Tuesday, November 18, 2025

1000 gola, Pele kthehet në legjendën e pavdekshme

19 nëntor 1969 – Kur futbolli u ndal për të nderuar Mbretin




Nga Leonard Veizi
 
Më 19 nëntor 1969, bota ndaloi për disa çaste. Nuk ishte finale e Kupës së Botës, megjithatë atmosfera në stadiumin legjendar Marakana të Rio de Zhaneiros kishte peshën e një momenti të përjetshëm. Në minutën e 34-të të pjesës së dytë, një penallti e kthyer në gol shkaktoi një shpërthim emocioni që nuk kishte të bënte thjesht me rezultatin. Santos fitoi 2:1 kundër Vasco da Gama-s. Por ajo fitore mbeti krejtësisht në hije. Sepse ajo që ndodhi në atë sekondë tejkaloi çdo shifër: Pele, mbreti i futbollit, shënoi golin e tij të 1000-të në karrierën profesionale. Ishte një moment aq i madh, aq i papritur, sa vetë loja u bë e parëndësishme. Qindra tifozë vërshuan në fushë, si një valë e pandalshme gëzimi dhe adhurimi, duke e shndërruar tapetin e gjelbër në një skenë kaosi të lumtur. Ata nuk po përqafonin thjesht një futbollist, por simbolin e ëndrrës, njeriun që kishte çuar futbollin në lartësi qiellore. Loja u ndërpre për disa minuta. Media e pagëzoi menjëherë: “Goli i Mijëtë” – një rekord i paprecedentë, jo një numër i thatë, por fillimi i mitologjisë së tij.
 
I lindur nga varfëria
Pele, i lindur si Edson Arantes do Nascimento në qytetin e vogël Tres Korasoins të Brazilit, ishte më shumë se një futbollist: ai ishte një fenomen kulturor dhe një histori frymëzuese.
I rritur në varfëri të thellë, ai nisi të luante futboll me një top të bërë me çorape të mbushura me gazeta. Por brenda pak vitesh, talenti i tij shpërtheu përtej çdo parashikimi dhe e çoi nga rrugicat e varfra drejt majës së botës, duke provuar se ëndrrat mund të marrin formë pavarësisht vështirësive.
Me trup të fuqishëm, shpejtësi të jashtëzakonshme, inteligjencë taktike dhe një aftësi të lindur për të lexuar lojën, Pele u bë sinonim i vetë fjalës “futboll”. Për dekada, ai ishte zemra e ekipit Santos, duke fituar trofe të paimagjinueshëm dhe duke e kthyer klubin brazilian në një emblemë të futbollit botëror.
Goli i tij i 1000-të nuk ishte një numër i rastësishëm. Ai përfaqësonte punën titanike të një atleti që me talent, disiplinë dhe përkushtim, e çoi lojën përtej kufijve të saj natyralë. Për miliona tifozë, Pelé ishte gëzim, ishte magji, ishte shpresë – një Brazil i tërë gjente tek ai një pasqyrim të ëndrrave të veta.
Pele mbeti gjithmonë një ambasador i lojës së bukur: i thjeshtë, karizmatik dhe fisnik. Ai nderonte çdo fushë ku zbriste, qoftë në një kampionat botëror, qoftë në një ndeshje bamirësie.
 
Çasti që s’do shuhet kurrë
19 nëntori 1969 është i gdhendur në historinë e futbollit si dita kur bota duartrokiti Mbretin. Pele nuk shënoi thjesht një gol – ai vulosi legjendën e tij në zemrat e miliarda njerëzve, duke u bërë një ikonë e përjetshme e sportit më të dashur në planet.


Sunday, November 9, 2025

Enio Morrikone, talenti i pamasë i një kompozitori



Me 500 kompozimet e tij ai do të rreshtohej përkrah Bethovenit e Mozartit, por kolonat zanore të filmave i dhanë famën e jashtëzakonshme
 
Nga Leonard Veizi
 
Kishte një talent të pamasë. Por pa dyshim, kinemaja i dha një famë të jashtëzakonshme, edhe pse ai vetë do të dëshironte të kishte të njëjtin sukses edhe me pjesët që kishte kompozuar jashtë saj. Por industria e filmit është shtypëse dhe merr spektatorë pa fund. Gjithsesi, ai ishte nga ata kompozitorë emri i të cilëve u ngulit thellë në memorien kolektive. Kjo, ose për shkak se filmat ishin shumë të suksesshëm dhe emri i kompozitorit për kolonën zanore u fiksua shpejt bashkë me atë të regjisorit dhe aktorëve kryesorë, ose sepse ilustroi me muzikën e tij aq shumë filma, sa që nuk kishte më arsye pse emri i tij të mos mbetej në kujtesë...  
 
