vendin e 8-të në listën e 100 filmave më të mirë amerikanë të të gjitha kohërave. Filmi u përcaktua si "kulturor, historikisht ose estetikisht i rëndësishëm" nga Biblioteka e Kongresit në 2004 dhe u zgjodh për t'u ruajtur në Regjistrin Kombëtar të Filmit të Shteteve të Bashkuara.

Friday, August 23, 2024

“After Hours”, tmerri i një nate që nuk do të mbarojë

 
 

Nga Leonard Veizi
 
A mundet që për shkak të një trilli, - takimi me një vajzë, - nata jote që e ke ëndërruar si magjike të të kthehet në një ferr të vërtetë, ku të ndodhin ngjarje fare të pakuptimta, krejt absurde dhe mbi të gjitha të tmerrshme? Padyshim kjo ndodh më së shumti në një film triller, ashtu siç ka gjasa me një probabilitet fare të vogël të ndodhi edhe në jetën reale. E megjithatë në rastin konkret kemi të bëjmë me një fantazi artistike. Edhe pse për të thuhet se është i nënvlerësuar si film, ai është në të vërtet një magji. Dhe bëhet fjalë për një nga filmat e Skorcezes. Një film ku një njeri futet në një vorbull nga e cila e ka gati të pamundur të dalë. Por së fundi del. Veçse i duhet të kalojë aty ku dhe fantazia më e shthurur nuk shkon dot...
 
..."After Hours" është një film amerikan i vitit 1985, me regji të Martin Skorcese. Në shqip filmi është transmetuar nga Televizioni Publik me titullin “Pas orarit të punës”. Ajo është e cilësuar si një komedi e zezë, që sillet rreth një nate të çuditshme dhe surreale që përjeton protagonisti i filmit, Pol Haket, në Njy Jork Siti. Në megaproduksionin e tij filmi trajton disa minitema si izolimi, ankthi dhe paparashikueshmëria e jetës.
Ndërsa regjia e filmit mban firmën e Martin Skorceses, skenari është shkruar nga Xhozef Minion dhe prodhuar nga Emi Robinson, Grifin Dan dhe Robert F. Kolesberi.
Grifin Dan luan rolin e Pol Haket, një punonjës zyre i cili përjeton një sërë fatkeqësish ndërsa përpiqet të kthehej në shtëpi nga distrikti SoHo i Manhatanit gjatë natës. Në rolin e Marsit interpreton Rosana Arket.
“After Hours” u vlerësua nga kritikët për humorin e tij të zi dhe konsiderohet të jetë një film i nënvlerësuar i regjisorit të famshëm hollivudian. E megjithatë filmi fitoi çmimin “Independent Spirit” për filmin më të mirë. Skorcese fitoi çmimin e Festivalit të Filmit në Kanë për regjisorin më të mirë dhe çmimin “Independent Spirit” si regjisori më i mirë.
 
Ngjarja
Pas një dite të mërzitshme në punë, në një kafene në Manhatan, rradhitësi në kompjuter Pol Haket takohet dhe flet për letërsinë me Marsin, një vajzë bionde dhe e hijshme.
Marsi i thotë se ajo jetonte në SoHo me një skulptore të quajtur Kiki Brixhes, e cila bënte dhe shiste skulptura prej letre dhe allçie, dhe i lë numrin e saj. Atë natë vonë, Pol merr një taksi dhe shkon në apartamentin e Marsit në distriktin SoHo. Fatura e tij prej 20 dollarësh që fluturon nga dritarja gjatë udhëtimit është vetëm fillimi i aventurave të asaj nate e papritur që ai do të përjetojë. Haket nuk mund të paguajë për udhëtimin. Ndërsa taksisti i hakërrehet. Teksa nata përparon, Pol e gjen veten të ngatërruar në një seri ngjarjesh surreale, makthi dhe kërcënuese për jetën me një kastë shumëngjyrëshe karakteresh. Për më tepër kur vajza e takimit të tij gjendet e vdekur nga një mbidozë. Haket i kalon orët e tjera duke u përpjekur të kthehet në shtëpinë e tij, por asgjë nuk e favorizon. Ndaj kjo duket si një mision i pamundur.
 
