Friday, September 27, 2024

“Shtëpia në ishull”, filmi që frikësoi audiencën përtej ekranit

 

Nga Leonard Veizi
 
Publiku shqiptar, - shumica e të cilëve të pamësuar me filma triller sepse nuk e njihnin këtë zhanër të kinemasë, pasi nuk arrinin të ndiqnin ndonjë kanal televiziv periferik të Italisë, Jugosllavisë apo Greqisë për shkak të censurës dhe zhurmuesve, - u shokua kur në ekranin e televizionit “Tirana” diku mes viteve 1985 – 1986, u shfaq një serial anglez, i cili sekuencat e mbylljes së serisë ishte fort i frikshëm e tunduese. Kukulla gjithfarllojesh të vendosura në sallonin e një vile të pabanuar, me filxhanë çaji ndër duar. Por herën tjetër kukullat ndërronin vend duke bërë spektatorin për të parë se cili do të hynte nga dera e shtëpisë. Ndaj këtu ngrihej pikëpyetja e madhe: kush i lëvizte kukullat, në një të pabanuar, në një ishull të vogël ku duhet të shkoje me një varkë me motor? Pamjet shokuese që shoqëroheshin me qetësinë e frikshme të ishullit, të krijonin ankth e kureshti për të ndjekur episodet njëra pas tjetrës, deri kur enigma të zgjidhej. Dhe filmi titullohej “Shtëpia në Ishull” por që në origjinal kishte titullin "Maelstrom". Por seriali tashmë i zhdukur nga qarkullimi, - domethënë i patrasmetuar më prej më shumë se 35 vitesh, - ka mbetur në kujtesën e shumë njerëzve, të cilët për nostalgji kërkojnë një rikthim të tij...
 
..."Maelstrom", e cila në shqip vjen si “Vorbull” është një mini-serial britanik i prodhuar nga BBC në vitin 1985. Ky serial ka gjashtë episode dhe përfshin një atmosferë trilleri misterioz. Edhe pse titulli origjinal i veprës është "Maelstrom", në shqip filmi u transmetua nga Televizioni shtetëror me titullin”Shtëpia në ishull”. Në Gjermani, seria u rititullua në mënyrë të përshtatshme "Eine Unheimliche Erbschaft" që përkthehet “Një trashëgimi e çuditshme”. Në Finlandë u bë "Hiidenvirta", që përkthehet si "Rrjedha e Djallit". Seriali u shfaq në gjithsej 39 vende.
"Maelstrom" ka si skenarist nga Majkëll Xh. Bërd dhe regjisor nga Dejvid Maloni. Ky serial përbëhet nga gjashtë episode dhe është një triller misterioz i vendosur në Norvegji. Aktorët kryesorë të kastit përfshinin Tuse Sillberg, Dejvid Bimes, Trevër Bakster, Susan Gillmor, Edita Brokta.
Seriali njihet për atmosferën e tij të tensionuar dhe pamjet mbresëlënëse të Norvegjisë. Pjesë të mëdha të tij u regjistruan në Valle në komunën e Skodjes dhe në Ålesund. Regjistrimi u zhvillua në pranverën e vitit 1984. Seriali thuhet se ka çuar në një rritje të konsiderueshme të turizmit në Ålesund në vitet pas shfaqjes së tij në TV.
 
Ngjarja
Katherin Darroll një grua britanike sapo ka humbur punën e saj në një agjenci reklamash në Londër. Por bashkë me pushimin nga puna i vjen dhe një letër ku i bëhet e njohur se trashëgimtare e një pasurie jo të vogël, lënë në emirin e saj nga një pasanik i sapovdekur, me emrin Hjarmal Jordahl, të cilin ajo kurrë nuk e kishte takuar apo dëgjuar për të. E intriguar nga kjo ngjarje e papritur, Katerina shkon në Norvegji për të zbuluar më shumë rreth trashëgimisë së saj. Katerina njihet me dy vajzat e Hjarmal Jordahl, Ingridin dhe Ana Marinë që tregohen miqësore me të dhe pse nuk e kuptojnë se për çfarë arsye babai i tyre e ka futur edhe atë në pjesëtimin e pasurisë së tij. Ndërsa nëna e tyre Freja ka vdekur prej disa vitesh. Aty Katherin përfshihet në një rrjet intrigash dhe misteresh të rrezikshme që kanë lidhje me një familje me një të kaluar të errët dhe një shtëpi të izoluar që tanimë është në pronësi të saj. Ndërsa Katherin fillon të zbulojë sekretet e së kaluarës së kësaj familjeje, ajo përballet me tradhti, mashtrime dhe ngjarje paranormale që ndërlidhen me një fenomen të frikshëm natyror, “maelstromin”, një vorbull gjigante që duket të jetë simboli i fatkeqësive që ajo po përjeton.
Katherin banon në një nga dy shtëpitë që zotëron, të ndara nga uji dhe të aksesueshme vetëm me varkë dhe fillon të mësojë më shumë. Kur ajo shkon për të parë shtëpinë e saj të trashëgimisë, ndeshet me një burrë të pashëm i cili i thotë se është një gazetar vendas, dhe se po heton vdekjen e Hjarmal Jordahl, në ishte një aksident apo një vetëvrasje. Më pas Katherine dhe gazetari i prezantuar me emrin Anders Bjornson tërhiqen nga njëri-tjetri dhe gjatë gjashtë episodeve të serialit ne i shohim ata të miqësohen e më pas të dashurohen. Së bashku ata nisin të zgjidhin misterin.
Ndërkohë, gjëra të çuditshme duket se po ndodhin nëpër shtëpi. Kukullat, si pjesë e zbukurimeve të sallonit, lihen jashtë, gjërat lëvizin dhe piktura drithëruese shfaqen në sallon, sikur dikush ta përdorte atë si atelie, gjatë kohës nuk nuk kishte njeri. Jo vetëm kaq, Katerina është e bindur se vazhdon të shohë të njëjtën zonjë që është në një portret të shtëpisë dhe që është Freja, gruaja e Hjarmal Jordahl. Sipas historisë pas një periudhe me simptoma të forta psikike, gruaja ka vrarë veten dhe burri i saj, me sa duket, në pikëllim e sipër, ndoqi të njëjtin shembull.
Në serial lidhja e Katherin Darroll me Ana-Marie dhe Ingrid është kyçe për zhvillimin e ngjarjes dhe zbulimin e misterit të trashëgimisë së saj të papritur. Ana-Marie është një grua misterioze e cila përfaqëson diçka misterioze nga e kaluara e prindërve të saj të vdekur. Ajo është pjesë e rrjetit të intriga dhe mistere që Katherine përpiqet të zbulojë gjatë qëndrimit të saj në Norvegji. Ingrid gjithashtu është një figurë më enigmatike dhe shpesh shfaqet si një person që fsheh më shumë nga ç'lejon të shihet në fillim.
Lidhja e supozuar mes Katherin-ës dhe Freja-s është një tjetër aspekt i rëndësishëm i serialit "Maelstrom" dhe thellon misterin e trashëgimisë dhe të kaluarës që britanikja po përpiqet të zbulojë në Norvegji.
Freja është një grua enigmatike që ka një rol të rëndësishëm në rrjedhën e ngjarjeve. Lidhja e Katherine me Freja shpesh mbart nënkuptime misterioze, dhe Freja mund të shërbejë si një figurë që sjell të kaluarën në të tashmen, duke e vënë Katherin-en përballë disa të vërtetave të pakëndshme. Në këtë kuptim, Freja mund të shihet si një urë lidhëse midis Katherine dhe misterit të trashëgimisë së saj, duke kontribuar në krijimin e tensionit dhe tërheqjes së serialit.
Ajo është gjithashtu e ndërlidhur me elementet natyrore dhe paranormale të historisë, të cilat përshkruhen përmes "maelstromit" dhe ngjarjeve të pazakonta që Katherine përjeton gjatë qëndrimit të saj në Norvegji.
 