...Po t’u përmendësh emrin e Enio Morrikone-s, shumë e shqiptarë do ta lidhin atë me filmin “Për një grusht dollarë”, një prodhim i vitit 1964, nga regjisori i famshëm italian Serxho Leone, nën interpretimin e amerikanit të jashtëzakonshëm Klint Istvud. Pra, duheshin vetëm këta tre emra për të nxjerrë në dritë një film shumë të ndjekur. Në rastin më të mirë, duke zgjeruar gamën, emri i Enio Morrikone-s mbahet mend edhe për kolanën e shumë filmave “spagheti western”, gjithashtu pjesën më të mirë tyre në bashkëpunim me të njëjtin regjisor. Por për shqiptarët emri i Enio Morrikones është i lidhur dhe me filmin “La Piovra” një nga më të ndjekurit, sidomos gjatë periudhës izolacioniste në vend, ku ky film shihej si një dritare nga ku mund të shihej bota e përtejme perëndimore. Dhe po aq i njohur emri i kompozitorit italian ishte dhe me filmin “Joss il professionista”, ku luante ylli i kinemasë franceze, Zhan Pol Belmondo.
Por më pak se shumica absolute e dinë se ai ka shkruar muzikën e filmave edhe më të famshëm, p.sh. “Na ishte një herë Amerika”, i fundit i Serxho Leones, që cilësohet nga kritika dhe më i miri i prodhimeve të tij, por edhe një kryevepër kinematografike. "Muzika është e domosdoshme, sepse filmat e mi praktikisht mund të jenë filma të heshtur, me pak fjalë, dhe kështu muzika nënvizon veprime dhe ndjenja më shumë sesa dialogu," është shprehur regjisori Sergio Leone.
Megjithatë, Enio Morrikone do të bashkëpunonte edhe me regjisorë të tjerë të mëdhenj: nga Bertoluçi te Karpenter. Në fund, ndër bashkëpunimet e suksesshme rezultuan edhe bashkëpunimet me regjisorin Kuentin Tarantino, ku ky i findit pas filmit “The Hateful Eight” e cilësoi Morrikonen “artist me më tepër talent se Bethoven apo Mozart”.
Enio Morrikone është ndoshta kompozitori më i famshëm i filmit të shekullit të 20-të. Ai është gjithashtu një nga kompozitorët më pjellorë që punoi në çdo medium. Ndërsa rezultatet e tij të filmit kanë qenë pothuajse në çdo stil muzikor të imagjinueshëm.
Morrikone filloi të studiojë muzikë në Konservatorin e Romës, “Santa Cecilia”, në moshën 12 vjeç. I nxitur të përqendrohej në përbërje nga instruktorët e tij, ai e mbështeti veten duke luajtur trumbetë në bandat e xhazit, dhe më pas punoi për radion kombëtare të Italisë, pas diplomimit në konservator.
Enio Morrikone u njoh për kolonat zanore të shumë filmave italianë dhe të kinemasë botërore. Ai klasifikohet si një prej kompozitoreve më të zotë e prodhimtarë të periudhës së tij. Kompozoi mbi 400 pjesë për kinemanë dhe serialet televizive, si dhe mbi 100 vepra klasike. Në të vërtetë 30 filmat që i përkasin tipit “western”, janë ata që e bëjnë atë aq shumë të njohur.
Morrikone u vlerësua me çmim Oscar për kompozimin e muzikës kryesore të filmit “The Hateful Eight” apo siç vjen në shqip “Tetë më të urryerit”, prodhim i vitit 2016. I njohur si "Maestro", ai e mori Oscar-in e nderit në vitin 2007 për "kontributet e tij madhështore dhe të shumanshme në artin e muzikës së filmit", Në karrierën e tij të gjatë u nominua në 91 çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, prej të cilave fitoi 83, ku spikasin 3 çmime Grammy, 4 Golden Globe dhe 6 çmime BAFTA.
Rezultati i tij për të “Good, Bad and the Ugly” të vitit 1966 konsiderohet si një nga tingujt më me ndikim në histori. Enio Morrikone ka ndikuar në shumë artistë përsa i përket stileve dhe zhanreve të tjera, duke përfshirë Hans Zimmer, Dire Straits, Metallica e shumë të tjerë.
Kompozitori famoz kishte lindur në Romë më 10 nëntor 1928. Ishte një banor i përjetshëm i kryeqendrës italiane dhe vdiq në po të njëjtin qytet. Ai u nda nga jeta agimin e së hënës, në 6 korrik 2020, në moshën 91-vjeçare.
Në testamentin e tij Morrikone kishte shkruar: "Unë nuk dua të shqetësoj".