Zbërthim psikologjik
Pol Haket paraqitet si një individ i zakonshëm, disi i vetmuar, që kërkon një arratisje nga rutina e tij e përditshme. Seria e ngjarjeve të çuditshme dhe shqetësuese që ai përjeton gjatë natës e amplifikon ndjesinë e tij të izolimit. Çdo takim që ka me personazhe të ndryshëm në qytet rrit ndjesinë e shkëputjes së tij, duke reflektuar një izolim më të gjerë urban.
Filmi kap ankthin e jetës moderne, veçanërisht përmes ndjesisë së Polit për humbjen e kontrollit. Ndërsa nata vazhdon, ai bëhet gjithnjë e më shumë i bllokuar në një seri situatash absurde, duke theksuar paparashikueshmërinë dhe kaosin e ekzistencës. Kjo mund të interpretohet si një reflektim i ankthit ekzistencial. Pol është kapur në një rreth vicioz që përpiqet të kthehet në normalitet, por çdo përpjekje e tij dështon nga ngjarje gjithnjë e më surreale.
Filmi përdor surealizmin për të eksploruar absurdin e jetës. Ngjarjet që Pol përjeton janë të ekzagjeruara dhe irracionale, duke e shtyrë narrativën përtej realizmit në fushën e absurdit. Kjo atmosferë surreale kontribuon në tensionin psikologjik, pasi realiteti i Polit duket se përshtatet në mënyra që sfidojnë arsyen e tij.
Gjatë gjithë filmit, Pol duket se kërkon diçka të rëndësishme — qoftë kjo lidhje, arratisje, apo thjesht një rrugë për t’u kthyer në shtëpi. Sidoqoftë, çdo rrugë që ai merr çon në më shumë konfuzion dhe dëshpërim. Mungesa e zgjidhjes në fund të filmit mund të shihet si një koment mbi natyrën e pakapshme të kuptimit në jetë.
Përvojat e Pol-it gjatë natës mund të shihen si një seri “disonancash kognitive” apo si shqetësimi mendor, ku pritshmëritë që ai ka për ndërveprimet normale sociale bien ndesh me reagimet e çuditshme dhe ndonjëherë armiqësore të njerëzve që ai takon. Kjo disonancë krijon një tension psikologjik që e shtyn narrativën përpara, ndërsa Pol bëhet gjithnjë e më i dëshpëruar për të pajtuar këto realitete konfliktuale.
Ndërsa nata vazhdon, Pol fillon të ndjejë përndjekje, veçanërisht kur lagjja kthehet kundër tij. Kjo paranojë në rritje reflekton ndikimin psikologjik të përvojave të tij, duke e shtyrë drejt një gjendjeje të afërt me çmendurinë. Filmi e përdor këtë për të eksploruar temat e izolimit shoqëror dhe frikën nga keqkuptimi ose gjykimi i padrejtë.
Në përmbledhje, "After Hours" shërben si një eksplorim psikologjik i izolimit urban, ankthit ekzistencial dhe absurdës surreale të jetës. Përmes natës së tmerrshme të Pol Haket, filmi zhytet në aspektet më të errëta të psikikës njerëzore, duke reflektuar ankthet dhe shkëputjet që mund të lindin në një botë kaotike dhe të paparashikueshme.
 
Kritika
Në “Metacritic”, filmi ka një rezultat mesatar të ponderuar prej 90 pikësh. prej 100 bazuar në komentet nga nëntë kritikë. Ndërsa kritiku Roger Ebert i dha “After Hours" katër yje, konsensusi kritik është shprehur: "I shpërthyer me energji të furishme dhe i mbushur me humor të zi, After Hours është një devijim mjeshtëror - dhe shpesh i anashkaluar - në filmografinë e Martin Scorsese."
E megjithatë After Hours fitoi vetëm 10.1 milionë dollarë në Shtetet e Bashkuara.

 

Në vatrën shqiptare të thashethemeve toksike për “krime pasioni”


