Friday, September 13, 2024

Lufta e Ftohtë e fotove me “shall pionieri” të ditës së parë të shkollës


Nga 
Leonard Veizi
 
Në ditën e parë të shkollës, e mira është të mos i referoheni rrjeteve sociale. Nuk është detyrim, sigurisht, sepse nuk është e sanksionuar as në Kushtetutë dhe as në ndonjë akt normativ të Këshillit të Ministrave. Është thjesht një këshillë gjysmë miqësore. Nëse do të bëni atë që bën gjithkush që në pikë të mëngjesit, - që nuk sheh më lajmet e një nate më parë dhe as titujt e gazetave që gjithashtu flasin për lajmet e një dite më parë, - por futet drejt e me kokë në facebook, do të bombardohet nga njëmijë shkrepje celularësh dhe fotografish të postuara, ku fëmijë me “shall pionieri” dhe tufa lulesh në duar, pozojnë o përkrah mamit, o me babin, ose me zyshën kujdestare. Ndonjëherë dhe me të tre bashkë, duke na kujtuar kështu trekëndëshin revolucionar: Mësim – Punë – Kalitje.
Eeee, u ktheva shumë pas në kohë. Po reminishenca e së kaluarës ka mbetur si “njollë në biografi”.
Në fakt prej kohësh, përparëset e zeza, jakat e bardha dhe shallet e kuq të pionierit kanë dalë nga qarkullimi dhe nxënësit sot mbajnë bluza me logot e shkollave dhe çanta shpine ku fusin bidonët e ujit, se lekët i mbajnë tek kapaku i iPhone-it.
Dita e parë e shkollës, - që është një ngjarje e cila nuk i ka rrënjët në historinë mijëravjeçare, por në epokën moderne, - ka marrë një formë të re, epike. Lufta e madhe nis me foto. Pikërisht në mëngjesin e hershëm, kur nënat – të armatosura me telefonë inteligjentë dhe frymëzim të pashtershëm – marrin pozicionet e tyre në betejën virtuale.
Fusha e luftës është e thjeshtë, e njohur: dera e shkollës. Është luks për atë që ia del të futet deri në klasë e të pozojë te banka e parë, - edhe pse në fakt shorti mund t’i bjerë që të rrijë te banka e fundit. Këtu vendoset skena madhështore e fotografisë që, brenda disa sekondash, do të shpërndahet në rrjetet sociale.
Pozicioni i fëmijës, qeshja e tij e detyruar, çanta e re që shkëlqen më shumë se vetë fëmija – çdo element është i kurdisur me kujdes. Lufta nuk është më për të marrë fëmijët në klasë, por për të dominuar feed-in e të tjerëve me foton më "të bukur" dhe më "të dashur."
Ndërkohë, hashtagët shërbejnë si fishekë të mirëfilltë: #DitaEPare, #RritemiShpejt, #MamiKrenare....
Wooowwww, ç’na the.
Të gjitha luftojnë për vëmendje, për lavdërime dhe për të fituar atë betejën e heshtur të cilës i nënshtrohet çdo prind: cili fëmijë është më "adorable" - apo i adhurueshëm, - në sfondin e derës së klasës, ku duket dhe tabela e zezë me një ushtrim matematike të mbetur pa zgjidhje.
Dhe pastaj, si çdo betejë e suksesshme, vjen shpërblimi: "Shumë i rritur!" "Sa shpejt fluturojnë vitet!" – një mori komentesh që ngjajnë më shumë si medalje lavdie për një punë të kryer me përpikëri.
E ndërsa pasditja bie, nënat fillojnë të mendojnë për sfidën e radhës. Fotoja e ardhshme është një betejë që do të vijë, por që kërkon kohë dhe strategji të reja.
Deri atëherë, fronti mbetet i hapur. Lufta është e Ftohtë... e akullt në dukje, por zjarr përbrenda:
E paska ai djalin më të mirë se djali im?!
Për bukurinë e vajzës nuk ka krahasim.
E njëjta situatë përsëritet në fund të vitit, kur postohen foto me dëftesa ku janë rezultate të shkëlqyera:
Teksa menteshat e lodhura të dyerve të shkollës mbyllen për herë të fundit në sezon, një betejë tjetër madhore nis turravrap. Pas luftës së fotove të fillimit të vitit, nënat e përkushtuara janë tashmë të kalitura dhe më të përgatitura se kurrë për raundin e dytë: "Fotot me dëftesat".
Në një skenar që ndoshta u ngjan filmave epikë, - ku gjeneralë të lavdishëm vendosin kurora dafinash mbi kokë, - fëmijët janë të rreshtuar për një tjetër seancë fotosh. O te dera e klasës, o te dera e shkollës... e më të pafatët, për mungesë vendi dalin e dera e WC-së. Këtë herë nuk kemi të bëjmë më me çanta të reja dhe buzëqeshje të pasigurt. Jo, tani triumfi është i qartë: nota të shkëlqyera që janë pothuajse të printuara më shumë për "Instagram-in" sesa për ndonjë funksion arsimor.
Një foto me dëftesën – ku nota 10 shihet dukshëm, se 9-ta nuk pranohet, – postuar në rrjet, është sinjali që shpall fitoren. Lufta nuk është më për shkollën apo dijet. Jo, tani është çështje krenarie digjitale. Shfaqen hashtagë që kanë peshë si medalje ari: #NotaPerfekte, #VitinTjetërMëMire, #MamiKrenarePërsëri. Dhe si qershia përmbi tortë #GjeniuiMamit...
E pra.
Dhe më pas, komente që ngjajnë si përshëndetje të nxehta nga fronti: "Yll! Bravo të dyve!", "Shumë e merituar!", "E kishte gjithmonë të garantuar!". Këto janë si shpërblimet morale që të tjerët i japin njëri-tjetrit, ndërsa betejat e mëparshme harrohen, dhe strategjitë për vitin e ardhshëm fillojnë të ndërtohen në heshtje.
Ndërkohë, fëmijët? Ndoshta, ata as nuk i kuptojnë këto lavdi virtuale. Ata janë të zënë duke ëndërruar herë për pushimet e fundvitit e herë për pushimet verore, pa e ditur se fushata për foton e radhës ka nisur në planifikohet në mendjet e prindërve.

No comments:

Post a Comment