Nga Leonard Veizi
Disa
fjalë të shkruara me bojë dhe letër pushtuan faqet e rrjeteve sociale. Dhe
komentet ishin të pafjala. Sepse çfarë ishte për të thënë, ishte thënë. Dhe çfarë
ishte për të bërë, ishte bërë ndërkohë. Ndaj, çdo keqardhje tjetër e mëtejshme
nuk kishte asnjë kuptim.
Ishin
fjalët e një vajze 17-vjeçare. Quhej Irsa dhe ishte nga Gjirokastra. Nuk ishin
vargje dashurie, as mesazhe të koduara ku mund të aludohej për “këtë” apo
“atë”, por një denoncim faktik për një shoqëri të ngritur mbi antivlerat e
jetës.
“Pse
vesh të njëjtat rroba dhe nuk vishesh si ne… firmato?”
Ky
ishte gjykimi për një vajzë të re, - nga bashkëshokët e saj, - që shkonte në
shkollë për të mësuar e jo për t’u zhgërryer.
A
thua vërtet kemi mbetur aq primitivë në gjykim, sa kërkojmë të mbulojmë
idiotësinë e mendjes sonë të zhveshur me lecka që në treg cilësohen “të
shtrenjta”?
A
thua vazhdojmë të mbetemi po e njëjta shoqëri si ajo e 35 viteve më parë, kur
dolëm nga izolimi i sistemit politik dhe nuk dinim çfarë të bënim me lirinë
tonë… prandaj lamë namin nëpër botën?
Po,
kanë kaluar 35 vite prej asaj kohe, kur çdo bluzë me stampë mbi gjoks na dukej
“firmato”, edhe pse ato ishin për të fshirë dyshemenë. Dhe sot, bluza,
pantallona e këpucë, - që i gjen me shumicë dhe në kazanët e mbeturinave, - i
bëjnë përshtypje një shoqërie.
Kjo
e kalon absurdin.
Irsa ishte viktimë e këtij mentaliteti. Ajo ndihej e bullizuar çdo ditë të jetës së saj në shkollë. Prandaj shkroi një letër dhe... iku, sepse nuk kishte fuqi të bënte ndryshe. Ndihej e pambrojtur. Ndihej e dobët. Arma e saj e vetme ishin këto fjalë, si një dëshmi ndoshta, një gjurmë që do të mbetej pas vdekjes së saj të shpejtë. Sepse gjithçka duhet të kishte një kuptim. Edhe vdekja e saj duhej të kishte një kuptim. Ndoshta dhe një qëllim. Duhet të merrte vlerë për diçka.
“Mos
bëni me të tjerët siç bëtë me mua.”
Sepse
Irsat janë të shumta mes nesh. Dhe hapi për të kaluar nga një stad jete në atë
të vdekjes është shumë i shkurtër. Ndonjëherë i papërfillshëm. Edhe pse në fakt
i ndan një humbellë e thellë dhe e frikshme.
Irsa
ishte gjimnaziste. Në kulmin e moshës së saj. Por zgjodhi të ikte nga kjo jetë.
Ishte një vendim i nxituar, gjithsesi. Një veprim i pamenduar mirë. Sepse
askujt, përveç vetes, nuk i bëri dëm me veprimin që kreu. Para se të ishte
pjesë e një shoqërie që nuk e pranonte në gjirin e saj “plot sqimë”, Irsa ishte
vajza e dy prindërve. Dhe plaga që ajo la pas është e papërfillshme për një
shoqëri indiferente dhe arrogante, por do të jetë e hapur dhe do të dhembë pa
fund për njerëzit e saj më të afërt.
Ndaj,
nuk duhej të vdiste. Nuk duhej t’i vetëofrohej vdekjes. Kaq e lirë paska qenë
jeta e saj, sa të vihej në kandar me një palë xhinse "Levi's", një
palë atlete "Reebok" dhe një fustan dekolte nga "Zara"?