Nga 
Leonard Veizi
 
Zoti mos na lëntë pa krime të vogla, nga ato që quhen rëndom si “motive të dobëta” apo më bukur akoma, “krime pasioni”.
Por dhe nëse Zoti harron a s'e ka mendjen këndej nga anahija jonë, jemi ne që kujdesemi që çdo ditë të Zotit të hedhin në tryezën e thashethemeve histori të nxehta pasionante që përfundojnë me nga një plumb bythëve.
-E more vesh, e qëlluan me një breshëri djalin e xhajës së tezes së dajës...
-Të kujt mor aman.
Tjetri hap menjëherë celularin te lajmet në përditësim.
-Po ja fut kot më duket, se asnjë portal nuk ka shkrujt.
-Ohu, sa të kujtohen gazetarët... Lajmi më parë kalon nga ne.
Dhe këtu është starti. Finishit nuk i duket fundi. Maratonë me pengesa. 42 kilometra jo shaka.
-Kur bëhet varrimi?
-Jo mor se një plumb në vend të keq mori, nuk u bë hataja. Shnet ka me ju ba.
Dhe fill pasi për viktimën thuhet se “u shtrua me urgjencë në spital por është jashtë rrezikut për jetën”, plas ahengu. I zbardhet biografia. Nga xhaxhai partizan i Brigadës së Parë Sulmuese tek daja si eksponent i Ballit Kombëtar.
-E kishte mbush kupën me thon t’drejtën.
Shqiptarët kanë një talent të veçantë, një dhunti që nuk kërkon shkollim apo diplomë të kategorisë së dytë... domethënë baçelor: thashethemet dhe komentet toksike. Ndonjëherë duket sikur secili shqiptar ka në dorë një telekomandë që kontrollon jetën e tjetrit. Ore dinë gjithçka po u them. Ose më keq akoma, nuk dinë asgjë dhe ia fusin kot.
-Shpif-shpif, se diçka do të mbetet, - thoshte gjakatari Makiavel. Dhe kjo është një batutë e huazuar nga teatri me nam “Natë me hënë”.
Ndërsa thashethemet rriten, shpesh shqiptarët harrojnë se janë pjesë e një zinxhiri ku të gjithë janë viktima të këtij fenomeni. Janë të paktë ata që i shpëtojnë vrullit të thashethemit. Edhe nëse dikush përpiqet të jetë i drejtë e i ndershëm, nuk do të vonojë çasti kur do të gjendet në gojën e të tjerëve.
Ironikisht, në këtë shoqëri të ndjeshme ndaj moralit të tjetrit, shpesh harrohet se një fjalë e thënë gabim mund të jetë po aq e dhunshme sa një akt fizik. Por, ndërkohë që thashethemet vazhdojnë të shfrenohen, ndoshta një ditë dikush do të guxojë të thotë: "Ndoshta, në vend që të gjykojmë, duhet të shohim më mirë përse ndodhin këto gjëra dhe të përpiqemi të ndryshojmë diçka." Por deri atëherë, loja e thashethemeve do të vazhdojë, ndërsa fajësimi i viktimës do të mbetet si një sport kombëtar. Mungon vetëm ceremonia e dhënies së kupës.
-Puna asht me punu tokën tande se e huja e ka një pronar.
Këtu të qajmë piten ne. Të japim mend sa për 4 Kuvende me burra zakoni.
-Zoti vono por nuk harro.
Ç'e ngatërroni Zotin me dashnoret kolektive mor aman.
Komentet toksike për ne shqiptarët – ashtu si dhe për shumë vende të tjera të botës, nuk jemi vetëm, -  janë një sport kombëtar, një maratonë pa fund ku fitues nuk ka, vetëm lodhje hidhërim dhe shfryrje negativiteti. Dhe asnjëri prej tyre nuk sheh punën e vet. Por të tjetrit i di mirë. Ia di të gjitha vrimat e shtëpisë. Dhe po nuk ia diti, i merr me mend. Aq janë mo, 1+1, 60 metra katrorë kanë shumica.
Kur ndodh një krim në Shqipëri, sidomos kur viktima është femër, skenari i njohur i thashethemeve shfaqet menjëherë. Njerëzit mbledhin informacione si të ishin detektivë, dhe gjithçka fillon të rrotullohet rreth një fjalie të zakonshme: "Mirë ia bënë, vetë e ka fajin." Dhe kjo më kujton dhe një batutë nga drama “Natë me hënë” mbështetur mbi novelën e Kadaresë kur Nora i hakërrehej Gazmendit:
-Epo doemos, e ke dashnore, do e mbrosh! Ta kishte qejfi ty pa ta drodhi dhe ajo.
Në vend që të ngrihet zëri kundër padrejtësive apo dhunës, ngritjes së çmimeve, por dhe plot problemeve të tjera sociale që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin dhe mirëqenien tonë fokusi zhvendoset te një viktimë për “krim pasioni”.
Ky skenar bëhet edhe më i goditës kur mendohet se këto komente nuk vijnë vetëm nga burrat, por shpesh edhe nga gratë. Në vend që të ketë solidaritet midis tyre, gratë bëhen shpesh gjykatëset më të ashpra të njëra-tjetrës. Kështu, krimi merr një trajtë tjetër: krimi i fjalës dhe i gjykimit shoqëror.
Kur një krim përfshin një burrë, shqiptarët nuk mjaftohen vetëm me gjykimin e situatës aktuale. Jo, ata shkojnë edhe më thellë, duke kërkuar themelet e fshehta të historisë. Dhe çfarë gjejnë? Sigurisht, dashnore të fshehura, lidhje jashtëmartesore dhe një varg të gjatë ndodhish të fshehta që, sipas tyre, vetëm sa priten të dalin në dritë.
-Prit, prit, s’keni parë gjë akoma. Sa ka zanati.
Në këtë rast, imagjinata nuk njeh kufi. Një grua që përballet me një situatë tragjike bëhet menjëherë personazhi kryesor i një drame të improvizuar, ku çdo detaj i jetës së saj merret në shqyrtim si të ishte provë në një gjyq publik. Kështu, historia e saj personale shndërrohet në një telenovelë popullore, ku çdo shqiptar ndihet si skenarist, regjisor dhe aktor njëherësh.
Është ajo puna e ëndrrave në sirtar. Epo, diku do ta shprehësh talentin.
E në fund të ditës, ndërsa të gjithë këto “fakte” të reja dalin në sipërfaqe, shqiptarët mbeten të kënaqur me versionin e tyre të ngjarjes. Një version që nuk kërkon ndonjë investigim të thellë, vetëm pak kreativitet dhe një dozë të mirë paragjykimi.
-E thashë unë... Ta kam thënë apo jo? Ja kështu do të përfundonte.
Largpamës deri në pambarimësi.
E si përfundim mund të themi se shqiptarët do të vazhdojnë të bëjnë atë që dinë aq mirë ta bëjnë: të thurin fjalë pas krahëve, ndërsa realiteti përtej ekranit vazhdon të jetë i njëjtë. Sepse, në fund të fundit, çdo gjë është më e thjeshtë kur është fjala për të tjerët dhe jo për veten.