Zgjidhja e enigmës
Enigma zbulohet përmes një përplasjeje dramatike mes Katherine-s dhe pjesëtarëve të familjes Jordahl, Ingrid dhe Ana-Marie. Në fund zbulohet se Katherine është vajza biologjike e Freja, motra nga nëna e Ingrid dhe Ana-Marie. Përfshirja e saj në trashëgimi vjen për shkak të një borxhi moral që Hjalmarr Jordahl ndiente ndaj vajzës së bashkëshortes. Kjo përfshirje e papritur në trashëgimi shkakton tension midis Katherine-s dhe vajzave të Jordahl-it.
Ky zbulim është një nga kthesat kryesore të serialit dhe shpjegon pse Hjarmal Jordahl, industrialisti norvegjez dhe burri i Freja-s, ia lë Katherine-s pasurinë e tij. Freja kishte qenë e detyruar ta japë Katherin-en për adoptim për arsye të fshehura në të kaluarën. Kjo lidhje e fshehtë familjare është në qendër të misterit të serialit, dhe Katherine gradualisht zbulon identitetin e saj të vërtetë dhe sekretet e të kaluarës së familjes Jordahl.
Ana-Marie, duke u ndjerë e dëshpëruar nga gjithçka që po ndodh dhe përçarja në familje, vendos t’i vërë zjarrin shtëpisë duke djegur Katherinën brenda saj. Ana-Marie, në fakt, kishte disa simptoma të ngjashme psikologjike me nënën e saj, Freja, e cila mbahej e izoluar në një nga dhomat e shtëpisë në ishull për shkak të gjendjes së saj mendore. Freja ishte një figurë tragjike, e cila kishte kaluar shumë trauma dhe përfundoi duke jetuar në izolim për shkak të çrregullimeve mendore.
Ana-Marie, ndonëse nuk është e mbyllur fizikisht si nëna e saj, përjeton një përkeqësim të ngjashëm të shëndetit të saj mendor. Ajo ndien presionin e madh të trashëgimisë dhe sekreteve familjare, gjë që e çon në një gjendje të luhatshme psikologjike. Akti i saj i zjarrvënës ndaj shtëpisë tregon nivelin e lartë të ankthit dhe dëshpërimit me të cilin ajo përballet, duke reflektuar simptomat e disekuilibrit emocional të ngjashëm me të nënës së saj, Freja. Në këtë mënyrë, shfaqet një lloj paralelizmi midis Freja-s dhe Ana-Marie-s.
Ingrid, ndonëse është e përfshirë në intrigat familjare, përpiqet ta ndalojë Ana-Marie-n dhe të shpëtojë Katherine-n. Në këtë pikë, ndodh një përballje e madhe që çon në kulmin e ngjarjeve. Në fund, Katherine shpëton nga kjo përplasje dhe merr një kuptim të plotë të asaj që ka ndodhur. Ajo kupton arsyet përse Hjalmarr Jordahl e përfshiu atë në trashëgimi, si dhe sekretet e errëta që kanë ndjekur familjen Jordahl për shumë vite. Katherine arrin të çlirohet nga misteret që e kanë përfshirë gjatë gjithë serialit dhe mund të largohet me një ndjenjë përmbylljeje, edhe pse me plagët e lëna nga zbulimet e fundit.

No comments:

Post a Comment