Leonard Veizi
Muaji
mars është një periudhë simbolike për shqiptarët, pasi sjell me vete katër
festa të rëndësishme që pasqyrojnë vlerat e shoqërisë sonë: 7 Marsi Ditën e
Mësuesit, 8 Marsi Dita Ndërkombëtare e Gruas 14 Marsi Ditën e Verës dhe 22
Marsi Dita e Hashures. Këto katër data, megjithëse të ndryshme në thelb, lidhen
ngushtë me zhvillimin e kulturës, respektin për figurat e rëndësishme dhe
festimin e jetës.
...Timtamet
e daulleve kanë nisur të ndihen. Marsi ka hapur siparin e një tufe festash që,
me gjithë karakterin e tyre të ndryshëm, krijojnë një simfoni të gëzimit dhe
reflektimit. Në këtë trekëndësh festiv, secila datë ka peshën dhe shijen e saj,
por të gjitha bashkohen në një harmoni që përshkon shoqërinë shqiptare.
Arsimi, drita për kombin
7
Marsi është një festë më e kufizuar, më e qetë, një homazh për dijen dhe për
mësuesit, ata që ndezin dritën e arsimit në breza. Nderimi për ta nuk ka daulle
e brohoritje, por përmban një nderim të heshtur, një mirënjohje që ka rrënjë të
thella në vetëdijen e çdo nxënësi e qytetari.
Dita
e Mësuesit është një homazh për hapjen e shkollës së parë shqipe më 7 mars 1887
në Korçë. Kjo datë nuk është thjesht një kujtim historik, por një reflektim mbi
rolin e arsimit në formësimin e identitetit kombëtar. Mësuesit kanë qenë jo vetëm
transmetues të dijeve, por edhe udhërrëfyes të brezave në rrugën e qytetërimit
dhe lirisë. Në një kohë kur sfidat e arsimit janë të shumta, nga ndryshimet
teknologjike te vështirësitë sociale dhe ekonomike, 7 Marsi mbetet një ditë për
të vlerësuar dhe mbështetur ata që mbajnë në duar të ardhmen intelektuale të
shoqërisë.
Gruaja, shtylla e shoqërisë
Pastaj
vjen 8 Marsi, një ditë me përmasa më të gjera, që e kapërcen pragun e shkollave
dhe del në rrugë, në tryeza festive, në fjalime e buqeta me lule. Gruaja, kjo
forcë e madhe, nuk është thjesht një simbol për një ditë të vetme, por një
shtyllë e palëkundur e shoqërisë. Përtej dhuratave dhe urimeve, kjo është një
ditë për të reflektuar mbi sakrificat, përpjekjet dhe fuqinë e grave në çdo
hapësirë të jetës.
Dita
Ndërkombëtare e Gruas ka kaluar nga një datë e protestës për të drejtat e grave
në një festë për rolin e tyre në shoqëri. Megjithatë, nëse e festojmë këtë ditë
pa reflektuar mbi sfidat që gratë ende përballen – pabarazinë, dhunën,
diskriminimin – atëherë 8 Marsi rrezikon të mbetet një shënim kalendarik, pa
ndikim real. Në Shqipëri dhe në botë, gratë kanë dëshmuar se janë shtylla të
familjes, arsimit, ekonomisë dhe politikës. Prandaj, përtej dhuratave dhe
urimeve, kjo ditë duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe veprimi për të
ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë.
Festa e jetës dhe traditës
Dhe
si qershia mbi tortë, vjen 14 Marsi, Dita e Verës. Kulminacioni ndodh në
qytetin e Elbasanit ku kjo festë është e shenjtë mbi gjithçka, madje dhe mbi
datën e ndërrimit të viteve. Këtu gjithçka merr një trajtë tjetër: rrugët
mbushen me ngjyra, aroma e ballokumeve përhapet kudo, dhe “qeni i kallajxhiut”
nis vallen e tij të pandalshme. Sepse është festë. Një festë e lashtë që, edhe
në kohët moderne, ruan shpirtin e vet të gëzimit të pastër, të daljes nga
dimri, të kthimit te jeta dhe energjia e re.
Kjo
është Dita e Verës, një festë e lashtë pagane që simbolizon ardhjen e pranverës
dhe ringjalljen e natyrës, është një çast për të festuar optimizmin dhe
energjinë pozitive. E rrënjosur thellë në traditën shqiptare, sidomos në
qytetin e Elbasanit, kjo festë është një kujtesë se pas dimrit vjen pranvera,
pas vështirësive vjen lehtësimi. Në një botë gjithnjë e më të tensionuar, ku
ritmi i jetës shpesh na largon nga vlerat e thjeshta, 14 Marsi na fton të
ndalemi, të festojmë dhe të rifitojmë lidhjen me natyrën dhe me njëri-tjetrin.
Ashurja në ekuinoks
Në
këtë muaj të trazuar nga gëzimi dhe ritmet e festave, nuk mund të harrojmë as
22 Marsin, Festën e Ashures. Një mars i mbushur me simbolika, një mars që nuk
është thjesht kalendarik, por edhe shpirtëror. Festa e Ashures nuk është vetëm
një çast fetar, por një simbol i tolerancës dhe bashkëjetesës, një kujtesë se
diversiteti është pasuri dhe jo ndarje.
Një muaj, shumë mesazhe
Këto
festa nuk janë thjesht data në kalendar; ato janë tri mesazhe të fuqishme për
shoqërinë: nevojën për arsim dhe dije, respektin për gratë dhe barazinë, si dhe
rëndësinë e gëzimit dhe bashkimit. Nëse do t'i festonim këto data jo vetëm me
urime e ceremoni, por edhe me përkushtim dhe reflektim mbi domethënien e tyre
të vërtetë, atëherë marsi nuk do të ishte vetëm një muaj festash, por një muaj
ndryshimesh pozitive.
Nga
7 Marsi, që nderon dritën e dijes dhe përkushtimin e mësuesve, tek 8 Marsi, që
shpërfaq forcën e gruas dhe kauzat e saj, më pas tek 14 Marsi, që na fton në
një vallëzim me pranverën, e deri te 22 Marsi, një ditë harmonie dhe bashkimi.
Në
këtë mars të zhurmshëm e të gjallë, nga timtami i daulleve te kërcitja e enëve
të bakrit për përgatitjen e ballokumeve, nga petalet e luleve të marsit tek
ëmbëlsia e hashures me grurë, një gjë mbetet e përbashkët: fryma e festës dhe
ndjenja e bashkimit. Një mars që na përfshin të gjithëve, një mars që na kujton
se jeta është një mozaik i bukur traditash, emocionesh dhe vlerash.