Wednesday, August 21, 2024

Domosdoshmëria e pelegrinazheve shpirtërore: nga Kisha e Laçit e Ardenica, te Mali i Tomorrit


Nga 
Leonard Veizi
 
Në ditë të nxehta me ekuilibër të brishtë, ku bota përfshihet herë nga zjarre të ndezura “pa dashje” e herë nga bomba të hedhura mbi koka njerëzish, këtë herë me siguri “me dashje”, një pelegrinazh shpirtëror mbetet një domosdoshmëri.
Jetojmë një kohë e cila gjithnjë e më shumë po përfshihet nga dinamika e përditshmërisë dhe materializmit, nevoja për përvojat shpirtërore dhe rigjenerimin e brendshëm bëhet gjithnjë e më e domosdoshme. Përballë sfidave të përditshme dhe lodhjes emocionale, njerëzit shpesh kërkojnë një strehë të brendshme, një vend ku mund të rifitojnë balancën dhe kuptimin e jetës. Në Shqipëri, dy nga destinacionet më të njohura të pelegrinazhit shpirtëror janë Kisha e Laçit dhe Mali i Tomorrit. Këto vende nuk janë vetëm pika turistike apo qendra fetare, por edhe vende ku besimi, tradita dhe mistika ndërthuren në një mënyrë të thellë dhe të ndjeshme.
Kisha e Shën Kollit në Laç është një nga vendet më të vizituara për pelegrinazhe në Shqipëri, veçanërisht gjatë muajit Qershor. Pelegrinët shkojnë për të kërkuar bekime dhe shërim.
Teqeja e Baba Tomorrit, në malin e Tomorrit, merr një peshë të veçantë jo vetëm për bektashinjtë që zhvillojnë një pelegrinazh të rëndësishëm në Gusht, ku mblidhen për t'i kushtuar nderime këtij mali të shenjtë.
Nga ana tjetër edhe Manastiri ortodoks i Ardenicës është i njohur për pelegrinazhe të besimtarëve që kërkojnë bekime dhe qetësi shpirtërore.
 
Kisha e Laçit, një vend i shenjtë për të gjithë
Kisha e Laçit, e njohur ndryshe si Kisha e Shën Antonit, është një prej vendeve më të frekuentuara të pelegrinazhit në Shqipëri. E vendosur në një kodër të lartë mbi qytetin e Laçit, kjo kishë përbën një qendër të rëndësishme shpirtërore për shumë besimtarë, jo vetëm katolikë, por edhe të besimeve të tjera. Çdo vit, me mijëra njerëz ngjiten në këtë vend të shenjtë, në kërkim të bekimeve, shërimit dhe qetësisë shpirtërore. Pelegrinët, të udhëhequr nga dëshira për një lidhje më të afërt me Zotin dhe shpirtin e tyre, sjellin me vete jo vetëm lutjet dhe shpresat, por edhe ofertat dhe sakrificat e tyre, duke kërkuar bekimin e Shën Antonit.
Kisha e Laçit simbolizon për shumëkënd një vend ku shpirti mund të pastrohet dhe ku mund të rigjenerohet fuqia e besimit. Shumë njerëz kanë dëshmuar për mrekulli dhe shërime të jashtëzakonshme që kanë ndodhur në këtë vend, duke e bërë Kishën e Laçit një vend të veçantë në ndërgjegjen shpirtërore të shqiptarëve. Kjo kishë përfaqëson një pikë ku takohen qielli dhe toka, besimi dhe realiteti.
 
Mali i Tomorrit, shenjtëria e natyrës dhe besimit
Jemi pikërisht në gusht. Malet ngrihen mbi horizontin e djegur nga dielli, dhe në Tomorr, ku mistika përthyhet me realitetin, nis pelegrinazhi i përvitshëm. Është një udhëtim që bart në vete peshën e një tradite të lashtë. Në rrugën e mbushur me pelegrinë, ndjehet atmosfera e përgatitjeve të një riti shekullor. Burrat dhe gratë, të veshur në të bardha, ngjajnë me hije të qeta që kërkojnë të prekin qiellin, ndërsa ngjiten lart. Dielli i gushtit, i pamëshirshëm, zbraz mbi ta rreze të nxehta, sikur të jetë një provë e fundit për të përkushtuarit që duan të arrijnë majën e shenjtë.
Nga ana tjetër, Mali i Tomorrit, i njohur si "mali i shenjtë", është një vend me rëndësi të madhe për besimtarët bektashinj dhe jo vetëm. Për shumë shekuj, ky mal është konsideruar si një shenjtërore natyrore, ku perëndia dhe natyra bashkohen në një harmoni të plotë. Pelegrinazhi në Malin e Tomorrit është një përvojë që kërkon përkushtim të thellë shpirtëror, pasi ngjitja në këtë mal kërkon jo vetëm fuqi fizike, por edhe një përgatitje shpirtërore.
Mali i Tomorrit nuk është vetëm një destinacion për besimtarët bektashinj gjatë festës së Sulltan Novruzit, por edhe për çdo individ që kërkon një lidhje më të thellë me natyrën dhe shpirtin. Pelegrinazhi në këtë mal është një akt që simbolizon ngjitjen e shpirtit drejt lartësive, një mënyrë për të përjetuar praninë e shenjtërisë në çdo hap të rrugëtimit.
 