“The Rumble in the Jungle”, kur Muhammad Ali rrëzoi Xhorxh Foreman dhe u kthye në mit



Nga Leonard Veizi
 
Ka netë kur historia e sportit nuk shkruhet me numra dhe statistika, por me emocione, me zhurmën e daulleve primitive dhe me dritën e shpresës. Mëngjesi tropikal i 30 tetorit 1974, nën qiellin e yjëzuar dhe të rëndë të Kinshasës, ishte një prej tyre. Bota mblodhi frymën, duke dëgjuar thirrjen e një turme prej 60,000 njerëzish: “Ali, boma ye!” apo “Ali, vrite!”.
 
Në zemrën e Zairit – që sot njihet si Republika Demokratike e Kongos, - ndodhi një nga çastet më të thella dhe madhështore të boksit – përballja mes Muhammad Ali dhe Xhorxh Foreman, e pagëzuar si “The Rumble in the Jungle”. Ky ishte më shumë se një duel për titullin botëror në peshat e rënda; ishte një ndeshje epike mes dy filozofive të jetës, mes dy simboleve të epokës. Ishte ndeshja midis shpirtit të pathyeshëm të sfiduesit dhe forcës brutale të kampionit. Midis një njeriu që kishte humbur gjithçka për parimet e tij dhe një makinerie nokauti që nuk njihte humbje.  
 
Ali vs Foreman
Ali, ish-kampion olimpik dhe botëror, vinte në Afrikë si i dëbuar i kohës. Pas një periudhe të gjatë ku i ishte hequr licenca për shkak të refuzimit për t'u përfshirë në luftën e Vietnamit, ai nuk ishte thjesht një boksier. Ai ishte tashmë një figurë globale: simbol i dinjitetit, i kurajos qytetare, i njeriut që nuk përkulet para padrejtësisë. Në moshën 32-vjeçare, shpejtësia i ishte zbehur, por trashëgimia e tij ishte rritur.  
Përballë tij qëndronte Xhorxh Foreman – një forcë e natyrës, më i ri, më i pamposhtur, zotërues i grushtit më shkatërrues në sport. Foreman i kishte mbyllur ndeshjet e tij pothuajse gjithmonë me nokaut brenda pak raundesh, duke e shkatërruar kundërshtarin me një dhunë të pafalshme. Pothuajse të gjithë mendonin se ky ishte fundi i karrierës së Ali-t.  
 
Strategjia e rraskapitjes
Në orën katër të mëngjesit, një orar i pazakontë për të ndjekur kërkesat e audiencës amerikane, nën dritat verbuese dhe vapën afrikane, filloi ndeshja që do të ndryshonte kursin e historisë. Ali e dinte se nuk mund të luftonte forcën me forcë. Ai luftoi me mendje, duke zbatuar strategjinë e tij legjendare, “rope-a-dope” që në shqip vjen si: përleshje mbi litarët. Në vend që të shmangej, Ali u mbështet në litarët e ringut, duke mbuluar kokën dhe trupin. Ai e la Foremanin të godiste dhe të shfrynte të gjithë energjinë e tij. Çdo grusht i Foreman-it, megjithëse i rëndë, dukej se përzihej me litarët dhe e humbiste forcën. Ali i pëshpëriste fjalë provokuese kampionit të frustruar: “A është ky i gjithë ai grusht, Xhorxh?!” Ndërkohë, turma afrikane, e mahnitur nga kurajoja dhe guximi i Ali-t, brohoriste pa ndalur.  
 
Nokauti i Përjetësisë
Ndërsa shkuam në raundin e tetë, Foreman ishte rraskapitur fizikisht dhe psikologjikisht. Grushtat e tij, që në fillim ishin topa guri, tani ishin thjesht shtyrje të dobëta. Papritur, si një aktoresk i skenarit më të mirë, Ali shpërtheu. Ai u shkëput nga litarët dhe goditi Foreman-in me një kombinim të shpejtë e të përsosur, duke kulmuar me një goditje të djathtë që rrëzoi kampionin për tokë.  
Arena shpërtheu në një histeri kolektive. Xhorxh Foreman, i pamposhturi, ishte shtrirë në tokë dhe arbitri numëronte. Ali ishte rikthyer në fronin e tij.  
Kjo fitore kapërceu kufijtë e sportit. Ajo ishte triumfi i inteligjencës mbi muskulaturën, i shpirtit njerëzor mbi frikën dhe dhunën, i besimit te vetvetja kur askush tjetër nuk besonte. Në një kohë kur bota kishte nevojë për një hero që sfidonte pushtetin, Muhammad Ali e ofroi atë me një buzëqeshje, me një fjalë, dhe me atë grusht të vetmuar që vulosi emrin e tij në panteonin e mitit.    
“Unë jam më i madhi,” kishte thënë ai dikur. Dhe atë natë në Zaire, në zemrën e errësirës afrikane, ai nuk u bë vetëm kampion i botës, por u kthye në një legjendë, figura më ikonike dhe më frymëzuese që ka njohur sporti.

