Monday, March 2, 2026

Hemorragjia e bardhë dhe Shqipëria që po mbytet nga zbrazëtia




Nga Leonard Veizi
  
Po hë, ku ke ndër mend të shkosh: në Amerikë, në Australi apo në Francë, Lion? – Klivlen, është një vend shumë i bukur. Zëre se keni shkuar për pushime. Punë ka sa të duash. Unë sapo u ktheva që andej. Ke punëtorë? Kam u thashë. 3 dollarë dita do t’i paguaj.
Kështu e tundonte agjenti i udhëtimeve Sakon në filmin "Dasma e Sakos"...
 
...Në celuloidin e kinemasë shqiptare, ikja ka qenë gjithmonë premtim. Një horizont i kaltër përtej oqeanit. Një mit i ushqyer me fjalë të mëdha dhe me ëndrra të vogla. Sot, ai mit nuk projektohet më në ekran. Ai shihet në aeroport. Në autobusët e natës. Në valixhet e zeza me rrota.
Shqiptarët po ikin. Kështu thonë agjencitë e lajmeve. Kështu thonë shifrat. Por, më tepër se kaq, kështu thonë klasat bosh, pa nxënës.
 
Kronika e një zbrazjeje të paralajmëruar
Për në Amerikë me vapor të Amerikës. Agjent Spiro Bukurdha. Edhe këtë tabelë kot e mban. Amerika është në krizë për vete…” – thoshte Filipi, personazhi i filmit "Vitet e pritjes".
Ironia është therëse: dikur frika ishte se “Amerika është në krizë”. Sot, kriza është këtu – dhe ajo quhet mungesë perspektive.
Shifrat e Eurostat-it, të publikuara së fundi, nuk janë më statistikë e thatë. Janë alarm.
Në vitin 2024 rreth 44 mijë shqiptarë zgjodhën Bashkimin Europian si shtëpinë e tyre të re.
Në periudhën 2021–2024 afro 180 mijë persona janë larguar – pa përfshirë shifrat nga Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Një qytet i tërë i fshirë nga harta. Një popullsi e paketuar në bileta avioni. Një vend që po zvogëlohet pa zhurmë.
 
Nga “vitet e pritjes” te vitet e braktisjes
Gjatë komunizmit, shqiptari ishte i mbyllur brenda kufirit. Nuk guxonte ta kalonte atë, sepse quhej arratisje dhe dënohej për tradhti ndaj Atdheut. Sot kufiri është i hapur – por brenda vendit ndihen mure të tjera: ekonomike, institucionale dhe morale.
Liria e lëvizjes, dikur ëndërr, është kthyer në formën më të heshtur të protestës. Nuk ka pankarta. Nuk ka thirrje. Ka vetëm nisje. Shqiptari nuk po pret më; ai po largohet.
 
Pse po ikin akoma?
Ka punë, ka para. Ka para, ka qejf, ka gjithë të mirat…” – i thoshte Serveti Abazit te "Gjoleka, djali i Abazit". - “Sikur Amerika të derdhë qumështin e një dite, Shqipërinë e mbyt.”
Kjo batutë, dikur e thënë me gjysmë humori e gjysmë ëndrre, sot tingëllon si një diagnozë e trashëguar. Dikur ishin “3 dollarët në ditë”, ishte buka, ishte mbijetesa. Sot arsyeja është më e thellë dhe më e ndërlikuar. Nuk është vetëm çështje page. Është çështje dinjiteti.
Shqiptarët nuk ikin më vetëm për të mbushur frigoriferin; ikin për të mbushur një boshllëk që këtu nuk po mbyllet dot. Ikin sepse ajo që në vende të tjera quhet normalitet – një spital që funksionon, një shkollë që formon, një shtet që garanton siguri – këtu mbetet ende premtim elektoral. Ikin sepse për shumë të rinj, llogaria e jetës nuk del: qiratë rriten, çmimet ngjiten, pagat mbeten poshtë, dhe e ardhmja kthehet në një ekuacion pa zgjidhje.
Por mbi të gjitha, ikin sepse miti vazhdon të jetojë. Ideja e rrënjosur brez pas brezi se “andej” është më mirë, se diku tjetër fillon jeta e vërtetë, se suksesi ka adresë të huaj. Është një bindje e ushqyer nga rrëfimet e emigrantëve të kthyer për pushime, nga fotografitë me makina të reja dhe nga krahasimi i përditshëm me një realitet që këtu shpesh zhgënjen.
Në fund, largimi nuk është më vetëm lëvizje gjeografike. Është një votë mosbesimi. Një vendim i heshtur që thotë se shpresa, për shumëkënd, nuk prodhohet më brenda kufirit.
 
Një komb që “pret” duke ikur
Hemorragjia demografike nuk është thjesht çështje ekonomie. Është çështje ekzistence. Kur largohen të rinjtë, nuk humbasim vetëm krahë pune; humbasim mësues, mjekë, inxhinierë dhe prindër të ardhshëm. Humbasim zërat që do të mbushnin shkollat dhe idetë që do të mbushnin boshllëqet.
Kinemaja jonë ishte profetike. Personazhet që dikur shihnim në ekran – me valixhe në dorë dhe sy nga Perëndimi – sot janë realiteti ynë i përditshëm. Nëse dikur Serveti paralajmëronte se Amerika mund ta “mbytë” Shqipërinë me bollëkun e saj, sot rreziku është tjetër: Shqipëria po mbytet nga zbrazëtia.
Mitet kanë mbetur në celuloid. Realiteti është më i thjeshtë dhe më i ashpër: një vend që nuk arrin të mbajë bijtë e vet. Ndaj pyetja nuk është më pse po ikin. Pyetja është: sa do të mbetet për t’u shpëtuar?


No comments:

Post a Comment