Pelegrinazhi në Ardenicën e shenjtëruar
Manastiri i Ardenicës është një nga monumentet më të rëndësishme fetare dhe kulturore në Shqipëri, dhe një destinacion i njohur për pelegrinët. I ndodhur në një kodër mbi fshatin Ardenicë në afërsi të Fierit, manastiri është i njohur për historinë dhe arkitekturën e tij unike, që daton nga shekulli i 13-të.
Manastiri u ndërtua në vitin 1282 nga perandori bizantin Andronik II Paleologu, dhe është dedikuar Shën Mërisë (Theotokos). Një nga ngjarjet më të rëndësishme që lidhet me këtë manastir është fakti se në vitin 1451 këtu është martuar Skënderbeu, heroi kombëtar i Shqipërisë.
Manastiri i Ardenicës është një kompleks që përfshin disa ndërtesa të rëndësishme, përfshirë kishën kryesore të Shën Mërisë, kisha të vogla dhe objekte të tjera ndihmëse. Arkitektura e manastirit është një përzierje stilesh bizantine, me mure të larta prej guri dhe afreske të mrekullueshme që datojnë nga shekujt e XVIII dhe XIX. Këto afreske janë vepër e mjeshtrave ikonografë, vëllezërve Zografi, që janë të njohur për punimet e tyre në manastiret ortodokse.
Pelegrinazhi në manastirin e Ardenicës është një traditë e rëndësishme për komunitetin ortodoks dhe për besimtarët e tjerë që kërkojnë një vend të shenjtë për lutje dhe reflektim. Pelegrinët vijnë për të marrë bekimin e shenjtë të manastirit, për t'u lutur në kishën kryesore dhe për të përjetuar paqen dhe qetësinë që ofron ky vend i lashtë. Gjatë festave fetare, sidomos në ditën e Shën Mërisë (15 gusht), manastiri bëhet një destinacion i njohur për pelegrinët që marrin pjesë në ceremonitë fetare dhe aktivitetet e tjera kulturore që organizohen atje.
Përveç aspektit fetar, vizita në manastirin e Ardenicës ofron edhe një mundësi për të eksploruar historinë e pasur të rajonit, si dhe për të shijuar peizazhin e bukur natyror që e rrethon këtë vend të shenjtë.
 
Epilogu
Në ditë të nxehta ku shpesh na mbyt zhurma dhe përshpejtimi i jetës, pelegrinazhet shpirtërore ofrojnë një mundësi të rrallë për reflektim, rigjenerim dhe një rikthim në thelbin tonë shpirtëror. Këto vende të shenjta na kujtojnë se përtej materializmit dhe përditshmërisë ekziston një dimension më i thellë, i cili kërkon kohë, përkushtim dhe një zemër të hapur për t’u përjetuar. Pelegrinazhet nuk janë thjesht udhëtime fizike, ato janë udhëtime drejt vetvetes, drejt besimit dhe drejt një kuptimi më të thellë të ekzistencës sonë.

Sunday, August 18, 2024

Vera Zheji, zëri që mbetet në eter e nuk vdes kurrë


Nga 
Leonard Veizi
 
Zëri i saj, si përkundër trupit fizik, nuk do të vdesë kurrë. Sepse ai do të sillet nëpër eter, për sa kohë planeti blu do të ketë si mbështjellëse rreth vetes atmosferën...
 