“Djali i Artë” Diego Armando Maradona, eposi i gjenialitetit dhe kontradiktës



Nga Leonard Veizi  
 
Disa emra shkëputen nga materia njerëzore dhe shndërrohen në yje që nuk shuhen. Ata nuk u përkasin më vetëm biografive, por kanë marrë rrugën mitologjisë.
Në panteonin e futbollit, një vend i tillë, i shenjtë, mbahet nga Diego Armando Maradona.  
Ai nuk ishte thjesht një lojtar. Ishte një erupcion gjenialiteti, një shkëndijë hyjnore në formë njeriu, dhuratë për një lojë që fal emocione dhe plagë me të njëjtën forcë shkatërrimtare.
Kur topi, ai rruzull i vogël lëkure, i ngjitej këmbës, dukej sikur ligjet e fizikës pezulloheshin: graviteti ndalonte, koha ngadalësonte, dhe topi i bindet ritmit të tij të çmendur, duke kërcyer nën magjinë e një mjeshtri.
Maradona ishte vetë thelbi i futbollit i përkthyer në poezi rebele dhe tragjedi njerëzore.  
Ai lindi më 30 tetor 1960 në kasollen e varfër të lagjes Villa Fiorito në Buenos Aires. Që në moshën më të njomë, ky fëmijë shfaqi një bekim të pashoq: topi u bë shoku i tij i përjetshëm, mjeti i vetëm për të çarë errësirën dhe për të ndërtuar një jetë të ndryshme nga ajo që i ofronte fati. Në moshën 15-vjeçare, debutoi me “Argentinos Juniors”, duke tronditur Argjentinën me atë që komentatorët e quajtën, me drithërimë: “një fëmijë që luan si Zot”. 
Karriera e tij u ngjit drejt majës me shpejtësinë e një uragani dhe me ritmin e driblimit të tij të pandalshëm: “Boca Juniors”, “Barcelona”, dhe pastaj “Napoli” – qyteti i shpërfytyruar që do ta adhuronte si ikonë. Pikërisht në Jugun e Italisë, Maradona e transformoi një skuadër të harruar në kampion të Italisë dhe të Europës, duke u bërë për tifozët e tij shpëtimtari, i vetmi që sfidoi të fortët e Veriut. Muralet me fytyrën e tij mbetën në muret e lagjeve si ikona të besimit, dhe emri “Diego” u shndërrua në një lutje, një besëlidhje.  
Por çasti që e gdhendi përjetësisht në historinë e sportit ishte Kupa e Botës 1986 në Meksikë. Atje, ai udhëhoqi Argjentinën drejt lavdisë, duke shënuar në një ndeshje të vetme kundër Anglisë dy nga golat më kontradiktorë dhe më të famshëm të të gjitha kohërave: “Dora e Zotit” – akti i rebelimit djallëzor, dhe “Goli i Shekullit” – akti i pastër i gjenialitetit, ku kaloi me mjeshtëri gjysmën e skuadrës kundërshtare. Ishte ky akt, që shpalosi Maradonën në dy anët e të njëjtës medalje: njeriu-gjenial dhe njeriu-rebel.  
Pseudonimi i tij, “El Pibe de Oro” – “Djali i Artë”, nuk i përkiste vetëm aftësisë me topin, por shpirtit të tij të papërkulur. Ai mishëronte dashurinë për futbollin si art, pasionin e pastër që buron nga rruga, dhe humanizmin e thellë të njeriut që kurrë nuk harroi origjinën e tij të varfër. Megjithëse jeta jashtë fushës u përfshi nga labirintet e errëta të varësisë dhe betejave personale, në fushë ai ishte gjithnjë i përkryer – një poet rebel që shkruante me topin mbi barin e stadiumit.  
Maradona vazhdoi më pas edhe si trajner, duke përfshirë detyrën e përzgjedhësit të Argjentinës në Botërorin e 2010-ës. Ai mbeti përherë një ikonë e popullit, një hero që fliste gjuhën e të varfërve, dhe që i kundërvihej çdo pushteti apo autoriteti që synonte ta kontrollonte.  
Diego Armando Maradona u largua më 25 nëntor 2020, por prania e tij është ende e gjallë në çdo murale të Buenos Airesit, në çdo shesh të Napolit, në çdo zemër që e ka dashur futbollin me shpirt dhe me pasion. Ai ishte më shumë se një kampion – ishte një shpërthim i pastër i jetës, pasionit, lavdisë dhe tragjedisë njerëzore, të mishëruara në një trup të vetëm.  
Sepse, siç e përmblodhi mjeshtri Eduardo Galeano: “Maradona është më shumë se futbollist. Ai është një pjesë e pandashme e shpirtit të Amerikës Latine - e bukur, e padrejtë, dhe e përjetshme.”