Mediat
publikuan njëzëri fragmente të shkëputura nga letra që kishte lënë në kapakun e
celularit vajza, para se të hidhte lakun e ashpër mbi qafën e saj të brishtë.
Ishte një letër që disa thonë se e kishte shkruar në anglisht, por që hedh
dritë mbi vuajtjet që përjetonte gjimnazistja e shkollës “Siri Shapllo” nga
shokët e klasës.
“O
Zot, pse po vuaj kështu vallë? Unë jam kjo që jam dhe miqtë e shokët kërkoj të
më respektojnë. Por ata tallen me mua. Unë ndihem kaq e vetmuar dhe e mbytur në
vetminë time. Nuk më vjen turp për veshjen time. Kaq mundësi kanë prindërit e
mi, babai im që kujdeset aq shumë për mua, po ashtu edhe nëna. Po pse u dashkam
të jem kaq e veçuar? Ku të ankohem? Kujt t’i drejtohem? Kujt t’ia hap zemrën
time? Tek askush nuk kam besim. Madje as te psikologia, ndonëse jam hapur. Pse
u dashka të vuaj? Vallë kjo është jeta?”
Këto
ishin fjalët që bënë xhiron e rrjetit pas vdekjes. Se në të gjallë të saj
askush nuk kishte për t’ia lexuar. Në mos, po edhe për këtë shkak do të ishte
anatemuar më tepër.
Nuk
di si janë ndjerë nxënësit e klasës së saj kur së pari kanë marrë vesh se
shoqja e tyre vdiq. Dhe vdiq prej tyre. Sepse të gjithë nga pak e shtynë drejt
humnerës. Madje dhe mësuesja kujdestare, edhe psikologia edhe stafi pedagogjik
i gjimnazit në tërësinë e tij.
Pastaj
kanë marrë lajmin e dytë: që shoqja e tyre u vetëvar. Dhe koncepti “var” merr
një konotacion edhe më të ashpër. Dhe ndoshta ajo prandaj u vetëvar.
Dhe
lajmi i tretë duhet të jetë edhe më i keq, sepse ishte një akuzë – për ta, për
ata që e çuan drejt litarit.
Irsa
nuk jeton më. Shoqet dhe shokët e saj të shkollës po. Ata do të futen çdo ditë
në klasë për të nxënë dituri, për të marrë mësime edukate… Mbi shpatulla do të
mbajnë një peshë. Të rëndë sa vetë vdekja. Madje edhe atëherë kur kujtojnë se
nuk po e ndjejnë, pesha mbi shpatulla do të vazhdojë t’u rëndojë. Sepse në
ndërgjegjen e tyre, imazhi i Irsës do të gdhendet si me një daltë të hekurt.
Ajo nuk do t’u shqitet më.
Por
a mund të vetëvritet njeriu sepse shokët e klasës nuk i pëlqejnë veshjen? Dhe
ku pa: në Gjirokastër, ku gjithë qyteti ka rreth 40 mijë banorë. Në Nju Jorkun
e madh, me mbi 10 milionë njerëz që hyjnë e dalin, mund të ecësh rrugëve
dimër-verë, vetëm me pantallona të shkurtra nëse ta mban trupi, dhe askush nuk
të hedh sytë për të të bullizuar për veshjen tënde. Sepse askujt nuk i
intereson një gjë e tillë kaq e tejkaluar.
Por
ky lloj emancipimi na mungon. Dhe ne mendojmë ende si shumë vite më parë, kur
ishim të pangrënë e të paveshur, dhe mendonim thellësisht se një bluzë më shumë
do të na bënte njeri. Ndërkohë që nuk qenka ky kushti. Njeriun nuk na e bën një
bluzë më shumë, dhe kur ajo është aq e bukur dhe aq e mirë, sa… o Zot, mund të
kushtojë disa mijëra euro.
No comments:
Post a Comment