...Fëmijët e sotëm rriten me smartfon e histori që më së shumti tregohen në gjuhën anglezë. Por fëmijët e viteve ’70 të një shekulli më parë, ishin të edukuar fort me përrallat në mikrofon. Dhe ato tregoheshin në shqip. Ndërsa zëri që dilte nga copa që mbulonte altoparlantin e radios ishte i gjyshes së përrallave, Vera Zhejit.
Ajo ishte e famshme, edhe pse askush nuk e shihte siç shihen “gjenitë” e sotëm në tik-tok e bëjnë para nga çdo klikim i mundshëm. Por në fakt, ajo ishte shumë më e famshme se gjenitë hajvanë të tik-tokut, dhe shumë më e pasur se ata. Por ata dhe ndjekësit e tyre nuk do ta kuptojnë kurrë këtë fakt.
Vdekja e një artisti është si shuarja e një ylli në qiellin e kulturës. Trishtimi që ndjek pas humbjen është i thellë, jo vetëm për ata që e kanë njohur nga afër, por edhe për ata që e kanë përjetuar artin e tij. Kur një artist largohet nga kjo botë, ai lë pas një boshllëk që është i vështirë të mbushet. Është një humbje e përbashkët, një dhimbje që prek të gjithë ata që janë frymëzuar nga puna dhe krijimtaria e tij.
Vera Zheji u nda nga jeta në 17 gushtin e vitit 2024. Ishte 91 vjeçe. Ndoshta e moshuar vërtet, por ishte një ikonë gjithashtu, Dhe rolet e saj të pakta në skenën teatrore, ishin po aq ikonike. Sepse ato mund t’i interpretonte vetëm ajo.
Vera Zheji, shpesh e quajtur "Gjyshja e Përrallave" në radio, ishte një zë që i shoqëroi brezat e rinj shqiptarë me magjinë e tregimeve dhe përrallave që mbartnin mësime jetësore, ngrohtësi, por dhe plot fantazi. Për vite me radhë, zëri i saj i jashtëzakonshëm mbushte shtëpitë e shqiptarëve, duke krijuar një lidhje të veçantë me fëmijët dhe prindërit njëkohësisht.
Përmes valëve të radios, Vera Zheji solli në jetë botën e përrallave tradicionale shqiptare, por edhe ato të huaja, duke u bërë një pjesë e pandashme e kujtimeve të fëmijërisë për shumë shqiptarë. Tregimet e saj, të interpretuara me pasion dhe ndjenjë, kishin fuqinë të transportonin dëgjuesit në botë imagjinare ku mirësia triumfonte mbi të keqen dhe ku mësimet morale përcilleshin në mënyrë të thjeshtë dhe të këndshme.
Roli i saj si "Gjyshja e Përrallave" nuk ishte thjesht një punë, por një mision për të ndihmuar në edukimin dhe formimin e brezave të rinj përmes artit të tregimit. Aftësia e saj për të kapur thelbin e çdo përralle dhe për ta përcjellë atë me një zë të qartë dhe të ngrohtë, e bëri atë një ikonë të padiskutueshme të kulturës shqiptare.
Vera Zheji e kuptonte fuqinë e fjalës së folur dhe ndikimin e saj tek fëmijët, dhe ajo i përdori këto aftësi për të krijuar një trashëgimi të pasur kulturore, që do të vazhdojë të jetojë për shumë vite. Përrallat e saj në radio do të mbeten përjetësisht në kujtesën kolektive të shqiptarëve, një thesar i çmuar që do të kalojë nga brezi në brez.
Vera Zheji lindi më 30 Janar 1933 në Tiranë. Karriera e saj filloi në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore. Ishte vetëm 15-vjeçe, kur në vitin 1948, ajo u bë një zë popullor kur nisi të lexonte emisione letrare përpara mikrofonit të Radio Tiranës. Zërin e saj mund ta dëgjoje që në orët e para të mëngjesit, duke lexuar emisione të llojeve të ndryshme, ashtu siç mund ta dëgjojë dhe çdo mbrëmje. Dhe nga bashkëkohësit thuhet se vera Zheji ishte një folëse që nuk gabonte kurrë gjatë leximit.
Në vitin 1975, Vera Zheji u largua nga Radio për t’u emëruar si pedagoge e Fjalës Artistike në degën e artit dramatik, në Institutin e Lartë të Arteve. Vera Zheji ishte edhe një pedagoge e përkushtuar. Ajo kontribuoi në formimin e shumë brezave të rinj aktorësh në Institutin e Lartë të Arteve. Me përkushtim dhe profesionalizëm, ajo udhëhoqi studentët e saj drejt një të ardhmeje premtuese në skenën shqiptare.
Në vitin 1988 doli në pension.
Në fondin e teatrit skenik kanë mbetur rolet e saj si në komedinë “Shi në Plazh” të Teodor Laços e me regji të Gëzim Kames.
-Lere lere se më erdhi një mendje, ja për këtë Ylberin, nipin e Zenos. Ata duan t'i shkulin aktoren, ne i ngulim Lilin. Se mbase e mollokrepsim, - i sugjeronte Sanda burrit të saj Thoma Çakshirit, që të bënin një krushqi aty në plazh, meqenëse banja dielli nuk bënin dot se kishte një javë që shejtani “shkundte brekët”.
Po ashtu ajo do të ishte dhe vjehrra e Samiut tek “Mësuesi i Letërsisë”, shkruar nga Ruzhdi Pulaha, e me regji të Gëzim Kames, pjesë teatrore këto që vendoseshin në skenë nga studentët dhe pedagogët e Institutit të Lartë të Arteve dega e aktrim.
-Do 10 shoku Raqi për djalin, po 10 vëri more u dhjetofsh, 15, 20. Tani shko e ngopu me gjumë e me ajër të pastër atje në majë të malit. Të madhit hapi udhë djalo... - do t'i sugjeronte Vera Zheji në rolin e vjehrrës, mësues Samiut të letërsisë, që e kishin transferuar nga qyteti në një fshat të humbur të Republikës.
Po aq Vera Zheji ka interpretuar edhe dy role të tjera në kinema. Një rol episodik tek filmi “Dhe vjen një ditë” i rregjisorit Vladimir Prifti.
-Klara ti ke rënë pak. Ke rënë po dukesh më mirë.... Është i gjerë Llanua.
Ndërsa roli tjetër i saj, i cili është dhe një rol më të plotë vjen tek filmi i regjisorit Albert Xholi “Familja ime”, ku si fqinjë pallati i thoshte Kalinës:
-Sa i martova djemtë, i ndava. Të jenë në rehatin e tyre. Mua e Miçon pengesë do na kenë. Pleqëria do rehat, pa dhe nusja do rehatin e saj. Shtëpi më vete e varr më vete.
Artistët, me veprat e tyre, krijojnë lidhje të pazgjidhshme me shikuesit, dëgjuesit, dhe lexuesit. Ata përçojnë emocionet, ëndrrat dhe mendimet e tyre në mënyra që prekin zemrat dhe mendjet e njerëzve. Kur ata largohen, duket sikur një pjesë e botës është bërë më e heshtur, më e ftohtë. Në këtë heshtje të trishtë, ne ndiejmë mungesën e tyre dhe kujtojmë dhuratën që na kanë lënë – artin që na frymëzoi dhe që do të vazhdojë të jetojë përjetësisht.
Trishtimi që sjell vdekja e një artisti është një reflektim i ndikimit që ai ka pasur në jetë. Është një dëshmi e forcës së krijimtarisë dhe ndikimit të tij të pashlyeshëm në kulturë dhe në jetët tona. Ndonëse ata largohen nga kjo botë, artistët mbeten të pavdekshëm nëpërmjet veprave të tyre, që vazhdojnë të ndriçojnë dhe frymëzojnë brezat e ardhshëm.
Vera Zheji iku fizikisht nga kjo botë, por jehona e zërit të saj karakteristik do vazhdojë të mbetet në eter, po ashtu siç dilte nga altoparlanti i radios.

Friday, August 16, 2024

“Angel Heart", nënvetëdija e rrëfimit të një krimi



Nga Leonard Veizi
 
Duket herët se ndjesia e misterit dhe horrorit në një letërsi a në një film atristik përbën një kombinim të fuqishëm që krijon një atmosferë të tensionuar dhe emocionuese për audiencën. Misteri shpesh ndërtohet përmes elementeve të pazbuluara të historisë, duke lënë hapësirë për interpretime të ndryshme dhe duke mbajtur shikuesin të intriguar dhe në tension. Kjo pasiguri dhe mungesë e informacionit të plotë rreth ngjarjeve apo karaktereve bën që shikuesi të ndiejë një lloj ankthi, ndërsa përpiqet të kuptojë të vërtetën pas fasadës. Horrori, nga ana tjetër, përdor frikën bazike dhe reaksionet emocionale për të tronditur shikuesin. Kombinimi i këtyre dy elementeve e rrit më tej tensionin dhe pritshmëritë, duke krijuar një atmosferë që shpesh kulmon në momente të papritura apo të tmerrshme. Ndërsa misteri ngjall kuriozitetin, horrori sjell pasiguri dhe frikë, duke i bërë këto filma të paharrueshëm dhe të fuqishëm në mënyrën se si ndikojnë në psikologjinë e shikuesit. Kjo ka ndodhur edhe tek “Falling Angel” si roman apo siç njihet në kinematografi: “Angel Heart”...
 
...Nju Jork, viti 1955. Angel është një detektiv i papunë që pranon një punë nga zotëri i çuditshëm: gjeni një ish-këngëtar të zhdukur dhjetë vjet më parë pa paguar një borxh. Nga rrugët e Harlemit deri te ceremonitë vudu në New Orleans, hetimi i Angel shpejt zbret në një makth.
Ai mund të konsiderohet pa frikë nga filmat horror psikologjik më tëi mirë të të gjitha kohërave. Me një kast të mrekullueshëm aktorësh, interpretime solide, çaste shumë rrëqethëse dhe shqetësuese dhe kishte një atmosferë dhe ton kaq të frikshëm gjatë gjithë filmit.
Kriza e identitetit, një amnezi psikologjike, nënvetëdija, frikë eksistenciale dhe humbje e kontrollit, dualizmi moral dhe relativizmi si dhe simbolet e mbinatyrshme. Të gjitha këto janë pjesë përbërëse e një filmi që në shqip ka ardhur si: “Zemra e Angelit”
Filmi "Angel Heart" i vitit 1987, drejtuar nga Alan Parker dhe bazuar në romanin "Falling Angel" nga William Hjortsberg, është një thriller psikologjik dhe horror i cili kombinon elemente të misterit noir me ato të mbinatyrshmes. Filmi trajton çështje komplekse të identitetit, moralit, dhe nënvetëdijes, duke krijuar një histori që sfidon perceptimin e realitetit të personazheve dhe shikuesve.
Zbulimet përfundimtare të filmit kanë një kuptim të çuditshëm, sapo t'i kuptojmë ato. Ky është një nga ata filma ku largohesh nga teatri dhe ri-interpreton skenat në kokën tënde, duke riinterpretuar skenat e hershme në kuptimin e zbulimeve të fundit tronditëse.
 
Romani
“Falling Angel” u botua si një roman horror në vitin 1978 nga shkrimtari amerikan William Hjortsberg. I shkruar në një stil detektiv me tema të mbinatyrshme, ai u përshtat në filmin e vitit 1987 “Zemra e Angelit”. U cilësua si një roman magjepsës i vrasjes, misterit dhe okultizmit. Madje shumë njerëz mendojnë se “Falling Angel” është romani më i madh horror mbinatyror amerikan i shekullit të XX.
 
Filmi
Pak para daljes në kinema, Angel Heart u përball me çështje censurimi nga Shoqata e Filmit në Amerikë për një skenë me përmbajtje seksuale. Parker u detyrua të hiqte dhjetë sekonda filmime për të siguruar vlerësimin që donte shpërndarësi i filmit Tri-Star Pictures.  “Angel Heart” mori një reagim të përzier nga recensentët, të cilët vlerësuan interpretimet e Rourke dhe Bonet, si dhe dizajnin e prodhimit, partiturën dhe kinematografinë, por kritikuan skenarin e Parker. Filmi u konsiderua si i nënvlerësuar për arkëtimet e tij, por gjithsesi me ndikim. Pra një film kult në çdo kuptim të fjalës.
Më pas ngjarja e romanit u përshtat gjithashtu në një opera nga J. Mark Scearce me një libret nga Lucy Thurber. I titulluar “Falling Angel”, u shfaq premierë në Qendrën Muzikore Brevard më 30 qershor 2016, pasi fillimisht ishte porositur nga Qendra për Opera Bashkëkohore në Nju Jork. Romani u serializua në versionin e përmbledhur në revistën “Playboy” në vitin 1978, fitues i çmimit editorial të “Playboy” për veprën më të mirë.
 
Ngjarja
Detektivi privat Harry Angel punësohet nga enigmatiki Louis Cyphre për të gjetur Johnny Favorite, i cili i detyrohet Cyphre një borxh. Këngëtar para Luftës së Dytë Botërore, Johnny Favorite u dërgua në konflikt dhe ra në koma. I lënguar prej vitesh në një gjendje vegjetative në spitalin e veteranëve, Favorite tani është zhdukur. Jeta e të preferuarit, si vetë njeriu, është gëlltitur nga toka. Duke gjurmuar të kaluarën e fragmentuar të Favorite nga New York City deri në New Orleans, personazhi i që ndjek Angel errësohet ndërsa ish-bashkëpunëtorët e Favorite gjenden të vrarë. Makthet dhe halucinacionet e përndjekin mendjen e tij. Bota reale i mposht dalëngadalë makthet e tmerrshme të halucinacioneve të Angel, duke arritur një kulm të ethshëm ndërsa Harry Angel zbulohet se është Johnny Favorite. Gjatë Depresionit të Madh, Favorite ia shiti shpirtin djallit. Duke mos dashur të shlyente borxhin e tij, Favorite dhe bashkëpunëtorët e tij rrëmbyen një të ri G.I. me emrin Harry Angel. Duke vrarë G.I në një vrasje rituale dhe duke konsumuar zemrën e ushtarit, Johnny Favorite vodhi shpirtin e Harry Angel dhe u maskua nga djalli dhe bota. I vendosur më pas në Luftën e Dytë Botërore si Harry Angel, nga goditja e një  predhe e bëri Favorite të harronte veten e tij të vërtetë. Halucinacionet, si dëgjimore ashtu edhe vizuale, janë kujtimet e ndrydhura nga Angel i vërtetë. Angel kërkoin për veten e tij në emër të Cyphre. Përballë Cyphre, tani i demaskuar si Lucifer, Angel zbret nga një ashensor industrial i errësuar në thellësi të panjohura.
 
Zbërthimi psikologjik
Personazhi kryesor, Harry Angel - i interpretuar nga Mickey Rourke, - është një detektiv privat që është në kërkim të një personi të zhdukur. Megjithatë, ndërsa historia zhvillohet, bëhet e qartë se Angel është, në të vërtetë, personi që ai po kërkon, por me një kujtesë të shtrembëruar dhe të manipuluar. Ky fakt sugjeron një formë të amnezisë psikologjike, ku truri i tij ka shtyrë në harresë ngjarjet traumatike dhe krimet që ka kryer. Filmi shpalos gradualisht këtë amnezi përmes zbulimeve të tmerrshme, duke e përballur Angel me të kaluarën e tij të fshehur.
Filmi eksploron temën e dëshirave të ndaluara dhe fajin që vjen si rezultat i tyre. Personazhi i Louis Cyphre - i interpretuar nga Robert De Niro, - që në fakt është djalli i maskuar, përfaqëson forcat e errëta që e shtyjnë Harry Angel drejt një vetë-shkatërrimi të pashmangshëm. Cyphre është në kërkim të shpirtit të Angel, të cilin ai e kishte premtuar më parë, dhe kështu, përpiqet ta rikthejë atë nëpërmjet një loje të ndërlikuar psikologjike. Filmi tregon se si dëshirat e errëta dhe instinktet mund të shkatërrojnë një individ kur nuk përballen në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme.
Filmi është i mbushur me simbole të mbinatyrshme dhe fetare që shërbejnë si pasqyrim i përballjes së Angel me demonët e tij të brendshëm. Shumica e ngjarjeve në film mund të interpretohen si manifestime të nënvetëdijes së tij, ku Cyphre vepron si një simbol i ndërgjegjes së tij të errët. Simbolet si gjaku, pulat, dhe veçanërisht pasqyrat, që shfaqen në film, sugjerojnë një përçarje të madhe mes vetëdijes dhe nënvetëdijes së Angel, si dhe shpërbërjen e kufijve mes realitetit dhe iluzionit.
Një nga elementet kryesore të horrorit psikologjik në "Angel Heart" është humbja e kontrollit mbi realitetin dhe mbi vetveten. Filmi e përshkruan degradimin e ngadaltë të Harry Angel, ndërsa ai përballet me faktin se është një vrasës i tmerrshëm, pa qenë as në dijeni të veprimeve të tij. Kjo përballje me të panjohurën dhe pamundësia për të kontrolluar fatin e vet është burimi i vërtetë i terrorit në film, duke evokuar një frikë eksistenciale që është thellësisht shqetësuese.
Në "Angel Heart", kufijtë mes të mirës dhe të keqes janë të turbullta dhe të paqarta. Ndërsa Angel përpiqet të zbulojë të vërtetën, ai zbulon se ka qenë gjithmonë pjesë e së keqes. Filmi sugjeron që morali është i relativizuar dhe se çdo individ mund të jetë i prirur të bëjë veprime të tmerrshme në rrethana të caktuara, veçanërisht kur joshjet e djallit janë në lojë. Ky dualizëm moral i thellon ndjenjat e pavlefshmërisë dhe dëshpërimit të personazhit, duke e bërë filmin një pasqyrë të frikshme të natyrës njerëzore.
 
Epilogu
"Angel Heart" është një eksplorim i thellë psikologjik i errësirës së brendshme dhe luftës së individit me demonët e tij të brendshëm. Filmi përzien elemente të misterit, horrorit, dhe mbinatyrshmes për të krijuar një histori që sfidon perceptimet e zakonshme dhe shtron pyetje mbi natyrën e njeriut dhe të keqen që ai mund të mbart brenda vetes. Ky është një film që nuk shfaq vetëm frikë, por krijon një atmosferë të përhershme shqetësimi dhe tensioni psikologjik.